Thellë

Burgu, ja kur falen vitet e fundit

  • Shekulli
  • 17 Shkurt 2017, 07:58
  • Përditësuar 08:08

Temat Kryesore

  • Në vitin 2013, ekspertët menduan të fusnin për herë të parë konvertimin e dënimit me burg në atë me gjobë
  • Një tjetër draft është hartuar tashmë nga ekspertët që propozojnë zgjerimin e kësaj alternative
Nga Alma Çuka

Drafti i propozuar nga ekspertët e Ministrisë së drejtësisë për disa ndryshime në Kodin Penal dhe atë të procedurës penale, futet në kalendarin e punimeve në Kuvendin e Shqipërisë. Mes 17 neneve të propozuara për ndërhyrje synohet të zbutet mbipopullimi në paraburgime dhe burgje. Janë propozuar disa ndryshime në Kodin Penal duke kërkuar t’u japin një shans personave që pas kryerjes së një krimi dënohen me 5 vite burg dhe atyre që u ka mbetur për të vuajtur 5 vite nga masa e dënimit. Me këtë projekt Ministria e Drejtësisë u “shet” lirinë të dënuarve, duke shpresuar të fusë në arkën e saj shuma të konsiderueshme parash. Një ditë burg, qeveria ka menduar ta “shes” 5 mijë lekë të reja. “Të gjithë ata persona që janë dënuar me burgim deri në 5 vjet apo që u kanë mbetur pa vuajtur edhe 5 vjet burgim, mund të kërkojnë ta zëvendësojnë dënimin e mbetur me pagimin e një shume të hollash në favor të shtetit, duke llogaritur 5000 lekë për një ditë burgim. Në këtë rast, dënimi konsiderohet i shlyer”, thuhet në draft. . Por ky dokument ende nuk ka marr formën e ligjit. Shumë shpejt ai do të diskutohet në komisionet parlamentare, ku grupet e interesit do të japin mendimin e tyre. Me këto ndryshime të cilat pritet të diskutohen në komisionin parlamentar të ligjeve, u jepet një shans edhe 164 të dënuarve me burgim të përjetshëm. Në projektligj thuhet se: "Një i dënuar që vuan një dënim me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht nga gjykata nëse ai ka vuajtur të paktën tridhjetë e pesë vjet burgim dhe nëse gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit ka mbajtur sjellje shëmbullore dhe qëllimi i riedukimit të tij është arritur.

Ndryshimet në vitin 2013

Në vitin 2013 ekspertët bënë disa ndryshime në Kodin Penal. Ata shtuan një nen ku u jepej një shans të gjithë personave të akuzuar për kundravajtje penale që të fitonin lirinë duke paguar për llogari të shtetit një shumë të konsiderueshme të hollash. U shtua neni 54 me këtë përmbajtje: Për kundërvajtjet penale për të cilat, veç gjobës, parashikohet njëkohësisht dënimi me burgim, gjykata, me kërkesën e autorit të kundërvajtjes penale mund të pranojë që ai të paguajë aty për aty një shumë të hollash në favor të buxhetit të shtetit, e barabartë me gjysmën e maksimumit të gjobës të parashikuar për kundërvajtjet penale në Pjesën e Përgjithshme të këtij Kodi. Kërkesa mund të paraqitet në çdo fazë të gjykimit deri përpara dhënies së vendimit përfundimtar të shkallës së parë. Kur gjykata nuk pranon kërkesën, jep dënimin për veprën e kryer. Pranimi i kërkesës nuk lejohet për personat që më parë janë dënuar edhe për kundërvajtje penale”.

Por që nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij ligji, asnjë person i akuzuar për vepra që dënohen me gjobë deri në 3 vite burg, nuk rezulton të ketë pranuar konvertimin e masës së dënimit dhënë nga gjykata në përfundim të shqyrtimit gjyqësor. Ky fakt duket se është studiuar nga ekspertët dhe juristët e burgjeve. Pas vitit 2013 u pa që mbipopullimi në institucionet e vuajtjes së dënimit dhe paraburgimit, jo vetëm që nuk pësoi rënie, por si pasojë e aksioneve për ndërprerjen e energjisë së paligjshme dhe ndërtimet pa leje, u dyfishua. Në relacionin që shoqëron draftin thuhet se nevoja për disa ndryshime në Kodin Penal u diktua nga numri i lartë i të dënuarve dhe paraburgosurve si dhe pamundësia për sistemimin e tyre. Në materialin e përgatitur nga Ministria e Drejtësisë ekspertët shprehen se ndryshimet erdhën si domosdoshmëri pas konstatimit të një shqetësimi të kahershëm, atë të një drejtësie penale jo efiçente. Por për një pjesë të grupeve të interesit, ndryshimet e pjesshme të Kodit Penal nuk janë efiçente. Sipas tyre, ato, jo vetëm që nuk ndihmojnë në dhënien e një drejtësie të vërtetë, por përkundrazi e kanë futur atë në një situatë komplekse.

Kush pritet të përfitojnë

Aktualisht numri i personave të dënuar nga 1-2 vite burg që mund ta konvertojnë këtë mas me lekë është 156. Ndërkohë 407 të tjerë rezultojnë me një masë dënimi nga 1-5 vite. Një pjesë e mirë e tyre nëse kanë mundësi ekonomike, mund të konvertojnë dënimin me para. Për një ditë burg ata duhet të paguajnë 5 mijë lekë të reja. Këto para shkojnë në arkën e shtetit. Gjithsesi nga praktika e deritanishme rezulton se asnjë prej të dënuarve nuk ka pranuar të paguajë për të fituar lirinë. Nga ky rregull përjashtohen 164 të dënuarit me burgim të përjetshëm. Ndërkohë kanë të drejtë të aplikojnë pasi të kenë edhe 3 vite burg për të shlyer 365 të dënuarit nga 20- 25 vite burg, 310 të tjerë nga 15- 20 vite, 820 nga 5-15 vite. Nga ky rregull nuk përjashtohen edhe 2980 të paraburgosurit që ndodhen aktualisht në burgje.

Ekspertët, në sistemin e burgjeve më shumë të paraburgosur se të dënuar

Një arsye që është përdorur nga ekspertët, prokurorët, gjyqtarët, avokatët që mendohet e kanë dhë- në ndihmën e tyre në hartimin e neneve shtesë në Kodin Penal dhe atë të Kodit të Procedurës Penale, është edhe fakti se në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale ka më shumë të paraburgosur se sa të dënuar. Kjo është përdorur si shkak jo vetëm për t’i dhënë mundësi një pjesë të dënuarish të konvertojnë ditët e burgut me lekë, por dhe për të rishikuar edhe një herë caktimin e masave të arrestit. Pothuaj çdo ministër drejtësie që ka ardhur në detyrë, ka ngritur shqetësimin për përdorimin nga gjykata të masës së sigurisë “arrest me burg”. Ekspertët shprehen se kjo masë është shumë e përdorur, pavarësisht masave të tjera alternative që legjislacioni penal parashikon. Prokuroria dhe gjykatat sipas juristëve e kanë më të lehtë të aplikojnë masën e “arrestit me burg”, duke mos u dhënë rëndësi, masave të tjera. Ministria e Drejtësisë pretendon se ndryshimet e fundit të Kodit Penal dhe ato të procedurës, do të vendos në pozita të forta pune prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore, sepse sipas tyre tashmë këto ndryshime, kërkojnë saktësi hetimore dhe përgjegjshmëri të lartë në ushtrimin e ndjekjes penale.

Vendimet unifikuese

Këto ndryshime cilësohen të rëndësishme edhe për një shkak tjetër. Përmes tyre synohet që Gjykata e Lartë të vendoset realisht në rolin e saj unifikues dhe drejtues të praktikës gjyqësore dhe jo si gjykatë e shkallës së tretë. Ky është një propozim gjithashtu me natyrë transformuese, sepse pritet të sjellë ndryshime të mëdha në mënyrën se si administrohet dhënia e drejtësisë penale në gjykata. Në Kodin Penal propozohen gjithashtu të ndërhyhet në rregullimin e disa dispozitave me qëllim përmirësimin e trajtimit të të miturve nga sistemi i drejtë- sisë penale. Synohet rritja e efikasitetit të luftës kundër kultivimit, trafikimit, tregtimit të bimëve dhe lëndëve narkotike, ulja e ofertës së drogës, dhe parashikimi i dënimeve proporcionale lidhur me sasinë e llojin e tyre. Jo në pak raste kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni ka kërkuar rishikimin e Kodit Penal pikërisht nenet që parashikojnë dënimin e personave të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. Sipas tij, aktualisht dënohet njësoj si ai që kapet me sasi të mëdha lënde narkotike, ashtu dhe ai që është arrestuar e thjeshtë ka qenë një korrier i thjeshtë.

Marrja e pafajësisë, ulet dëmshpërblimi për një ditë

Ndërsa qeveria ka menduar të vjel para, duke blerë një ditë burg dhe paraburgim me 5 mijë lekë të reja, ka bërë ndryshime në tarifat për një ditë burg të padrejtë që mund të përfitojë një i arrestuar. Në kodin aktual thuhet se për një ditë burg dhe paraburgim të padrejtë çdo person dëmshpërblehet me 5 mijë lekë të reja. Ndërsa në ndryshimet e fundit që pritet të pësoje Kodi Penal, vendoset ulja e masës së dëmshpërblimit, ku thuhet konkretisht: Koha e paraburgimit llogaritet në dënimin me burgim, gjobë ose punë në interes publik si më poshtë: Një ditë paraburgim e barabartë me 1.5 ditë burgim. Një ditë arrest shtëpie e barabartë me një ditë burgim. Një ditë paraburgim e barabartë me 3000 lekë gjobë. Një ditë burgim e barabartë me 2000 lekë gjobë. Një ditë paraburgim e barabartë me 18 orë pune në interes publik. Burime nga Ministria e Drejtësisë thanë për shekullin se një ndryshim i tillë u pa i domosdoshëm për të ulur ndjeshëm shpenzimet e buxhetit te shtetit.


Nuk ka komente deri më tani. Pse të mos jeni ju të parët?

Shto komentin tuaj

2 + 1 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM