Kronikë

Prokuroria: T’i hiqet mandati Armando Prengës

armando-prenga-e1441441311833-655x356Ditën e sotme, Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar t’i ndërpritet mandati deputetit Armando Prenga, si dhe ka nisur një hetim penal për shkeljet ligjore të kryera nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Organi i akuzës ka deklaruar se ai është në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit, në bazë të ligjit për “Verifikimin e Integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” ose te njohur ndryshe si Ligji i “Për Dekriminalizimin”.

Deputetit Armando Prenga i duhet ndërprerë mandati i deputetit, pasi sipas prokurorisë rezulton që nuk ka deklaruar:

-Një dënim të formës së prerë, dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, me 450 000 lekë gjobë

-Si edhe faktin që rezulton me precedentë penale në shtetin italian për vjedhje pasurish, falsifikime në përgjithësi, marrje të pasurisë së vjedhur,  deklarata për identitet të rremë në vitet 1996-1997 në qytetin e Milanos. Këto të dhëna janë konfirmuar nga komunikimi zyrtar me autoritetet italiane.

Ndërsa sa i përket deputetit Flamur Nokës, Prokuroria e Përgjithshme shprehet se nuk është në kushtet e ndalimit, sipas këtij ligji (dekriminalizimit). Për Nokën ka pasur një kallëzim nga disa deputetë, për një masë të mundshme sigurimi dhënë ndaj tij në vitin 1991, nga autoritetet e ish-Republikës Federative Jugosllave.

Në bazë të informacionit zyrtar të marrë nga ana e autoriteteve të Republikës së Serbisë, prokuroria thotë se,” Flamur Noka nuk figuron në evidencat e Ministrisë së Punëve të Brendshme Serbe dhe si rrjedhojë nuk ka evidenca dënimesh në lidhje me këtë subjekt”.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Përgjithshme:




Prokuroria e Përgjithshme ka konkluduar, se një deputet i Kuvendit të Shqipërisë është në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit, në bazë të ligjit per “Verifikimin e Integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” ose te njohur ndryshe si Ligji i “Për Dekriminalizimin”.

Po ashtu, është konkluduar se një deputet tjetër, i cili ka qenë nën procedurën e verifikimit, nuk është në kushtet e ndalimit sipas përcaktimeve të këtij ligji.

Ndërkohë, një hetim penal është regjistruar edhe kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pasi Prokuroria e Përgjithshme ka konstatuar se, në disa raste, ky institucion nuk ka përmbushur detyrimet e tij në bazë të ligjit “Për Dekriminalizimin”.

Sektori i “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme ka konstatuar se subjektit Armando Prenga i duhet ndërprerë mandati i deputetit, pasi rezulton që nuk ka deklaruar:
1. Një dënim të formës së prerë, dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, me 450 000 lekë gjobë
2. Si edhe faktin që rezulton me precedentë penale në shtetin italian për vjedhje pasurish, falsifikime në përgjithësi, marrje të pasurisë së vjedhur, deklarata për identitet të rremë në vitet 1996-1997 në qytetin e Milanos. Këto të dhëna janë konfirmuar nga komunikimi zyrtar me autoritetet italiane.
Ndërkohë, Sektori i “Dekriminalizimit” ka arritur në konkluzionin se deputeti Flamur Noka nuk është në kushtet e ndalimit, sipas këtij ligji. Në bazë të kërkesës së një grupi deputetësh, Prokuroria e Përgjithshme verifikoi informacionet lidhur me një masë të mundshme sigurimi dhënë ndaj tij në vitin 1991, nga autoritetet e ish-Republikës Federative Jugosllave. Në bazë të informacionit zyrtar të marrë nga ana e autoriteteve të Republikës së Serbisë, rezulton që subjekti Flamur Noka, “nuk figuron në evidencat e Ministrisë së Punëve të Brendshme Serbe dhe si rrjedhojë nuk ka evidenca dënimesh në lidhje me këtë subjekt”.
Ndërsa lidhur me faktin nëse ky subjekt është dëbuar nga një shtet i huaj, në këtë rast nga ish-Jugosllavia, Prokuroria e Përgjithshme ka mbajtur parasysh faktin se pyetja 7, e formularit të vetëdeklarimit përjashton nga detyrimi për deklarim vendimin e dëbimit për rastet e shkeljes së rregullave të emigracionit që kanë të bëjnë me rregullat e qëndrimit apo hyrje-daljes nga territori i një shtetit të huaj. Citojmë pyetjen. 7.. “A është marrë ndonjëherë për ju masa e dëbimit nga një shtet i huaj ? (Me përjashtim të rastit kur jeni dëbuar ekskluzivisht për shkeljen e rregullave të emigracionit që kanë të bëjnë me rregullat e që ndrimit apo hyrje-daljes në një territor të një shteti të huaj).
Pra, pavarësisht faktit se nuk rezulton të ketë vendim dëbimi, pasi autoritetet serbe kanë kthyer përgjigje negative në lidhje me këtë fakt, edhe nëse do të kishte një vendim të tillë për kalimin e paligjshëm të kufirit drejt të ish-Jugosllavisë, subjekti nuk ka pasur detyrimin ligjor për ta deklaruar këtë vendim.
Për këtë arsye, Sektori i “Dekriminalizimit” ka arritur në konkluzionin se deputeti Flamur Noka nuk është në kushtet e ndalimit.
Ndërkohë, gjatë procesit të verifikimit, janë konstatuar disa problematika të theksuara nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si në administrimin e dokumentacionit, ashtu edhe në bashkëpunimin me Prokurorinë e Përgjithshme.
Kështu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për një deputet dhe për dy kryetarë bashkie ka pranuar dorëzimin e një formulari të dytë tej afateve ligjore. Afati i dorëzimit të formularëve është brenda dy muajve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit 17/2016. Afati i fundit për të gjithë subjektet, ka qenë data 4.05.2016. Nga dokumentacioni i përcjellë rezulton se për këta tre subjekte KQZ, në kundërshtim me ligjin, ka pranuar një formular të dytë, me të dhëna shtesë, në qershor 2016.

Po ashtu, pas ushtrimit të nismës nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm për deputetin Armando Prenga, informohemi nga KQZ se subjekti nuk ka deklaruar një vendim të formës së prerë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Këtë informacion, KQZ e ka disponuar në 27.05.2016 me anë të një vërtetimi të Gjendjes Gjyqësore. KQZ duhet të kishte bërë kallëzim penal menjëherë pas këtij konstatimi, pra në Maj 2016, pasi subjekti ka konsumuar veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal. Deri më sot, KQZ nuk e ka kryer këtë detyrim ligjor. Për më tepër, edhe në shkresën KQZ, datë 14.02.2017, sjellë për verifikim të thelluar pranë Prokurorisë së Përgjithshme, nuk specifikohet që subjekti i është përgjigjur me “JO” pyetjes nëse ka një vendim penal të formës së prerë.
Për këto shkelje, si edhe të tjera të konstatuara, rezulton se nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk është mbajtur parasysh detyrimi dhe penaliteti i përcaktuar në nenin 9 të ligjit nr 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, sipas të cilit:

Neni 9
Detyrimi për bashkëpunim
Çdo organ shtetëror apo person juridik, publik apo privat, ka detyrimin që të bashkëpunojë me organet e ngarkuara nga ky ligj, për verifikimin e të dhënave, fakteve dhe rrethanave të deklaruara prej shtetasve, sipas këtij ligji.
Mosbashkëpunimi apo refuzimi për të bashkëpunuar, pengesa, vonesa apo keqdrejtimi në procesin e verifikimit përbën vepër penale, në përputhje me nenin 248 të Kodit Penal (Shpërdorim i detyrës).
Në këto kushte, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal për shkelje ligjore nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Nisur nga kjo situatë, Prokuroria e Përgjithshme rikujton përgjegjësinë ligjore që ka çdo institucion tjetër, i ngarkuar me verifikimin paraprak në kuadër tee ligjit “Per Dekriminalizimin”, që të respektojë afatet e përcaktuara në ligj.




E. S/Shekulli Online/


Informacion Idjoti
HIQJA PRENGES FUTJA ERMINES.MANDATI I FRROKUT FAZLLIQ SE FILLOJNE ME 'F''!?Per cilen prokurori e kini llafin?

Shto komentin tuaj

7 + 6 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM