Thellë

Tahiri-Veliaj, “princat” rivalë të Rilindjes për pasardhës të Ramës (FOTO/VIDEO)

  • Shekulli
  • 14 Shkurt 2017, 09:45
  • Përditësuar 16:03

1 Nga 10 Foto




Themeluesi dhe drejtuesi i Lëvizjes “Zgjidhja” për reformimin e Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima, zhvilloi dje një bashkëbisedimi me socialistët e Elbasanit. Në sallën e tejmbushur të Teatrit Skampa, ai theksoi se Saimir Tahiri dhe Erjon Veliaj kanë marrë peng PS-në e Tiranës, ndërsa po ndeshen se cili do të jetë pasardhësi i Edi Ramës. Kokëdhima vlerësoi se Lëvizja “Zgjidhja” do të jetë një goditje për partitokracinë me nismën ligjore që ka ndërmarrë “Unë zgjedh deputetin që dua”. Në takimin e Elbasanit u prezantua edhe struktura organizative e Lëvizjes “Zgjidhja”. Po ashtu ai ka denoncuar dhe shkarkimet e padrejta nga puna në administratë, vetëm sepse njerëzit I kanë dhënë mbështetje lëvizjes “Zgjidhja”. Pavarësisht këtyre veprimeve, Kokëdhima u shpreh se pjesëmarrja në takime ka qenë tejet e lartë. “Numri juaj e tejkalon me herë kapacitetin e kësaj salle. Shumë pjesëmarrës nuk kanë mundur që të hyjnë dhe janë në holl dhe jashtë teatrit “Skampa”. Unë ju falënderoj të gjithëve juve që jeni në këtë takim për të mbështetur lëvizjen politike ”Zgjidhja” dhe qëllimet e saj të larta”, tha Kokëdhima në nisjen e takimit në Elbasan.

Fjala e plotë

Lidershipi i PS-së, në mënyrën më të turpshme më shkarkoi nga Asambleja Kombëtare, pa asnjë rregull, pa procedurë, pa njoftim e rend dite, pa prezencën time, pa raport, pa motivacion, pa votim të fshehtë, pa debat, pa transparencë. E dhanë lajmin në media, por nuk e zbardhin dot vendimin, sepse nuk kanë çfarë të shkruajnë. Imagjinoni sot në shekullin e 21-të, situatën kur një gjykatë të dënon, por që nuk të jep vendimin e dënimit!

Këtë s’mund ta bëjë një parti politike kundër një kolegu e anëtari të forumeve të veta. Ju drejtohem sot nga ky podium dhe publikisht të gjithë anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste të Shqipërisë: “Të nderuar kolegë! Ju keni votuar për shkarkimin tim në 23 dhjetorin e fundit. Mirë apo keq, kjo s’ka rëndësi. Drejtuesit e asamblesë nuk më kanë vënë në dispozicion vendimin e shkarkimit, pavarësisht interesimit tim të vazhdueshëm.

Ju kërkoj që të ushtroni përgjegjësinë tuaj për të zbardhur e publikuar vendimin e shkarkimit dhe dokumentet mbështetëse. Unë do të vazhdoj të vij në Asamble. Po pres mbledhjen e radhës për këtë. Si i zgjedhur rregullisht nga kongresi, e konsideroj veten anëtar të asamblesë me të drejta të plota, për sa kohë nuk zbardhet dhe nuk më jepet vendimi që më keni shkarkuar. Çfarë diskutojmë nuk është thjesht një problem i imi personal. Këtu flasim për normat që rregullojnë bashkëjetesën e të gjithëve në parti. Ju duhet ta kuptoni se sa pasoja të rënda kanë njerëzit që ekspozohen ndaj arbitraritetit, brutalitetit, arrogancës dhe bullizmit të lidershipit të Partisë Socialiste. Kushdo nga ju do të gjendet në situata të ngjashme. Derisa është marrë një vendim, kërkojuni drejtuesve që t’i dalin për zot, ta shkruajnë, ta firmosin dhe ta publikojnë.

Po nuk e bëtë ju sot këtë gjë, kush do ta bëjë nesër për ju? Nuk ju mjaftojnë shembujt që kanë ndodhë gjithë këto vite në rrugën e shkatërrimit të kësaj partie?. Më lejoni shokë të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste t’ju sjell në vëmendje një sentencë filozofike, që lidhet me periudhën e nazizmit. Bertolt Brecht ka shkruar: ”Ata erdhën dhe morën zezakët. Mua nuk më interesonte se nuk isha me ngjyrë. Pastaj erdhën dhe morën hebrenjtë. Unë nuk bëra asgjë sepse unë nuk isha hebre. Pastaj erdhën dhe morën priftërinjtë. Edhe kjo nuk më shqetësoi. I morën edhe ata… Kur erdhën të më merrnin mua, nuk kishte mbetur asnjeri që të më dilte për zot”.

Përmes goditjes ndaj meje dhe ndëshkimeve të egra e brutale ndaj socialistëve që u rreshtuan në mbështetje të projektit për reformimin e partisë, udhëheqësit tanë shpresonin ta mbysnin dhe ta shuanin qysh në nisje këtë lëvizje, ta flaknin jashtë Partisë Socialiste dhe jashtë mjedisit politik shqiptar këtë debat. Ne nuk do të rreshtim së denoncuari pushimet nga puna me urdhër të lidershipit të PS-së, të Nertila Selimajt, Ted Nastos dhe Ardit Xhafajt, që të tre anëtarë të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste të Shqipërisë, pushimin nga puna të Jola Fotos, Silvana Islamajt, Gjergji Robos e Thoma Kordhës. Të gjithë këta djem e vajza janë me kualifikime të larta dhe universitete shumë serioze.

Me qindra socialistë janë shantazhuar me pushime nga puna, privime dhe ndëshkime nga më të ndryshmet, nga më absurdet e nga më të çuditshmet. Klejli është nga Elbasani dhe është martuar në Sarandë. Ajo është një vajzë dhe juriste e shkëlqyer që ka studiuar universitetin e Tiranës me të gjitha notat dhjeta. U vu në listën e zezë dhe u paralajmërua me humbjen e vendit të punës, sepse bën “like” në postimet tona në “Facebook”. Brigels Dervishi është një jurist me nivel e formim të shkëlqyer, i shkolluar në universitetin shtetëror të Milanos, prind dhe bashkëshort shembullor. Tani iu ndërpre marrëdhënia e punës pa asnjë shpjegim, vetëm sepse është mbështetës i lëvizjes sonë politike. Mariel Murati, si drejtor i ALUIZNI-t në Sarandë vendosi largimin nga puna të Brigelsit me urdhër të Gjiknurit.

Murati ka mbështetur prej vitesh Partinë Socialiste, por është pa arsim të mesëm dhe pa arsim të lartë, është krejtësisht i papërshtatshëm për funksione drejtuese të këtij niveli. Në datën 10 tetor të vitit 2013, Elisa Spiropali e emëroi Marielin, Drejtor të Doganës në Qafë-Botë. I shkruajta menjëherë Ramës: “I dashur Edi! Në doganën e Qafë-Botës më thonë se keni çuar drejtor dogane, Marielin. Në se kjo është e vërtetë, unë nuk e di se ç’do të ndodhë më tutje. Vetëm një gjë po ju them: hiqeni menjëherë pa e marrë vesh shumë njerëz…! Kështu Marieli u hoq nga detyra në të cilën qëndroi vetëm 8 orë. Gjiknuri, shkarkoi drejtorin e ALUIZNI-t në Sarandë, Blerti Diamantin, dhe vendosi në vend të tij Mariel Muratin. Blerti është një arkitekt i laureuar në Firence dhe një person me integritet.

Kështu i larguan dy ekspertët e lartë te ALUIZNI, dy specialistë që i bëjnë nder Sarandës, Blertin dhe Brigelsin, për t’i zëvendësuar me njerëz pa shkollë e pa zotësi. Këto janë turpe. Janë turpe dhe abuzime të rënda që bëhen në mes të ditës me diell e në sy të gjithë qytetarëve. Jo vetëm në jug, por në të gjithë Shqipërinë, pushohen nga puna njerëzit më të mirë e më të zotë për t’i zëvendësuar me tutkunë, të paaftë, të korruptuar dhe servilë! Në emrin tuaj, u kërkoj funksionarëve të qeverisë, që të mos vazhdojnë më të shkatërrojnë jetët dhe karrierat e njerëzve të ndriçuar e të studiuar, sepse nuk u bëjnë “share” postimeve të udhëheqësve në rrjetet sociale, ju kërkoj që të mos vazhdojnë të emërojnë profanë në drejtim të punëve në shtet e në parti, të mos vazhdojnë të denigrojnë njerëzit e zotë të këtij vendi apo të shantazhojnë, ndëshkojnë dhe pushojnë nga puna socialistët për shkak të bindjeve dhe ideve të tyre politike apo për qëllime korruptive!

Unë ju ftoj që të shprehim solidaritetin tonë të palëkundur me të gjithë shoqet dhe shokët tanë që janë pushuar nga puna, janë shantazhuar e goditur, sepse duan një Shqipëri më të mirë, duan një Parti Socialiste me liri mendimi dhe demokraci të brendshme, duan një parti me norma, me kapacitete, një parti ku të ketë vend për të gjithë e ku dëgjohen të gjithë, jo një parti si kjo ku dëgjohen vetëm kryetari dhe servilët e të emëruarit prej tij. Çdonjëri nga ne ndihet i cenuar, i prekur, i fyer, i dhunuar dhe i dëmtuar nga këto veprime berishiste të lidershipit të PS-së!. Ne refuzojmë dhe dënojmë me indinjatë të thellë veprimet burracake e të paligjshme, anti-demokratike e çnjerëzore të pushimit nga puna dhe të shantazheve e kërcënimeve të shokëve tanë. Kërkojmë kthimin e menjëhershëm në punë të tyre.

Përpara tre javësh ishim në një takim madhështor në Tiranë. Në 31 janar ishim në një manifestim të zjarrtë në Fier. Për pak ditë do jemi në Durrës dhe në 4 mars do të jemi në Shkodër. Lëvizja jonë nuk ndalet, është kombëtare, ajo zhvillohet si lëvizje politike brenda PS-së, por gëzon dhe mobilizon mbështetje të gjerë popullore, sepse vetë idetë dhe programi i saj janë në të mirë të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë. “Zgjidhja” nuk është lëvizje e njerëzve të dëshpëruar që kanë humbur përfundimisht shpresat dhe besimin te e ardhmja e popullit dhe e vendit tonë, që janë thyer dhe që nuk duan të luftojnë më. Njerëzit që e humbin përfundimisht besimin se mund ta ndryshojmë për mirë fatin dhe situatën tonë, ata që nuk janë të gatshëm të luftojnë për ta përmbysur tiraninë e skamjes dhe korrupsionit që instaloi në Shqipëri partitokracia, ne i quajmë të vdekurit që ecin. “Zgjidhja” nuk është lëvizje e elitave. Ajo është lëvizje e gjithë rinisë shqiptare, rinisë universitare dhe rinisë shkollore, është lëvizje e njerëzve të thjeshtë, e socialistëve të bazës dhe e shqiptarëve të vuajtur e të harruar që besojnë ende se ky popull meriton një jetë dhe një qeverisje shumë më të mirë nga kjo që ka.

Kjo është lëvizje e atyre që e nxjerrin bukën me djersën e ballit, jo me korrupsion e vjedhje, e atyre që e nxjerrin jetën me punë të ndershme e me meritë, jo duke shërbyer intrigat, interesat dhe pushtetin abuziv të kryetarëve të partive. “Zgjidhja” është lëvizja e të gjallëve të këtij vendi, është lëvizja e atyre mijëra shqiptarëve që nuk thyhen, nuk tërhiqen, nuk përulen, nuk frikësohen dhe nuk dorëzohen përpara asnjë sakrifice dhe asnjë vështirësie derisa të arrijnë fitoren e plotë. Ne e dimë se populli ynë, ndihet i zhgënjyer, i vjedhur, i shkelur, i harruar dhe i braktisur nga kasta drejtuese dhe elitat politike të shqipërisë.

Qeveritë i manipulojnë, i gënjejnë njerëzit e thjeshtë, kasta e përdor elektoratin, drejtuesit e partisë e mashtrojnë bazën, e shfrytëzojnë, nuk e dëgjojnë, nuk e respektojnë, nuk duan t’ia dinë për të. Udhëheqja e takon bazën vetëm në fushata zgjedhjesh, sa për t’i zhvatur votën, pastaj e shkel me këmbë dhe e braktis me pashpirtësinë e saj të pashembullt. Asnjë nuk duhet të trembet nga pushimet nga puna dhe nga kërcënimet e pushtetarëve. Këta nuk do guxojnë dot t’i ecin kësaj rruge. Ne jemi me dhjetëra mijëra dhe rritemi me mijëra çdo ditë. Ne jemi në të drejtat tona. Drejtuesit e PS-së janë bërë si Don Kishoti i Mançes. Ata po luftojnë me mullinjtë e erës. Përpiqen të burgosin idetë në epokën e rrjeteve sociale, urdhërojnë socialistët që të ndalojnë të mendojnë me kokën e tyre ose ju kërkojnë të mendojnë vetëm me kokën e kryetarit!

“Zgjidhja” do e shkatërrojë partitokracinë. Ajo do t’i demokratizojë partitë politike

Liderët e PS-së, në takimin me drejtuesit e fushatës elektorale në Vlorë, pak ditë më parë u ankuan se kryetari i partisë dhe drejtuesit e tjerë, Andueli me shokë merren me intriga e thashetheme dhe nuk punojnë. Por burimi nga përhapet në parti kultura e intrigave, thashethemeve, shpifjeve dhe thikës pas shpine, është udhëheqja e Partia Socialiste në qendër, është kupola e partisë dhe qeverisë. Kur u zhvillua reforma e PS-së në rajonin Vlorë-Gjirokastër, Andueli ishte i dobishëm dhe punoi shumë, sepse në parti sundonin rregullat, transparenca dhe kolegjialiteti. Në pak muaj atje u anëtarësuan 16 mijë djem e vajza të rinj dhe u bënë zgjedhje korrekte e statutore, për herë të parë pas aq vitesh. Lidershipi i Partisë Socialiste i rrëzoi institucionet e reformës në rajon dhe mbolli atje kaosin, përçarjen dhe shpërfytyrimin.

Për t’i joshur dhe motivuar kundër nesh dhe kundër institucioneve të reformës, kryetarëve të rinj të PS-së, ju njoftuan në mënyrë të rreme e të gabuar se këta do emëronin njerëzit në punët e shtetit, do të kishin pushtet, do të vinin dhe do të hiqnin drejtorët e ndërmarrjeve dhe institucioneve shtetërore!. Rama, siç e pohoi vetë në Asamblenë Kombëtare të PS-së, i shkarkoi drejtorët e ALUIZNI-t dhe të Portit të Vlorës me kërkesë të Anduel Tahirajt dhe i zëvendësoi me dy shokë të ngushtë të këtij të fundit. Andueli i emëron vetë sekretarët, pa zgjedhje, delegatët e FRESSH-it po ashtu, i cakton vetë kandidatët për kryetar FRESSH-i, kryetarëve të OS-ve që nuk i pëlqejnë, ju kërkon dorëheqjen kundër çdo rregulli e norme partie.

Andueli është viktimë e karakterit të vet dhe e kulturës së mbrapshtë e të shpartalluar që sundon në drejtimin e PS-së. Me këto merret ai e të tjerët si ai, gjuajnë ditë e natë se kush bën “like” dhe komente në postimet e “Zgjidhjes” dhe e hetojnë e i gjejnë çdo lidhje e interes, çdo ndjeshmëri e “pikë të dobët” dhe bëjnë planin si ta sulmojnë e linçojnë politikisht atë. Këta kanë braktisur plotësisht njerëzit e thjeshtë dhe nevojat e tyre, funksionet dhe përgjegjësitë, lidhjet e ngushta me socialistët e bazës dhe me banorët e zonës. Lidershipi i PS-së e ndan partinë siç ndan institucionet e shtetit në çifligje ku sundon njëri a tjetri, ndërsa socialistët e thjeshtë janë vetëm për të bërë vota, as nuk dëgjohen, as nuk ndihmohen, as nuk pyeten dhe as nuk respektohen. Ata nuk zgjedhin. Ata vetëm urdhërohen. Qeverisja e punëve në PS nuk bazohet në institucione, kulturë funksionale, parime, standarde, manuale, procedura, në sisteme moderne menaxhimi, në raporte e dokumente.

“Zgjidhja” do e shkatërrojë partitokracinë. Ajo do t’i demokratizojë partitë politike dhe qeverisjen e vendit. Ne do e bëjmë Partinë Socialiste një parti politike moderne, të hapur, me standarde dhe të lirë. Një parti ku të sundojë solidariteti, merita, respekti për qytetarët e thjeshtë dhe të harruarit e këtij vendi. Një parti ku të gjithë të kenë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen, të dëgjohen e pyeten, të respektohen dhe të ndihen mirë. Një parti ku punohet për lumturinë dhe nevojat e qytetarëve dhe jo për servilët dhe pushtetin abuziv të kryetarit. “Zgjidhja” nuk do t’i braktisë idealet e majta dhe socialistët e bazës që kanë nevojë të fitojnë të drejtat e tyre të shkelura dhe të nëpërkëmbura. Ajo është lëvizje e ushtrisë së madhe të socialistëve të heshtur, të socialistëve të mirë e të përgjegjshëm të bazës të cilët, së bashku me qytetarët e tjerë të Shqipërisë do reformojnë sistemin e kalbur politik. Pa reformuar e demokratizuar këtë sistem, asnjëherë nuk do të shpëtojmë nga varfëria dhe mjerimi që ka pllakosur këtë vend. “Zgjidhja” është shumicë në PS. Idetë e saj i mbështet gjithë partia. Lidershipi është në pakicë. Ata kanë frikë si djalli nga temjani që t’i zënë me gojë këto ide.

Tahiri-Veliaj, “princat” rivalë të Rilindjes për pasardhës të Ramës

Kokëdhima prezanton projektin e “Zgjidhja”, ja strukturat në katër rajone dhe si do të funksionojë. Flet për situatën në PS: Tirana dega më e dobët, nuk u bënë zgjedhje

PS-ja nuk është më një parti politike moderne. Ajo është kthyer në një bashkësi parapolitike. PS-ja qeveriset si bandë, më mirë të themi si një bashkësi bandash! Në gjithë Shqipërinë, në verën e vitit 2016, u bënë zgjedhjet e organeve vendore të Partisë Socialiste. U zgjodhën edhe kryetarët e partive në nivel bashkie. Në Tiranë nuk çuditërisht nuk u bënë zgjedhjet. Askush nuk ka dhënë një shpjegim për këtë. Partia Socialiste e Tiranës është më e shpartalluara në krahasim me gjendjen politike dhe organizative të partisë në të gjitha bashkitë e tjera të vendit. Saimir Tahiri është kryetar qysh në vitin 2011. U zgjodh me një mandat për 2 vjet. Që nga viti 2013 ai është pa mandat dhe nuk është zgjedhur më. Saimiri nuk zgjidhet. Ai rri kryetar vetvetiu. Është kryetar i përhershëm.

Po të bëhen zgjedhje në Tiranë nuk menaxhohet dot përplasja mes Erion Veliajt e Saimir Tahirit. Këta dy kalorës të rinj të pushtetit, që ditën e parë që hipën në karrige, i kanë vënë të gjitha kompetencat, institucionet që kontrollojnë dhe burimet e tjera publike e private, të ligjshme e të paligjshme, në shërbim të ambicies së tyre, se kush do të marrë kontrollin e Partisë Socialiste të Tiranës dhe kush do e shtrijë më shumë këtë kontroll edhe në segmentet e partisë në territoret e tjera të vendit. Askush nuk mendon për nevojat e anëtarëve të Partisë Socialiste të Tiranës. Këta anëtarë, organizatat dhe forumet, duhet të zgjidhnin me kohë përfaqësuesit e tyre në parti. Kjo është thelbësore për ata dhe për qytetarët e Tiranës, të cilët qeverisen nga Partia Socialiste në nivel vendor dhe qendror. Të drejtat e socialistëve të Tiranës kanë ndaluar qysh përpara 4 vitesh, në lojë janë vetëm ambiciet për pushtet të Veliajt dhe Tahirit.

Për të ruajtur një ekuilibër formal e të përkohshëm, disa kryetarë të PS-së të njësive administrative në Tiranë i ka emëruar Saimiri, disa Erioni. Liderët e Partisë Socialiste të Shqipërisë, nuk i lejojnë socialistët e thjeshtë të Tiranës që të zgjedhin në krye njerëzit që duan, njerëzit që duhet t’i dëgjojnë e t’i shërbejnë, por ua kanë marrë, ua kanë hequr, ua kanë grabitur edhe këtë të drejtë elementare, të drejtën më elementare që kanë anëtarët e një organizate partie demokratike, të drejtën që të zgjidhen e të zgjedhin lirisht përfaqësuesit e tyre. Ajo që duhet të na thonë udhëheqësit e lartë të Partisë Socialiste është se ku janë socialistët e thjeshtë të Tiranës në këtë histori. E kujt është partia e Tiranës, e socialistëve të bazës, apo e udhëheqjes! Saimiri dhe Erioni janë dy “princat” e Rilindjes që e kanë marrë peng Partinë Socialiste të Tiranës! Ata ëndërrojnë që të bëhen pasardhës të kryetarit të madh.

Dhe kryetari i madh ua ka ushqyer këtë ëndërr dhe ua ka dorëzuar të drejtat e socialistëve të Tiranës, nevojave karrieriste të këtyre dy “princave” rivalë! Kjo është e paprecedentë në historinë politike. Kjo është kultura e klaneve, e regjimeve dhe diktatorëve që i lënë e i caktojnë vetë trashëgimtarët dhe pasardhësit e pushtetit! Këto sjellje e veprime nuk kanë lidhje me kulturën e një partie politike. Lidershipi i PS-së ankohet se ata që janë trajtuar nga PS-ja me punë dhe me favore, janë më të paangazhuarit. Një partie, për të qenë fituese në terma afatgjata, nuk i mjaftojnë, një lider i fortë, një mesazh i goditur, shumë para dhe as të përdorë si burime të veta të punësuarit e shtetit. Për të motivuar mbështetjen e gjerë të popullit duhet një parti me anëtarësi të madhe, me demokraci të lartë brenda saj dhe me lidhje të forta me elektoratin dhe anëtarësinë e bazës.

E kam shpjeguar shumë herë se lidershipi i PS e ka bërë partinë si sh.p.k.-në e tij, ka shkatërruar çdo vlerë e institucion brenda saj dhe ka krijuar një hendek shumë të thellë mes udhëheqjes dhe bazës së partisë, mes qeverisë dhe qytetarëve. Ai e mban të bashkuar e nën kontroll formalisht partinë vetëm me të punësuarit, të emëruarit e tij, me vartësit dhe përmes shpërblimeve me të mirat e pushtetit, ose përmes shtrëngimeve e masave represive që gjithashtu ia mundëson pushteti. Kjo nuk mund të ecë për shumë kohë. Ka aq shumë shpërbërje, zhgënjim e mërzitje në bazën e partisë dhe në elektoratin e saj. Po të vazhdojë me këto politika ekonomike të dështuara dhe me këtë cilësi të qeverisjes dhe arrogancën që e karakterizon, ky lidership do t’i rezervojë të ardhmes së afërt të PS-së një fat më të keq se fati që ndoqi PASOK-un. Këta pastaj do ja mbathin e do ikin dhe shqiptarëve e socialistëve të thjeshtë do u lënë si zakonisht në qafë varfërinë, papunësinë dhe vuajtjen, ndërsa në pushtet do ju lënë sigurisht Saliun dhe salizmin.

Tani dy fjalë për platformën organizative të “Zgjidhjes”

“Zgjidhja” po ngre strukturat e veta në të gjithë Shqipërinë. Ajo po regjistron anëtarët dhe mbështetësit. Anëtarët e “Zgjidhjes” janë njëkohësisht anëtarë të Partisë Socialiste, ndërsa mbështetësit nuk është e nevojshme të jenë anëtarë të Partisë Socialiste. Mbështetësit e ”Zgjidhjes” janë qytetarë pa parti.

Në bazë do të ngrihen grupet lokale të “Zgjidhjes”. Grupet lokale ngrihen me anëtarë dhe mbështetës mbi bazë qendre votimi, mbi bazë territori, lagjeje, qyteti apo fshati, mbi bazën e grupeve të interesit, mbi qendra prodhimi e edukimi dhe lirisht mbi bazë njohjesh.

Në nivel bashkie do të funksionojë këshilli i anëtarëve. Në këtë këshill përfshihen të zgjedhurit me short me mandat një vjeçar dhe të zgjedhurit në krye të grupeve të interesit e në kryesitë e tyre me mandate aq sa përcaktohet në statutin e Partisë Socialiste për të zgjedhurit vendor të partisë. Në çdo bashki do kemi të paktën 5 grupe interesi: rininë, gruan, pensionistët, botën e punës dhe sipërmarrjes dhe bujqësinë. Të zgjedhurit në krye të grupeve të interesit dhe në kryesinë e tyre bëhet me primareve mikse, me mandat dy vjeçar nga anëtarësia e grupit përkatës të interesit dhe me short. Raporti midis anëtarëve dhe mbështetësve është në përpjesëtim me numrin e këtyre kategorive në regjistër 10 ditë përpara zgjedhjeve.

“Zgjidhja” do të organizohet mbi bazën e 4 rajoneve të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, rajoni Vlorë Gjirokastër me qendër në Vlorë, Rajoni Fier-Berat-Elbasan-Korçë me qendër në Elbasan, Rajoni Tiranë-Durrës-Dibër me qendër në Tiranë dhe rajoni Shkodër-Lezhë-Kukës me qendër në Shkodër. Drejtuesit dhe kryesitë e grupeve të interesit në nivel rajoni do zgjidhen përmes primareve mikse dhe shortit. Të zgjedhurit më short në të gjitha forumet në nivel bashkie, rajoni dhe kombëtar do të zënë 20 për qind të vendeve.

Në rajon do të kemi tre konferenca rajonale vjetore, një për bujqësinë, një për zgjedhjet rajonale dhe zhvillimet politike, partiake e social-kulturore dhe një për zhvillimet ekonomike, demografike, turizmin, mjedisin, territorin etj. Konferenca vjetore rajonale përbëhet nga të gjitha këshillat e anëtarëve të bashkive. Konferenca Rajonale zgjedh forumin rajonal të politikave me 250 anëtarë përmes primareve të mbyllura dhe shortit. Forumi Rajonal i Politikave zgjedh Grupin e Drejtimit të Rajonit me 35 anëtarë. Nga këta 28 zgjidhen përmes primareve të mbyllura dhe 7 me short. Forumi zgjedh gjithashtu kryetarin dhe sekretarët e forumit përmes primareve të mbyllura.

Organi më i lartë i lëvizjes është Konferenca Kombëtare në të cilin marrin pjesë të gjithë anëtarët e konferencave rajonale të “Zgjidhjes”. Konferenca kombëtare ka 4500 anëtarë dhe mblidhet një herë në vit. Konferenca kombëtare zgjedh me primare të mbyllura Forumin Kombëtar të Politikave me 1800 anëtarë. Forumi Kombëtar i Politikave zgjedh sekretarët ekzekutivë të Forumit dhe Grupin Kombëtar të Drejtimit të lëvizjes me 35 anëtarë nga të cilët 28 zgjidhen me primare të mbyllura dhe 7 zgjidhen me short. Sekretarët janë automatikisht anëtarë të Grupit Kombëtar të Drejtimit.

Në fund të marsit do të bëjmë konferencën provizore kombëtare të “Zgjidhjes” ku do të miratojmë kushtetutën, kodet e etikës, programin dhe strukturën e “Lëvizjes”. Në një periudhë kalimtare disa mujore do ngrejmë dhe do të vëmë në funksion strukturat provizore. Kur të kemi regjistruar 30 deri 50 mijë anëtarë dhe mbështetës do të bëjmë zgjedhjet permanente të strukturave. Zgjidhja do mbarojë kur të përmbushet misioni i saj.

Motra dhe vëllezër,

“Zgjidhja” ka ndërmarrë nismën ligjore: Unë zgjedh deputetin që dua! Ky është një grusht vdekjeprurës për partitokracinë shqiptare, është një përpjekje e organizuar e popullit shqiptar për të demokratizuar partitë politike, rrjedhimisht sistemin politik dhe qeverisjen, për ti krijuar popullit tonë mundësinë të marrë në duar fatet e veta.

Me këtë projektligj, në partitë politike vendosen standardet, kapacitetet dhe institucionet si në të gjitha partitë politike të vendeve të civilizuara perëndimore. Do ju a heqim pushtetin abuziv kryetarëve dhe do t’ua kthejmë qytetarëve. Baza e partisë dhe qytetarët do të zgjedhin deputetët, kryetarët e bashkive dhe këshilltarët.

“Zgjidhja” kërkon që partitë politike shqiptare të respektojnë mendimin ndryshe dhe të pranojnë mocionet, opsionet, lëvizjet e brendshme politike dhe fraksionet. Në vitet 2003-2005 diskutoja shpesh me Edi Ramën për reformimin e Partisë Socialiste. Ai ishte dakord me nevojën e demokratizimit të partisë, me krijimin e hapësirave për mendimin ndryshe, lëvizjet dhe fraksionet. Me kohën ndodhi e kundërta, PS-ja u bë një parti më antidemokratike se PD-ja e Saliut!

Një Parti Socialiste jodemokratike, prodhon një qeverisje jodemokratike, e mbush qeverinë dhe administratën me të korruptuar e të paaftë, nuk e pasuron, por e varfëron vendin çdo vit, vret shpresat dhe shanset e rinisë dhe të qytetarëve për punë e mirëqenie, e mbush vendin me borxhe joefektive dhe e çon drejt katastrofave, shkatërron barazinë dhe konkurrencën në ekonomi e në politikë, konçesionon gjithë pronat dhe burimet publike vetëm për klientët e pushtetit e në dëm të interesave të popullit, shkatërron pronën e përbashkët, shkatërron bujqësinë dhe aftësinë tonë për ta prodhuar vetë ushqimin e popullit, nuk u jep mundësi Shqipërisë të ngrejë një ekonomi funksionale por e mban atë në pozitën e vendit më të varfët e më të mjerë të kontinentit. Sa më të mëdha mëkatet e qeveritarëve, aq më jodemokratike bëhet partia. Sa më pak demokratike, aq më e vogël bëhet ajo. LSI-ja u krijua pikërisht nga mungesa e demokracisë në Partinë Socialiste. Ne shohim sot se si kjo parti rritet edhe me njerëz që ikin e ikin nga ne, sepse kjo “placenta” jonë PS, vetëm i flak dhe nuk i mban dot krijesat e saj.

LIBRA dhe largimi i Blushit dhe Hafizit është hemoragjia më e fundit për PS-në që ka vetëm një shkak, vetëm një: Mungesën flagrante të standardeve demokratike në PS. Sa e sa njerëz ikin nga PS-ja për të rritur partitë e tjera. Edhe “Zgjidhjen” u përpoqën e po përpiqen ta dëbojnë nga Partia Socialiste.

ZGJIDHJA nuk është lëvizja ime, është lëvizja juaj. Ajo nuk ju kërkon ndihmë qytetarëve dhe socialistëve të thjeshtë, rinisë dhe shqiptarëve të ndershëm. Ajo është një platformë politike, ideologjike, filozofike, kombëtare, demokratike, organizative, kulturore e teknologjike që i ndihmon ata, ju ndihmon juve, mbështet shqiptarët që të dalin nga ky kurth i madh i historisë së tyre, të dalin nga ky tranzicion i errët e i dhimbshëm.

Elbasani i lënë pas dore, rinia po mendon të ikë

Elbasani është një vend me tradita e kontribute të mëdha për kulturën, arsimin, historinë, lirinë dhe zhvillimin e Shqipërisë. Këtu lindi i famshmi Dhaskal Todhri, Kostandin Shpataraku, Normalja e Elbasanit, shkolla që nisi përgatitjen e mësuesve të Shqipërisë, mëndjendrituri Konstandin Kristoforidhi që përktheu Dhjatën e Re, historiani, akademiku dhe patrioti i shquar, Aleks Buda, mësuesi i mësuesve Aleksandër Xhuvani etj. Këtu dhanë kontributin e tyre figura historike si Aqif Pashë Elbasani, Dervish Bej Biçaku, Lef Nosi, Shefqet Bej Daiu apo Qemal Bej Karaosmani që nënshkruan aktin e pavarësisë së Shqipërisë.

Kjo trevë ka vazhduar të nxjerrë figura të shquara me të cilat kombi dhe populli ynë krenohet. Këtu ka lindur Saimir Pirgu, tenori nga më të famshmit e më i kërkuari sot në mbarë botën, Klejda Bega, një nga shkencëtaret më në zë në fushën e fizikës e për kërkimet e origjinës së universit, Luftar Hysa i Belshit, biznesmen i talentuar shqiptar në Meksikë, Armando Sadiku, futbollist i shquar e i dashur i kombëtares tonë, Zina Zdrava, këngëtare e famëshme e muzikës popullore të Shqipërisë së mesme dhe pedagoge e kantos në lice. Kërkoj ndjesë pse nuk i njoh dhe mbaj mend të gjithë apo pse nuk i përmenda të merituarit e tjerë.

Në vitet e komunizmit kjo zonë ishte një nga polet më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik e industrial, ndërsa sot është më e prekura nga papunësia dhe varfëria. Zë vendin e parë në Shqipëri për numrin e përfituesve të ndihmës ekonomike, që nuk ju mundëson atyre as dinjitet dhe as mbijetesë. Në Elbasan jeton një e pesta e mjerimit të shqipërisë. Qeveria gaboi rëndë që ngriti inceneratorin për djegien e plehrave. Banorët kanë vuajtur mjaft nga helmet e metalurgjikut, por kjo ishte krejt e panevojshme, e dëmshme dhe shumë e rrezikshme për shëndetin e tyre.

Pjesa më e aftë e rinisë po e lë vendin. Janë gati të ikin të gjithë në se ju krijohet një mundësi. Në vitin 2013 populli ynë pati shumë shpresa te ASHE dhe Partia Socialiste prandaj dhe e mbështeti me 1 milion vota. Sot, ka zhgënjim të madh. Shumë qytetarë e socialistë të thjeshtë mendojnë se Edi Rama u soll me pushtetin si Saliu. Në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër demokratik, është në fuqi regjimi i partitokracisë ose regjimi ku sundojnë kryetarët e përjetshëm të partive së bashku me servilët e tyre. S’ka asgjë tjetër. Rama e Berisha konsoliduan në marrëveshje e bashkëpunim të plotë, regjimin e partitokracisë. Ky regjim ka bërë të lumtur vetëm një grusht politikanësh nga të dy krahët dhe një grusht biznesesh të lidhura me ta. Pjesa tjetër e shqiptarëve jeton në depresion, në varfëri e në zemërim të thellë! Në Shqipëri nuk bëhen zgjedhje të lira. Populli voton, kryetarët e partive i numërojnë votat si të duan vetë. Të dy partitë e mëdha vjedhin dhe trafikojnë zgjedhjet, të dy palët flirtojnë e bashkëpunojnë për alternimin e ndërsjelltë në pushtet. Kështu populli mbetet në vuajtje e mjerim, kasta mbetet e pacënuar në pushtet. Shkatërrimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme është shtylla e parë e partitokracisë shqiptare.

Populli ynë është përjashtuar nga e drejta legjitime për të marrë pjesë në qeverisje, ai nuk ka të drejtë të bëjë referendume, nuk ka instrumente të pranojë apo të refuzojë ndryshimet në kushtetutë, të miratojë ligje apo qëndrime, nuk ka të drejtë të zgjedhë ose të refuzojë as kryeministrin, as deputetin, as kryetarin e bashkisë, as këshilltarin, as prokurorët, as gjykatësit. Të gjithë këta i zgjedhin kryetarët e partive. Atdheu është i kryetarëve. Ku është vendi dhe roli i popullit në këtë sistem? Populli voton, Rama dhe Saliu zgjedhin! Ky është rregulli numër 2 i partitokracisë shqiptare. Si të mbrohet populli nga marrëzitë dhe tradhëtitë e kryetarëve?

Partitokracia shqiptare i shkatërroi partitë politike, i ktheu në pasuri të kryetarëve, në ndërmarrje private të tyre. Partia është vetëm kryetari. Grupi parlamentar është vetëm kryetari, qeveria gjithashtu, është vetëm kryetari. Kryetari është gjithçka, anëtarësia e thjeshtë dhe gjithë të tjerët në parti janë asgjëja! Ky është rregulli numër 3 i partitokracisë shqiptare. Në Shqipëri të gjitha burimet, pushtetet, koalicionet, ligjet, pasuritë, territoret, projektet, tenderët, koncesionet, forumet, institucionet, mediat, partitë, shoqëria civile, e sotmja dhe e ardhmja, borxhi publik, ndërmarrjet, paratë e ligjshme e të paligjshme, emërimet e shkarkimet, të mirët e të ligjtë, fisnikët dhe të marrët, krijuesit dhe kriminelët, shpifësit, intrigantët e të pabesët dhe gjithçka e kushdo duhet të shërbejë vetëm e në radhë të parë, pushtetin e kryetarëve.

Kryetarët janë Zoti. Populli është tepër. Gjithçka për pushtetin dhe fuqinë e kryetarëve! Kjo është shtylla e katërt e partitokracisë shqiptare!. “Zgjidhja” do ta shembë regjimin famëkeq të partitokracisë dhe sundimin e neveritshëm të kryetarëve.

Votimet

Institucioni i zgjedhjeve të lira e të ndershme, nuk mund të vendoset me lehtësi. Hapi i parë i pastrimit të zgjedhjeve është votimi elektronik në qendrat e votimit, numërimi elektronik dhe departizimi i administratës zgjedhore. Në se duhet të sakrifikojmë për lirinë e vendit, do ta bëjmë me çdo çmim. Popujt që nuk luftojnë për lirinë e tyre, janë të destinuar të shuhen. Populli ynë do të marrë në duart e tij fatet e veta.

Zgjedhjet e 18 qershorit

Të gjithë e pamë se ç’ndodhi në këtë vend kur fatet e popullit ishin në duart e kryetarëve të partive. Kjo do të jetë një luftë e gjatë dhe e vështirë. Kur cenohen zgjedhjet e lira e të ndershme, është e përligjur çdo formë e reagimit të qytetarëve. Zgjedhjet në Shqipëri janë të molepsura. Kështu duket se do jenë edhe zgjedhjet e 18 qershorit. Ne duhet të përgatisim dhe ndërgjegjësojmë popullin për një përmbysje të madhe. Nuk kemi më se çfarë të humbasim. Shqipëria ka shkuar në fund. Kasta sunduese dhe elita e sotme politike nuk mund të bëjë zgjedhje të lira. Këta kanë 25 vjet që vjedhin, trafikojnë e blejnë vota.

Zgjidhja

Zgjidhja është liria, zgjidhja është puna, është ekonomia. Zgjidhja është ta përmbysim kastën që mashtroi, robëroi, vodhi e poshtëroi shqiptarët, zgjidhja janë njerëzit e thjeshtë të këtij vendi, rinia, emigrantët tanë të mirë e të vuajtur, njerëzit që e duan njëri-tjetrin, zgjidhja janë socialistët e bazës, zgjidhja jemi ne, zgjidhja jeni ju, zgjidhja je ti, zgjidhja jam unë.

Elitat

Në vitin 1992, kur erdhi në fuqi, Saliu u tha të vetëve se për 15 vite nuk do e lëshojmë më pushtetin! Aty e kemi Saliun akoma. Kanë kaluar jo 15, por 25 vite. Aty i kemi të gjithë. Vetëm një Nano që deshi vetë, ka ikur. Elitat nuk përtërihen. Nga elitat ikin vetëm ata që vdesin natyralisht, ndërsa hyjnë e dalin vetëm të përzgjedhurit e kryetarëve.



 

 

Kosovari
Jo vetem Princa, por e ardhmja e e sigurt shqiptare e Shqiperise Demokratike. Keta karshi rrenuesve, jane ndertuesit e intergimit te Shqierise evrpiane.

Shto komentin tuaj

8 + 9 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM