Thellë

Qeveria: Ja pse morëm me qira 29 automjete “Jaguar”

Temat Kryesore

  • Opozita akuzon qeverinë se kërkon që të blejë makina luksoze për ministrat në momentin kur vendin e ka pllakosur varfëria. Qeveria përgënjeshtron lajmin duke sqaruar se po merren makina qira për të reduktuar shpenzimet
Mirel Sheme

Mazhoranca dhe opozita janë përplasur sërish në distancë dhe këtë herë shkak është bërë një lajm se qeveria ka miratuar një tender për blerjen e 29 makinave tip “Jaguar”. Partia Demokratike akuzon qeverinë se po përdor paratë e shqiptarëve për të blerë makina luksoze për ministrat e saj, në një kohë kur shqiptarët vuajnë për nevojat elementare. Ndërsa qeveria nga ana e saj përgënjeshtroi lajmin e opozitës, sipas saj nuk ka kaluar asnjë tender për blerje makinash, por për marrjen e tyre me qira për shkak të amortizimit dhe konsumit të lartë të karburantit që kanë makinat aktuale. Sipas qeverisë, ky model “Jaguar”-i është prodhuar në vitin 2014. Punon me naftë, ndërsa konsumi varion nga 7.1 litra për 100 kilometra në orë për në qytet dhe 6.1 litra jashtë tij. Çmimi i saj nis nga 70 mijë euro pa opsione ekstra.

Debati

Nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, me një deklaratë nga selia blu u shpreh se në kohën kur varfëria e ka kaluar kufirin dhe qytetarët janë çdo ditë e më të pashpresë, qeveria po mendon të blejë 29 makina luksoze. “Në kohën kur varfëria e ka kaluar kufirin, kur ekonomia është në krizë të thellë, kur papunësia shtohet dhe qytetarët janë çdo ditë e më të pashpresë, Edi Rama mendon se ka ardhur koha që Ilir Beqja, Saimir Tahiri, Damian Gjiknuri e soji i tyre në kabinet, të kenë makina edhe më luksoze për të ndenjurat e tyre të krimbura në korrupsion e krim. 29 ‘Jaguar”-ë, makina e fjalës së fundit, janë porositur nga Edi Rama për të dhe për ministrat. Makina “Jaguar”, mjetet e preferuara të sheikëve e pasanikëve në botë. Ky është shpërblimi që ka Edi Rama për ministrat e tij që e kanë kryer shumë mirë deri tani misionin e vjedhjes, zhvatjes e plaçkitjes së fondeve kudo, në çdo mundësi që u është dhënë. Shpërblim jo vetëm për ta, por dhe për koncesionarin, mikun e Edi Ramës ku do merren makinat”, tha Spaho.

Përmes portalit “transparenca.al”, qeveria përgënjeshtroi opozitën për kalimin e një tenderi për blerjen e 29 makinave “Jaguar”. Qeveria në reagimin e saj sqaroi se nuk ka kaluar asnjë tender për të blerë makina, por për t’i marrë me qira. Në shpjegimin e qeverisë, thuhet se marrja e tyre vjen pas amortizimit të mjeteve aktuale. “Së pari, Garda e Republikës së Shqipërisë nuk ka shpallur asnjë tender për të blerë makina të cilat do të vihen në përdorim të kabinetit qeveritar. Tenderi për të cilin media të ndryshme kanë ngritur pretendime ka të bëjë me marrjen me qira të automjeteve që kabineti qeveritar do të përdorë, duke pasur parasysh amortizimin e flotës aktuale të automjeteve, mungesën e sigurisë në transport, koston shumë të lartë në mirëmbajtje, si edhe koston e lartë në konsum të karburantit”, sqaron qeveria.

Në reagimin e saj qeveria sqaron se marrja me qira e këtyre makinave i kushton buxhetit të shtetit më pak lekë sesa përdorimi dhe mirëmbajtja e autoveturave aktuale. “Çka është më e rëndësishme është analiza financiare, që tregon se marrja me qira e automjeteve që do të kryejnë transportin e kabinetit qeveritar është version më i lirë jo vetëm se blerja e automjeteve të reja, por edhe se mbajtja në përdorim e flotës ekzistuese. Sot, në shërbim të Këshillit të Ministrave janë në dispozicion 22 autovetura, kostoja e mirëmbajtjes së të cilave është pak më shumë se 600 mijë euro në vit, ose 2 milionë e gjysmë euro për një periudhë katër vjeçare. Marrja me qira e një numri të njëjtë makinash, kushton rreth 500 mijë euro në vit, ose rreth 2 milionë euro për një periudhe katër vjeçare” thuhet në reagimin e qeverisë. Më tej nënvizohet fakti se në raste defektesh, automjeti zëvendësohet menjëherë dhe kostot e riparimit apo zëvendësimit për shtetin shqiptar janë zero.

Berisha: Qeveria ble “Jaguar”-ë në vend të ambulancave

Në një reagim në rrjetet sociale ish- kryeministri Sali Berisha shkruan se qeveria ka ndërmarrë një vendim për të blerë makina të reja për ministrat e saj, në vend që të shpenzojë për të blerë ambulanca. “Vendimi korruptiv i qeverisë së pakallur për të blerë në vend të ambulancave pa tender tek miku për kokë i Edi Ramës, Papuli, pa asnjë nevojë nga një “Jaguar” për ministër. Makinë kjo ndër më luksozet dhe më të kushtueshmet në botë, makinë e multimiliarderëve dhe sheikëve arabë, ngjason me dëshirën e fundit të atij që ka vjedhur gjithë karrierën e tij qeveritare, dhe për të qetësuar veten para se të japë shpirt politikisht, shpreh si dëshirë të fundit një vjedhje tjetër, një “Jaguar” luksoz për funeralin e tij! Revolucioni demokratik është vendimtar për të kallur këtë qeveri një minutë e më parë”, shkruan Berisha.

“Në Bruksel do të çoj mesazhin se reforma do të bëhet”

Pas takimit me disa nga eksponentët më të lartë të qeverisë shqiptare, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein, zhvilloi një konferencë për shtyp në Tiranë, nga ku deklaroi se viti 2016 do të jetë shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, pasi ai beson në miratimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi, të cilën e cilësoi si shumë të rëndësishme. Gjatë fjalës së tij Fleckenstein u shpreh se pavarësisht vështirësive që po hasin mazhoranca dhe opozita për të gjetur një gjuhë të përbashkët, mendon se ka një frymë pozitive nga ana e të gjitha palëve për ta realizuar reformën.

“Unë besoj se viti që vjen, viti 2016, ka për të qenë kyç për Shqipërinë. Ky besojmë që ka për të qenë pikërisht viti kur Parlamenti shqiptar do të miratojë reformën në drejtësi dhe do të jetë po ashtu viti kur do të fillojë zbatimi i kësaj reforme”, deklaroi raportuesi Fleckenstain. Në vijim të fjalës së tij ai theksoi se gjithmonë pyetet kur vjen në Tiranë se çfarë mesazhesh vijnë nga Brukseli, por detyra e tij është që të çojë mesazhe nga Shqipëria në Bruksel dhe se pas kësaj vizite, raportuesi për Shqipërinë do të çojë këtë mesazh në Bruksel: “Mesazhi qe do t’u çoj unë kolegëve të mij në Parlamentin Evropian do të jetë se, pavarësisht gjithë atyre shqetësimeve apo përplasjeve që kanë ndodhur ndërmjet qeverisë dhe opozitës, mendimi im është se politikanët kanë vërtet dëshirë për ta bërë këtë gjë dhe vërtet kanë dëshirën për të ecur përpara”, tha Fleckenstein.

Raportuesi dha përgjigjen e tij edhe në lidhje me procesin e dekriminalizimit, duke theksuar se është shumë i rëndësishëm dhe se ka parë dy propozimet e paraqitura. Ai u shpreh se, shpreson që edhe ky ligj të miratohet sa më parë. Ndërsa i pyetur në lidhje me testin e drogës, të propozuar nga opozita, Fleckenstein theksoi: “T’ju them të drejtën, më duhet t’ju them që, me sa njohuri kam, është hera e parë që dëgjoj një praktikë të tillë, që kjo të miratohet në Parlament, për një test të tillë. Nuk e kam dëgjuar këtë më parë, por megjithatë më duhet të them se në rast se kjo miratohet, kjo do të jetë hera e parë. Gjithsesi, më duhet të them që ka vende që jetojnë pa këtë praktikë”, shtoi Fleckenstein.

“Shpallja si vend i “sigurt” frenon azilkërkuesit”

Konferenca e 11-të e Komisioneve Parlamentare të Integrimit Evropian të Shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim-Asocimit të Evropës Juglindore, u zhvillua ditën e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, duke folur për çështjen e azilkërkuesve, theksoi se është me rëndësi që të ketë një qeverisje më cilësore. “Duhet të përshpejtojmë ritmin e reformave. Duhet të investojmë në edukimin e të rinjve për të përqendruar energjitë dhe aftësitë e të rinjve në vendet tona dhe rajonin tonë. Ky prioritet ka domethënie të jashtëzakonshme sidomos gjatë këtij viti, ku për fat të keq kërkesat e azilantëve në vendet e Evropës perëndimore janë rritur në mënyrë shqetësuese nga vendet tona”, tha Meta.

Ndërsa ministri Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati u shpreh se azilantët nxiten nga të mirat që ofron sistemi i azilkërkimit dhe se shpallja e Shqipërisë nga Gjermania si “vend i sigurt” do ta pakësojë fenomenin. “E gjithë vala e azilkërkuesve gjatë dy viteve të fundit nga rajoni jonë, siç e tha me të drejtë kryeministri serb Vuçiç, nxitet më tepër nga benefitet sociale që ofrojnë sisteme të ndryshme të azilkërkimit”, deklaroi Bushati. Kryetarja e Komisionit për Integrimin Evropian, Majlinda Bregu tha se pavarësisht se vendet tona janë në listën e vendeve të sigurta, numri i lartë i të larguarve përshkruan më qartë situatën tonë reale.

“Papunësia e lartë, sidomos tek të rinjtë, korrupsioni dhe situata e rënduar social-ekonomike janë më kokëfortë se çdo listë e vendeve të sigurta”, tha Bregu. Reporteri Knut Fleckenstein, u shpreh se gjithnjë e më shumë vende po përballen me numrin e rritur të emigrantëve. “Gjatë viteve të kaluara, Turqia e Libani kanë mbajtur barrën më të madhe për të strehuar emigrantët. Tashmë shumë vende po përballen me sfida për numrin e lartë të refugjatëve. Vendet anëtare të BE-së kanë luftuar me një numër të madh emigrantësh. Shumë vende janë ekspozuar ndaj një eksperience të tillë. Të vetëm nuk mund ta menaxhojmë situatën. Duhet mbështetje nga partnerët, duke përfshirë edhe Rusinë”, tha reporteri.

 


sandokani
Kapitalizem vlla,ca do rrojne ca te tjere do vdesin.
Pa Emër

Sic po duket ne kete kontrate rilindja ka hallin qe mos te shpenzoje lek per nafte qe mundet te jene ca qindra euro dhe do bleje jaguar me 100 mije dollare copen qe te rezervojne ne cmimin e naftes
Po pse jo kur ai popull i hane te gjitha budallalleqet mshojani sa te mundeni se ai popull duron

Shto komentin tuaj

6 + 2 =
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al


KM