Osteoporoza, trajtimi i sëmundjes së grave

Publikuar më 30. 10. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Elona Tereziu

Rovena Liço, mjeke reumatologe tregon se Osteoporoza, mund të vijë edhe si pasojë e ndonjë sëmundjeje, sidomos në osteoporozën sekondare, të tilla si sëmundjet gjenetike, deficenca hormonale etj

Osteoporoza është një nga sëmundjet më të shpeshta metabolike të kockave që karakterizohet nga reduktimi i masës kockore dhe prishja e mikroarkitekturës së saj. Duke humbur dendësinë e tyre normale, kockat bëhen lehtësisht të thyeshme duke rritur në këtë mënyrë riskun për fraktura spontane.

Ndahet në osteoporozë primare ku futet osteoporoza post-menopauzale e grave dhe osteoporoza senile që shfaqet pas dekadës së 6 -7 të jetës dhe është pjesë e fenomenit të plakjes në tërësi.

Ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në shfaqjen e saj qëndrojnë ato gjenetike, nutricionale dhe mënyra e jetesës.

Rovena Liço, mjeke reumatologe tregon se ndonjëherë ajo mund të vijë edhe si pasojë e ndonjë sëmundjeje, sidomos në osteoporozën sekondare, të tilla si sëmundjet gjenetike, deficenca hormonale, çrregullimet endokrinologjike, sëmundjet e ndryshme të gjakut, sëmundjet reumatizmale etj.

Ndërkohë që thekson se, edhe pse është një sëmundje për të cilën flitet shpesh, diagnostikohet vonë për faktin se shfaqet pa shenja.

Çfarë është osteoporoza?

Osteoporoza është një term që është përdorurur në shekullin XIX e që përkthehet kockë poroze, domethënë kocka ndryshon strukturën e saj kompakte dhe kthehet në poroze e për pasojë bëhet edhe më fragile ( e brishtë). Deri më parë osteoporoza konsiderohej si pjesë e fenomenit normal të plakjes dhe nuk i kushtohej vëmendja e duhur. Me rritjen e jetëgjatësisë, me shtimin e procedurave diagnostikuese dhe metodave parandaluese, në ditët e sotme osteoporoza është një sëmundje që duhet të njihet në mënyrë që të parandalohet ose të mjekohet në kohën e duhur.
Osteoporoza është sëmundja më e shpeshtë metabolike e kockave që karakterizohet nga reduktimi i masës kockore dhe prishja e mikroarkitekturës së saj. Duke humbur dendësinë e saj normale, kocka bëhet më lehtësisht e thyeshme duke rritur në këtë mënyrë riskun për fraktura spontane, fraktura nga trauma krejtësisht minimale.

Çfarë ndikon në shfaqjen e osteoporozës?

Kocka është gjatë gjithë kohës në proces dinamik që konsiston në rezorbim dhe formim kockor. Kur ekuilibri ndërmjet rezorbimit dhe formimit kockor prishet, shfaqet sëmundja e osteoporozës. Ky proces është i ndërlikuar dhe në zhvillimin e tij ndikojnë një sërë faktorësh ku rolin kryesor e luajnë faktorët hormonalë, përqendrimi në kalcium, fosfor, vitamina D, faktorët gjenetike etj. Dy protagonistët kryesorë që e realizojnë këtë proces janë dy lloj qelizash: osteoblastet (realizojnë formimin kockor) dhe osteoklastet (realizojnë rezorbimin kockor).
Osteoporoza ndahet në osteoporozë primare ku futet osteoporoza post-menopauzale e grave dhe osteoporoza senile që shfaqet pas dekadës së 6 -7 të jetës dhe është pjesë e fenomenit të plakjes në tërësi. Në bazë të osteoporozës parësore qëndron formimi i masës së vogël kockore gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës, ndaj edhe në shumë vende të botës për të nxitur zhvillimin e mirë skeletor rekomandohet dhënia e vitaminës D si suplement gjatë gjithë periudhës së rritjes, promovohet fuqishëm konsumimi i produkteve ushqimore të pasura me minerale siç janë qumështi dhe nënproduktet e tij, ekspozimi adekuat i rrezatimit diellor,përdorimi i ushqimeve të fortifikuara me minerale.
Në dallim nga osteoporoza primare, në osteoporozën sekondare ekziston një sëmundje ose gjendje e caktuar shëndetësore që ka si pasojë osteoporozën të tilla si:

Sëmundje gjenetike ose kongenitale

Sindroma hipogonadale me deficienca hormonale në androgjen ose estrogjen

Çrregullime të ndryshme endokrinologjike si sëmundjet e gjendrës tiroide (hipertiroidizmi), Diabeti mellitus, Akromegalia, insuficienca adrenale

Gjendjet me deficienca nutricionale në kalcium, magnez, vitaminë D

Sëmundje që karakterizohen nga keqpërthithja në traktin tretës të elementeve të ndryshme nutricionale duke përfshirë kalcium, magnez, fosfor

Sëmundje të ndryshme të gjakut si hemofili, talasemi, limfome, drepanocitoze

Përdorimi i disa medikamenteve si antikonvulsivantët, steroidet, suplementët për tiroiden

Sëmundje reumatizmale kronike si artriti rheumatoid, spondiliti ankilozant etj

Cilët janë faktorët e riskut?

Ndër faktorët kryesorë që influencojnë në shfaqjen e osteoporozës janë faktorët gjenetikë, nutricionale dhe mënyra e jetesës.

Raca e bardhë dhe mongoloide ka risk më të madh për masë të vogël kockore dhe osteoporozë.

Faktori gjenetik është përcaktues deri në 80 % të masës kockore. Të afërmit e një gruaje që ka pësuar frakturë si rezultat i osteoporozës kanë 2 herë risk më të madh për fraktura sesa popullata normale.

Faktorë të tjerë janë mosha dhe seksi femër.
Osteoporoza është shumë herë më e shpeshtë në femra, aq sa prania e osteoporozës në një mashkull në moshë jo të madhe është mjaft shqetësuese e duhet kërkuar patjetër për shkaqe sekondare.

Menopauza është një tjetër faktor madhor risku,ndërprerja e hershme e ciklit menstrual shoqërohet në shumicën e rasteve me shfaqjen e osteoporozës. Menopauza çon në ulje të hormonit femëror estrogjen, mungesa e këtij hormoni shkakton aktivizimin e disa citokinave që nxisin osteoklastet për rezorbim kockor.

Histerektomia me ovarektomi (heqja e mitrës së bashku me vezoret) e cila është një lloj “menopauze kirurgjikale”. Menstruacionet e para të vona dhe menopauza e hershme janë të dyja faktorë risku.

Mënyra e jetesës: Jeta sedentare, imobiliteti, konsumimi i alkoolit, duhanpirja, dietat e varfra me minerale janë gjithashtu faktorë risku për osteoporozë.
Sporti dhe aktiviteti fizik janë stimul për kockën për t’u zhvilluar normalisht.

Si vendoset diagnoza e osteoporozës?
Duhet thënë që osteoporoza është një sëmundje për të cilën flitet shpesh por diagnostikohet vonë për faktin se shfaqet pa shenja. Shenjat e para shfaqen kur zhvillohet ndonjë frakturë e që shoqërohet me dhimbje në vendin e frakturuar.
Është mirë që çdo grua pas menopauzës, të paktën një herë të realizojë një matje të densitetit kockor. Osteodensitometria është një metodë e thjeshte jo invazive qe jep të dhëna për densitetin kockor. Teknika konsiston në përdorimin e ultratingujve (ultrasonometër) ose rrezeve X (Dual energy X ray) për të marrë informacion mbi densitetin e masës kockore. Si formë diagnostikimi të hershëm metoda përdoret për popullatën në risk: mosha e madhe, menopauzë e hershme, histori familjare për isteoporozë, sëmundje të tjera shoqëruese.
Sipas OBSH konsiderohet osteopeni (masë e ulët kockore) kur vlera e matjes del ndërmjet -1 deri në -2,5 (në këtë rast fillohet me masat parandaluese të sëmundjes) dhe osteoporozë kur vlera del poshtë -2,5 të devijacionit standard. Domethënë nëse një pacient realizon matjen dhe vlera del -3,1 atëherë pacienti është me osteoporozë e duhet të fillojë mjekimin për të.
Metoda tjetër më e shpeshtë nëpërmjet të cilës zbulohet osteoporoza është një grafi e thjeshtë e cila është bërë për një arsye tjetër, kjo metodë është jo sensitive, dhe osteoporoza evidentohet në grafi kur kocka ka humbur gati 50% të masës së saj.
Në testet laboratorike që përdoren më shpesh janë edhe markuesit metabolik kockorë si fosfataza alkaline kockore, N- telopeptidet etj.
Duhet pasur parasysh që te një i sëmurë me osteoporozë, duhet kërkuar nëpërmjet testeve laboratorike edhe për shkaqet sekondare të saj.

Ndërlikimet më të rënda nga osteoporoza?

Osteoporoza prir për fraktura qoftë edhe nga trauma krejtësisht të parëndësishme. Ndër frakturat më të shpeshta është fraktura e coli femori dhe frakturat kompresive të trupave vertebrale.
Frakturat e coli femori kanë mortalitet të lartë e dëmtojnë rëndë cilësinë e jetesës duke e invalidizuar pacientin dhe duke e bërë të pamundur shërbimin ndaj vetes. Ndërkohë që në rast se ndodhin fraktura të trupave vertebrale shenjat që vihen re janë kifoza(dalja e kurrizit), humbja e gjatësisë trupore, për çdo vertebër të frakturuar shkurtohet gjatësia trupore me 1cm, zhvendosja e brinjëve, ndjeshmëri të shtuar në presion në vendin e frakturuar, dhimbje e spazmë të muskujve të shpinës.

Rëndësia e parandalimit dhe trajtimi?

Për të parandaluar shfaqjen e osteoporozës është mirë të fillohet që në moshë të hershme me një jetë sa më aktive, evitimi i jetës sedentare, marrja me aktivitete të ndryshme sportive, ushqyerja sa më e mirë me dieta të pasura me calcium, fosfor, magnez, vitaminë D siç janë qumështi dhe nënproduktet e tij, salmoni, sardelet, frutat e thata ose kondumimi i ushqimeve të fortifikuara me këto elemente.
Evitimi i përdorimit të alkoolit dhe duhanit si edhe marrja për periudhave të caktuara të suplementeve me kalcium dhe vit D të cilat tashmë konsiderohen si barna OTC, pra që mund të merren edhe pa recetë nga mjeku.
Në momentin që osteoporoza është vendosur atëherë fillohen trajtime specifike që kanë si qëllim të reduktojnë rezorbimin kockor. Ndër preparatet që përdoren janë bisfosfonatet, analoge të parathormonit, kalcitonina, barna këto që kanë specifikat e tyre e që situata duhet vlerësuar e ndjekur domosdoshmërisht nga mjeku.