Orgesa Beqari: Ju tregoj sfidat si një femër veterinere në Shqipëri

Nga Xhensila Demollaj

Veterinerja nga Fieri tregon për profesionin dhe vështirësitë e tij. Paragjykimet për femrat veterinere dhe vëmendja që i duhet dhënë këtij profesionin

Rrugës çdo gjë është si e mjegulluar, e zbërdhulët, e lagur, e ftohtë dhe e heshtur. Që prej disa ditësh, anët e Myzeqesë i ka mbërthyer një i ftohtë i hidhur. “Sivjet po, bën dimër prej vërteti!”, na thotë një kalimtar me të cilin shkëmbejmë ndonjë fjalë në një “dyqan” të vogël. Në të dy anët e rrugës, shtëpitë e fshatarëve duken edhe më të largëta. Të strukura nën hijet e ullinjve, ato duken sikur kërkojnë të fshehin atë çka fshihet brenda tyre: hallet, gëzimet, të qarat e fëmijëve, dashuriçkat e të rinjve, zënkat e prindërve, kollën e thatë të gjyshërve, gjithçka…

Vetëm fjolla e tymit që del nga oxhakët vërtitet drejt qiellit lozonjare, njësoj sikur të dojë të përqeshë shiun që vazhdon të bjerë pareshtur. Pak nga pak, me sytë e mbërthyer me kujdes mbi asfalt, kemi mbërritur në Vadhizë, në fshatin e Fierit. Si kalojnë disa kohë, një rreze e ndrojtur dielli ndërron vendin disa herë me një shi të imët gjysmë të ngrirë. “Po bie llohë”, kështu i thonë vendasit kësaj gjësë të papërcaktuar, gjysmë borë e gjysmë shi, që bie nga qielli. Në skaj të trotuareve të Fierit tashmë janë krijuar disa rrëke të vogla.

Ne mundohemi ta qetësojmë veten disi: Eh mo, kaq ishte! Tani mund të vazhdojmë më tej. Orgesa Beqari na pret në hyrje të fshatit. Ajo është shkëputur për pak momente nga puna e saj, për të na shoqëruar në një bisedë e rrëfim mjaft interesant. Është veterinere e zonja dhe e do mjaft punën e saj. “Pasioni është gjëja më e rëndësishme për njeriun dhe unë këtë dua të transmetoj”, thotë ajo ëmbëlsisht, teksa na fton të ulemi pranë saj. Orgesa në vitin 2015 është diplomuar për veterinari në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Mirëpo, sfidat pas diplomimit dhe vështirësitë me të cilat është ndeshur vetëm sepse është femër kanë qenë të shumta. “Koncepti i veterinerit nuk ka qenë në sensin e vendosjes në piedestal  nga rëndësia. Përse po e mbaron shkollën?”, -më pyesnin,- Për doktor lopësh?”, thotë tashmë me humor e reja, teksa risjell në vëmendje shprehjen e famshme “Mjeku shpëton njeriun, veterineri shpëton njerëzimin. Mjafton që një veteriner i një pike doganore të japë vulën një kontenieri një mishi nga Brazili dhe mbushen gjithë spitalet dhe farmacitë plot”.

Orgesa është tashmë 24 vjeç, dhe prej kohësh ka hapur klinikën në Fier ku ushtron me pasion profesionin e saj. Me tiparet e ëmbla të një vajze që tregon shumë më pak se mosha që ka, ajo pret e përcjell çdo ditë e vetme klientët që sjellin kafshët e tyre. “Veterinaria hyn te profesionet me risk të lartë, që do të thotë që gjatë gjithë kohës je i detyruar të kontaminohesh, të kesh të bësh me sëmundje direkte. Gjatë vizitës së një gjedhi të sëmurë mjafton që të kontaminohesh me gjakun e saj që është me brucelozë, dhe rrezikon abortin. Kjo te femrat dhe po ashtu edhe sterilizimi te meshkujt.

Edhe macet, në momentin që ke kontakt me to. Të gjitha kategoritë e kafshëve kanë ato veçoritë e veta”, tregon Orgesa teksa rrëfen edhe për vështirësitë e një veterineri të ri për të gjetur punë në profesion. “Për veterinerët është vështirë të gjejnë punë, sepse të gjithë që mbarojnë punë e kanë synymin që të jenë direkt te kafshët e vogla, qen, mace. Një veteriner i ri nuk ka ku maturohet. Unë kisha fatin se vjehrri është fermer. Kam kolegë që kanë 7 vite dhe s’ kanë gjetur punë akoma. Duke qenë se fermat blegtorale nuk janë me interes të lartë, kjo bën që numri i krerëve të ketë rënie.

S’ka ndonjë të ardhme sepse ka pasur ndryshime. E dyta, politika e subvencionimit të numrit të kafshëve nuk kanë qenë të favorshme këto 27 vite. Në qendrat e zhvilluara deri diku e kanë larguar konceptin e doktorit të lopëve. Nga ana tjetër, fakulteti pjesën e praktikës e ka shumë të vakët. Të paktën për periudhën që kam qënë unë. Praktika profesionale pothuajse mungon fare. Ndaj, për praktikën, kur ne mbarojmë përballemi direkt me një të panjohur. Është mundësia e çdonjerit që të bëjë përpara. Fakulteti është pothuajse teorik. Pjesa e praktikës është me 100 veta, në një fermë lopësh që i vijnë vërdallë. Këto dy vite me dekanin e ri ka ndryshime, por veterinerët e rinj duhet të përballen direkt me terrenin.

Nëse do kemi njerëz të shëndetshëm do jemi më mirë. Rreth 70 % e sëmundjeve vijnë nga kafsha te njeriu. Veterineri është lënë pas dore. Sot, operojnë me tarifat më të ulshme të mundshme që ka rajoni. Janë dy tre herë më pak se ato shtetërore dhe ato private. Një shprehje në Hollandë thotë: fermerë të varfër, veterinerë të varfër. Një veteriner i varfër nuk bën dot gjë vetë, nëse nuk ka mundësi. Këtu në Shqipëri gjen hapësirë.

Që në momentin e lindjes së kafshës është veterineri, jo thertorja. Një kafshë e shëndetshme mund të theret dhe në mes të livadhit dhe nuk përbën asnjë problem. Ndërsa, një kafshë e ngopur me antibiotik, e ngopur me preparate antiparazitare e therur në një thertore  me pllaka majolike nuk do të thotë shëndetësi. Ky është thelbi. Veterinerët nga ana tjetër duhet të veprojnë me kujdes.

Puna në terren

Veterinerja e re tregon se fermat në Shqipëri janë ende të vogla dhe rëndësia e veterinerevë duhet të jetë edhe më e madhe. “Sot, veterinerët e terrenit janë në kushte jo shumë komode, në kushte mbijetese. Fermerët thonë të marr lekët e qumështit pastaj të jap pagesën e veterineri. Sot s’ kemi ferma të madhësive të mëdha që të punësojmë veterinerë me kohë të plotë. Në Shqipëri jemi akoma në gjetjen e vetes.

Ndryshe nga para viteve ‘90 që një specialist veteriner ishte më i vlerësuar. Në Fier ka vetëm një veteriner që janë të kontraktuar, nga 80 veterinerë, 4 janë femra, as 10%. Pjesa më e madhe janë në moshë të thyer. Duke qenë se hynë te profesionet jo të preferuara për rininë, kjo ka bërë që të rritet mosha mesatare e veterinerëve. Shqipëria ka 1300 veterinerë. Sot, sipas standarteve europiane nuk plotësojmë standartet”, tregon Orgesa.

Rëndësia e sigurisë ushqimore

Monitorimi i kujdesshëm i shëndetit të fermës, përfshirë githçka që ekziston në të, nëse për fermerët është shumë e rëndësishme, për konsumatorët është jetike. Shpesh, në Shqipëri, për shkak të mungesës së laboratorëve përkatëse industria e bujqësisë vuan pasojat e virozave apo sëmundjeve të ndryshme, që jo në pak raste diagnostikohen shumë vonë. Vuan edhe pasojat e përbërësve kimikë që jo në pak raste zbulohen mediatikisht, duke shkaktuar skandale për sigurinë ushqimore.  Konsumatorët shqiptarë shpesh ankohen duke thënë se institucionet përkatëse duhet të luajnë një rol më të madh e më të fortë dhe të gjithë laboratorët e liçensuar duhet të jenë sa më të specializuar, për të paraprirë çdo eventualitet. Gjithnjë e më tepër Bashkimi Evropian po e shikon Shqipërinë dhe Ballkanin në përgjithësi si vendin e origjinës nga ku importon produkte të freskëta ushqimore. Madje aq rëndësi po i jepet rajonit sa vendet e BE-së po hartojnë strategji dhe plane afatgjata për të garantuar cilësi në mallrat që importojnë. Cilësia ushqimore fillon me prodhimin e lëndëve të para për përgatitjen e ushqimeve, vazhdon me hapat për transformimin e këtyre lëndëve për të prodhuar produkte ushqimore dhe mbaron me përcjelljen e produkteve tek klienti përfundimtar, i cili i konsumon këto produkte sipas nevojave, kërkesave dhe mundësive të tij financiare e kushteve social – ekonomike.

Cilësia e prodhimeve varet shumë nga ekzekutimi korrekt i dy hapave të parë të këtij procesi, por një gabim kudo në këtë proces afekton  çdokënd në një mënyrë apo në një tjetër. Sipas Shoqatës Amerikane për Cilësinë, cilësia është “totaliteti i vetive dhe karakteristikave të produktit (mallra dhe shërbime) që i japin atij aftësinë për të plotësuar nevojat e përcaktuara”. Cilësia e prodhimit, pra edhe e prodhimit të ushqimeve fokusohet në karakteristikat e cilësisë së produktit, që janë (1) konformanca, (2) performanca dhe (3) besueshmëria. Së bashku me to merren parasysh edhe (4) specifikimet e produktit, (5) aftësia në përdorim, (6) vlera për çmimin e paguar, (7) shërbimet mbështetëse, etj. Nuk duhet harruar se cilësia është një gjendje dinamike që shoqëron produktet, shërbimet, njerëzit dhe mjedisin në kohë. Meqenëse cilësia është një grup karakteristikash që duhet t’i përmbajë produkti, pra edhe ai ushqimor, mbi produktin duhet që të veprojë standarti, në mënyrë që njerëzit të jenë të sigurt se produkti që ata konsumojnë është cilësor.

Është fakt se në vendin tonë ka filluar që të ndihet një frymë në rritje e firmave të agrobiznesit për të rritur cilësinë dhe për të arritur që të çertifikohen në lidhje me standardet, por këtu ka shumë punë për të bërë, jo thjesht për marrjen e çertifikatës së standardit, por për mbajtjen e saj. Marrja e çertifikatave të cilësisë nuk është thjesht një pasaportë për të marrë pjesë në tender, por për të garantuar cilësi dhe siguri për qytetarët. Përveç standartit, një element shumë i rëndësishëm është edhe aplikimi i praktikave të mira të prodhimit, në mënyrë që këto praktika të garantojnë se standardi gjen aplikim.

Siguria

Garancia ushqimore lidhet me vlefshmërinë ushqimore dhe aksesin e secilit për ushqim. Një familje konsiderohet e garantuar nga ana ushqimore kur asnjë nga anëtarët e saj nuk rrezikon të jetojë në uri apo me frikën e pamundësisë për të patur ushqim.

Bashkimi Europian

Me 28 shtetet e veta anëtare, BE-ja ka rreth 12 milionë fermerë duke shtuar edhe 4 milionë njerëz që punojnë në sektorin ushqimor. Sektori i bujqësisë dhe ai ushqimor së bashku ofrojnë 7% të të gjitha vendeve të punës dhe prodhojnë 6% të bruto prodhimit vendor të Europë.

Ekspertët

Një nga kapitujt që do të duhet të negociohet për zgjidhje në këto kohë është edhe siguria ushqimore. Ekspertët thonë se kjo është një çështje e rëndësishme, pasi mund të çojë deri në mbylljen e aktiviteteve. Për qeverinë, qëllimi është sigurimi i monitorimit të plotë të zinxhirit nga ferma në tavolinë. Siguria ushqimore është një nga barrierat më të mëdha tregtare për eksportet shqiptare. Nëse ajo do të arrihet të pranohet nga BE-ja, atëherë janë të gjitha shanset për të diversifikuar dhe për të rritur eksportet, si dhe do të ndihmonte ekonominë të orientohej nga përpunimi.

Popullsia

Sipas parashikimeve të FAO-s, në vitin 2050 bota do ketë rreth 9 miliardë banorë. Për këtë duhet që prodhimi i ushqimeve në botë të rritet me rreth 70%, dhe kjo jo vetëm sepse do rritet popullsia, por edhe se njerëzit do tentojnë të përmirësojnë racionin ushqimor. Gjithashtu, sipas OKB-së, rreth 70% e popullsisë në vitin 2050 do jetojë në zonat urbane dhe në qytetet e mëdha, nga 49% që është sot.

Të tjera

Leksioni i Studentëve

Nga Zef Bushati Përtej kryefjalës së këtyre ditëve “student” dhe përpjekjeve të kuptueshme për pronësimin politik të protestës, e cila…

Abissnet