Orges Shehi: Kukësi, një rival i kalueshëm, thellojmë diferencë +9 pikë

Publikuar më 01. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Tonin Frroku

Kapiteni i korçarëve kërkon nga skuadra e tij të thellojë diferencën me veri-lindorët që janë ndjekësi më i afërt me 6 pikë më pak

Skënderbeu është rikthyer në Korçë për të përgatitur ndeshjen e radhës ndaj Kukësit në kampionat. Pas tre barazimesh radhazi, Skënderbeu tashmë kërkon me çdo kusht kthimin tek fitorja për të vijuar sërish me rezultatet pozitive. Në këtë linjë është edhe kapiteni Orges Shehi, i cili në konferencën për shtyp para mediave ditën e djeshme, vlerësoi Kukësin si kundërshtar për kërkoi përqëndrim maksimal për të kaluar me sukses këtë takim dhe për të thelluar diferencën në renditje me ndjekësit.

Shehi, një sfidë e vështirë i’u pret këtë javë me Kukësin?

Sfidë si gjithë të tjerat do të thoja. Pavarësisht se Kukësi është një ekip i fortë, kampionati ka treguar deri më tani se nuk ka ekipe të lehta dhe sfida jo të vështira. E rëndësishme është që të rikthehemi tek fitorja pasi në kampionat vijmë nga tre barazime dhe mbetet objektivi kryesor që të marrim fitoren për të ruajtur ecurinë pozitive në këtë kampionat por edhe për të menaxhuar titullin.

Kjo do të thotë se fitorja është detyrim?

 Nuk më pëlqen termi detyrim sepse futbolli është i tillë që po nuk e pate përqendrimin maksimal në një ndeshje gjatë gjithë 90 minutëshit dhe po nuk u paraqite në lartësinë e duhur nuk mund të marrësh atë që do. Është një ndeshje që do të kërkojmë rikthimin tek fitorja dhe të vazhdojmë rrugën tonë.

Kukësi është rivali kryesor për titullin?

Besoj se nga pikët dhe nga kontigjenti është rivali më i afërt, ndodhet vetëm 6 pikë larg nesh dhe kështu i bie. Por që kampionati ka treguar se ka edhe ekipe të tjera që dinë të jenë të forta në fushë dhe rrezik konstant nëse nuk je i përqendruar në maksimum. Nëse Skënderbeu fiton këtë takim diferenca shkon në 9 pikë.

Kjo do të thotë se titulli është më afër?

Është shumë shpejt, shumë shpejt për të folur për titullin dhe për sigurinë e titullit. Kampionati është në fillim  akoma mund të them, sapo ka nisur faza e dytë dhe nuk është mbyllur akoma gjysma e parë e kampionatit. Kampionati është i gjatë. Një distancë prej nëntë pikësh dhe dy ndeshje të fituara ndaj një rivali direk do të jenë një siguri më shumë por vetëm kaq.

Pas impenjimeve të shumta, tashmë jeni të shlodhur disi?

Kjo tani nuk ka shumë rëndësi për ne pasi si të thuash jemi mësuar me këtë lloj ngarkese dhe nuk është se përbën problem shumë të madh. Ne kemi katër muaj që punojmë me këtë intensitet dhe them se jemi gati për të përballuar.

Skënderbeu kampion dimri?

Deri në fund të dhjetorit janë edhe tre javë dhe ne duam që t’i marrim ndeshjet një e nga një. Duhet të përqendrohemi tek Kukësi fillimisht që luajmë nesër dhe më pas tek dy ndeshjet e tjera që kemi përballë. Ti marrim secilën me radhë dhe jemi në rregull nëse e bëjmë kështu.