Organizata shumëkombëshe e drogës në Greqi, pendohet bullgari

Publikuar më 07. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Nikoleta Kovaçi

Zbardhen përgjimet e organizatës shqiptaro-greke-bullgare, që u kap me 1.6 ton hashash. “Ëmbëlsira”, “kaçkavalli”, “kafeja”, “çokolatinat”-janë kodet që përdornin shqiptari Likaj dhe bullgari Stojanov, i cili duket se ka qenë provokues ndaj trafikantit nga Shqipëria

Grekët, ditën e djeshme, i kanë besuar një pjesë përgjimesh për grupin shumëkombësh të drogës që goditën pak ditë më parë një gazete. Ata në fakt, iu kanë referuar një bisede që kanë bërë shtetasi i vetëm bullgar që gjendet në atë trafik droge dhe shqiptari Ermal Likaj. Edhe pse në pamje të parë biseda duket sikur i jep hapësirë vetëm një lëvizjeje konkrete të një ngarkesë që duket se është jo në përmasat që flitet për trafikun e drogës.

Nga ajo bisedë që është publikuar në tri faza të ndryshme duket se bëhet fjalë për një skaf që në fakt gjenden në zonën ku edhe qëndronin skafet, aty ku duket se rrinte edhe shtetasi bullgar, dhe nga ku arrinte të komunikonte me shqiptarin. “Porto Rafti” ishte zona ku liheshin mjetet që transportonin drogën nga Shqipëria në Greqi dhe më pas edhe lëvizeshin për në Turqi apo edhe Itali.

Nga bisedat e publikuara ditën e djeshme duket se shtetasi bullgar është provokues ndaj shqiptarit pasi disa herë ai i këmbëngul në përcaktimin e gjithë elementëve për të cilët flisnin. Ndonëse ende nuk ka informacione për grupin që u godit nga policia greke, ka të dhëna se shtetasi bullgar të jetë personi që është penduar dhe që ka bashkëpunuar edhe më herët me policinë greke dhe atë italiane.

Kodet e drogës

Media greke “Espresso”, ka publikuar ditën e djeshme përgjimet e organit të akuzës në shtetin helen, për organizatën shumëkombëshe të trafikut të drogës që u kap duke transportuar 1.6 ton hashash me anë të një skafi të shpejtë të nisur nga Himara. Faktikisht 11 të pandehurit e kësaj organizate me shqiptarë, grekë e bullgarë kanë deklaruar se nuk kanë asnjë lidhje me drogën, por përgjimet telefonike të realizuara nga shërbimet greke të antidrogës, tregojnë jo vetëm të kundërtën, por edhe sofistikimin e këtij grupi.

Në përgjimet e transkriptuara, të cilat i botoi dje media greke, të dyshuarit përdornin fjalë të koduara gjatë bisedave telefonike, duke u kujdesur që në asnjë rast të mos përmendet fjala drogë apo lloji i saj. “Ëmbëlsira”, “kaçkavalli”, “kafeja”, “çokolatinat”, janë disa nga këto fjalë që nënkuptonin drogën, pagesën cash si dhe kamatën e parave të fituara në këtë “biznes”! Në fragmentin e parë të publikuar nga “Espresso”, është transkriptuar një bisedë ndërmjet shtetasit shqiptar i identifikuar si Ermal Likaj dhe atij bullgar, Jordan Stojanov.

Janë tri episode mes tyre ku në fakt më shumë se sa bisedë mes tyre, qëndrimi i shtetasit bullgar duket sikur ka qenë i parapërgatitur për të nxjerrë informacion në lidhje me gjithçka ndodhte brenda grupit dhe vetë bullgarit. Shqiptari duket më i kujdesshëm, më kodues dhe duket se ka një rol lëvizës, ndryshe bullgarit që ka rol statik, pra gjendet i vendosur diku dhe se urdhërohet të bëjë një punë pa dalë nga ai vend ku gjendet.

Trafiku me Greqinë

Goditja e grupit që u konsideruar si shumëkombësh erdhi në fakt pas implikimit të ish-numrit dy të ministrisë së Brendshme, Elona Gjebrea në lëvizjet e saj me eprorin. Edhe pse gruaja që sot është deputete i ka bërë thirrje prokurorisë të nis hetimet për këtë çështje pasi do të dëshmojë, autoritete greke menjëherë dhanë sinjalin e goditjes së një grupi mjaft të fuqishëm të trafikut të drogës që kishte lidhje me një sërë shtetesh, por që sigurisht si gjithnjë niste nga Shqipëria. E ndërsa Gjebrea mohoi në mënyrë kategorike të kishte dijeni për mjetin e Saimir Tahirit si të dyshuar në punët e drogës në kohën kur ajo kishte lëvizur nga Greqia në drejtim të Shqipërisë, grekët e hetimit, sapo doli historia e mjetit luksoz me të cilin kryhej trafiku i drogës bënë me dije publikisht që ai mjet ishte parë disa herë në Greqi dhe se madje kishte shënuar disa hyrje-dalje.

Po ndërsa rrugët e përcaktuara janë kryer disa nga vetë Artan Habilaj, truri i të gjitha lëvizjeve të familjes Habilaj, goditja e fundit nxori në pah bashkëpunimin e trafikantëve shqiptar me koka biznesi dhe krimi në Athinë. Për pasojë nga Italia ishin bashkuar skafistë të zotët ndërsa nuk bëhet me dije se si ka mundësi që të gjithë ata emra të konsoliduar në fushën e krimin ndërkombëtar të bashkëpunonin me shqiptarë pa ndonjë rol të përcaktuar. Edhe pse të gjithë shqiptarët kanë përcaktuar qartë rolet e tyre, në këtë grup, si ngarkues-shkarkues të mallit nga Himara në distinacionin përfundimtar, duket se pas tyre gjenden emra personash të fuqishëm të cilët ende nuk janë kapur nga policia greke.

Ata gjithnjë kanë folur për një shqiptar, një biznesmen i njohur i cili rezulton të jetë me nënshtetësi italiane dhe se gjendet i strehuar në Sarandë për të cilin thuhet se është një nga personat më të rrezikshëm në fushën ë trafikut të drogës. Edhe pse në grupin prej 11 vetave, 5 janë shtetas shqiptarë, ende nuk dihet se kush është ky person me ndikim kaq të fuqishëm për të vënë në dispozicionin e tij një biznesmen me shumë emër në Athinë dhe një pronar skafesh i cili prej shumë vitesh është mjaft i njohur në të gjithë Greqinë, për shkak të një pengmarrje nga shtetasit rus, që në fakt u tha se e kishin organizuar shqiptarët që gjendeshin në një prej burgjeve më të njohura të Greqisë.

Përgjimet     

Biseda e parë

E.Likaj: Alo, mik.

J.Sotajanov: Të mbyllen portat? OK? Mbaruan?

E.Likaj: Po, po. Thuaju të mbyllet…

J.Stojanov: Do ktheheni. T’i heq kamerat?

E.Likaj: Jo, jo. Do të kthehemi nesër. Do të vijmë të njëjtën orë.

J.Stojanov: Ok, më merr në çfarëdo ore, të shkoj të mbyll kamerat.

Biseda e dytë

J.Stojanov: Ej, pasdite do të jem në dyqan, në ora 6.

E.Likaj: Po, sepse… doja të të them të vesh pak mbulesën aty, të gjithë s’ka…

J.Stojanov: Gjithë çfarë?

E.Likaj: Po, po. T’i vesh pak mbulesën.

J.Stojanov: Gjithë skafit?

E.Likaj: Po, sepse kam ato.

J.Stojanov: Të vendos mbulesën përsipër?

E.Likaj: Kam atë po të them… (nuk kuptohet)

J.Stojanov: Tani t’i them, vure, hiqe.

E.Likaj: Të mos marrë ndonjë bidon ai që hyn brenda…

J.Stojanov: Gruaja ime do të shkojë të vendosë mbulesën.

Biseda e tretë

I: E mban mend herën e fundit, ëmbëlsirën që more?

II: Herën e fundit?

I: Po, pra, ëmbëlsirën.

II: Po.

I: Po, nëse gjen njeri me cash…

II: Për çokolatinat nuk thua?

I: Po.

II: Për sa para?

I: Ai i le me dy. Më nxori një ditë pune.

II: Problem, hë? Tjetra me ndonjë tetëshe. Domethënë, ta sjell… A bëhet?

I: E dëgjova. Bëhet nami, vazhdimisht kaçkavall.

II: Për kaçkavallin paratë, kaçkavall, e di.

I: Dëgjo, më dëgjo…

II: Po

I: Unë me ty po flas. Çfarë çmimesh më japin…

II: Po

I: Unë nuk të vë kafe (nënkupton kamatën)