Orët e kataklizmës së fierakëve nën vërshimin e lumit Vjosa

Publikuar më 06. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Arben Velo

Çfarë ndodhi në një mori fshatrash të Fierit, teksa lumi doli nga shtrati. Flasin banorë të Hoxharës, Levanit e Darëzezës.  Si u shkatërruan mijëra metra sera dhe frika e tyre që askush s’do t’i dëmshpërblejë, pavarësisht premtimeve

“Jo! Nuk mund t`ju marr lekë për bukë. Është shumë pak t`ju jap këtë pjesë buke falas. Por keni urimin tonë për çfarë bëtë për ne dhe çfarë po punoni në këto vështirësi”! Është fjala e një shitëseje, brenda një kioske llamarine, në qendër të fshatit Darëzezë, Fier! Shiu, që nuk ka pushuar prej tri ditësh, godet herë ashpërsisht mbështjellësen e hekurt të kioskës! Ajo nxiton të gjejë dy kokrra domate. Nuk është furnizuar prej dy ditësh nga Fieri. Ura që lidh këtë fshat me pjesën urbane është shembur. Fusha e paanë e Sopit, Hoxharës, deri në Levan e Frakull është pushtuar nga uji.

Pompat e hidrovorëve punojnë, ndërsa brenda tyre specialistë e punonjës  përpiqen të heqin ujin që depërton në sallë të motorëve. Kjo për të mos lejuar rënien në masë të energjisë dhe bllokimin e funksionit të tyre. Merret me mend se çfarë mund të ndodh, nëse pompat nuk punojnë. Mes sokëllimave natyrore, dëgjohet marshi i komanduar i ushtarëve të xhenios. Ata i japin formë dhe përmasë një ure Bejl. Ura që do të lidh Darëzezën, ishullin më jetëshkurtër në botë, vetëm 25 orësh, me pjesën tjetër të jetës urbane.

Shpëtimi i njerëzve

Nëpër kanal zhurmojnë gomonet që përcjellin njerëz e bagëti në anën tjetër të rrugës. Afër “molit”, atje ku shembja e urës përparon deri në mesditë, sipas fuqisë dhe mërisë së dallgëve vërshuese, qëndrojnë specialistë, punonjës dhe njerëz të emergjencave. Ndërsa mjete të rënda hedhin mbetje inertesh në anë të urës, për të bllokuar përparimin e shembjeve të dheut. Në brendësi të fshatit, nga një sportel i vogël kioske, zgjaten dy duar, që mbajnë një qese me bukë dhe domate. Një zë femëror përpiqet të mposhtë rrapëllimën shurdhuese të çokitjeve të shiut.

“Të më falni, meritoni më shumë. Shumë ju faleminderit që na shpëtuat nga përmbytja.” Në qendër të fshatit, një pjesë e banorëve zbatojnë ritualin e zakonshëm; pinë kafe dhe raki. “Lokalet janë të hapura. Energjia nuk na ka munguar. Fatmirësisht asnjë shtëpi nuk është përshirë nga uji si në vitin 2015”, thonë një grup banorësh. Asqeriu, banori i këtij fshati vjen dhe ikën vërtik. “Po ruajmë sinorët e ujit të mos çajnë digën”. Fati në këtë rast ishte ndërtimi i argjinaturës mbrojtëse gjatë gjithë vijës së kanalit shkarkues ku është shembur dhe ura.

“Faleminderit gjithë punonjësve, specialistëve dhe atyre që realisht punuan dhe po punojnë në këtë situatë”, thotë ai. Asqeriu i ka kaluar një palë përmbytje. Ka përjetuar tmerrin: “Një pjesë tjetër merren me bagëtitë e nxjerra në veranda të larta toke, brenda fshatit. Një tjetër betejë është sigurimi i ushqimit të bagëtive, në mos është beteja kryesore, pas rindërtimit të Urës, me ushqimin e të tjerë qëndrojnë në pritje të përfundimit të urës. Nga përpëlitja e urës prej betoni, nga vorbullat e forta të ujërave, deri në shembjen e një pjese të saj, kanë kaluar disa orë. Ora pesë e gjysmë e mëngjesit ishte çasti i shembjes së Urës, dhe krijimit të ishullit të ri në bregdetin e Semanit.

Banorët

Gëzimi, është komandanti i trupës ushtarake prej 80 vetash. Ata janë ndarë gjysma në ishull dhe gjysma në gadishullin e krijuar nga gërryerjet e ujërave, në pjesën fundore të rrugës Hoxharë e Re-Darëzezë. Dhe si strehë kanë stolat e mjeteve ushtarake! Dy litarë, lidhin pjesët fundore të mjeteve në dy brigjet. Kjo për të kaluar këmbësorë në raste urgjente. Ndërsa uniformat gjatë gjithë kohës vetëm punojnë. Elementët e urës u dukën të vijnë ndaj mbrëmjes së datës 3 dhjetor.

18 orë punë të pandaluar u deshën për të zhdukur ishullin më jetëshkurtër, krijuar nga zemërimi i Vjosës. Nëpër urën e ngritur që përkoi në 105 vjetorin e krijimit të ushtrisë, nisën të kalojnë banorët e Darëzezës dhe jo vetëm. Kaloi edhe ajo grua shitëse e asaj kioske që rrapëllinte nga shirat dhe përcillte gjëmimin e rrufeve. Zhurma pompash dëgjohen gjatë këtyre dy ditëve edhe përgjatë rrugës Levan-Tepelenë. Janë fermerët ata që po punojnë për të eliminuar dëmtimet e pësuara nga vërshimi i Vjosës.

“Duhen larë fidanët e mbetur nga llumi. Duhet nxituar që të shpëtohet investimi”, pohojnë fermerët. Për ata nuk ka kohë për biseda. Ata lusin duke kërkuar kohë. Dita është e shkurtër dhe orët duhen fituar vetëm për punë.

“Nuk ka kohë të qahemi e të  kërkojmë ndihmë. E shikoni dhe vetë. Kam marrë katër punëtorë dhe po laj gjithë serat me ujë me pompë për të hequr llumin”! Është Kostandin Troka ai që flet. Dhe nxiton të shkojë nëpër sera. Iu ka dëmtuar një sipërfaqe prej 12 dynym. Uji ka vërshuar në brendësi të serave, ka mbuluar tërësisht fidanët. Lulet që priteshin të nxirrnin kokrra në këto ditë, prodhimin e parë të këtij sezoni, janë zhdukur. Ndërsa nga uji që hidhet me furi nëpër fidanët e mbjellë në vllaja, brenda serave, dalin në aradhe, fidanët e tharë nga lagështira. “Uji erdhi me furi,  edhe pse kanalet ishin të gatshëm, dhe ne u përpoqëm të krijojmë prita. Por ishte sasi  aq e madhe sa nuk krahasohet as me 2015. Katastrofë!”.

Punëtorët nxitojnë të fitojnë terren ndaj llucës. I marrin serat me radhë dhe lajnë fidanët me ujë me presion. “Nëse i lëmë edhe sot nën llucë, atyre iu zihet fryma. Njësoj si njeriut të mbytur. Ndaj po nxitojmë”, shton Kosta. Ai dhe familja e tij e dinë shumë mirë se çdo të thotë puna. Po ashtu edhe qindra fermerë të tjerë që sot i janë sulur fushave dhe serave. Riparojnë ç`të mundin me dëshirën për të shpëtuar gjithçka. “Është katastrofë! Krijova një serë të re në këtë sezon. Mora borxh mbi 12 milionë lekë të vjetra. Por uji vërshoi dhe nuk e di gjendjen e fidanëve. Ndaj po nxitoj që të eliminoj llucën”, thotë Renua, një fermer i ri që kultivon prej katër vjetësh luleshtrydhen, siç e quajnë në zonën e Frakullës. Pesë ditë pas egërsisë biblike të Vjosës, në fushat e Kafarajt, Adës Frakullës, Sheqit, të mbushura më së shumti me sera luleshtrydhesh, duken ende gjurmët e ujërave. Gjana, llumi kanë mbuluar fidanët, ndërsa dhjetëra dynymë me sera, janë shkatërruar. Elementët e hekurave kanë ngelur si relike.

Fatmiri është emigrant në Patra të Greqisë. Erdhi dhe ndërtoi 15 dynymë luleshtrydhe në zonën e quajtur afër Kthesës së Qarrit. Atje ku vërshimi i Vjosës krijoi një shtrat të ri lumi. Dëmtimet janë të mëdha edhe për atë. Nuk di ende se sa është shkalla e dëmtimit, pasi gjithçka është nën pushtetin e llumrave. “Besoj se do të shpëtojmë diçka. U shkatërruam! Dita e sotme është vendimtare për të gjithë ne, të nxjerrim në dritë fidanët” pohon ai. Dhjetëra fermerë vetëm punojnë. Nuk ka kohë të flas Sefreti, as Ladi, Mustafai, Luli, Kadriu, askush!

Në njësinë vendore, Frakull, ka nisur nga puna komisioni i verifikimit të dëmeve. “Që nga mbrëmja e djeshme sapo nisi tërheqja e ujërave nga banesat dhe tokat, nisëm nga puna për verifikimin e dëmeve sipas urdhrit të dhënë nga Shtabi i Emergjencave”, pohon Dashamir Troka, kreu i kësaj njësie. “Janë në terren, komisioni i përbërë nga kryetarët e fshatrave, specialistë të Bashkisë dhe Bujqësisë”, me një formular tip të miratuar nga Shtabi, po kalojmë në çdo shtëpi,tokë me prodhimtari, për të verifikuar shkallën e dëmtimit. Uji vërshoi në 80 banesa dhe në qindra e mijëra ha tokë me prodhime të stinës. Por ne do të verifikojmë gjithçka dhe do të nxjerrim faturat e dëmtimeve”, pohon Dashamiri.

Statistika

Në Shtabin e Emergjencave të dhënat, gjatë ditëve të përmbytjes kanë ndryshuar nga ora në orë. Gjatë pesë ditëve, në çdo orë të dhënat e nivel-matësve në Përmet, Memaliaj dhe urën e Mifolit shënonin shifra të ndryshme. Niveli arriti në mbrëmjen e të shtunës më shumë se sa 9 m në Memaliaj, ndërsa uji kapërceu jo vetëm argjinaturën mbrojtëse të Kanalit të Martinës, por mbërriti deri në afërsi të shtratit të kanalit Vjosë Levan. U përmbytën puset e vendburimit të ujit të pijshëm Kafaraj, pompat e ujit të pijshëm në Poçem të Mallakastrës.U përmbytën dhe përfshin nga uji rreth 400 banesa në zonën Kashisht, Ferras, Cerven, Qarr, etj. Ndërsa më shumë se 5000 ha tokë bujqësore dhe tokë pyjore u kthyen në rezervuar të madh uji.

Dhjetëra fshatra për shkak të përmbytjeve të kabinave elektrike, qëndruan pa energji. Ndërsa specialistët e OSHEE punuan pa ndërprerje për të rilidhur energjinë dhe mbajtur gatishmërinë. Stacionet e hidrovorëve nuk e ndërprenë punën. Ndërsa specialistët që punojnë aty rrezikuan edhe jetën duke u përpjekur të largojnë ujin nga brenda sallave të pompave. Mjetet e rënda ndërtuan argjinaturë të re mbrojtëse në zonat e rrezikuara dhe shpëtuan nga vërshimi ujit qindra banesa dhe familje. Evakuimi i banorëve dhe kafshëve nga shtëpitë dhe stanet bëri të mundur që të eliminoheshin dëmet e mëdha. Trupat e emergjencës, ushtrisë, trupës ndihmëse nga Kosova, policia me mjetet lundruese, fuqia njerëzore, bashkëpunuan për të përballuar lumin Vjosë dhe jo vetëm!

Bordi i Kullimit: 717 milionë dollarë për të shpëtuar nga përmbytjet

Sipas të dhënave që janë bërë publike ditën e djeshme mësohet se 717 milionë dollarë është kosto që shteti duhet të paguajë për rehabilitimit dhe modernizimit të infrastrukturës së ujitjes, kullimit, mbrojtjes nga përmbytjet dhe siguria e digave. E përkthyer në përqindje do të duhej që 17 % nga 474.1 miliardë lekë e buxhetit të shtetit për shpenzime të kalonte për të rikonstruktuar dhe ndërtuar një infrastrukturë ujitje dhe kullimi të sigurt. Sipas raportit, raport të cilin Bordi i Ujitjes dhe Kullimit e ka vënë në dispozicion të Ministrisë së Bujqësisë prej majit 2017 për tu mbrojtur nga përmbytjet si fazë emergjente duhet një investim prej 166 milionë dollarë. Ajo çka përfshihet në faturën emergjente prej 166 milion dollarë bëhet me dije se ka të bëjë me 6.9 milionë dollarë për studim fizibiliteti dhe projekt zbatimi për infrastrukturën e mbrojtjes nga përmbytja në lumenjtë Erzen-Ishëm, Shkumbin, Seman dhe Vjosë. 5.5 milion dollarë duhen për hartim të projekt-idesë përfundimtare dhe projektit të zbatimit për mbrojtjen nga përmbytja të zonës së nën Shkodrës duke konsideruar edhe lundrimin në lumin Buna.

10.6 milionë dollarë duhen për rehabilitim-rikonstruksionin e argjinaturave mbrojtëse në të dy anët e lumit Mat nga Ura e Zogut në grykëderdhje. 81 milion dollarë sipas ekspertëve duhen për ndërtim/rikonstruksion të infrastrukturës së mbrojtjes nga përmbytja përgjatë lumenjve Drin, Bunë dhe zonën e nën Shkodrës për mbrojtjen nga përmbytja të rreth 12 000 ha tokë bujqësore e zona urbane si dhe sistemimin e shtratit te lumit Buna për të mundësuar lundrimin në këtë lumë. Ndërsa 62 milionë dollarë është kosto e parashikuar për ndërtim dhe rikonstruksion të argjinaturave mbrojtëse përgjatë lumenjve kryesorë në ultësirën perëndimore dhe minimizimin e rrezikut të përmbytjes së 100.000 ha tokë. Në përmbyllje të analizës teknike dhe kostos financiare ekspertët shprehen kanë bërë me dije se rehabilitimi dhe modernizimi do të jetë një përpjekje e kushtueshme që do të kërkojë kohë dhe asistencë financiare nga institucionet ndërkombëtare, ndërkohë që nuk dihet as koha dhe as ndihma as cilët ndërkombëtarë do të monitorojnë këtë sipërmarrje të këtij Bordi!