Opozita, një “utopi” për të rithemeluar republikën

Analisti Mentor Kikia deklaron se zhgënjimi i Bashës nga “tradhtarët” çoi në idenë për përmbysjen e sistemit zgjedhor. Sipas tij, nëse opozita do të jetë në gjendje, jo vetëm të mbledhë, por të frymëzojë dhe krijojë besim tek shumica e shqiptarëve, atëherë Rama duhet ta dorëzojë zyrën e kryeministrit

Lindita Bushgjokaj

Analisti dhe gazetari i njohur Mentor Kikia, në një intervistë për gazetën “Shekulli” flet për situatën politike në vend, vendimin ekstrem të Bashës për djegien e mandateve, si dhe pasojat që parashikon ky akt në anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Përgjatë kësaj bisedë, Kikia tha se qeveria tranzitore është një utopi e opozitës, pas së cilës fshihen planet e Bashës në bashkëpunim me PS-në.

Intervista e plotë:

Si do ta vlerësoni situatën aktuale politike, dhe çfarë impaktesh mund të prodhojë ajo?

Situata politike që po kalojmë është e paprecedentë. Përplasjet politike kanë qenë një normalitet në politikën shqiptare, por djegia e mandateve nga opozita dhe zëvendësimi i saj me deputet të rinj, jo përmes një procesi zgjedhor, është një skenar që nuk është vënë asnjëherë në jetë, edhe pse është paralajmëruar disa hera nga të dyja palët kur kanë qenë në opozitë. Impaktet e kësaj situate, padyshim që janë të gjithanshme veçanërisht në ekonomi dhe në fushën e integrimit. Shqipëria mund të dështojë sërish në hapjen e negociatave në Qershor dhe kriza politike mund të jetë një argument që do të përdoret nga vendet skeptike.

A shikoni zgjidhje të krizës në një afat të shkurtër?

Duke qenë një krizë e paprecedentë, edhe për zgjidhjet nuk ka receta dhe kjo shikohet edhe në ngurrimin e ndërkombëtareve për të bërë ndërmjetësin. Sepse këtu nuk bëhet fjalë për diskutime, apo negociata. Pasi negociata bëhen kur ka disa argumente në tryeze. Në rastin tonë kemi një kusht nga PD, që Rama të largohet nga drejtimi i qeverisë, dhe pas kësaj të nisin diskutimet për reforma të tjera mes dy palëve, dhe Rama që është po kaq i vendosur për të mos u tërhequr. Pra kemi një ultimatum, dhe shumë pak mjete për një zgjidhje “paqësore”. Mesa duket zgjidhja i ka mbetur “mejdanit”, pra protestës. Dhe fundi është: Ose Rama dorëzohet para presionit të protestës, ose opozita do të humbasë betejën dhe shumë më tepër se betejën.

Çfarë më tepër?

Opozita është në një lojë ku po luan “të gjitha për të gjitha”. Që do të thotë ose fiton gjithçka, ose humbet gjithçka.

Nëse fiton gjithçka, çfarë keni parasysh?

Dalja e “tradhtarëve” nga listat e Partisë Demokratike dhe LSI-së që zëvendësuan në parlament deputetët e dorëhequr, ishte një skenar i paparashikuar nga opozita. Ky skenar i përkeqësoi planet e saj, pasi me një parlament pa asnjë deputet të opozitës, mazhoranca do të ishte më e lehtë të shigjetohej. Por zënia e vendeve të lëna bosh nga deputetët i ngatërroi planet e opozitës. Ata deputetë, edhe pse të përjashtuar apo të shpallur “tradhtarë”, janë gjithsesi kushtetues dhe plotësisht legjitimë. Në këto kushte Basha ktheu sytë nga lista për të kuptuar se me çfarë njerëzish e kishte mbushur atë. Për këtë shkak ai, për herë të parë, iu drejtua përmbysjes së sistemit zgjedhor. Sistemit që u sanksionua nga Berisha dhe Rama me reformën e vitit 2008. Tashmë në selinë e opozitës nuk flitet thjeshtë për ndryshim qeverie, por për një “revolucion” politik. Për përmbysjen e sistemit zgjedhor, për ndryshime kushtetuese për të krijuar një parlament me dy dhoma, pra për të rikrijuar republikën, për ta bërë më demokratike dhe me rregulla më të forta, që të mos lejojnë forcimin e udhëheqësve që shkojnë drejt autoritarizmit, apo sundimit të të gjitha pushteteve. Në këtë këndvështrim, fitorja e opozitës do të ishte një fitore e demokracisë dhe gjithë shqiptarëve. Pasi ne të gjithë jemi koshientë që sistemi aktual zgjedhor është më i keqi që mund të ketë një vend demokratik, është ai fabrika që ka prodhuar këtë parlament, mbushur me tregtarë, biznesmenë, të paaftë, hajdutë e trafikantë. Në Shqipëri duhet të rikthehet demokracia, dhe demokraci do të thotë që qytetari të votojë kandidatin dhe jo partinë, ndërsa partia të emërojë më pas deputetin. Në këtë prizëm, deputetë e sotëm janë të gjithë të emëruar dhe jo të zgjedhur me votë.

Por si mund të arrihet kjo, cilat janë mjetet?

Në fakt mjetet deri tani janë shumë të pakta. Kemi dy faktorë. Mazhoranca që bëhet çdo ditë edhe më e madhe. Ajo i ka votat për t’i bërë të gjitha këto ndryshime të mundshme në sistemin zgjedhor e më tej, që pretendon opozita. Por ajo ndjehet komode në këtë mjedis dhe nuk ka në plan të ndërhyjë me një kirurgji kaq të thellë. Opozita, e cila më në fund u ndërgjegjësua, nuk ka asnjë votë në dorë. Duhet theksuar se PD dhe Basha, ndërsa ishin në parlament nuk artikuluan asnjëherë asnjë kërkesë të tillë, pasi edhe Basha vetë ishte komod të kishte nën kontroll partinë e tij përmes listës së kandidatëve. Por ndërroi mëndim kur pa se servilët e dikurshëm iu bënë kundërshtarë tani që ai “ra nga fiku”. Pra, Basha ka dëshirën por s’ka mjetet, s’ka votat. Skenari i opozitës është që të largojë Ramën nga drejtimi i qeverisë dhe të gjitha ndryshimet që pretendon, ti realizojë me PS-në dhe nën një qeverisje tranzitore. E gjitha kjo duket e bukur, por disi utopike.

Në fakt çfarë është qeverisja tranzitore, sa legjitime mund të jetë kjo, duke patur parasysh se qeverinë e krijon ai që ka shumicën në parlament?

Qeveria tranzitore është një mekanizëm i “shpikur” nga opozita si një urë për të kaluar në një tjetër breg. Pra, pas largimit të Ramës nga drejtimi i qeverisë, opozita pretendon një qeverisje të ndërmjetme që do të udhëheqë reformat që propozon, e më pas vendi t’i drejtohet zgjedhjeve, me një ligj të ri elektoral dhe garancitë ligjore që Rama nuk do t’i blejë sërish zgjedhjet.

Por, a mund të bëhet realitet ky skenar, pasi PD duket se i bën llogaritë pa “hanxhinë”?

Hanxhiu ka të tjerë hesape në fakt. Ai nuk konsideron asnjë nga këto projekte të opozitës dhe në një parlament ku numri i deputeteve të ashtuquajtur opozitarë po shkon drejt rritjes, Rama ndjehem shumë komod për të votuar ligje dhe reforma të cilat PD dhe LSI i refuzonin me forcë. Pra, teorikisht kemi një opozitë me përkrahës, por pa deputetë, një opozitë me deputetë dhe pa përkrahës. Kemi një opozitë që thotë se kryeministri ka rënë, dhe hajdeni t’i japim dorën e fundit, dhe një kryeministër që forcohet çdo ditë, dhe që po përgatitet të futet në zgjedhjet vendore, për t’i fituar të gjitha bashkitë. Një ekuacion me shumë të panjohura dhe pak alternativa për zgjidhje.

E kush ka të drejtë në këtë betejë tani?

Rama është në të drejtën kushtetuese. Ka fituar zgjedhjet, mendon se nuk ka pse të japë dorëheqjen, meqë këtë e kërkon opozita. Në parlament po futen deputetë që janë nga lista e PD-së dhe LSI-së dhe jo nga lista e PS-së. Ndërsa Basha mund të jetë në të drejtën e arsyes. Ai mendon se pushteti i Ramës buron nga votat e vjedhura dhe Rama mund të ikë vetëm me protesta. Palët kanë dalë në ring dhe thjeshtë duhet pritur fundi i ndeshjes.

Dhe me çfarë armësh do të ndeshen?

Shpresoj që jo me armë të vërteta luftarake. Demokracia e parashikon protestën dhe demonstratën si mjet të luftës politike. Nëse opozita do të jetë në gjendje, jo vetëm të mbledhë, por të frymëzojë dhe krijojë besim tek shumica e shqiptarëve, atëherë Rama duhet ta dorëzojë zyrën e kryeministrit. Nëse protesta e opozitës do të zbehet duke shkuar drejt një grushti njerëzish, atëherë do të shikojmë një vetëvrasje politike të një opozite dhe krijimin e një opozite njëpërdorimshme, që do të shërbejë si garniturë kushtetuese deri në zgjedhjet e 2021. Por askush nuk mund të parashikojë me saktësi se cila do të ndodhë nga këto. Po ecim në një shteg ku nuk ka udhërrëfyes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet