Opozita shpall plaformën me 4 pika, kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare

Një platformë bashkëpunimi e përbërë nga katër pika kryesore është publikuar sot nga partitë kryesore të opozitës.

Sipas platformës së opozitës bëhet me dijes e bashkëpunimi i tyre do të jetë i fokusuar në katër pika kryesore, ku theksi është vendosur tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe kthimi i legjitimiteti politik në vend.

PIKAT E BASHKËPUNIMIT

  1. Kthimin e legjitimitetit politik të qeverisjes në vend, nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare
  2. Krijimin e kushteve të domosdoshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme, parlamentare dhe vendore në Shqipëri, përmes dhënies fund të kapjes së shtetit nga krimi i organizuar, oligarkia dhe korrupsioni i lartë shtetëror; realizimin e Reformës Zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj, me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikës dhe krimit, luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së votave, intimidimit kriminal mbi zgjedhësit, presionit mbi median, si dhe eliminimin e pabarazisë mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje;
  3. Krijimin e klimës së besimit për zbatimin e Reformës në Drejtësi, jashtë çdo ndërhyrje politike;
  4. Krijimin e kushteve të nevojshme për të përshpejtuar nisjen e negociatave të Shqipërisë për antarësimin në Bashkimin Europian dhe ndërmarrjen e çdo Reforme të nevojshme për këtë qëllim.

PLATFORMË BASHKËPUNIMI

Sot, në Tiranë, më ___/___/2019, ne, Opozita e Bashkuar:

I.Thellësisht të shqetësuar që prej kohësh Shqipëria ndodhet në kushtet e:

• Rritjes së varfërisë ekstreme dhe papunësisë, si dhe pasigurisë për jetën dhe pronën, gjë që ka sjellë braktisjen e Shqipërisë nga një numër jashtëzakonsisht i lartë i qytetarëve shqiptarë;

• Mungesës së vëmendjes nga Qeveria ndaj problemeve të përditshme të qytetarëve dhe mungesës së reformave që garantojnë qeverisjen në interes të qytetarëve;

• Humbjes totale të besimit të qytetarëve tek forca e shtetit;

• Asgjesimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që po faktohet dita ditës si fenomen që ka cenuar jo vetëm legjitimitetin e qeverisjes, por edhe llogaridhënien ndaj qytetarëve;

• Rrënimit ekonomik të vendit për llogari të oligarkëve të lidhur me Qeverinë, që përfitojnë fonde financiare në mënyrë abuzive, duke asgjesuruar konkurencën e lirë dhe duke penguar investimet e huaja në vend që janë motor punësimi;

• Pabarazisë së thellë midis qytetarëve të zakonshëm dhe njerëzve me pushtet, duke eleminuar shtetin e së drejtës dhe barazinë përpara ligjit;

• Përpjekjes së paprecedentë të Qeverisë për të kontrolluar të gjitha pushtetit në vend, përfshirë pushtetin gjyqësor.

II. Duke vlerësuar se gjendja e shkaktuar, ka mbi të gjitha, si shkak kryesor korrupsionin, si dhe lidhjet e forta midis Qeverisë e krimit të organizuar, të cilat pengojnë zhvillimin ekonomiko-social të vendit dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë;

III.Duke qenë të vetëdijshëm se rinia shqiptare ka më shumë se kurrë nevojë për mbështetje, jo vetëm për një arsim cilësor sipas standardeve europiane, por mbi të gjitha për krijimin e kushteve për punësim sipas meritës dhe mundësive individuale;

IV.Duke qenë të ndërgjegjshëm se kapja e pushtetit publik nga krimi, përbën një kërcënim të rëndë për integritetin dhe funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike, duke e shndërruar në emergjencë kombëtare nevojën e shkëputjes së lidhjeve të ngushta Qeveri-krim;

V.Duke qenë të vendosur për të ndërmarrë çdo proces politik apo institucional që i hap rrugë nisjes së negociatave të antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke bërë realitet sa më parë ëndrrën e shqiptarëve për “Shqipërinë si gjithë Europa”;

VI.Duke vlerësuar se Qeveria aktuale dhe institucionet e drejtësisë nuk kanë ndërmarrë asnjë përpjekje konkrete, për të trajtuar çështjen e vazhdueshme të blerjes së votës, përdorimit të parave të pista në zgjedhje, si dhe angazhimit në zgjedhje të individëve me të kaluar kriminale, duke cenuar rëndë besimin e publikut në integritetin e zgjedhjeve.

VII.Duke vlerësuar se Qeveria aktuale nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të luftuar shpërdorimin e burimeve shtetërore, keqpërdorimin dhe neglizhencën e Policisë së Shtetit dhe presionet e lidhura me vendin e punës mbi zgjedhësit.

DEKLAROJMË SE:

1. Kemi vendosur krijimin e një Koalicion të Bashkuar Opozitar qytetar për zgjedhjet e ardhshme në vend.

2. Rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, është formimi i një Qeverie Tranzitore, me mandat të posaçëm për:

• kthimin e legjitimitetit politik të qeverisjes në vend, nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare;

• Krijimin e kushteve të domosdoshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme, parlamentare dhe vendore në Shqipëri, përmes dhënies fund të kapjes së shtetit nga krimi i organizuar, oligarkia dhe korrupsioni i lartë shtetëror;realizimin e Reformës Zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj, me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikës dhe krimit, luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së votave, intimidimit kriminal mbi zgjedhësit, presionit mbi median, si dhe eleminimin e pabarazisë mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje;

• krijimin e klimës së besimit për zbatimin e Reformës në Drejtësi, jashtë çdo ndërhyrje politike;

• krijimin e kushteve të nevojshme për të përshpejtuar nisjen e negociatave të Shqipërisë për antarësimin në Bashkimin Europian dhe ndërmarrjen e çdo Reforme të nevojshme për këtë qëllim.

3. Rikonfimojmë vullnetin tonë se Integrimi Europian i Shqipërisë është prioriteti kombëtar dhe rruga e vetme për t’i dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur, dhe shprehim gatishmërinë tonë të plotë për të ndërmarrë çdo hap që bën realitet rrugëtimin e pandalshëm e të shpejtë të Shqipërisë drejt familjes europiane.

4. Jemi të vendosur për të ndërmarrë çdo aksion politik, institucional apo ligjor, për realizimin e kushteve që sigurojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe për t’i dhënë fund kapjes së qeverisjes dhe zgjedhjeve nga krimi i organizuar dhe paratë e pista të krimit dhe korrupsionit.

Ne Opozita e Bashkuar, angazhohemi në njëmarrëdhënie politike dhe elektorale e cila do të garantojëmundësi për çdo individ dhe parti politike për tu bërë pjesë e këtij transformimi të rëndësishëm kombëtar, bazuar në parimin e proporcionalitetit dhe integritetit të nënshkruesëve të kësaj Platforme Bashkëpunimi.

Ne Opozitae Bashkuar, ngarkojmë Partinë Demokratike të Shqipërisë, si partia më e madhe opozitare në vend, që të realizojë marrëveshje individuale për zgjedhjet dhe bërjen efektive të Koalicionit Opozitar, me të gjitha palët nënshkruese të kësaj Platforme Bashkëpunimi.

Platforma e Bashkëpunimit bëhet efektive menjëherë dhe fillon zbatimin pas miratimit të saj nga organet statutore përgjegjëse të partive politike nënshkruese, sipas Statutit të tyre. Partitë nënshkruese njoftojnë njëra-tjetrën për miratimin e saj nga organet statutore përgjegjëse.

PARTITË POLITIKE TË KOALICIONIT OPOZITAR:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet