Opozita dhe themeli moral i “Zgjidhje”-s

Nga Feti Zeneli

Poeti polak i fillimshekullit të 19-të, Mickjeviç, thoshte se, “politika, kurrë nuk mund të bëjë pa një themel moral”. Nëse i referohemi periudhës së tranzicionit shqiptar, konstatojmë me keqardhje, se ajo që i ka munguar në të vërtetë skenës politike shqiptare, ka qënë qytetaria dhe morali në mënyrën e të bërit politikë, pa llogaridhënie para publikut dhe duke vënë interesat e klanit apo grupit përpara interesave tona kombëtare. Por ajo çka është më absurdja në këtë drejtim, lidhet me faktin se politika shqiptare, në vend që të pastrohet me kalimin e viteve, zhytet gjithnjë e më shumë në llumin e imoralitetit, paaftësisë, vulgaritetit dhe perversitetit publik. Kjo ishte arsyeja kryesore, që përfaqësuesit e parlamentarizmit apo ekzekutivit shqiptar, të ardhur nga bota e të fortëve, biznesit të pandershëm, kontigjenti i të shkolluarëve me diploma “Kristali” apo grupime të tjera individësh pa vlera politike, morale e qytetare, u shtuan së tepërmi këto 4-5 vitet e fundit, kryesisht në radhët e mazhorancës. Por opozita e legjislaturës 2013-2017, që u mbyll në 25 qershor të këtij viti, nuk arriti të përfitoj nga ky lloj amoraliteti politik dhe mizerabiliteti qeverisës i “Rilindjes” socialiste, përveç të tjerash, edhe nga që vetë nuk mundi të trashëgonte një themel të fortë moral nga periudha e pushtetit të saj 8-vjeçar, sidomos në mandatin e dytë, për shkak të korrupsionit të shtuar, mosrealizimeve të ndryshme ekonomike, nepotizmit administrative, e kështu me radhë. Nga ana tjetër, dalja në skenë e FRD-së, Sfidës apo Libra-s, nuk arritën të ngriheshin në lartësinë e një alternative të besueshme për qytetarët, pasi ato nuk ishin asgjë tjetër veçse një “kilë nga kulaçi” i dy partive të mëdha, PD-së dhe PS-së. Tashmë spektrit të vjetër opozitar i është shtuar edhe LSI, të cilës, gjithashtu i mungon “themeli moral” i politikës, për shkak të bashkëqeverisjes më të fundit për 4 vite rresht me “Rilindjen” socialiste, ndërkohë që sot, vendi ka nevojë më shumë se kurrë për një frymë të re, elita të reja, vlera dhe qytetari të lartë morale për të realizuar rrotacionin e duhur, që ka mbetur peng i mentalitetit: “Këta, të gjithë njëlloj janë”! Kësisoj qytetarët zgjedhin “të keqen më të vogël”…

Ndryshe qëndron puna me “Zgjidhjen”, forcën më të re politike e krijuar para disa muajsh, e cila është ngritur mbi një “themel të fortë moral” në politikën shqiptare, për arsye se platforma e saj drejt transformimit të plotë të qeverisjes në Shqipëri, frymëzohet nga përjetimi dhe vullneti i njerëzve të thjeshtë, bazuar në parimet e demokracisë pjesmarrëse dhe solidaritetit, duke shmangur kopjet e modeleve të vjetra partiake. Nga ana tjetër, “Zgjidhja” e ka të fortë themelin moral të politikëbërjes, dhe për shkak të integritetit e cilësive të larta morale që reflekton kreu i saj, z. Koço Kokëdhima, i cili, ndryshe nga çdokush tjetër në këtë vend, nuk bëri parti për pasuri personale, por parti për interesat qytetare. Dikush mund të thotë se, po e ekzagjerojmë, por faktet e deritanishme këtë tregojnë, pasi z. Kokëdhima erdhi në politikë nga biznesi, vetëm 4 vite më parë, si deputet në Palamentin shqiptar, dhe kur e pa se ç’gëlonte në ato gjirize, filloi oponencën e moderuar, fillimisht brenda radhëve të Partisë Socialiste. Ndërkohë që politika e PS-së nuk po zbriste nga imagjinarja tek realja, nga antivlera tek vlera dhe nga e sotmja tek e nesërmja, krijoi “Zgjidhjen”, në një mënyrë shumë orgjinale, ndryshe nga çka ndodhur historikisht tek ne, me partitë e reja të tranzicionit, shumica e të cilave kanë qënë bija qejmbetura të PD-së, PS-së, PSD-së, Legalitetit,  Ballit Kombëtar, etj. Është kjo arsyeja që kreu i “Zgjidhjes” thotë, se nuk do marrë pjesë në koalicione elektoral me asnjë nga partitë që kanë qeverisur deri tani Shqipërinë, pasi që të gjitha pa përjashtim kanë manifestuar sjellje, vese, veprime dhe standard të ulët moral, duke filluar me shkatërrimin e procesit të zgjedhjeve të lira e të ndershme në vendin tonë. Por  kjo sipas z. Kokëdhima, nuk do të thotë, se “Zgjidhja” do të jetë “dhe e vetme, trime në luftë”, pasi do bashkëpunojë me të gjithë partitë e tjera opozitare, me të cilat i përputhet axhenda e veprimit politik për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, vendosjen kudo të drejtësisë, rikthimin e vlerave më të mira morale në shtet e shoqëri, depolitizimin e administratës publike e kështu me radhë, në funksion të krijimit të një qeverie antimafie, me një kryeministër të besueshëm dhe të painkriminuar, pas rrëzimit të kësaj mazhorance. Pra, me pak fjalë, platforma politike e “Zgjidhjes” është qartësisht për një “… qeveri të popullit, nga populli dhe për popullin”, sikundër shprehej Abraham Linkoln.

Megjithatë duhet qëndruar pak më tepër tek cilësitë morale dhe menaxheriale, që kreu i “Zgjidhjes” i transmeton forcës politike të cilën ai kryeson, pasi janë të rralla rastet në botë, që një biznesmen i suksesshëm prish, pas kaq kohësh, “rehatinë” e tij personale për interesin e përgjithshëm shoqëror.. Siç dihet, përtej rendit e sigurisë, qeverisja në thelb, nuk është gjë tjetër veçse krijim dhe rishpërndarje e të ardhurave buxhetore. Pra, siç ndodh me një sipërmarrje private. Nuk ka diskutim, që një kryemistër i ardhur në politikë nga radhët e sipërmarrjes private, do të ishte shumë herë më i sukseshëm se sa një tjetër, që vjen në krye të ekzekutivit me synimin për ta trajtuar qeverinë si një ndërmarrje biznesi, në shërbim të interesit të tij personal, siç ka ndodhur rëndom deri tani në Shqipëri. Materializimi i filozofisë së qeverisjes së vendit sipas mentalitetit dhe ndjeshmërisë që manifeston në menaxhimin e biznesit apo pronës tënde, mendoj se është shkalla më e lartë e përgjegjësisë publike për një politikan të moralshëm. Kreu i “Zgjidhjes” mund të jetë një rast i tillë, ndërkohë që politika shqiptare ka nevojë sot, më shumë se asnjëherë tjetër, për një alternativë të moralshme politike. Në kushtet kur opozita ka rreth 5 vite që konsiderohet apatike, të sjellësh një alternativë të re në këtë krah, do të thotë të kesh një bazament të fortë moral si “Zgjidhja”, duke bërë diferencën në elita, vlera, program, përfaqësim dhe gjithëçka tjetër.

Të tjera

Dinamikat e punësimit

Nga Marsida Simo Punësimi është një çështje shumë e diskutuar prej kohësh, dhe sigurisht që do të ketë gjithmonë rëndësi…

Abissnet