Okupimi për një të ardhme më të mirë

Tom Mustroph

Sipërfaqja e madhe para Teatrit Kombëtar të Shqipërisë në Tiranë është e mbushur me njerëz në një mbrëmje vjeshte. Rreth 250 persona të brezave të ndryshëm janë mbledhur aty: të rinj e studentë, njerëz në moshë pune dhe pensionistë. Ata kanë zënë vend në stola, karrige dhe podium që janë vendosur në formë gjysmërrethi. “Kjo është agora jonë, sheshi ynë i lirisë”, thotë Neritan Liçaj.

Liçaj është aktor, që prej më shumë se dy dekadash anëtar i trupës së Teatrit Kombëtar. Ka luajtur shumë role këtu, në pjesë të Euripidit e Shekspirit, Molierit dhe Ioneskos. Megjithatë, aktualisht ai po luan në një teatër tjetër. “Është një kinema e dikurshme, një bllok betoni me akustikë të keqe”, thotë ai. E gjithë trupa është zhvendosur aty, i duhej të zhvendosej. Sepse Teatri i vjetër duhet të shembet, sikurse raportoi taz edhe në muajin korrik.

Këtë e parashikon një masterplan që është zhvilluar nga arkitekti danez Bjarke Ingels. Ingels është bërë i njohur me projekte ikonë si një impiant për djegien e mbeturinave me një pistë për ski në Kopenhagen ose një muze në formën e një ure të përkulur në Norvegji. Nëse do të ishte në dorën e kryeministrit Edi Rama, ai duhet të lërë një gjurmë me peshë edhe në Tiranë dhe ta ndihmojë kryeqytetin e shtetit të zhytur prej kohësh në kriptokomunizmin e diktatorit Enver Hoxha që të njohë një estetikë të re. Por ka rezistencë kundër kësaj. Në projektin imobiliar me shumë kulla dhe një qendër të madhe tregtare të shtrirë në 9300 metra katrorë është parashikuar edhe një teatër, madje me një amfiteatër spektakolar në tarracë. Por për këtë projekt duhet të zhduket teatri i vjetër.

Zemra e historisë së kulturës

Ndërtesa, e realizuar në vitin 1939 nga arkitekti italian Giulio Bertè, është vetë një thesar arkitektonik. Dhe ai paraqet edhe zemrën e historisë së artit dhe kulturës në Shqipërinë moderne. “Këtu ka lindur gjithçka: Akademia e Arteve, Opera, Baleti. Ndërtesa ishte Teatri i parë i Shqipërisë, gjithashtu edhe kinemaja e parë. Madje edhe pishina e parë e vendit bën pjesë në këtë kompleks”, thotë Liçaj. Dhe me të vërtetë, në zonën mes dy krahëve të kompleksit teatror – i pari përmban Teatrin Kombëtar me më shumë se 500 vende dhe i dyti Teatrin Eksperimental me dy salla më të vogla – gjendet një pishinë që ishte në funksionim deri në verë. Fakti që ky kompleks arkitektonik duhet të zhduket shkakton pakënaqësi. Nga Italia erdhi madje senatori Roberto Rampi, anëtar edhe në Komisionin për Kulturën në senat. “Veçanërisht bashkësia e madhe e shqiptarëve emigrantë në Itali është shumë e shqetësuar për sa po ndodh. Teatri është një monument kulture që u përket të gjithëve dhe duhet të ruhet”, thotë ai për TAZ. Për këtë qëllim ai si politikan socialdemokrat kërkon kontakt me drejtuesin e “partisë motër”, premton ai. Kryeministri Rama është po ashtu socialist. Por ky plan shkakton para së gjithash pakënaqësi për shkak se me Teatrin duhet të privatizohen sipërfaqe të mëdha prone publike. “Në thelb bëhet fjalë për një pjesë të madhe të qendrës historike të Tiranës. Për të mundësuar privatizimin, u hartua madje edhe një ligj më vete”, shprehet e revoltuar Lindita Komani. Shkrimtarja nga Tirana është një nga organizatoret e protestës. “Që nga shkurti i vitit 2018 bëjmë rezistencë. Fillimisht organizuam çdo të hënë takime para Teatrit. Vinin aq shumë njerëz sa pas tre muajsh u kalua në organizimin e aktiviteteve të përnatshme. Dhe që nga 24 korriku 2019, kur policia deshte të sulmonte, e morëm në duar Teatrin për ta shpëtuar”, tregon ajo. Prej atëherë okupuesit organizojnë shërbim roje 24-orësh për ndërtesën. Takimet në shesh vijojnë të zhvillohen si më parë.

Reflektim për alternativa

“Është gjë e re në Shqipëri që njerëzit shprehen publikisht dhe shkëmbejnë me njëri-tjetrin për tema aktuale si papunësia, korrupsioni dhe largimin nga vendi të të rinjve”, thotë Komani. Me të vërtetë, takimi i mbrëmjes të kujton muajt e fundit në Gjermaninë Lindore kur gjithmonë e më shumë njerëz mblidheshin e takoheshin në kisha por edhe në vende publike dhe vrisnin mendjen së bashku për një shoqëri më të mirë. Teatri në këtë çast është brenda çështjeve shoqërore e luftërave politike. Por zhvillohet gjithashtu edhe teatër. Okupuesit organizojnë performanca. Dhe ka edhe shfaqje solidariteti nga artistë që solidarizohen me protestën.

Nga Teatri Thalia Hamburg në fund të tetorit erdhi aktori me origjinë shqiptare Bekim Latifi me pjesën e tij monolog “Amerika” sipas Franc Kafkës. Tema përshtatej. Protagonisti i “Amerika”, Karl Rosman, është emigrant sikurse shumë shqiptarë. “Me shfaqjen ne duam të japim një shenjë kundër shembjes së planifikuar dhe duam të shprehim solidaritet me koleget e kolegët tanë shqiptarë”, thotë Latifi. Ai shpreson që edhe teatro të tjerë nga Gjermania do të përfshihen. “Nëse shumë teatro nga e gjithë Europa përfshihen, atëherë për policinë do të jetë më e vështirë që ta sulmojë ndërtesën”, mendon ai. Okupuesit kanë ndërkohë qëllime që shkojnë përtej ruajtjes së ndërtesës së Teatrit. Ata po testojnë ndërtimin e një shoqërie të re. “Mbledhjet para Teatrit janë një shkollë e mirë për një klasë të re personalitetesh drejtuese politike. Ata mësojnë të flasin dhe të dëgjojnë veten e të tjerët”, vëzhgon Elvis Kazazi, njëri prej okupuesve.

Brigada pune të përbëra nga vullnetarë

“Për ne nuk është qëllimi që ndërtesën e Teatrit pas një okupimi të suksesshëm thjesht ta dorëzojmë te shteti që shteti pastaj të vazhdojë si deri tani. Ne duhet t’ia japim atë personave të cilët e vrasin mendjen për si mund të organizohet një teatër i ri”, thotë Edmond Dingu. Ai për një kohë të gjatë ka qenë Drejtor Teknik i Teatrit Kombëtar dhe aktualisht me firmën e tij që merret me teknikë eventesh, vendos në dispozicion gjeneratorët që prodhojnë rrymë elektrike. Sepse uji dhe elektriciteti janë ndërprerë nga shteti. Dingu kujdeset gjithashtu edhe për infrastrukturën teknike, inicion brigada pune të përbëra nga vullnetarë që duhet të garantojnë funksionimin e Teatrit të okupuar.

Okupimi është kthyer në një shkollë në shumë drejtime: teknikë teatri, aktrim, mobilizim politik. “Është një luftë e vështirë, por edhe e bukur. Dhe mendoj që kjo që përjetojmë tani është fillimi i fundit të karrierës politike të kryeministrit Rama”, thotë aktori Neritan Liçaj. Ai e njihte politikanin që kur ishte fëmijë, të dy rrjedhin nga familje që i përkisnin establishmentit të kohës së Enver Hoxhës. Liçaj e akuzon Ramën, i cili edhe vetë ka bërë shkollë arti, që do të heqë qafe teatrin. “Ai punon prej shumë kohësh për këtë gjë. Fillimisht ai e hoqi nga lista e monumenteve të kulturës. Më pas inicioi këtë projekt ndërtimi për të cilin nuk pati as edhe tender publik. Dhe si përfundim hartoi këtë ligj që në nëntë pika shkel kushtetutën shqiptare dhe privatizon pronën publike”, thotë Liçaj. Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta e refuzoi disa herë ligjin dhe në korrik 2019 përballë gazetarëve e cilësoi si një “ligj në favor të oligarkëve” që shkel kushtetutën e vendit.

Mosbesim përballë klasës politike

Liçaj vret mendjen gjithashtu se nga do të vijnë paratë për krejt projektin – në tërësi rreth 200 milionë euro. “Shqipëria ndodhet në krizë. Bankat nuk kanë para për kredi. Nga duhet të vijë nëse jo nga tregtia e drogës?” spekulon ai. Një kërkesë e TAZ mbi burimet e financimit mbeti pa përgjigje nga ana e zhvilluesit të projektit Fusha sh.p.k. Lidhja e ngushtë e elitës politike dhe ekonomike me mjediset e drogës është të paktën e vërtetuar nëpërmjet anekdotave. Një Ministër i Brendshëm i qeverisë Rama u desh të lironte vendin sepse një nga kushërinjtë e tij sipas vëzhgimeve të hetuesve italianë të antimafias drejtonte një rreth droge dhe përdorte madje makinën e ministrit për të zhvilluar dërgesa marihuane. Pasardhësi i tij dha dorëheqje kur një gjysmëvëlla i tij në Itali u dënua me burg për shkak të krimeve të drogës. Mbrojtja e Teatrit në sytë e Neritan Liçajt është edhe një përpjekje për të ruajtur dinjitetin dhe të mbrohesh përballë një klase politike që konsiderohet si e korruptuar.( Nga gazeta gjermane Tageszeitung)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet