Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm botëror, në rrugën e implementimit

Nga Riva Goga

Miratimi nga Asambleja e OKB në shtator 2015 i Objektivave të Zhvillimit të Qendrueshëm, është konsideruar si projekti më ambicioz në historinë e njerëzimit. Nëse ky projekt madhor do të përmbushet me sukses, atëhere do të kishim zgjidhje për shumë nga sfidat më urgjente në zhvillimet komplekse të botës sonë që ecën me shpejtësi, por, plot me paqartësi drejt globalizimit në çdo fushë të jetës. Por, përtej optimizmit në letra dhe fjalime të liderëve botërorë, arritjet e deritanishme në procesin e implementimit të saj nga organizatat ndërkombëtare në bashkëpunim me qeveritë e vendeve anëtare të OKB, duket se nuk japin shumë shpresë në përmbushjen e objektivave me ritmin parashikuar tre vjet më parë.

Përballja me sfidat e zbatimit të SDG

Nga analistë të ndryshëm, por edhe komentet nga delegacionet e vendeve anëtare në organizatat e ndryshme të OKB në Gjenevë rezulton se progresi është ngadalësuar. Shkaku kryesor lidhet me paqartësinë e logjikës së brendshme të vetë SDG, që janë, në fund të fundit, një version modern i Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit, miratuar nga OKB në vitin 2000. Por, pikërisht, këtu qëndrojnë dhe vështirësitë, pasi kostoja e përfshirjes të të gjitha çështjeve dhe për të gjithë njerëzimin mund të jetë jashtëzakonisht e lartë. Janë 169 objektiva, implementimi i të cilave do të kërkoje një kosto prej rreth 45 trilionë dollarë. Analistët shtojnë se mundësia që shpenzimet të kryen në mënyrë jo efikase është e madhe, sepse vetë objektivat nuk kanë marrë një drejtim të plotë dhe të qartë dhe se qeveritë nuk dinë akoma të ndërmarrin hapin e parë që do të lehtësojë ndërmarrjen e hapit të dytë, e kështu me radhë.

Madje, disa institucione të pavaruara shkojnë edhe më tej, duke sugjeruar “pastrimin” e listës së objektivave dhe reduktimin në 117 të tillë, me qëllimin final që ata (objektivat) të përfshijnë më qartë këta elementë: Sundimin e ligjit ne qasjen në drejtësi, Eleminimi i varfërisë më ekstreme, Qasje globale të kujdesit Shëndetësor, E drejta e grave për përfaqësime ekonomike, pronësi dhe trashëgimi, Llogaridhënie dhe transparence të qeverive, Sigurim total për të gjithë fëmijët deri në shkollë të mesme, Ndalimi i diskriminimit të grave dhe vajzave, Akses të plotë në ujë të pijshëm, Përfshirjen në jetën sociale, ekonomike dhe politike dhe, Luftën pa kompromis ndaj korrupsionit.

Potencialisht, SDG ofrojnë një plan të jashtëzakonshëm zhvillimi ekonomik e social mbarëbotëror ku trilionë dollarë do të shpenzohen dhe miliona njërez do të punësohen për t’’ përmbushur ato. Megjithatë, përpjekjeve të të gjitha organizatave ndërkombëtare dhe qeverive të vendeve anëtare të OKB-së u sugjerohet të shtohen edhe “Dy ndryshime të thjeshta, që do të ofronin zgjidhje të drejtë në përmbushjen e synimeve globale..”: Ndryshimi i parë- sugjerojnë ekspertët, lidhet me faktin që secili shtet të arrijë instalimin e një koordinimi dhe renditje prioritare në të tre nivelet – qeveri, shoqëri civile dhe sektori privat, dhe t’i mbrojnë këto prioritete në bashkëpunim me ekspertët në organizatat ndërkombëtare.

Një platformë e tillë jo vetëm që do të përshpejtojë zbatimin e suksesshëm të listës së SDG, por gjithashtu do të sigurojnë një pasqyrë kritike të llogaridhënies. Ndryshimi i dytë lidhet me normat dhe udhëzimet për politikat tatimore, rregullatoret që nxisin investimet private për t’u adresuar në sfidat që ka vendi përkatës. Investimet private, për qëllimet e mëtejshme mjedisore, sociale dhe të qeverisjes mund të jenë edhe shumë fitimprurëse, por fati i tyre varet nga performanca e ekonomisë kombëtare. Nëse biznesi investon kapitalet e tij në zgjidhje që krijojnë vlera reale për shoqërinë, atehere ai do  të përfitojë shumë nga stabiliteti i ardhshëm dhe zgjerimi ekonomik jo vetëm në vendin përkatës, por me gjerë. Në këtë qasje, fati i implementimit të SDG varet shumë nga mirëpërcaktimi i prioriteteve, sidomos qartësimi që qeveritë duhet të kenë në hapat që ndërmarrin si në përgatitjen e Platformave komëbatare ashtu dhe në ngritjen e strukturave përkatëse implementuese.

Aktiviteti konkret në organizatat ndërkombëtare

Në kuadër të procesit të implementimit të SDG, organizatat e sistemit të OKB vijojnë për të tretin vit radhazi të zhvillojnë aktivitete dhe evente të shumta sidomos në Gjenevë. Përpos specifikave të organizatave, në muajt maj-qershor ILO zhvillon Konferencën ministeriale, OBSH Asamblenë vjetore, apo WIPO (në shtator) Asambletë e traktateve të saj, etj. , në fokus të të cilave janë diskutimet mbi objektivat e tyre sipas fushave përfshi “Barazin Gjinore dhe Fuqizimin e Gruas”. Në dimensionin e zhvillimit ekonomik dhe social, do të jetë Forumi Botëror i Investimeve (në tetor) ai që do të analizojë dhe debatojë më me detaje rreth SDG, ku parashikohet një pjesëmarrje e gjerë përfshi delegacione në nivel kryeministri dhe presidenti. Forumi do të debatojë mbi Politikat e investimeve të SDG, Paketën e reformave mbi regjimin e investimeve ndërkombëtare, Veprimin global mbi lehtësimin e investimeve, si dhe Kuadrin e politikave të Sipërmarrjes.

Në fakt, promovimi i Investimeve në rrafshin global, si një element bazë i rritjes ekonomike të drejtë dhe sa më të barabartë mes vendeve të botës, ka nisur në vitin 2002 në OKB në Nju Jork kur është vendosur një Çmim për agjencitë që nxisin dhe promovojnë investimet në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social. Në nivel të organizatave të OKB, ka qënë dhe mbetet UNCTAD organizata kryesore që rregullisht ka promovuar, që nga 2002, shkëmbimin e praktikave më të mira në promovimin e investimeve në dobi të të nxitjes së tyre dhe politikave përkatëse kryesisht në vendet në zhvillim. Kështu, në Forum në fjalë, UNCTAD do të prezantojë dhe promovojë aktivitetin e Agjencisë së promovimit të investimeve (IPA) dhe Agjencinë për investimet e jashtme (OIAs), të cilat kanë arritur suksesshëm të promovojnë SDG, si dhe paraqesin praktikat më të mira në tërheqjen e investimeve në projektet e lidhura me SDG, të cilat mund të frymëzojnë praktikuesit e promovimit të investimeve në vendet e ndryshme të botës sidomos në ato në zhvillim dhe me ekonomi në tranzicion. Organizatat e tjera në Gjenevë si UNECE, UNEP, ITU, ËMO, UNHCR, UNHRC etj, kanë tashmë agjendën e tyre të aktiviteteve, për të cilat delegacionet e shteteve anëtare vijojnë të marrin kontribojnë në ndërtimin e Platformave globale, për tu inkorporuar më tej në Planet e tyre të zhvillimeve kombëtare.

Shqipëria dhe SDG

Edhe Shqipëria, me mbështetje dhe asistencë nga organizatat ndërkombëtare sipas fushave, ka ndërtuar Planin e Veprimit Kombëtar për zbatimin e SDGs, që përfshin rekomandimet në lidhje me hapat që do të ndërmerren për zbatimin e Axhendës 2030. Në prill 2017 është lançuar procesi i hartimit të Raportit të Harmonizimit të SDG me kuadrin zhvillimit ekonomik-social të vendit, mbi bazën e një Metodologjie të punës të ofruar me konsulencë nga Organizatat ndërkombtare të sistemit të OKB, përfshirë edhe strukturat përkatëse, të cilat janë në bashkëpunim të vazhdueshëm me organizatat e sistemit të OKB. Në mars 2018, pjesëmarrja e një delegacioni në nivel të lartë (Kryetar i Kuvendit), në Forumin Rajonal për Zhvillimin e Qendrueshëm të UNECE, ka përbërë një oportunitet për të prezantuar hapat e ndërmarra nga qeveria lidhur me implementimin e SDG në nivel kombëtar. Gjithashtu, në mbledhjet e ardhshme të organizatave si ILO, ËIPO apo OBSH, Shqipëria parashikohet të prezantohet me delegacione të nivelve të larta nga ministritë që mbulojnë fushat përkatëse, duke përbërë kështu një tjetër hap drejt ballafaqimit me implementimin e SDG në nivel kombëtar me ato të vendeve të tjera të botës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Emri i kompromisit

Nga Veton Surroi Në fillim të pluralizmit në ish-Jugosllavi, në Prishtinë mblidheshin partitë politike shqiptare gjithandej Jugosllavisë. Sa herë që…

Abissnet