Nxënësit e “Petro Ninit”: Vuajmë nga frymëmarrja për shkak të ndotjes

Nga Lindita Bushgjokaj

Gjimnazistët e shkollës “Petro Nini Luarasi”, treguan problemet shëndetësore që po kalojnë nga ndotja e ajrit, shkolla ndodhet në një ambient ku qarkullojnë shumë makina, rrezikohet shëndeti i tyre. Drejtoresha: E vetmja zgjidhje është që në vend të makinave të ketë biçikleta

Në raportin e publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetit, rezultoi se shkolla e mesme “Petro Nini Luarasi” preket drejtpërdrejtë nga ndotja e mjedisit dhe rrezik përbën fluksi i makinave. Nisur nga ky problem serioz që rrezikon shëndetin e nxënësve, gazeta “Shekulli” zhvilloi disa intervista me gjimnazistët e kësaj shkollë, të cilët janë të shqetësuar për këtë situatë, pasi si pasojë e ajrit të ndotur që shkakton qarkullimi i makinave, shumë prej tyre kanë probleme me frymëmarrjen dhe alergji të ndryshme. Gerta Braha, nxënëse në shkollën “Petro Nini Luarasi”, tha për “Shekulli”-n, se në mëngjes përjeton bllokim në frymëmarrje dhe sipas mjekut ky shqetësim që po kalon është për shkak të ambientit të ndotur. “Problemi që kemi me frymëmarrjen është shumë i dukshëm.

E vuajnë shumë nxënës, por nuk e shprehin. Shkolla ndodhet në një pikë kyqe që kalojnë shumë makina. Do ishte mirë që të pakësohej qarkullimi i makinave, nuk ka zgjidhje tjetër. Edhe kur jam vizituar për bllokimin që ndjej në rrugët e frymëmarrjes, mjeku më ka thënë që e ke nga ambienti ku jeton. Ndjej bllokim në mëngjes dhe kam vështirësi të marr frymë. Edhe pemët që kemi në shkollë janë shumë të rrezikshme, sepse shkaktojnë alergji”. Një tjetër gjimnaziste, e cila është kryetare për grupin e shëndetit në shkollë, tha se janë të ndërgjegjshëm për sëmundjet shëndetësore që shkakton ndotja e mjedisit dhe trajtojnë shumë tema sensibilizuese për këtë fenomen.

Ndërsa shumë nxënës po kalojnë shqetësime me frymëmarrjen, pohoi Sara Kuqi. “Ndotja e mjedisit është problem, pasi ndikon drejtpërdrejtë në shëndetin tonë. Ne jemi duke organizuar tema për sëmundje të ndryshme dhe për ndotjen kemi një aktivitet që do të zhvillohet muajin tjetër, ku do të japim mesazhe sensibilizuese dhe të informojmë çdo nxënës, pasi kjo është e vetmja gjë që kemi në dorë të bëjmë. Problemet më serioze të ndotjes janë të lidhura me frymëmarrjen dhe nxënësit janë ankuar shpesh për këto shqetësime”. Gjimnazistët pohuan, se vuajnë nga alergji të ndryshme nga ndotja e mjedisit dhe janë shumë të shqetësuar që ndodhen në një ambient që rrezikon shëndetin e tyre, shprehet Gjovana Gjoka.

“Unë kam alergji, por kam parë shumë të tjerë në shkollë që kanë skuqje dhe ënjtje të syve. Problemin më serioz e kemi me frymëmarrjen. Ndotja e ambientit më shkakton probleme në lëkurë dhe ma irriton shumë, për këtë arsye mjekohem me ilaçe. Jemi shumë të shqetësuar që ndodhemi në një ambient të tillë, i cili ndikon drejtpërdrejtë në shëndetin tonë”. Edhe pse janë të ndërgjegjshëm për pasojat shëndetësore që shkakton ndotja e ajrit, kryesisht në mushkëri dhe sëmundjet e zemrës, shumë gjimnazistë pohuan, se mjetet që qarkullojnë janë makina të vjetra të cilat shkaktojnë ndotje të madhe në mjedisin e tyre të shkollës.

Ndërsa një tjetër shqetësim që treguan për “Shekulli”-n, ka të bëjë me pemët e mbjella në këtë zonë, të cilat shkaktojnë alergji, tha Sindi Maloku. “Ajri i ndotur shkakton probleme në mushkëri dhe rruga është shumë e mbipopulluar me makina dhe njerëz. Ka shumë makina të vjetra, të cilat nuk lejohen të qarkullojnë. Ndërsa tani pemët kanë shumë polen, i cili qarkullon në ajër dhe shkakton probleme me alergjitë. Shkolla jonë ndodhet në një nga qendrat më të banuara të Tiranës dhe ndotja është shumë madhe”. Ata kalojnë shumë kohë në një ambient të tillë dhe nuk kanë asgjë në dorë për të shmangur problemin, i cili do vazhdojë të përbëjë rrezik për aq kohë sa do ketë qarkullim makinash.

Sindi Marashi, pohon për “Shekulli”-n, se “kur frekuentojmë një ambient me ajër të pastër arrijmë të bëjmë diferencën”, ndërsa bën me dije pasojat shëndetësore që po kalon për shkak të kësaj situate. “Kur frekuenton zonat urbane nuk të bën përshtypje, por nëse del jashtë Tiranë në një ambient me ajër të pastër do ta dallosh menjëherë ndryshimin. Ndonjëherë ndjej shqetësim me frymëmarrjen dhe ajri është më i ndotur kur dalim në pushim për të ngrënë. Normale që na shqetëson, por nuk i ndalojmë dot makinat. Më shkakton alergji në sy, të cilët i kam gjatë gjithë kohës me lot”. Shkolla “Petro Nini Luarasi” është e ekspozuar ndaj fenomenit të ndotjes dhe gjimnazistët e kalojnë pushimin mes pluhurit dhe fluksit të makinave.

Raporti: Sëmundjet që shkakton ndotja e ajrit, rrezikohet gjimnazi “Petro Nini Luarasi”

Në raportin e publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetit evidentohen problemet shëndetësorë që shkaktohen nga rritja e frikshme e ndotjes së mjedisit. Arben Luzati, Shefi i Departamentit të Mjedisit, pohon tre grupe sëmundjesh që janë të rrezikshme për jetën, kryesisht; sëmundjet respiratorë, kardiovaskulare dhe kanceri. Ndërsa “21 dhjetori” dhe shkolla “Petro Nini Luarasi” janë më të prekura nga ndotja.

“OBSH në raportin e fundit tregon mbi rritjen e frikshme të ndotjes ku sipas kësaj organizate nga 10 persona, 9 persona thithin ajër të ndotur. Shqipëria, Tirana nuk bën përjashtim. Qyteti i rritur vrullshëm vitet e fundit dhe me qarkullimin më të madh të automjeteve për autoritetet e shëndetit ende përbën problem për ndotjen. Arben Luzati, Shefi i Departamentit të Mjedisit ISHP: Agjencia Internacionale për përkime me kancer, thotë së nga ndotja e ajrit mund të vijnë edhe kancera. Pra janë tre grupe sëmundje respiratorë, kardiovaskulare dhe kancer. Njihen edhe goditjet ishemike që mund të ndodhin në tru dhe zemër nga ndotja e ajrit. Për Evropën, OBSH sheh me shqetësim pm 10 dhe pm 2 që janë grimcat e pluhurit në ajër. Në Tiranë prezenca e tyre është në zonat si 21 dhjetori, dhe ajo pranë Shkollës “Petro Nini Luarasi”, thuhet në raport.

Teuta Braçaj: Nxënësit janë të rrezikuar nga ndotja, por do të shtojmë gjelbërimin

Teuta Braçaj, drejtoreshë në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, në një intervistë për “Shekulli”-n, tha se është e shqetësuar për rrezikun e paralajmëruar nga OBSH për sëmundjet që sjell ndotja e mjedisit, pasi në këtë raport gjimnazi përbën një nga pikat kyqe për ndotjen e lartë nga qarkullimi i mjeteve të transportit. Ndërsa, tha se do angazhohet për të realizuar disa projekte për gjelbërimin e shkollës, ndërsa makinat të zëvendësohen me biçikleta për të shmangur ndotjen e ajrit që shkakton qarkullimi i makinave.

Znj. Braçaj, sa ta rrezikuar jeni nga ndotja e mjedisit në shkollën “Petro Nini Luarasi”, e cila ndodhet në një zonë të mbipopulluar me makina?

Dihet që është shqetësim. Ne në shkollë kemi lëndë mësimore që trajtojnë tema për ndotjen e mjedisit, po ashtu edhe projekte të ndryshme ku sensibilizohen nxënësit dhe mësojnë sesi ta mbajnë pastër mjedisin, me aq sa kanë në dorë sepse jo çdo gjë varet prej tyre. Kemi marrë pjesë në një projekt për ndotjen që përfshin disa shkolla. Shikohet ndotja që nga energjia elektrikë, si përdoret llamba elektrikë, duke i ndryshuar me disa të tjera që nuk ndotin shumë. Trajtojmë probleme të ndryshme, që nga mbetjet e nxënësve që konsumojnë gjatë ditës, si t’i ndajnë në qelq, letër dhe të bëhet riciklimi i tyre. Të mbjellin sa më shumë pemë që ndihmon në pastrimin e ajrit.

Çfarë masash po merrni për të parandaluar ndotjen e ajrit në shkollën “Petro Nini Luarasi”?

Rruga nuk duhet të jetë me dy kalime, kjo do ishte një zgjedhje ndoshta. Meqenëse jemi afër liqenit, do ishte mirë që të qarkullonin vetëm biçikleta. Pjesa më e madhe e nxënësve vijnë nga qyteti dhe do e kishin më kollaj nëse do lëviznin me biçikleta dhe do e parkonin jashtë. Këtu kalojnë shumë makina, por është me dy kalime dhe problemi është më serioz. Ne kemi shumë gjelbërim rrethe rrotull dhe nxënësit kanë mbjellë shumë pemë.

Keni ndërmarrë ndonjë nismë për krijimin e hapësirave të gjelbërua që ndihmojnë në uljen e ndotjes së mjedisit?

Kam një projekt, në të cilin janë të angazhuar prindër, mësues dhe nxënës. Lulishtet duhet të jenë më të sistemuara, siç janë lulishtet në parqet e mëdha. Mendojmë që muret t’i veshim me gjelbërim dhe kjo do shmangte pluhurat që vijnë nga rruga sepse do i mbanin gjethet. Kjo është një ëndërr e imja.

Ministria e Arsimit: Nis procedimin disiplinor ndaj drejtuesve të shkollës “Orosh” të Mirditës

Pas ngritjes së shqetësimit publik në lidhje me mungesën e energjisë elektrike në shkollën “Orosh” të Mirditës, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka bërë verifikimet në terren duke konstatuar të drejtë problematikën e ngritur. Pasi ka verifikuar problemin ministrja ka nisur procedimin disiplinor ndaj drejtorit të Drejtorisë Arsimore të Lezhës dhe Drejtorit të Zyrës Arsimore të Mirditës, Bardhok Pulaj dhe Gëzim Kacorri. Shkak u bë mungesa e energjisë elektrike në shkollën “Orosh” të Mirditës.

Gjithashtu, pohon se problemi ishte i drejtë dhe mos marrja e masave ka cenuar mbarëvajtjen e procesit mësimor. “Mospërmbushja e detyrave, mosmarrja e masave për situatën e krijuar nga mungesa e energjisë elektrike për një periudhë të gjatë në shkollën “Orosh”, që ka cenuar mbarëvajtjen e procesit mësimor”, ndaj Drejtorit të Drejtorisë Arsimore të Lezhës dhe Drejtorit të Zyrës Arsimore të Mirditës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Dyert e mbyllura

Nga Enver Robelli Ka 100 arsye për të kritikuar politikat e Bashkimit Evropian ndaj vendeve të Ballkanit. Në vitin 2003…

Abissnet