Nusja 20 vjeçe helmon vjehrrën, rrëfehet te hoxha t`i shpëtojë mëkatit

 Nga Nikoleta Kovaçi

Horror në Kamzë. Marjana Cmeta, 21 vjeçe arrestohet se helmoi Lirije Lamin duke i marrë jetën 1 vit më parë. Në pranga edhe vjehrri, kushëriri i tij dhe hoxha i zonës

Ndodh edhe kështu! Një tjetër nuse i merr jetën vjehrrës, por ndryshe rastit të Vlorës, ku nusja vrau burrin dhe vjehrrën dhe më pas i dogji për shkak të një dashurie,  rasti më i fundit ka shkak përplasjet familjare. Policia e Tiranës mbrëmë ka bërë me dije hedhjen dritë mbi një akt makabër të kryer nga një vajzë vetëm 20 vjeç e cila i ka hedhur një kokërr fostoksine duke i marrë edhe jetën. Po ndërsa vjehrra ka ndërruar jetë dhe vdekja e saj është konsideruar si një vetëhelmim i kryer prej saj në dijeni të krimit të rëndë dhe të paprecedent ka qenë thuajse një pjesë e mirë e familjes. Përveç nuses 20 vjeçe, e cila mësohet se e ka rrëfyer krimin në një familje tjetër, në dijeni ka qenë burri i viktimës si dhe një kushëriri i tij. Për pasojë mbrëmë policia përveç nuses-vrasëse ka arrestuar edhe tre persona të tjerë të cilët kanë patur dijeni në lidhje me helmimin e Lirie Lamit, e cila u nda nga jeta 48 vjeçe! Policia e Tiranës ka bërë me dije mbrëmë se ngjarja është zbuluar nga një informacion i ardhur në rrugë konfidenciale në prokurori dhe më pas ndjekja me metoda speciale ka çuar në pranga nusen dhe tre burra të cilat janë të arrestuar nën akuzën e moskallëzimit të krimit. Djali i viktimës që i bie të ketë qenë edhe bashkëshorti i autores së krimit të rëndë mësohet se nuk ka qenë në Shqipëri në kohën kur ka ndodhur krimi i rëndë ku nusja e tij i ka hedhur nënës së tij fostoksinë në ushqim.

Ngjarja

Marjana Cmeta pas krimit të rëndë ka kërkuar shpëtim tek një hoxhë. Ai i ka thënë që duhet të tregonte të vërtetën por më pas edhe e ka regjistruar teksa e reja i ka treguar të gjithë skenën horror ku i ka marrë jetën  nënës së bashkëshortit të saj. Hoxha, që sipas të dhënave është Arben Shehu mësohet se e ka regjistruar bisedën me autoren e krimit dhe më pas ka vënë në dijeni bashkëshortin e viktimës, Agim Lami duke i treguar se nusja i kishte helmuar Lirijen, bashkëshorten e tij 48 vjeç. Por nuk dihet se përse Lami dhe as hoxha nuk kanë shkuar në polici apo në prokurori. Por gjatë rrëfimit hoxha ka treguar se në dijeni të këtij krimi të rëndë është edhe një kushëri i Agimit i cili edhe ai nuk ka treguar e për pasojë të gjithë tashmë janë vënë në pranga për shkak se nuk kanë treguar krimin. Sipas të dhënave nusja që i ka marrë jetën vjehrrës është ndarë nga djali, O., i cili prej disa muajsh ka nisur të dyshojë për shkak të ngjarjes së rëndë ku ishte përfshirë nusja e tij. Policia e Tiranës mbrëmë bëri me dije se ka arrestuar shtetasen Marjana Çmeta, e cila akuzohet se ka helmuar vjehrrën e saj Lirije Lami me fostoksinë. Ngjarja ka ndodhur në 30 prill 2017 në Kamëz por asokohe vdekja e 48-vjeçares u raportua si vdekje natyrale. Por pas hetimeve, policia arriti të zbardhë ngjarjen. 21-vjeçarja akuzohet për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënies familjare”. Ky operacion erdhi si rezultat i punës profesionale duke vlerësuar maksimalisht informacionet e grumbulluara si dhe provat e administruara nga grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datë 30 prill 2017, në zonën e Ish -Frutikulturës, Kamëz, ku është gjetur e pajetë në banesën e saj shtetasja Lirije Lami, 48 vjeç, banuese në ish-Frutikulturë, Kamëz. Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se autore e dyshuar e vrasjes së kësaj shtetaseje, është shtetasja Marjana Cmeta, në atë kohë bashkëshortja e djalit të viktimës”, sqaron policia. Krahas arrestimit të nuses, policia ka arrestuar dhe tre persona për “moskallëzim krimi”, mes tyre dhe vjehrrin e autores së dyshuar. Shkak i vrasjes dyshohet të jenë mosmarrëveshjet e shpeshta mes 21-vjeçares dhe viktimës. Sipas policisë, shtetasit Agim Lami (bashkëshorti i viktimës), Arben Saliu (kushëriri i Agimit ) dhe Hysen Shehu kanë qenë në dijeni të ngjarjes se ndodhur dhe autorësisë së saj, dhe nuk kanë kallëzuar pranë organeve kompetente duke fshehur ngjarjen .

Të arrestuarit

  1. Marjana Cmeta, 21 vjeç, banuese në Tiranë, për të cilën Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurisë personale “Arrest ne Burg“ për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënies familjare“, parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal.
  2. Agim Lami, 50 vjeç, lindur e banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurisë personale “Arrest ne Burg“ për veprën penale “Moskallëzim krimi“ parashikuar nga neni 300/1 i Kodit Penal.
  3. Hysen Shehu 45 vjeç, banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurisë personale “Arrest ne Burg“ për veprën penale “Moskallëzim krimi“ parashikuar nga neni 300/1 i Kodit Penal.
  4. Arben Saliu , 41 vjeç, banues në Tiranë , për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurisë personale “Arrest ne Burg“ për veprën penale “Moskallëzim krimi“ parashikuar nga neni 300/1 i Kodit Penal.

Të tjera

Abissnet