Nuk zhvendoset ambasada në Izrael

Publikuar më 02. 06. 2017 nga Jola Alimemaj

Presidenti Donald Trump njoftoi se ambasada amerikane në Izrael do të qëndrojë në Tel Aviv edhe pse kishte premtuar se do ta transferonte atë në Jerusalem. Gjatë fushatës së tij presidenciale, zoti Trump kishte premtuar zhvendosjen e ambasadës amerikane në Jerusalem duke u pajtuar me preferencën e kahershme të qeverisë izraelite. Por çështja është pjesë e një debati të gjatë mbi krijimin e shteteve të ndara hebraike dhe palestineze, kur si izraelitët ashtu dhe palestinezët pretendojnë se Jerusalemi është kryeqytet i tyre.

Të enjten Shtëpia e Bardhë tha se vendimi i presidentit Trump për të mbajtur ambasadën në Tel Aviv, atje ku shumica e qeverive të tjera të huaja kanë përfaqësitë e tyre diplomatike, nuk duhet të konsiderohet “në asnjë mënyrë si një tërheqje nga mbështetja e fortë e presidentit për Izraelin dhe aleancën SHBA-Izrael”. Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se Trump bëri këtë zgjedhjen “për të rritur shanset për të negociuar një marrëveshje të suksesshme mes Izraelit dhe palestinezëve”.

“Ndërsa ai ka shprehur në mënyrë të përsëritur qëllimin e tij për të zhvendosur ambasadën,” sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, “pyetja nuk është nëse kjo lëvizje ndodhi apo jo, por kur do të ndodhë?”. Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu u shpreh i zhgënjyer me vendimin e Trump. Megjithatë, ai tha se shpreson që ambasada e amerikane do të shkojë përfundimisht në Jeruzalem. Kryeministri izraelit Netanjahu vlerësoi ndërkohë shprehjen e miqësisë nga ana e presidentit të amerikan.