Nuk vendos qeveria çfarë është e vërtetë

Brian Beckmann*

Mesazhi im sot është ky: thoni të vërtetën. Kur më ftuan sot, më kërkuan të të flisja në lidhje me lirinë e shtypit, marrëdhënien ndërmjet medias dhe politikës dhe sfidat me të cilat përballen gazetarët shqiptarë. Çfarë i bashkon këto tri tema? E vërteta. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë shtypin e lirë si një shtyllë e themelore e demokracisë. Ne e vlerësojmë lirinë e shtypit si një komponent kyç të qeverisjes demokratike. Pse? Sepse ne besojmë se kur media është e lirë të bëjë detyrën e saj, qytetarët janë më të informuar, aktiv, dhe të angazhuar në vendim-marrje politike. Është gjithmonë më mirë të kesh qytetarë të informuar dhe të kufizosh kontrollin e qeverisë mbi informacionin në mënyrë që qytetarët të mund t’i japin formë vendimeve të qeverisë dhe të kontrollojnë fuqinë e politikanëve. Një demokraci duhet qeverisur nga qytetarët për qytetarët. Një media e lirë është gjithashtu e mundur të përmbushë rolin e saj në demokraci – ta bëjë qeverinë përgjegjëse. Media shërben si një ëatchdog për të siguruar që qeveritë po u shërbejnë njerëzve me ndershmëri, në përputhje me ligjin dhe po i përmbushin detyrat e tyre. Në Shtetet e Bashkuara, media shpesh konsiderohet si shtylla e katërt e demokracisë. Edhe pse nuk është zyrtarisht pjesë e sistemit tonë të qeverisjes, media – së bashku me degët e ekzekutivit, drejtësisë, dhe legjislativit – luan një rol vital. Për ne ajo është një pjesë e rëndësishme e sistemit tonë të kontrollit dhe balancës. Për ta mbajtur qeverinë në kontroll, media duhet të thotë të vërtetën. Kur del në dritë një shkelje e ligjit, mashtrim apo korrupsion, është detyrë e medias ta raportojë atë – në mënyrë të paanshme dhe me saktësi. Është detyrë e medias t’i tregojë të vërtetën qytetarëve në mënyrë që ata të mund të marrin pjesë në demokraci si qytetarë të mirëinformuar. Marrëdhënia ndërmjet medias dhe politikës zë një vend të rëndësishëm në këtë diskutim. Pavarësia është një e drejtë që media duhet ta gëzojë në një demokraci të shëndetshme. Asnjë qeveri nuk duhet të ruajë portën, duke vendosur se çfarë informacioni duhet t’u jepet qytetarëve, çfarë është e drejtë dhe çfarë është e vërtetë.

Në punën time, unë merrem me median çdo ditë. Shpesh më kanë pyetur, “Si ja bën për t’u marrë me rivalët e tu çdo ditë?” Përgjigjja ime është gjithnjë e njëjtë: pikënisja e pyetjes është e gabuar. Një perceptim i zakontë ndër zëdhënësit është se gazetarët janë aty për të të zënë mat. Realiteti është se, nëse unë po flas me median, edhe gazetari edhe unë kemi një punë për të bërë. Gazetari duhet të kërkojë të vërtetën. Unë? Unë kam një hisotri për të treguar. Unë kam informacionin që dua ta prezantoj si një profesionistë në fushën e komunikimit. Si zëdhënës i një qeverie, është detyra ime të jap informacione në emër të popullit amerikan. Në qoftë se unë e bëj punën time si duhet, edhe gazetari edhe unë do të largohemi duke marrë atë që duam.

Për fat të keq, ajo që shohim sot në Shqipëri është një hapësirë mediatike që bëhet gjithnjë e më e njëanshme. Më shumë se kurrë më parë, pronarët e mediave kanë një ndikim më të fortë në atë çfarë raportohet dhe se si mbulohet. Shohim aktorë të këqinj, si këta pronarë apo ata me influencë në këtë vend, të cilët e përdorin median për të kërcënuar me shantazh bizneset ndërkombëtare me qëllim që të dekurajojnë investimet dhe t’i hapin rrugën interesave të tyre personale. Shohim histori që janë shkruar, jo të bazuara në të gjitha faktet e vlefshme, por në të kundërt, me informacion të pjesshëm, të shtrembëruar që ofrohet për të promovuar interesin e një industrie, partie, një individi kundrejt një tjetri. Ata përdorin median me qëllimin e vetëm që të arrijnë atë që duan.

Çdo takim ditor editorial në Shqipëri duhet të fillojë me pyetjen “Cila është historia qe duhet të tregojmë?” dhe jo “Kujt do t’i vihemi nga pas sot? Lajmet duhet të përqendrohen tek e vërteta, dhe jo si mund të përdoret forca e shtypit si një armë kundër një person, biznesi, apo një partie politike. Por ka shpresë. Ju të gjithë mund të ndihmoni për ta ndryshuar këtë. Në qoftë se ju do të përpiqeni të nxirrni në pah të vërtetën, ju do të ndihmoni jo vetëm për t’i dhënë formë të ardhmes së Shqipërisë, por edhe të kontribuoni në një shoqëri që funksionon më mirë. Ju mund të informoni dhe t’i përgatisni fqinjët dhe bashkëqytetarët qytetarët tuaj duke ju dhënë atyre informacionin e nevojshëm për tu bërë qytetarë më të mirë.

Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar. Ne, Ambasada e ShBA jemi shumë të interesuar të shohim një media të lirë e të pavarur në Shqipëri, dhe ne mbështesim interesat tona me premtimet tona. Prej shumë vitesh, ne kemi investuar në të ardhmen e gazetarisë shqiptare. Ne po investojmë burime kohore, njerëzore dhe financiare këtu në Shqipëri për të krijuar akoma më shumë mundësi për ata që kërkojnë të thonë të vërtetën.

Gazetarët investigativ janë përgjegjës për disa nga ngjarjet më të rëndësishme në gazetari. Ëatergate, raportimi i të drejtave civile, dhe ekspozimi i çështjes Iran-Contra janë vetëm disa shembuj nga Shtetet e Bashkuara që dëshmojnë se si gazetaria investigative nxori në shesh të vërtetën dhe ndryshoi politikat dhe politikanët tanë. Gazetarët e realizuan këtë nëpërmjet një kërkimi të plotë dhe një mjeshtrie rrëfyese për të siguruar që qytetarët amerikanë të mund të  shihnin të vërtetën që gazetarët kishin zbuluar. Kjo mund të ndodhë edhe në Shqipëri.

Për ta përmbyllur, do ta përfundoj si e nisa. Me një sfidë: dilni në terren, kërkoni të vërtetën dhe tregoni të vërtetën. Ju keni mundësinë t’i jepni formë të ardhmes së Shqipërisë. Nëse do të zgjidhni të rrëfeni të vërtetën, ne do të jemi pranë jush për t’ju mbështetur dhe për të promovuar punën tuaj.

*Pjesë nga fjala e Shefit të Marrëdhënieve me Publikun të Ambasadës së SHBA për studentët e Gazetarisë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet