MMSR largon nga puna drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Korçë

Publikuar më 19. 06. 2017 nga Dionis Xhafa

Në kuadër të masave të marra për parandalimin e përfshirjes së punonjësve të administratës publike në fushatë zgjedhore, brenda orarit zyrtar të punës, Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Z. Xhulieta Kërtusha ka firmosur masën disiplinore për largim nga puna të Drejtorit Rajonal të Sigurimeve Shoqërore në qytetin e Korçës.

Ministrja Kërtusha i ka propozuar z. Astrit Hado, Drejtor i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, largimin nga puna të z. Ilir Bajlos me detyrë, “Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore” Korçë, me arsyetimin se nuk ka marrë masat e duhura, për garantimin e mospërdorimit të burimeve njerëzore të institucionit në funksion të fushatës zgjedhore si dhe mospërdorimin e institucioneve publike për zhvillimin e fushatës zgjedhore.

Megjithëse i është kërkuar marrja e masës disiplinore “ Largim nga Puna” për znj. Luiza Qipo, me detyrë Përgjegjëse e Agjensisë së Sigurimeve Shoqërore, Ersekë, Z.Bajlos në mohim të hapur të të gjitha fakteve të vëna në dispozicion, të cilat vërtetonin shkeljen e znj. Qipo, ka marrë një masë më të lehtë se kërkesa e bërë nga MMSR. Në këto rrethana është konstatuar se znj. Qipo vazhdon të përdorë zyrën e shtetit në funksion të fushatës zgjedhore, duke shkelur rëndë ligjin.

Nisur nga kjo situatë, Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë znj. Xhulieta Kërtusha kërkon bashkëpunimin e Policisë së Shtetit për të bërë të mundur lirimin e zyrave të shtetit nga znj.Qipo e cila në kundërshtim të hapur të ligjit dhe vendimit nr.473, datë 01.06.2017 ka uzurpuar zyrat Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore Ersekë, duke i përdorur për fushatë zgjedhore, në favor të një subjekti politik. Ndërkohë Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka urdhëruar sot, që vazhdimi i masës disiplinore të bëhet nga Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të sigurimeve Shoqërore.

/D.Xh/