“Nuk lejoj LGBT në shkollën time, nuk kanë se çfarë t’u tregojnë nxënësve”

Nga Lindita Bushgjokaj

Drejtoresha e gjimnazit “Sami Frashëri”, Teuta Dobi, komenton propagandën e përfaqësuesve të komunitetit LGBT në disa shkolla të mesme të kryeqytetit, duke u shprehur se nuk mund të imponojë zgjedhjet personale të fëmijëve, por e drejta është që t’u mësohen vlerat e mira, të cilat i ka dhënë Zoti

Drejtoresha e gjimnazit “Sami Frashëri”, Teuta Dobi, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, tha se çdo program që i shërben edukimit është e lejuar në shkolla, dhe se punojmë mbi strategjitë e hartuara nga Ministria e Arsimit për problemet e ndryshme që kalojnë adoleshentët. Ndërsa pohon, se në shkollë është e lejuar që të diskutohet çdo temë, pasi problemet ekzistojnë dhe është më mirë të përballesh me to pa ndikuar zgjedhjet personale të secilit. Drejtoresha tha ndër të tjera, se nuk do të lejojë aksesin e komunitetit LBGT në shkollë, pasi nuk kanë se çfarë t’ju tregojnë nxënësve, por do të ftonte njerëz të artit si shembuj për t’u ndjekur. Ajo u shpreh se nuk mund të imponojmë zgjedhjet personale të fëmijëve, por e drejta është që t’ju mësojmë vlerat e mira, të cilat i ka dhënë Zoti.

Znj. Dobi, keni patur takime në gjimnazin tuaj me aktorë të LGBT?

Nxënësit sapo kanë fituar një olimpiadë dhe kjo punë është njëra prej 1 milion punëve që ne bëjmë. Nuk e kuptoj se pse është dhënë kaq rëndësi, sepse nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Ministria e Arsimit ka disa strategji për të gjithë dhe ne e kemi diskutuar atë në kuadrin e bullizmit, arsyet se pse dhunohet një njeri, i cili mund të ketë defekte në pamje, sepse këta janë adoleshente dhe paragjykojnë njëri-tjetrin. Kjo preferenca seksuale e secilit është një zgjedhje personale. Është diskutuar me 30 nxënës në një orë mësimore dhe njeriu nuk duhet të paragjykohet. Janë gjëra personale të tij dhe nuk duhet ta bëjnë që të ndihet keq. Ne nuk i kemi dhënë rëndësi dhe nuk e kemi përdorur këtë term aq të madh “shkencor” LGBT. Na emocionuat me këtë!

Në fakt, qeveriave e ka miratuar me anë të një VKM-je bashkëpunimin e aktorëve të LGBT dhe aksesin e tyre në institucione të ndryshme, ku përfshihet dhe arsimi. Si e konsideroni këtë akt nga ana e qeverisë?

Ato janë në programet mësimore nga shkencat sociale. Nuk i lejon njeri të kenë akses në shkollë. Ka të tilla të mirëfillta që punohet nëpër shkolla, pasi në shkolla diskutohet çdo gjë, pakicat sociale dhe bullizmi. Të gjitha gjërat që të shkojnë në mend, çdo gjë që ka Evropa do t’i marrim dhe ne, me të mirat dhe të këqijat.

Po nëse informacione të tilla transmetohen nga aktorë të komunitetit LGBT…?

Unë nuk lejoj njerëz të tillë në shkollën time. Këto janë në kuadrin e strategjive që Ministria e Arsimit ka për romët dhe egjiptianët, mbi bazën e të cilave punojmë. Arsimi prek çdo çështje që ka të bëjë me edukimin e fëmijëve. Ky fenomen ekziston në Shqipëri dhe në gjithë botën. Përderisa ekziston, ne mund të mos e pëlqejmë dhe mos të duam që fëmijët tanë të jenë ashtu ose edhe mund të duam, kjo varet nga zgjedhjet që kanë njerëzit. Kjo është hartuar në kuadrin që njerëzit nuk duhen paragjykuar, pasi janë zgjedhje personale.

Si është menduar të transmetohen informacione të tilla në shkollë, ka një lëndë apo një orë specifike për këto tema?

Kjo është një nga shumë çështjet që preket nga lëndët shoqërore, për më shumë mund të pyesni specialistët e këtyre lëndëve. Është zmadhuar shumë dhe jam e shqetësuar për këtë gjë, t’i vijë turp dhe politikës që merret me budallallëqe të tilla.

Znj. Dobi çfarë rekomandoni ju për menaxhimin e informacioneve të kësaj natyre për ndalimin e prirjeve të padëshiruara seksuale të nxënësve-adoleshentë?

Fenomenet ekzistojnë dhe nxënësit e dinë paraprakisht, ndërsa zgjedhjet janë personale. E mendoj, se është e drejta e fëmijës të zgjedhë atë që i pëlqen, ne duhet t’i tregojmë gjërat e mira dhe e mira është ashtu siç e ka dhënë Zoti.

Ka pohime të tipit që aktorët e komunitetit LGBT kanë bërë takime në disa shkolla. Ju do t’i mirëprisni në shkollën tuaj?

Nuk e di për këto takime, por unë nuk jam dakord personalisht. Nuk kam arsye t’i pres, pasi nuk kanë çfarë t’u tregojnë njerëzve. Unë mirëpres një muzikant apo kompozitor që t’ju them fëmijëve që të bëheni kështu. Ata nuk i mirëpres fare.

Rezearta Çaushaj: Fajin e ka Ministria e Arsimit që ka anashkaluar prindërit

Ndërkaq, aktivistja e shoqërisë civile Rezearta Çaushaj, tha se përgjegjësia më e madhe qëndron tek Ministria e Arsimit, e cila nuk ka informuar atë që është një nga grupet e interesit, në këtë rast prindërit. Ajo tha gjithashtu se e ka parë edhe strategjinë dhe ajo është formuluar me pjesëmarrje të shoqërisë civile, e cila për pjesën më të madhe të shqiptarëve nuk përfaqëson askënd. “Ajo që shikoj unë problematike në këtë rast dhe unë mendoj se përveç tendencës tonë për të shpërthyer për gjëra që ne mendojmë se i kemi në dorë , ajo që ka qenë shtysë për reagimin ka qenë fakti se prindërit nuk janë pyetur. Në këtë rast unë nuk fajësoj organizatën LGBT. Ata janë aktivistë, kanë një kauzë të tyren, kanë të gjithë të drejtat e tyre që të flasin dhe të shpërndajnë idetë e tyre dhe qëndrimet e tyre. Ajo që shikoj unë problematike është fakti që ministria nuk ka informuar atë që është një nga grupet e interesit, në këtë rast prindërit.Unë e kam parë edhe strategjinë dhe ajo është formuluar me pjesëmarrje të shoqërisë civile, por çështja është që ne nuk kemi shoqata të cilat përfaqësojnë prindërit për shembull. Shoqëria civile për pjesën më të madhe të shqiptarëve nuk përfaqësojnë askënd.”- tha Çaushaj.

Xheni Karaj: Në takimet tona shkolla morën pjesë dhe dy transgjinorë

Drejtoresha e Aleancës LGBT, Xheni Karaj ka reaguar dje për herë të parë mbi trajnimet e organizuara nga ky komunitet në disa shkolla të mesme të vendit, për sensibilizimin e të rinjve dhe mësuesve për të luftuar bullizmin ndaj komunitetit LGBT dhe personave me prirje të ndryshme seksuale. Ajo tha, se në takimet që ka realizuar në shkolla kanë marrë pjesë dhe dy aktivistë LGBT transgjinorë, të cilët kanë treguar përvojat personale dhe sesi bullizmi është bërë shkak i largimit të tyre nga shkolla, u shpreh ajo. “Po, në një prej aktiviteteve kanë qenë 2 transgjinorë, por që janë aktivistë.

Ka qenë trajnim me nxënës por duhet të kuptojmë që ata të dy janë 2 njëzet vjeçare, të cilët për shkak të bullizmit njëri ishte përjashtuar nga shkolla, ndërsa tjetri ishte detyruar të braktiste shkollën. Ajo që është treguar në trajnim ka qenë përvoja personale sesi ata kanë braktisur shkollën për shkak të bullizmit. Këshilla e tyre për nxënësit ka qenë përpiquni që atë që na e bënë ne bashkëmoshatarët dhe mësuesit kur ishim në shkollë, mos ia bëni ju të tjerëve”-tha Karaj.

Ajo shtoi, se bëhet fjalë për një projekt sensibilizues që nuk ka asnjë lidhje me Ambasadën Amerikane apo organizatën Soros, siç pretendohet nga disa politikanë të cilët reaguan pak ditë më parë në rrjetet sociale. Ndërsa thekson, se nuk i shndërrojmë njerëzit në homoskesulaë, por është një nismë që bazohet në nevojat e identifikuara në punë dhe me personat e komunitetit, pasi ekziston një plan për mbrojtjen e të drejtave të tyre, pohon më tej.Ne nuk jemi vampirë që i vampirizojmë njerëzit dhe i shndërrojmë në homoseksualë.

Unë do thosha rastin tim konkret. Unë jam 32 vjeç, jam lezbike. Kam jetuar në një shoqëri me hetero-normative, ku propaganda heteroseksuale bëhet në mënyrë shumë të dhunshme në mënyrë të përditshme. Këto janë thjesht paranoja. Është një panik që nuk e di nga kush u përhap dhe për ç’arsye. Kjo është një nismë që nuk ka lidhje as me Soros, as me ambasadën amerikane. Kjo është diçka që nisi nga nevoja që ne e kemi identifikuar me punë dhe me personat e komunitetit, pasi ekziston një plan veprimi për mbrojtjen e të drejtave të LGBT.”

 

Të tjera

Abissnet