“Nuk kam besim te Portali, më ndodhën shumë padrejtësi”

Publikuar më 01. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Lindita Bushgjokaj

Mësuesja nga Vlora rrëfen diskriminimin profesional nga drejtuesit e arsimit dhe të opinionit, për shkak të ndarjes nga bashkëshorti. E larguar nga puna edhe pse me bachelor, arriti të punojë edhe në call-center për të rritur djalin

Një tjetër dëshmi prekëse vjen e rrëfyer nga një mësuese, e cila pas 7 vitesh kontribut në mësimdhënie e largojnë nga puna. Rasti i saj është disi më ndryshe, është prekës dhe real, pasi shoqëria patriarkale është një sëmundje që ka dënuar shumë femra të ecin përpara dhe të bëjnë karrierë. Aurora Lushaj, tregon për gazetën “Shekulli”, diskriminimin profesional që e dënoi për të ndjekur ëndrrën e saj, investimin e shumë ditëve në shërbim të profesionit, pasi jeta në fshatin e izoluar Qeparo të Vlorës, nuk ishte aspak e lehë për Aurorën.

Jeta e saj kalon një udhëkryq; nga njëra anë ndarja nga bashkëshorti, largimi nga puna, dhe rritja e djalit pa mbështetje. Rrugëtimi i saj nis e vetme, pa ndihmën e askujt i duhet të fillojë gjithçka nga e para dhe duke luftuar me paragjykimet e shoqërisë, pasi një femër e divorcuar dënohej nga opinioni. Atë e gjykojnë dhe kolegët e punës për këtë fakt, duke mos e lejuar të vazhdojë punën, për shkak së një femër e divorcuar nuk mund të japë mësim dhe vlera për familjen. Edhe pse e vetme, me vuajtje psikologjike, shpirtërore dhe probleme ekonomike, pasi tashmë ishte kryefamiljare dhe duhej të gjente të ardhura për të ushqyer djalin.

E ndodhur në këtë situatë nëna e re, nuk ndalet, ajo nuk e koncepton dot jetën pa punë, prandaj edhe pse jashtë profesionit Aurora punon shumë, por vjen një moment që ajo kalon dhe një problem shëndetësor, ku i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale për problemin që kishte në sistemin e frymëmarrjes. Ajo sot, pas shumë peripecish dhe vuajtjesh vazhdon jetën në fshatin Qeparo të Vlorës, ushtron profesionin në mënyrë private dhe thotë, se është e zhgënjyer nga sistemi i arsimit në Shqipëri, prandaj nuk ka besim të konkurroj as në portal. Edhe pse mësuesia është brenga e saj.

Aurora si ka filluar karriera juaj, na përshkruaj pak…

Kam filluar mësim si mësuese në shkollën “Niko Aleksi”, në fshatin Qeparo, në Vlorë. Në këtë shkollë kam dhënë mësim afërsisht 7 vjet.

Ju pohuat se shkolla “Niko Aleksi” rrezikonte për t’u mbyllur, sepse pati bashkim klasash. Kjo ndodhi pa filluar ju punë?

Kur kam filluar mësim në këtë shkollë e gjeta të mbyllur. Unë isha vullnetare për ta hapur dhe për t’u dhënë iniciativë nxënësve që donin të shpërnguleshin në Himarë, ngaqë s’kishin mësues. Shkolla nuk u mbyll, por vazhdon aktivitetin e saj normalisht.

Këtu fillon një periudhë shumë e vështirë në jetën tuaj, pasi ndesheshit në një udhëkryq: Ndarja nga bashkëshorti, ku kishit një djalë 3 vjeç dhe largimi nga karriera. Si e përjetuat?

Pas lindjes së djalit filluan çekuilibrimet e martesës, që nuk u morën vendimet e menjëhershme, por ishim në krizat e ndarjes për shkak të mosmarrëveshjeve të shumta. Ndërkohë unë nuk u dorëzova, por vazhdova punën dhe detyrimet e mia familjare, pavarësisht problemeve që kisha. Erdhi një moment që s’kishte kuptim bashkëjetesa me bashkëshortin dhe bëra divorcin.

Mendoni se largimi juaj nga puna ishte për çështje politike?

Po, sepse mu vu në dukje edhe kjo gjë. Pasi unë kam hyrë në punë në kohën e PD-së dhe vendimin e emërimit ma kanë dhënë para zgjedhjeve në 2013- ën. këtë ma tha në sy ish- drejtori i asaj kohe. Gjithçka që po them është reale. Unë kam punuar 5 vjet rresht me kontratë dhe erdhi dita pas 5 vjetësh kur më dhanë vendimin. Është paksa e komplikuar pasi unë jam brezi i parë i eksperimentit të Bachelor-it, ku disave ua njohën këtë diplomë, ndërsa mua jo, sepse disa i mbështeti sindikata, ndërsa unë që punoja në fshatin e fundit të Vlorës nuk mu dha kjo e drejtë. Kanë ndodhur shumë padrejtësi ndaj meje.

Ma përshkruaj pak momentin e ndarjes nga profesioni, e cila të ndodhi njëkohësisht me ndarjen nga bashkëshorti, ku kishit një djalë 3 vjeç. Vuanit nga paragjykimet e njerëzve?

E vështirë është të jesh grua dhe burrë në këtë botë. Vuajta nga paragjykimet e një shoqërie patriarkale, ku më ndikoi negativisht dhe në profesion, pasi paragjykohesha jo vetëm nga shoqëria, por edhe nga situata vetvetiu. Pasi isha pa punë dhe ndihesha e padobishme. Pa punë është njësoj sikur nuk ekziston. Pa punë nuk e imagjinoj jetën time. Ndarja nga bashkëshorti nuk ishte asgjë përpara humbjes së punës, sepse unë ëndërrova një jetë të bukur, të kisha një familje, një bashkëshort që më donte dhe respektonte.

Si ja bënit këto kohë për të përballuar sfidat e jetës si kryefamiljare, ku duhej të rrisnit dhe një fëmijë?

Në momentin e parë që mu dha fillova punë. Bëra disa intervista në Tiranë dhe fillova punë në call center. Zotëroj disa gjuhë të huaja si italisht, frëngjisht, anglisht tani po mësoj dhe gjermanishten. Në Tiranë qëndrova 8 muaj.

Ja dilje mbanë si një nënë pa përkrahje?

Ja dilja, sepse punoja shumë dhe nuk shpenzoja lekë për gjëra dytësore. Shikoja parësore nevojat dhe pastaj dëshirat. Gjatë kësaj kohe nuk isha mirë me shëndetin, pasi bëra një ndërhyrje kirurgjikale për problemet që kisha në sistemin e frymëmarrjes. Akoma e vuaj ketë problem, mezi mbushem me frymë.

Të kushtoi shumë operacioni dhe si ja dole mbanë me kaq pak të ardhura dhe shumë shpenzime që kishit?

Operacionin e bëra te spitali Francez në Tiranë dhe me shumë vështirësi. Ka qenë sfidë, por veç një gjë më ka mbajtur që jam kaq e fortë. Ishte besimi te zoti dhe thoja që këto janë sfida, duhet t’ia dal dhe i lutesha zotit që gjithë këto vuajtje që po kaloja të shpërblehen për mirë te djali, sepse jeta në fund të fundit e tillë është. E kam pranuar sfidën, e kalova dhe këtë situatë. Më pas u ktheva në Vlorë, pasi ambienti këtu ka më shumë oksigjen dhe jod. Direkt sa erdha gjeta disa nxënës me aftësi të veçanta dhe kujdesem për ta, duke ushtruar profesionin tim në mënyrë private.

Sa paguhesh për punën që bën në mënyrë private?

Paguhem shumë pak, rreth 6 mijë lekë. Marr dhe një ndihmë ekonomike për djalin dhe mbuloj shpenzimet e dritave, ujit dhe nevojat parësore, se për luks nuk bëhet fjalë.

Aurora, na përshkruaj pak momentin e largimit, pas 8 vitesh punë dhe kontribut në shkollën 9 vjeçare “Niko Aleksi”?

Largimi ka qenë në mënyrë aspak të denjë, pasi kalova ditët më të vështira të jetës time. U largova në mënyrë të pakëndshme dhe nga kolegët, ku koleg kisha dhe ish-bashkëshortin, të cilin e kisha kundërshtar të madh. Nuk ishte miqësore përcjellja, më la shumë për të dëshiruar. Megjithatë unë jam në këmbë.

Ju u paragjykuat nga kolegët për faktin që jeni divorcuar?

Shumë shoqëri paragjykuese, pasi një femër që merr guximin të ndahet është e përndjekur nga opinioni që ne nuk e shmangim dot. Duam apo s’duam ndonjëherë për opinionin jetojmë. Përpara djalit jam munduar që të jem gjithmonë e fortë dhe nuk e kam shprehur tek të gjithë atë që përjetoja, madje as prindërve nuk ju kam kërkuar ndihmë, sepse gjithsecili duhet t’i zgjidhë vetë problemet e tij.

Mënyra e largimit nga drejtori i shkollës ishte më shumë e ndikuar nga paragjykimi i ndarjes nga bashkëshorti?

E la të nënkuptuar që mirë t’u bë se një grua e ndarë nuk mund të jepte mësim në fshat, sepse nuk do transmetonte vlera rreth familjes dhe vlerave shoqërore. Unë kisha 8 vite mësim në atë shkollë dhe duhej të toleronte të paktën dhe pak ditë sa të merrja diplomën, por nuk e kisha këtë përkrahje, në momentin që u diplomova në master u pushova. Këtu e ndjeva veten të diskriminuar, sepse për raste të tjera janë bërë lëshime, ndërsa unë që isha kryefamiljare dhe e ndjej si brengë se përse nuk mu ofrua pakëz mirëkuptim. Isha e aftë të jepja mësim.

Aurora, pavarësisht të gjitha vështirësive dhe vuajtjeve që keni kaluar, do përpiqeni t’i riktheheni karrierës. Do të konkurroni te Portali “Mësues për Shqipërinë”?

Jo, nuk konkurroj! Kam konkurruar këtë vit dhe dola me goxha pikë, por nuk më morën në punë. Unë dua t’i rikthehem arsimit, por nuk kam besim tek metodat dhe mënyra sesi funksionon sistemi arsimor në këtë vend. Nuk më mungon aftësia dhe talenti, por jam shumë e zhgënjyer, sepse kam vërtetuar që punësimi nuk varet nga Portali funksionon ndryshe.

Si funksionon, keni ndonjë dëshmi konkrete?

Kam fakte konkrete, Jo thjeshtë fjalë. Një miku im shumë i ngushtë, doli i pari në Portal këtu në Vlorë dhe drejtoresha e DAR-it Vlorë vendosi një që nuk kishte mbaruar fare shkollën, se, siç i themi ne këtej nga Vlora, ai ishte i biri Azbisë së teze Rukisë. Shprehja do të thotë se gjërat bëhen me miq. Nuk kam besim tek Portali, është diçka formale. E dhashë vjet dhe shkoi tjetra para meje në punë, që nuk e kishte dhënë fare provimin e Portalit.