Nuk ka trinitrinë në Urgjencën e QSUT, njerëzit rendin me para në dorë

Prej një viti në Urgjencën Qëndrore të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ka mungesë të trinitrinës, medikament kryesor për shpëtimin e jetës. Alarmi është ngritur nga vetë mjekët që punojnë në këtë pavion, por edhe nga deputeti i PD-së, Bardh Spahia. “Gazeta Shqiptare ishte e pranishme dje brenda ambienteve të urgjencës së QSUT-së, ku burimet konfidenciale bënë me dije se trinitrina mungon prej afro një viti. “Ka mungesë të trinitrinës në urgjencë! E kjo situatë po na shoqëron prej afro 1 vit.

Në vend të saj, kemi gjendje trinitrinë të lëngshme, por që mund të përdoret vetëm për pacientët që janë në gjendje të rëndë, pra nuk hyn në punë për rastet e tjera”,-tregon për “GSH” një prej punonjësve të urgjencës. Edhe vetë pacientët e pohojnë këtë fakt e ndihen tejet të shqetësuar pasi mungesa e ilaçit mund t’u kushtojë edhe vetë jetën. “Kam burrin këtu të shtruar, është me tension e me zemër, po mungojnë ilaçet, edhe trinitrina që është për zemrën. Kemi shkuar dhe në privat nga halli, por nuk e përballuam dot shumë gjatë dhe erdhëm prapë këtu, në shtet”,-thotë e revoltuar e shoqja e një prej pacientëve të shtruar në urgjencë. Deputeti i PD-së, Bardh Spahia në një prononcim për “Gazeta Shqiptare” tregon se prej 2 javësh ky medikament që shpëton jetë mungon totalisht në urgjencën qëndrore të QSUT-së.

“Të gjithë punonjësit në urgjencë e kanë problem të prononcohen për këtë pjesë pasi kanë presion të jashtëzakonshëm nga ministria. Mungesa e trinitrinës është një fakt i sigurt pasi është konfirmuar nga vetë stafi i urgjencës, prej 2 javësh mungon totalisht. Pacientët dërgohen që t’i blejnë vetë apo dhe i adresojnë në spitale të tjera për t’i larguar. Ngelet për t’u parë nëse ka edhe pacientë që mund të kenë humbur jetën si pasojë e mungesës së nitroglicerinës, një preparat jetëshpëtues”,-tregon Spahia për “GSH”.

Problemi i mungesës së trinitrinës është ngritur që prej 2015, por mesa duket ende nuk ka marrë një zgjidhje përfundimtare, pavarësisht se ka një rol kryesor në shpëtimin e jetës së pacientëve që pësojnë infarkt akut të miokardit apo kanë angina pectoris. Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ende nuk ka dhënë një prononcim zyrtar në lidhje me situatën.

Të tjera

Leksioni i Studentëve

Nga Zef Bushati Përtej kryefjalës së këtyre ditëve “student” dhe përpjekjeve të kuptueshme për pronësimin politik të protestës, e cila…

Abissnet