Nuk ka fonde për pensionistët, në pikëpyetje shpërblimi i fundvitit

Pensionistët rrezikojnë që për këtë vit të mos marrin shpërblimin e Vitit të Ri. Ministrja Anila Denaj nuk ka një përgjigje për bonusin e përvitshëm. Kërkesa është bërë pas rishikimit të buxhetit. Do vlerësohet në dhjetor

Treguesit e buxhetit duket se nuk e mundësojnë bonusin e fundvitit për moshën e tretë, edhe pse komisioni i Ekonomisë adresoi këtë kërkesë pranë Ministrisë së Financave. Për ministren e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj kjo vendimmarrje pritet të zyrtarizohet deri në  muajin dhjetor, pasi të vlerësohet ecuria ekonomike e pjesës së mbetur të vitit. “Sigurisht që Ministria e Financave do të analizojë kërkesën e bërë nga ky komision. Kjo kërkesë ka ardhur më vonë se ky akt normativ që po diskutojmë. Ne do të shikojmë të gjitha vlerësimet të cilat kanë të bëjnë më zërat e shpenzimeve dhe në muajt në vijim në çdo mundësi të parë që do të shikojmë do të alokojmë fondin e nevojshëm. Por kjo do të jetë pjesë e një analize të 3-mujorëshit të ardhshëm dhe është e parakohshme të them nëse do ta marrim ose jo parasysh”, tha Denaj. Këtë deklaratë, ministrja Denaj e bëri gjatë miratimit të aktit normativ të buxhetit të Shtetit në Komisionin e ekonomisë. Sipas këtij dikasteri, buxheti u godit nga mbyllja e lojërave të fatit si dhe mungesa e prodhimit të energjisë. “Mund t’ju them se energjia elektrike ka patur një efekt të konsiderueshëm ekonomik, prej 1 pikë % në rritje ekonomike të këtij viti. Nga ana tjetër edhe mbyllja e lojërave të fatit ka dhëne impaktin jo pozitiv”.  Por kreu i komisionit të ekonomisë, Ahmetaj e vuri theksin tek shlyerja e detyrimeve të prapambetura që si 9 mujorë kanë arritur në 6.2 miliard lekë. Akti normativ parashikon një ulje të të ardhurave dhe shpenzimeve me 3 miliard lekë, ndërsa mban të pandryshuar deficitin.

Buxheti

Akti normativ i votuar dje në komisionin e Ekonomisë ndër të tjera citon se ndryshimet sigurojnë financimin për disa zëra sensitivë të shpenzimeve korrente, si fondi rezervë, skema e fermerëve, skema e PAK-ut, arsimi i lartë, rendi, mbrojtja, etj, por nuk ka asnjë politikë stimuluese në fondin e pagave dhe pensioneve. Këto të fundit nuk preken as në planin afatshkurtër deri në vitin 2021, aty ku kufizohen parashikimet e dala në tabelën e treguesve fiskale të pasqyruara, bashkëngjitur Aktit Normativ të Buxhetit të tetorit 2019. Kjo është hera e dytë brenda këtij viti që Ministria e Financave rishikon buxhetin, duke shkurtuar me 30 mln dollarë buxhetin e pushtetit qendror për vitin 2019, ndërsa rishikon me ulje edhe të ardhurat që do të vijnë nga tatimet e taksat. Janë 30 milionë dollarë më pak që parashikohet të vijnë nga taksat, ku peshën kryesore e kanë parashikimet me ulje në mbledhjen e tatimit mbi vlerën e shtuar dhe sigurimeve shoqërore, ndërsa në rënie parashikohen edhe të ardhurat jo tatimore, të cilat mblidhen kryesisht nga tarifat dhe gjobat. Në zërin e shpenzimeve qeveria ka vendosur që të shtojë fondin rezervë të buxhetit, si dhe të rishpërndajë disa projekte dhe programe në pjesën e investimeve publike.  Nga ndryshimi i buxhetit, përfituesi më i madh rezulton të jetë pushteti vendor. Për bashkitë janë shtuar 40 milion dollarë, të cilat do të përballohen nga të ardhurat e shtuara që pritet të sigurojnë nga taksat vendore. Së fundi pushteti vendor ka nisur të vjelë taksën e re të banesave dhe disa tarifa të shtuara sa i përket rentës minerare. Deri në fund të muajit gusht, të ardhurat nga TVSH nuk arritën  të mblidhen në masën 13 milionë dollarëve në krahasim me planin, ndërsa në rënie rezultuan edhe akcizat dhe taksat kombëtare. Nga ana tjetër në 6 muajt e parë të vitit, ngadalësim ka shfaqur edhe rritja ekonomike.

Tatimet

Në pakësimin e të ardhurave, peshë kanë pasur të ardhurat nga tatimet që kanë qenë më pak nga parashikimet. Por kjo nuk ka qenë aspak surprizë për qeverinë, e cila i parapriu duke ndërmarrë aksionin antiinformalitet. Prej muajit korrik, administrata tatimore dhe doganore ka nisur fushatën e inspektimit të bizneseve. Krahas masave administrative, nuk ka munguar edhe bllokimi i aktivitetit për një periudhë të pacaktuar kohore. Ndërkohë, e kundërta ka ndodhur me njësitë e qeverisjes vendore, të cilat kanë sjellë në buxhet më shumë të ardhura nga çfarë ishte parashikuar në fillim të këtij viti. Sipas Aktit Normativ, të ardhurat nga buxheti vendor për vitin 2019, nga 51 286 milionë lekë, janë 55 286 milionë lekë. ZËRAT QË PREKEN Shkurtimi i buxhetit me 30 milionë dollarë do të prekë skemën e sigurimeve shoqërore. Ndër zërat që preken është ai i transfertave, që bëhen nga buxheti i shtetit. Ndërkohë që nuk preket niveli i kontributeve të parashikuara për t’u arkëtuar përgjatë këtij viti si edhe fondi që adresohet për skemën e pensioneve. “Fondi për indeksimin e pensioneve është 2 450 milionë lekë. Përdorimi i këtij fondi bëhet sipas përcaktimeve në nenin 61, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 ‘ Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”, thuhet në Aktin Normativ të miratuar dje në mbledhjen e Qeverisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Stadiumi “Rama Ik!”

Arben Rrozhani Ditari (a)politik Mijëra shqiptarë ishin mbrëmë në stadiumin “Air Albania”. Por protesta e tyre me baner e pagëzoi…

Abissnet