Nuk ka BE për Shqipërinë, pa zgjedhje të lira!

Nga Koço Kokëdhima

ZGJIDHJA gati çdo ditë, nëpërmjet dhjetëra shkrimeve dhe analizave i ka bërë thirrje partive parlamentare shqiptare, që të zhbllokojnë urgjentisht punën për Reformën Zgjedhore. Të njëjtën thirrje e ka bërë, ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu dhe së fundmi, edhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë, zoti Thomas Greminger. Reforma e thellë Zgjedhore është që nga viti 2013 një kusht i panegociueshëm për hapat e mëtejshëm të vendit tonë, drejt familjes evropiane.

Partitë e vjetra, në mënyrë sfidante edhe për BE-në, kanë sabotuar dhe vazhdojnë njësoj të mbajnë të bllokuar, Komisionin e Posaçëm në Kuvend, të ngritur për këtë hap fondamental të demokracisë dhe pluralizmit të vërtetë në vendin tonë; çlirimin e votës së lirë. Dhe ja ku jemi sot. Nuk ka votë për hapjen e negociatave nga vendet anëtare të BE-së, pa mbyllje të Reformës Zgjedhore. Kjo u konfirmua dje nga një prej politikanëve më të lartë gjermanë. Dr. Johann David Ëadephul duke folur për situatën politike në Shqipëri e tha qartë se vendi i tij, BE dhe OSBE janë teje të zhgënjyer me lojën e ndyrë që klasa e vjetër politike shqiptare ka bërë, për të mbajtur peng zgjedhjet në vendin tonë.

“Që nga viti 2013, OSBE dhe BE kanë kërkuar reformë zgjedhore, por asgjë nuk ka ndodhur që atëherë-kjo është një shpërfillje e madhe ndaj OSBE dhe BE! Parlamenti shqiptar duhet të miratojë reformën zgjedhore në përputhje me planin e saj të punës deri në fund të vitit 2018. Ky është një kusht i domosdoshëm për ne deputetët, në mënyrë që të mund të votojmë pro hapjes së negociatave”, është konstatimi i ashpër i krahut të djathtë të kancelares Merkel. Kjo kambanë e fortë alarmi i jep të drejtë partisë “Zgjidhja”, e cila në mënyrë stoike ka mbajtur gjallë kauzën e Reformës Zgjedhore dhe të zgjedhjeve të lira.

“Ky është një kusht i domosdoshëm për ne deputetët, në mënyrë që të mund të votojmë pro hapjes së negociatave”, paralajmëron pa dorashka këtë herë Gjermania dhe BE. Ne ju bëjmë edhe njëherë thirrje partive parlamentare që ta lexojnë qartë këtë ultimatum të Gjermanisë dhe BE-së; urgjentisht të nisin punën për përshpejtimin e kësaj reforme dhe të kapin afatin që është fundi i këtij viti.

Që në seancën e kësaj të enjteje, deputetët duhet t’i kushtohen kësaj çështjeje madhore jo vetëm për fatin e negociatave, por veçanërisht për ardhmërinë demokratike të vendit tonë në raport me BE-në dhe SHBA-në. Urgjentisht të miratojnë një plan konkret për vijueshmërinë e punës së Komisionit të Posaçëm për të cilin nuk duhet të ketë pushime këtë vit. ZGJIDHJA nuk beson se partitë e vjetra do të heqin dorë në rrugë paqësore nga monopoli mbi zgjedhjet.

Ato zëvendësuan republikën si formë qeverisëse dhe sundimin e ligjit me marrëveshjen famëkeqe PD-PS dhe regjimin hibrid të sundimit të alternuar të vendit nga paligjshmëria, krimi dhe korrupsioni. ZGJIDHJA është e vendosur të luftojë pa kompromis, për përmbysjen me çdo formë dhe me çdo mjet të marrëveshjes së partive të vjetra dhe rivendosjen e republikës në Shqipëri.

#ZgjidhjaPërRepublikën

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet