“Nuk e dua votën se jam femër, por se jam e aftë të bëj punën”

Nga Klevis Deda

Zv. presidentja e dhomës së zgjidhjeve të konflikteve në FSHF flet për kandidimin si anëtare e Komitetit Ekzekutiv, duke u bërë femra e parë që synon këtë post. Si dhe një gjykim për garën për president në FSHF

Masivizimi i femrave në fushën e sportit është kthyer në një trend në Shqipëri. Aldona Sylaj është juristja e cila prej 7 vitesh është anëtare e dhomës së zgjidhjeve të konflikteve në FSHF dhe kandidate për anëtare e Komitetit Ekzekutiv. Në një intervistë për “Shekulli” ajo thekson se kandidimi i një femre në FSHF është vlerë e shtuar për kreun e institucionit më të lartë futbollistik në vend si dhe premton se kjo është intervista e fundit e saj për mediat. Alidona Sylaj i qëndron mendimit se nuk ka nevojë për drejtësi të pacertifikuar në futboll.

Në lidhje me zgjedhjet në FSHF, juristja shprehet se nuk i njeh shumë personalisht dy kandidatët dhe se zgjedh Dukën për postin e presidentit për arsye të vizionit të tij dhe faktit që misioni i tij nuk ka përfunduar. Në lidhje me kandidatin tjetër Fino, ajo beson se deputeti mund të bëjë më mirë punën në Parlament. Aldona Sylaj është propozuar si kandidate për anëtare në Komitetin Ekzekutiv nga skuadra e Tiranës dhe Sport Klub Adriatik i Mamurrasit.

Vështirësitë që keni kaluar në 7 vite në dhomën e zgjidhjeve të konflikteve pranë FSHF-së?

Asnjë vështirësi nuk kam pasur unë. Jam zgjedhur anëtare e dhomës së zgjidhjeve të konflikteve nga asambleja për shkak të CV time, të njohjeve të mia personale.

Nga cilat skuadra dhe lojtarë jeni komplimentuar në rastet e veçanta të zgjidhjes së ndonjë ngërçi mes palëve?

Zakonisht i denigroj komplimentat për shkak se jam e njohur në komplimente.

Arsyet që kandidoni për anëtare të Komitetit Ekzekutiv dhe cilat skuadra ju kanë propozuar?

Më  kanë propozuar dy skuadra të mëdha. Jam shumë krenare edhe pse kam qenë gjyqtarja më e rreptë me të gjitha skuadrat. Të njëjtën gjë kam bërë edhe me skuadrën e kandidatit tjetër dhe shpresoj të marr dhe votën e tyre sepse kam thënë gjithmonë vetëm të drejtën. Më ka propozuar Tirana dhe Adriatiku i Mamurrasit. Më kanë propozuar ata që janë bindur se gjykimet e mia janë  të drejta. Nuk ka pasur asnjë lloj indicie nga askush. Ka qenë thjeshtë bindja ime personale. Sa kohë unë di të zgjidh mirë konfliktet mes klubeve sportive dhe lojtarëve unë di ta bëj dhe këtë. Fakti që jam femër do të thotë që jam nënë, jam grua, jam motër. Nuk e dua votën se jam femër, por dua votë se jam e aftë ta bëj atë.

Se shumë veta në jetë më kanë cilësuar si (burrneshë ose ajo që di të fitojë). Nuk jam as më shumë e as më pak, por vetëm një grua shqiptare, një nënë fëmijë, një vajze babe dhe nëne që di të bëjë shumë mirë punën e saj e të jetë shumë korrekte dhe të jap gjithmonë të drejtën. Më udhëheq mirësia, bukuria dhe e vërteta. Të jesh femër nuk është gabim, por vlerë. Femra nuk shihet vetëm nga pamja, ajo shihet dhe nga puna që bën. Ajo është grua, nënë, vajzë dhe shihen rezultatet profesionale që ka dhënë. Është momenti i duhur. Unë jam e pa varuar. Fakti që jam e vettingut do të thotë se jam e pastër dhe pjesë e futbollit prej 7 viteve. Puna ime më solli deri këtu.

Nuk ju pengon arsyeja që rrethoni nga ambient ku flitet vetëm për sport?

Absolutisht që jo, përkundrazi jam shumë dashamirëse pas sportit si çdo njeri që mbështet, përkrah, subvencionon dhe shpall risi të reja.

Zotimi juaj nëse zgjidheni anëtare e Komitetit Ekzekutiv?

Mendoj se nuk duhet të ndryshohet asgjë në raport me të sotmen. Në raport me të ardhmen ka vizione dhe misione të reja. Nuk kam çfarë ndryshoj unë në këtë moment. Ajo që kam pas për të bërë unë e kam bërë gjatë gjithë kohës si anëtare e dhomës së zgjidhjeve të konflikteve ku kam zgjidhur çdo konflikt në mënyrë të drejtë, të pavarur dhe kur nisesh gjithmonë nga profesionalizmi dhe duke dashur të nënkuptoj se si duhet të përmirësohet puna në Federatën Shqiptare të Futbollit. E shoh sot me standarde evropiane.

Sa e privilegjuar ndiheni që jeni femra e parë që  kandidoni si anëtare e Komitetit Ekzekutiv?

Nuk dua që të më favorizojë fakti që jam femër. Dua të më favorizojnë të gjithë vlerat e tjera që unë përfaqësoj. Sigurisht që dhe femër duke vlerësuar faktin që  femrat janë të parat dhe burrat të dytët. Është thjeshtë një vendim i imi profesional dhe ambicie që kam marr në këto momente. Ku kam kuptuar që është e nevojshme që një grua të jetë në  qeveritë e futbollit sepse gjithmonë besoj që gratë janë më përpara se burrat. Nuk jam feministe, por jam për barazi me burrat. Skam nevojë të them asnjë gjë më shumë.

Arsyet që u futët në botën e futbollit?

Nuk ka të bëjë fare me ambicie. Fakti që jam femër do të thotë që përfaqësoj shumë. E pashë si nevojë për shkak se duke qenë anëtare e dhomës së zgjidhjes së konflikteve kam zgjidhur të drejtën dhe për sa kohë do të zgjidh në gjykatën sportive.

Duka apo Fino për presidencën e Federatës Shqiptare të Futbollit?

Nuk shprehem dot se cili është më i mirë apo cili është më i keq. Nga pikëpamja personale i njoh pak të dy. Nga pikëpamja profesionale i njoh shumë mirë të dy. Armand Duka është një lider strategjikisht shumë i fortë në futboll. Me vizion shumë të qartë. Misioni i tij akoma nuk ka përfunduar çka Duka nuk e sheh Shqipërinë vetëm Europian, por edhe në Botëror. Do të thotë që ai duhet të rikandidojë dhe nuk ka mbaruar akoma qëllimin apo misionin e tij. E shoh shumë të sigurt në fitore.

Sa i përket Bashkim Finos, ai është një parlamentar ekselent aty ku është, në Parlamentin e Shqipërisë. Duke nënkuptuar që Duka është në të drejtën e tij në ri kandidim ndërsa Fino është në të drejtën e tij të përfaqësojë qartazi interesin publik në Parlamentin Shqiptar dhe është mirë aty ku është, por (duke ruajtur të qartë konsideratën personale për personalitetet e tyre në fushat e tyre, duke e vlerësuar Finon si një votues timin në Vettingun  e Shqipërisë). Fino duhet të qëndrojë atje ku është dhe nuk e kuptoj pse kandidon kur i ka të gjitha mjetet ligjore, parlamentare, politike që të mbështesë sportin duke qenë  krahu i djathtë i Federatës Shqiptare të Futbollit në Parlamentin e Shqipërisë. Unë nuk e dua Finon në FSHF, por në Parlament pasi atje është më i fortë ai.

Duka ka vizion të qartë, ta dërgojë Shqipërinë nga Europa në Botëror. Fakti që jam femër që vij nga vettingu nuk ka të bëjë me futjen time në federatë. Vlerësoj faktin që jam femër dhe vlerat e mia, integritetin tim. Kur Fino ka votuar për mua në Parlament, pse nuk duhet të votojë për mua në FSHF? Pse një djalë Vlore duhet të propozojë nënkryetarin kur Flamurtarit i kam njohur qindra djem Vlore të shkëlqyer që përfaqësojnë futbollin e Vlorës dhe të mos propozojnë Vlorën, por Luftëtarin? A e kanë kaluar vettingun këta njerëz që pretendojnë të kalojnë në FSHF?. Përse duhet të ndërpresin në mes një mision, cili është qëllimi i tyre? Duhet zbuluar shumë mirë qëllimi, misioni  dhe vizioni dhe kush qëndron pas tyre. Nuk ma merr mendja duke njohur mentalitetin vlonjat që një Flamurtar të përfaqësojë një Luftëtar të Gjirokastrës.

Zgjdhjet në FSHF

Kur jemi pak dit larg zgjedhjeve në institucionin më të lartë futbillistik në vend, FSHF, situata paraqitet shumë e qetë. Dy kandidatët për president, Armand Duka dhe Bashkim Fino po vazhdojnë të merren më fushatën e tyre e cila ka nisur disa javë  më parë. Ndryshe nga hera e fundit ku presidenti Duka u zgjodh me unanimitet të plotë pasi nuk kishte rival tjetër në garën për tu bërë president. Ndryshe nga katër vite më parë, aktualisht situata paraqitet në një ekstrem tjetër. Duka është vendosur përballë një njeriu që vjen nga politika dhe në sytë e opinionit publik shihet si një rival shumë i fortë i presidentit aktual. Shumë njerëz nga bota e sportit, por jo vetëm kanë mbështetur kandidaturën e Dukës pasi besojnë se presidenti në fuqi ka projekte ambicioze  për të ardhmen dhe i duhet dhënë mundësia që të punojë.

Në lidhje me kandidatin tjetër, zërat pro tij janë më të pakta pasi fakti që nuk ka eksperiencë në fushën e futbollit do të thotë se pritet të hasë shumë vështirësi në menaxhimin e institucionit më të lartë futbollistik në vend. Debate të shumta janë mbajtur në lidhje me kandidimin e një individi që vjen nga ana e politikës. Statuti i institucionit më të lartë futbollistik në Europë, UEFA dënon rëndë ato federata që përzihen me politikën. Pak kohë më parë UEFA reagoi në lidhje me përfshirjen e klasës politike shqiptare me zgjedhjet që do të mbahen në FSHF në datën 7 shkurt. Përgjigja e tyre ishte e qartë dhe shumë e prerë.

“Ne po ndjekim me vëmendje zhvillimet që po ndodhin në Federatën Shqiptare të Futbollit. Toleranca do të jetë zero në rast se politika do të përfshihet në zgjedhjet e datës 7 shkurt për kreun e federatës”, ishte paralajmërimi i UEFA-s. Vlen të theksohet se kandidati për president, Bashkim Fino hoqi dorë nga posti i sekretarit të partisë, por mbetet për tu parë nëse ky akt e justifikon të drejtën e tij për të kandiduar për president në Federatën Shqiptare të Futbollit.

Të tjera

Abissnet