Nora Malaj: Diplomat false, me firmën e tre zyrtarëve të lartë në Ministrinë e Arsimit

Nga Lindita Bushgjokaj

Deputetja e LSI dhe ish-zëvendës ministrja e Arsimit, analizon fenomenin e diplomave false si pasojë e neglizhencës së Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë ose bashkëpunimit me sekretarin e përgjithshëm, ministrin ose zv/ministrin

Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ish-zv.ministre e Arsimit, Nora Malaj, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, analizon zanafillën e abuzimit me diplomat false. Situata është përkeqësuar pas mbylljes së 18 universiteteve me ardhjen e qeverisë “Rama” në pushtet, pasi nuk ishte zgjidhje mbyllja e tyre, por investigimi i mëtejshëm dhe dërgimi i rasteve në prokurori, tha Malaj. Ajo konstaton se problemi i krijuar është si pasojë e neglizhencës së ministrisë, punonjësve të paaftë, por edhe mundësisë që në këtë histori janë të përfshirë një rrjet i tërë, me bashkëpunëtorë brenda Ministrisë së Arsimit, e cila  është në disavantazh dhe detyrën kryesore e ka prokuroria për zbulimin e skemës së korrupsionit.

Znj.Malaj, duam të dimë se ku e ka zanafillën problemi me diplomat false dhe si i ka menaxhuar MASR këto situata në kohën kur punonit në ministri?

Me ardhjen e qeverisë “Rama” u vendos heqja e 18 universiteteve dhe njëri prej të cilëve ishte “Universiteti Kristal”. Pikërisht këto ishin situatat e para të cilat krijuan problematika në drejtim të dhënies, jo të atyre që pretendonin të ndiqnin shkollën, por të atyre që për x arsye merrnin diploma false. Tani jemi në një situatë ku me mbylljen e saj u vendos që gjithë dokumentet duhet të shkonin në Ministrinë e Arsimit. Faza e parë e gabimit ishte se Ministria e Arsimit duhet t’i kishte marrë dokumentet e vulosura dhe të vendoseshin në përgjegjësinë e ministrisë ose t’ja jepte një enti të caktuar. Një pjesë e njerëzve që kanë marrë diploma dhe kanë ndjekur shkollën në rregull kanë shkuar në ministri për t’i njohur e kanë fituar gjyqin me gjykatë, pasi ka rezultuar që ata kanë pasur dokumentet dhe njohjen e diplomave. Kur u mbyllën universitetet një pjesë e sekretarëve nuk ishin korrektë, prandaj ndodhi kjo situatë. Shteti e ka për detyrë që kur mbyllet një aktivitet, palët e interesit që janë studentët, të dinë se ku të drejtohen, çfarë do të bëjë me ta, do të amnistohet apo do mbyllet deri në një datë të caktuar.

Si e analizoni situatën aktuale të “Universitetit Kristal” me procedimin e diplomave false?

Problemi tani nuk është më i Ministrisë së Arsimit, por i prokurorisë, sepse kjo duhet të bëjë një analizë dhe të shikojë sesi ka funksionuar, pasi këtu shikohet që ka funksionim rrjeti. Prokuroria të shikojë 86 rastet e diplomave që MASR i ka deklaruar false, duhet të vlerësojë se kush nga sekretaret ka vendosur firmat dhe të investigojë, pasi kemi të bëjmë me rast abuzitiviteti.

Znj.Malaj, mendoni se ka pasur ndonjë të infiltruar brenda MASR që ka bashkëpunuar me “Universitetin Kristal” për arritjen e këtij qëllimi?

Për mua kështu duhet të jetë, sepse nuk ka mundësi që të nxjerrë diploma kështu, por kjo është detyrë e prokurorisë dhe nuk mund ta përcaktojë askush tjetër.

Si duhet ta kontrollojë MASR procesin e diplomave false?

Në kohën kur unë kam qenë aty, ministria i kontrollonte procedurat false vetëm duke marrë dokumentet. Me mbylljen e universiteteve ka marrë të gjithë dokumentet dhe i ka kaluar në arkiv. Në rast se në dokumentacion  nuk ishte emri, diploma rezultonte false dhe pas kësaj duhet të vazhdonte një fazë tjetër, diplomën false ta dërgonte në prokurori.

Sipas jush cilat janë detyrat e MASR dhe qeverisë për të parandaluar raste të tilla abuzive?

Në momentin kur MASR ka konstatuar se një diplomë është false dhe kur situata është përsëritur me raste të tjera, automatikisht duhet ta kishte ndaluar dhe të merrte masa drastike, të dërgonte të gjitha rastet për procedurë penale dhe të kontrollonte mirë dokumentacionin. Ministria e Arsimit kur ka mbyllur subjektet nuk e ka mbyllur detyrën e saj, pasi problemi nuk lidhej me faktin e mbylljes së subjektit, por te pasojat që do vinin më pas. Historia na bën të kuptojmë se më pas rrjetet e ndryshme për interesa ekonomike kanë funksionuar, por në momentin kur subjektet i dorëzuan në ministri regjistrat dhe numrat e amzës, ministria duhej të ngrinte një grup punë dhe të bënte vlerësimin rast pas rasti. Ka ndodhur që pasi kanë ardhur të bëjnë vlerësimin e diplomimit ministria ka thanë se: “Nuk e ka vazhduar ose nuk i njihet”, kur ka shkuar subjekti dhe e ka hedhur në gjyq këtë vendim të ministrisë, gjyqi ia ka dhënë subjektit. Ministria nuk duhet ta mbyllte procedurën vetëm në momentin kur sekuestroi regjistrat dhe kur pyeti se deri kur është vlefshmëria e tyre, por duhet që për të gjitha rastet që vinin për njohjen e 18 subjekteve, të mbante një regjistër të veçantë për të gjitha dokumentet, pasi problemi nuk është vetëm që të mbyllet subjekti, por të luftohet e keqja, që është korrupsioni. Prokuroria duhet t’i kërkojë ministrisë dokumentet, të marrë regjistrat e tyre dhe të njohë firmat e sekretarëve, kështu e ka të lehtë për ta zbuluar si ka qenë skema. Tani puna i takon vetëm prokurorisë dhe ministria është në disavantazh.

Sipas jush, cila ka qenë arsyeja që Ministria e Arsimit nuk ka reaguar në kohë për problemin e diplomave false?

Nuk do të doja kurrë dhe nuk do të mendoja kurrë që brenda të kishte individë, sepse kjo do të ishte një gjë shumë e shëmtuar, por do ta quaja si një rast neglizhent dhe paaftësi profesionale. Kjo i takon niveleve shumë të larta dhe nuk mund ta bëjë dot një punonjës, por personi që ka firmën, i cili është niveli më i lartë, që është sekretari i përgjithshëm, ministri, zëvendës ministri. Ajo që kuptoj unë është fakti, që për 18 subjektet e mbyllura, ka mbaruar aty pozicioni. Në të gjitha institucionet publike dhe jo publike, edhe në ëebi-n e ministrisë duhet të ishin bërë me dije shkallët që do ndiqnin të gjithë ata që ishin të diplomuar dhe që kishin interes për dokumentacione. Ministria duhet të bëjë me dijë studentët që janë diplomuar nga një periudhë e caktuar, që dokumentet e tyre kanë probleme, të vijnë në ministri dhe të njohin dokumentin, dhe në bazë të regjistrave që kishin duhet të bënin vlerësimin e tyre. Për të gjitha rastet që ka abuzivitet të dërgohen në prokurori, t’i bënin një analizë të situatës, sesi ta menaxhonin këtë element risku, ku në mes të vërtetave dhe të pavërtetave kemi dhe situatë abuzive.

Si e analizoni rolin që kanë aktorët e përfshirë në këtë rrjet që pohuat?

Fakti që u krijua gjithë kjo situatë tregon se kemi të bëjmë me një precedencë shumë negative. Megjithëse janë mbyllur universitetet, e keqja nuk ka kaluar. Këtu kemi të bëjmë me abuzitivitet që janë nga të gjitha palët, nga palët e atyre që nuk e kanë problem që të bëjnë abuzivitetin, nga palët e atyre që duan të përfitojnë një gjë të pamerituar, edhe nga institucionet kompetente të cilët duhet të bëjnë vlerësimin e tyre rast pas rasti, pasi mund të bëhet si fenomeni që fillon dhe lulëzon në një vend dhe pastaj përhapet në gjitha drejtimet.

Si jeni ndjerë kur u njohët me këtë rast abuziv të neglizhuar nga MASR?

Kur e kam dëgjuar jam ndjerë shumë keq për tre arsye: Së pari; mendova që probleme të tilla ishin mbyllur dhe me qasjen time ka qenë një problem sporadik dhe jo një problem fenomen. Së dyti; ende shoqëria jonë është e paqartë se përpara çdo veprimi që bën në kundërshtim me ligjin quhet vepër penale dhe duhet të ndëshkohesh, të ndëshkohet si ai që e ofron dhe ai që e kërkon. Së treti; po kuptoj që institucionet përgjegjëse nuk e kanë marrë me përgjegjshmëri të madhe këtë detyrë, por si një fushatë për të treguar që me mbylljen e tyre kanë bërë punë, por puna më e madhe është respektimi i ligjit përpara të cilit të gjithë janë të barabartë dhe duhet të ndëshkohen. Së katërti; në kuadër të reformimit që po bën drejtësia duhet ta dërgojë deri në fund këtë problem. Të gjithë situatën me tre zinxhirët e saj që të kuptohet se nuk duhet fyer as lloji i inteligjencës së njerëzve, duhet respektuar institucioni i së drejtës, institucionet ligjvënëse dhe institucionet që merren me politika dhe me menaxhimin e politikave, duhet të jenë shumë të kujdesshëm, pasi çdo heqje vëmendje mund të krijojë pasoja shumë të mëdha, jo vetëm politike por edhe për kombin. Masat që janë marr kanë qenë mekanike dhe jo filozofi e plotë për të bërë zhdukjen e të gjithë elementëve negative, që lidhen me luftën e vërtete kundër korrupsionit. Nuk do ta besoja kurrë që kjo do të realizohej nga një individë i vetëm apo dy njerëz, është përtej kësaj dhe përmes këtij rasti mund të zbulojnë rrjetin që përfshin. Kapja e një njeriu në flagrancë nuk është ai që e bën, por është sistemi që është i ndërtuar mbrapa, po se ku mund të jetë nuk e di.

Të tjera

Abissnet