Njihuni me shqiptarin që bëri “revolucion” në tregun bankar zviceran

Publikuar më 09. 12. 2017 nga Eno Shkëmbi

Kanë krijuar produkte të financimit online, duke ofruar norma konkurruese interesi që mund të zbresin deri në 4.5%, e që nga ana tjetër, përbëjnë një nga sfidat më të mëdha për sistemin bankar zviceran. Mirëpo, ndoshta askush nuk e di se disa nga aktorët kryesorë të kësaj beteje ishte edhe eksperti shqiptar, i cili po udhëheq tashmë kompaninë financiare zvicerane.

Suksesi i kësaj nisme ka sfiduar edhe gjigantët bankarë zviceranë. Bonart Qerimi është aktualisht në krye të «eny Finance AG», një kompani zvicerane që tregon për suksesin e kredive online.

Bonarti, që vjen nga Struga, ka kaluar nëpër disa institucione financiare jo edhe pak të njohura, si «Deutsche Bank», «IBM» dhe, së fundi, në vitin 2006 në «GE Money Bank», tani me emrin «Cembra Money Bank».

Këtu edhe trokiti në portën e botës së financave, kur filloi të lulëzonte biznesi online nëpërmjet internetit. Por, në atë kohë vëllimi i tyre nuk shkonte më shumë se deri në përqindje të ulëta njëshifrore. Bonarti ishte njëri prej atyre që kishte përforcuar dhe i kishte dhënë energjinë e duhur linjës së dhënies së kredive online me shumëfishimin e tyre brenda një kohe të shkurtër.

Ky impakt i Bonartit nuk kaloi pa u vënë re nga të tjerët. Më 2011 ai merr një telefonatë nga investitori i «eny Finance AG», pjesë e të cilit është deri tani. 

 «Në »eny Finance AG« gjetëm ato që na mungonin»

Investitori zviceran i «eny Finance AG», përveç Bonartit, kishte mbledhur ekspertë nga të gjitha bankat në Cyrih. Bonarti, sigurisht, e kishte pranuar ofertën me dëshirë.

«Në një kompani të madhe je dikushi, po edhe je vetëm një numër. Të gjitha ato që na mungonin i gjetëm në “eny Finance AG”: pavarësinë, autonominë dhe këtu arritëm ta bëjmë më transparente dhënien e kredive në krahasim me të tjerat banka», kujton Bonarti fillimin në “eny Finance AG».

Aty kishte filluar prej zeros, por ishte arritur të bëhej një revolucion në sistemin bankar. «Ne kishim një mundësi që të bënim gjithçka prej fillimit. Një sfidë që të vjen një herë në jetë», thotë Bonarti.

Shumë shpejt ngjitet në krye të këtij institucioni financiar bankar në Zvicër. «Arrita me sinqeritet dhe me punë në krye të «eny Finance AG».

Është edhe kulturë jona që të mbijetojmë me më pak, e këtë e bëra edhe në »eny Finance AG«», tregohet modest Bonarti, ndonëse kishte arritur të reduktojë kostot vjetore me 70 për qind.

Shqiptari nga Struga e Maqedonisë që kishte migruar në moshën 12-vjeçare në Zvicër, thotë se ka ndryshuar koha dhe se tani më nuk është problem të menaxhohet një kompani zvicerane nga një i huaj, në këtë rast një shqiptar.

«Këtu jam shkolluar dhe kam përfituar nga kultura zvicerane. Barriera e diskriminimit nuk është më sikur përpara, kur është dashur të dërgohen me qindra aplikacione për një vend në zanat. Pra, çdokush që merr guximin dhe ka ambicje, mund të arrijë diçka edhe në Zvicër», shprehet optimist Bonarti dhe u dërgon mesazh shprese moshatarëve të tij dhe gjeneratave të reja.

«eny Finance» ofron shërbimet e veta edhe në gjuhën shqipe

«eny Finance» është një kompani serioze zvicerane (një lloj i bankës së digjitalizuar), që është aktive në fushën e shërbimeve financiare. Kompania është themeluar në vitin 2011, kurse produktet (si p.sh. «eny Credit») janë hedhur në treg që nga mesi i vitit 2012.

Produktet e «eny Finance AG» ofrohen nga punonjësit në disa gjuhë, në mesin e tyre edhe në gjuhën shqipe.

«Nuk ka qenë vetëm kërkesë imja që të ofrohen shërbimet edhe në gjuhën shqipe, por kjo është bërë edhe falë faktit se komuniteti shqiptar në Zvicër paraqet tashmë potencial të rëndësishëm», tha Bonarti. Ai është krenar që ka arritur të ofrojë kamatat më të ulëta 4.5 % në tregun bankar zviceran.

Në një kohë kur klientët ende paguajnë rreth 10% në bankat e tjera. Është edhe gjendja financiare e klientit ajo që përcakton lartësinë e kamatës. Dikush që ka një vend pune të rregullt, nuk është i lidhur në procedura përmbarimi («Betreibung») dhe nuk ka indikacione se nuk do ta kthejë kredinë, është potencial që mund të marrë një kredi me 4.5 % nga «eny Credit», bën të ditur procedurat e dhënies së kredive CEO, Bonart Qerimi.

Klientët seriozë, shpërblehen

«Në përgjithësi, kriteret e përgjithshme janë: të ketë 3 pagat e fundit dhe të ketë jetuar më shumë se një vit në Zvicër. Kuptohet me një leje qëndrimi B ose C, po edhe me pasaportë zvicerane. Historia financiare është megjithatë kriteri kryesor. Kamatat e kredive nuk shkojnë më lart se 8.9% në »eny Credit».

Shumica e aplikuesve që marrin kredi në «eny Credit» e bëjnë këtë për të konsoliduar kreditë që i kanë nëpër bankat e tjera. «Nëse klientët kanë 2-3 kredi me kamata të ndryshme, ne mund t’i konsolidojmë të gjitha me një kamatë të njëjtë. Klientët tanë nuk duhet të brengosen për asgjë. Të gjitha i bëjnë punëtorët tanë. Shumica marrin kredi për të blerë veturë», thotë Bonart Qerimi, duke sqaruar të gjitha detajet dhe procedurat e dhënies së kredive në «eny Credit».

«Te ne mund të kursejnë të gjithë dhe unë ndjehem krenar që po arrij të ndihmoj bashkatdhetarët e mi, duke krijuar strategji, të cilat do të shërbejnë në lehtësimin e jetës në aspektin financiar».

Shqiptarët, të dytët, pas zviceranëve, për nga vëllimi i kredive të marra

Shqiptarët janë të dytët në radhë pas zviceranëve për nga vëllimi i kredive që marrin në «eny Credit», pastaj vijnë ballkanasit e tjerë, turqit, portugezët, etj.

Kamatat e ulëta në «eny Credit» kanë bërë që shumë bashkatdhetarë të investojnë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. «Kemi të dhëna se shumica kanë investuar në blerjen e patundshmërive në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni», thotë Bonarti.

«Interesi i klientit është prioritet yni dhe ne kemi strategji afatgjata. Jo sot për nesër. Ne insistojmë që klientët tanë të mos marrin vetura me Leasing, ngase nuk është në avantazhin e tyre», deklaron Bonart Qerimi.

Kush është Bonart Qerimi

Bonart Qerimi vjen nga Struga. Deri në moshën 12-vjeçare kishte jetuar në vendin e lindjes për t’u bërë bashkë me familjen më 1995. «12 vjetët e fëmijërisë në Strugë m’i kanë ruajtur rrënjët, gjuhën e nënës dhe frymëzimin», thotë Bonarti me një shqipe të artikuluar mirë.

Prej një nxënësi shembullor në Strugë, ai ishte bërë i pari fëmijë që ishte kujdesur për vëllezërit, motrat dhe kushërinjtë e tij.

«Prindërit tanë janë sakrifikuar shumë për ne, por për shkak të angazhimit të tyre nuk kishin edhe shumë kohë të merreshin edhe me integrimin tonë në Zvicër».

«Dita e parë në Zvicër ishte shumë e veçantë. Babai na mblodhi dy vëllezërit me disa shokë dhe na hipi në tren prej Fahrweid në drejtim të qytetit në shkollë të gjuhës gjermane në Zürich. Kjo është rruga, këtu e keni biletën, prej nesër këtë rrugë duhet ta ndiqni», na tha babai njëkohësisht me një mesazh të fortë simbolik.

Megjithëse kishte jetuar për vetëm dy vjet në Zvicër, ai kishte arritur të kryej shkollën e mesme te informatikës si dhe disa vite më vonë edhe shkollën e lartë universitare të ekonomisë. /Albinfo.ch/