“Njeriu i ri” në socializëm, sipas Enver Hoxhës (FOTO)

Publikuar më 26. 10. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Dr. Ermir Hoxha

Katalogu /“Realizmi Socialist Shqiptar”, si një këndvështrim studimor dhe analitik mbi fenomenin e artit figurativ shqiptar. Nëpërmjet veprave, që të realizuara në periudhën 1945 -1990, prezantohet njeriu i ri në socializëm dhe virtytet e tij

Njeriu i ri, jehonë e figurës së mbinjeriut të Niçes, në realizmin socialist ndërtohet me kujdes nga “inxhinierët” e Makinës së Propagandës, i përkufizuar me qartë tek njeriu i punës, si shpirti i vërtetë i ndërtimit të “parajsës” së premtuar, ai patjetër që gëzon formate të ndryshme në vendet reciproke, apo siç shprehet Mircan: “Pavarësisht dallimeve mes varianteve kombëtare të tij, ku kryesore janë intensiteti propagandistik dhe riprodhimi i shumëfishtë ikonografik-realizmi socialist ngre në piedestal punën dhe drejtpërsëdrejti apo tërrthortazi, atë pushtet që vë punën dhunshëm në shërbim të vetes. Ndërkaq, në realitetin artistik shqiptar, deri në fillim të viteve ’50, figura e punëtorit, element esencial i tablove me temë pune, kishte “vuajtur” ato paqartësi strukturore, që vuante gati çdo temë tjetër.

Edukimi i punonjësve

Sistemi, akoma nuk e kishte të qartë fizionominë e figurës së punëtorit, edhe pse ishte e qartë rëndësia e saj për ndërtimin e shoqërisë së re. Kjo paqartësi transmetohej dhe tek artistët, të cilët improvizuan tablo me temë nga puna, por në to fizionomia e punëtorit “humbet” në gjelbërimin e fushave, apo në zymtësinë e kantiereve. Ajo do të “pastrohej” dukshëm vetëm në vitet ’60-të, nga optika e re e studentëve të kthyer nga shkollat e Lindjes dhe vëmendjes së vazhdueshme të shtetit, i cili krijesën e re, më vonë do ta sanksiononte me ligj, në nenin 32 të legjislacionit shqiptar ku thuhej: “Shteti zhvillon një veprimtari të gjerë ideologjike e kulturore për edukimin komunist të punonjësve, për formimin e njeriut të ri”.

Figura e punëtorit

Figura e punëtorit, nga vitet ’60 filloi të shumëfishohej dukshëm në një udhëtim personal në harmoni me sivëllezërit e vendeve të tjera socialiste. Në versionet më klasike ajo prezantohet shpesh vetëm, gati gjithnjë në gjysmë profil, e thjeshtë, modeste, por e ndërgjegjshme për rolin e besuar në ndërtimin e vendit. Në poza tejet fotografike, ajo shoqërohet me mjetet e punës si mundësi identifikimi i profesionit, ndërsa drita e diellit gjithnjë shkëlqyese mbi të, përligj me entuziazëm në harmoni me ideologjinë shtetërore.

Kontributi i klasës punëtore për ndërtimin e socializmit do të kthehej në një kërkesë të domosdoshme për krijimtarinë e çdo artisti, tendencë kjo shpesh e dedikuar nga ekspozitat dhe konkurset kolektive me këtë temë. Pjesa më e madhe e tyre ndalin në studimin e fizionomisë së punëtorit. Fizionomia e tij/saj është gjithnjë ajo e njeriut të fortë, muskulor, gjithmonë me flokë të shkurtër e asnjëherë me mjekër, ku bien në sy duart e fuqishme e të zmadhuara dukshëm në raport me trupin, me gjestikulim minimal dhe shikim të pastër. Të mbivendosur në sfonde monokrome, apo llogoret e hapura të një kantieri, apo e drejtojnë shikimin larg, drejt asaj që ata (simbol i vet ndërtimit) shpresojnë të arrijnë.

Statura monumentale

Statura e tyre monumentale, imponon këndvështrimin nga poshtë-lart, duke paralizuar në logjikë monumentet që ngrihen shesheve, ndërsa shpatullat e nofullat e gjera, model i flokëve dhe shikimi i vendosur janë tipare të domosdoshme për trajtimin e saj. I thjeshtë, modest, por krenar dhe i sigurt, punëtori-sinonim i njeriut të ri socialist, nuk njeh sfida të pakapërcyeshme, as hezitime e luhatje ideologjike, e përmbi këto ai nuk njeh as ndasi gjinore, pasi në procesin e ndërtimit të socializmit, figura e burrit dhe e gruas gëzojnë status të barabartë. Detyrë e shoqërisë është ta pranojë e implementojë këtë orientim të rëndësishëm ideologjik shtetërore, ndërsa artistëve i del detyra e ilustrimit të saj në art.

Figura e gruas

Nis kështu edhe figura e gruas të zërë në art pozicionin e saj, ashtu si dhe në shoqëri, aq sa tablotë e realizuara me këtë temë, janë pothuajse të njëjta në numër, si për burra dhe për gra. Ajo që zë qendrën e tablosë në ara, uzina, fabrika e kantiere, ndërsa vizualisht paraqitet gati gjithnjë me uniformën e punës, pranë tornos, në fusha apo duke transportuar llaç.

Ato janë të reja, të shëndetshme, me fizik të lidhur, shpatulla të gjera e flokë të mbledhura nën shami. Të zhytura në vrullin revolucionar, shpesh ato paraqesin një sharmë tejet modest, pasi elementët minimalë të sensualitetit femëror, në to reduktohen në minimum, duke i shndërruar në krijesat e reja të revolucionit socialist: gra-punëtore-asensuale.

Figura e gruas së re propagandohet masivisht, si një dëshmi e forcës së imponimit të shtetit në ndërgjegjen e shoqërisë, ndërsa tek ajo nuk ka vend për dyshime morale të asnjë lloji, pasi si thoshte shprehja: “…degjenerimi moral është një hap larg degjenerimit politik”.

Njeriut të ri

E pas punëtorit femër apo mashkull, në skemën streiotipale të figurës së Njeriut të ri do të shtohej natyrshëm dhe nënprodukti i tyre, familja dhe fëmijët e shëndetshëm e të lumtur shqiptarë. Vet Enver Hoxha në tekstet e shumta të botuara kryesisht në vitet ’60-’80, i dedikon mjaft hapësirë familjes së re shqiptare. Ndërsa, në kushtetutën e vitit 1978 sanksionon: “Martesa dhe familja… (vihen) nën kujdesin e mbrojtjen e shtetit dhe të shoqërisë… (ndërsa) prindërit përgjigjen për mirërritjen dhe për edukimin komunist të fëmijëve”.

Në planifikimin dhe rimodelimin strukturor të shoqërisë, familja ruante një pozicion kyç, por si bërthamë e projektimit të idealeve më të larta morale e ideologjike, ajo duhej të distancohej nga familja patriarkale/fisnorë e para luftës… Pozicioni i gruas pa dyshim që mbetej ai më delikati, por me kujdesin e veçantë shtetëror ajo fitoi ngadalë pozicione në hierarkinë familjare, tashmë bazuar në dashurinë dhe respektin”.

Versioni rural dhe urban i familjes

Për të ilustruar të gjithë këtë, artistëve sipas Pleniumit të IV i shtohej edhe detyra tjetër; pasqyrimi i shoqërisë së re shqiptare dhe familjes, si element bazë i saj.

Në versionin rural a urban, ajo i bashkëngjitet tematikave të tjera, si pjesë e platformës shtetërore për ilustrimin e realitetit të ri. Tek ajo rurale dallohet reduktimi i ndjeshëm i anëtarëve të familjes nga 7-8 mbi 10 para luftës, në versionin modern me dy ose tre fëmijë. Me veglat punës dhe veshjen karakteristike, teksa shkojnë apo kthehen nga puna, ato pasqyrojnë entuziazmin dhe harmoninë me realitetin e transformuar. Në tablo të tilla artistët fusin edhe elementët e domosdoshëm të fshatit të lumtur socialist, hambarët, mullarët, fushat pjellore me traktorët përmbi, apo kodrinat e transfomuara në brezare.

Në versionin urban familja e re ndryshon krejtësisht si sfond, ashtu dhe elementët përbërës dhe mesazhin. Në pjesën më të madhe ajo i dedikohet funksionit të ri të gruas si anëtare e barabartë me ndarjen e punës në familje, apo teksa me të shoqin dhe fëmijët shijojnë pushimet në bregdet, të veshur thjesht dhe të relaksuar, ata propozohen si pasqyra më e mirë e arritjeve të socializmit.