Njerëzit që mund të ishin shpëtuar dhe shërbimi mizerabël i ambulancave

Publikuar më 10. 11. 2017 nga Eno Shkëmbi

Qytetarët e Tiranës u bënë sot dëshmitarë të një ngjarjeje të rëndë, ku panë nga afër se si një njeri do të ndërronte jetë në mes të katër rrugëve, nën rrotat e një kamioni që transportonte gaz.

Përtej pamjeve rrëqethëse, ku trupi i të ndjerit që po lëvizte me biçikletë përpëlitej në grahmat e fundit të jetës, ka një tjetër rrethanë që e bën ngjarjen edhe më të trishtë.

Është fakti se ky njeri mund të ishte shpëtuar. Dhe jo vetëm ai, por shumë të tjerë që vriten dy herë, së pari nga drejtuesi i mjetit dhe së dyti nga shërbimi mizerabël i ambulancave.

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes tregojnë për shekullin se trupi i pajetë ka qëndruar për mbi 40 minuta i shtrirë për tokë, dhe ambulanca kishte mbërritur aty pasi ai kishte ndërruar jetë.

Ajo çka e bën më të frikshme këtë situatë është fakti se kjo nuk është hera e parë që ambulanca vonohet për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

Pothuajse në çdo lajm që ka të bëjë me aksident dhe njerëz të dëmtuar theksohet fraza: “ambulanca ka mbërritur me vonesë”.

Tirana është një nga vendet më problematike në Evropë sa i takon trafikut të automjeteve, ku haset mungesë e korsive të emergjencës, si dhe lagjeve të tejngarkuara me ndërtime informale, që pamundësojnë qarkullimin e ambulancave, apo zjarrfikëseve.

Së fundmi kreu i bashkisë Erion Veliaj krenohet me faktin që Tirana ka sot më shumë korsi biçikletash. Dyrrotakët duhen inkurajuar sigurisht, por nuk mund të anashkalohet problematika e lëvizjes së ambulancave, pasi kjo e fundit hyn të shërbimet jetike.

Shpesh jemi bërë dëshmitarë të skenave horror kur të plagosurit, në mungesë të ambulancave transportohen me mjete rrethanore, furgonë policie apo makina personale, dhe mbyllin sytë rrugës pasi nuk marrin ndihmën e parë, vendimtare në shpëtimin e jetës.

Kemi parë edhe skena ku njerëz të përgjakur përpëliten në rrugë si të ishin bagëti, në një qytet të zhurmshëm, kaotik, pa solidaritet, dhe ku jeta vlen kaq pak…