Njerëzit e letrave shqipe sugjerojnë, se çfarë mund të blini në Panairin e Librit!

Publikuar më 17. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Gjatë këtyre ditëve në Panairin e 20-të të Librit vizitorët “vrasin” mendjen se çfarë mund të blejnë për të lexuar. Për këtë dy emra të njohur të letërsisë shqipe, Bashkim Shehu dhe Mimoza Hysa, sugjerojnë librat më të mirë për një lexues të rregullt

 Një libër historik, një libër shkencor, një libër humoristik apo një libër rozë? Këto janë dilemat që mund të ketë çdokush, i cilia ka vendosur që të shkojë në Panair të 20-të të Librit gjatë këtyre ditëve. Por cilët janë librat, që na sugjerojnë njerëzit e letrave shqipe? Shkrimtari dhe përkthyesi Bashkim Shehu për gazetën “Shekulli” sugjeron se si një lexues i rregullt mund që të përzgjedhë një libër të mirë. Ai jep sugjerimet e tij për tre libra autorësh të huaj dhe tre libra të autorëve shqiptarë.

Shehu mendon se pavarësisht se librat “bestseller” janë më të reklamuarit jo të gjithë kanë sukses në shitje.

Shkrimtari mendon se lexuesi mund të orientohet nëpërmjet përzgjedhjeve të një botuesi, por përsa i përket letërsisë shqipe, mund të orientohet, duke pasur parasysh emrat e autorëve. Ndërsa, për sa i takon letërsisë së huaj, që jo rrallë përkthehet në një shqipe shumë të keqe, duhet që t’i referohet emrit të përkthyesit.

Zoti Shehu, këto ditë në Tiranë zhvillohet Panairi i Librit. Shpesh lexuesit marrin si referim ose shtysë librat “bestseller”, që janë edhe më të reklamuarit. Si do ta komentonit këtë?

Është diçka që po ndodh gjithmonë e më tepër kudo në botë. Dhe është pjesë e një krize të madhe kulturore. Shkaqet ose faktorët janë kompleksë dhe të shumëfishtë. Mund të shpjegohet me hipertrofizimin e asaj vlere që matet vetëm me para. Po edhe ky fenomen do kërkonte shpjegime të mëtejshme.

Ndërkaq, jo të gjithë librat që kanë sukses në shitje janë bestseller. Janë bestseller ata libra që shkruhen për t’u shitur sa më shumë, por jo ata që shiten edhe pse autori as që do t’ia dijë për shitjen dhe shkruan i prirur nga të tjera kritere. Dhe ndodh që të tilla libra nuk lexohen aq sa shiten, po zënë vend në raftet e një numri jo të vogël blerësish thjesht për shkak të prestigjit. Është e njëjta gjë me atë që ndodh nëpër muzeume pikturash, ku një pjesë e mirë e vizitorëve, në vend që të shikojnë Leonardon apo Rembrandtin apo Pikason, bëjnë selfie me tablotë përkatëse.

Në Shqipëri është bërë disi trend, që disa nga figurat publike më në zë, më së shumti gazetarë, t’i gjejmë në radhët e autorëve më të lexuar. Sipas jush, a mjafton fama për të shitur një libër?

Ky është një trend i përbotshëm, ashtu si ai për të cilin sapo folëm. Dukshmëria është gjithmonë tërheqëse: eksperimente të ndryshme psikologjike kanë treguar se mahnitja ndaj atyre që janë të dukshëm apo madje adhurimi i tyre vjen nga impulse irracionale primitive të psikikës njerëzore. Ndoshta vjen nga instinkti i kopesë, duke qenë se e kemi prejardhjen nga kafshë që rrojnë në kope dhe, po t’i besojmë Frojdit apo Klod Levi-Strosit, në këtë aspekt nuk ndryshojmë shumë nga të parët tanë shtazorë. Nga instinkti i kopesë dhe nga prirja për t’iu nënshtruar prijësit të kopesë. Dhe, në shtresat irracionale ose primordiale të psikikës, dukshmëri do të thotë spikatje, do të thotë veçim nga të tjerët e padiferencuar të kopesë, pra do të thotë pushtet.

Po dy mendimtarët që përmenda, Frojdi dhe Levi-Strosi, mbeten gjithsesi në kuadrin e hipotezës, ndërsa mahnitja nga dukshmëria, nga figura e njeriut që spikat veçan të tjerëve dhe që shihet kudo, është e vërtetuar eksperimentalisht. Kjo, me sa duket, shpjegon edhe suksesin libërshitës të figurave publike. Dhe, siç thashë, kjo ndodh kudo. Por, nga ana tjetër, për të qenë i shitshëm fama nuk mjafton. Varet edhe se çfarë shkruan ai njeri që është bërë figurë publike. Nëse nuk është në të njëjtën valë me ato spektakle që tërheqin më shumë shikues, nëse nuk ka një nënshtrim konformist ndaj banaliteteve trendy, tek e fundit nëse nuk tregon konformizëm ndaj nevojave dhe pritshmërive të kopesë, atëherë mund të mos jetë shumë i shitshëm. Ndërkaq, me këtë nuk dua kurrsesi të them se gazetarët ose figura të tjera publike nuk mund të shkruajnë libra shumë të mirë dhe shumë të shitshëm njëkohësisht.

Ndërkohë rëndom ende sot libra shumë të reklamuar, sidomos të botuar nxitimthi në prag ta panairit, i gjejmë me minuse të dukshme në përkthim dhe redaktim. Si duhet që të veprojë lexuesi në një rast të tillë? Mendoni se ka një mënyrë më të mirë, që të orientohen drejt librit cilësor?

Mendoj se lexuesi mund të orientohet më mirë, duke pasur parasysh botuesit, domethënë llojin e librave që parapëlqen dhe përzgjedh një botues apo një tjetër. Po kështu, mund të orientohet më mirë, duke pasur parasysh emrat e autorëve, për sa i takon letërsisë shqipe, dhe përkthyesit, për sa i takon letërsisë së huaj, që jo rrallë përkthehet në një shqipe shumë të keqe.

Dhe së fundmi, ju si shkrimtar, përkthyes dhe lexues i rregullt i letërsisë, a mund të na sugjeroni disa tituj librash, të cilët mendoni se një lexues duhet që t’i lexojë?

Po mjaftohem të sugjeroj tre libra autorësh të huaj dhe tre autorë nga letërsia shqipe. Prej autorëve të huaj, romani 2666 nga Roberto Bolaño; Enciklopedia e të vdekurve, nga Danillo Kish; dhe Unazat e Saturnit, nga G. Ë. Sebald (nuk di nëse ky i fundit është përkthyer). Për mendimin tim, janë jo vetëm nga librat më të mirë të letërsisë kontemporane, por nga më të mirët e letërsisë botërore në dy-tre shekujt e fundit.

Prej letërsisë shqipe do të sugjeroja tre autorë që nuk janë nga më të njohurit, por që mendoj se meritojnë të bëhen të njohur, dhe kjo është arsyeja pse po i sugjeroj: Arben Dedja, veçanërisht me librat Amputime të zgjatura dhe Histori (e) skatologjike; Balil Gjini, me romanin Teqeja e lëneshave; dhe Rigel Rizaj, autor shumë i ri në moshë dhe që, po vazhdoi siç e ka nisur me tregimet e librit Ameba, mendoj se ka një të ardhme interesante si shkrimtar, ndërsa ky libër është jo vetëm shumë premtues, po edhe interesant në vetvete.

 

 

 

 

90 % e tregut të librit në Shqipëri e zënë librat e përkthyer, besojini emrit të përkthyesit, jo autorit!

Shkrimtarja edhe përkthyesja Mimoza Hysa mendon se meqenëse në Shqipëri 90 për qind të tregut në Shqipëri e përbëjnë librat e përkthyer, lexuesi më tepër duhet t’i besojë emrit të përkthyesit, jo autorit. Sipas Hysës, një libër sado i rëndësishëm të jetë nëse përkthehet keq, i humbet vlerat. Konsultimi me një kritikë të mirë për librin në shqip është një tjetër sugjerim i saj, në mënyrë që lexuesi të mos rend pas lajmërimeve që bëhen në rrjete sociale. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Mimoza Hysa, jep mendimin e saj për situatën, në të cilën ndodhet tregu i librit.

Zonja Hysa, këto ditë në Tiranë është Panairi i 20-të i Librit. Shpesh lexuesit marrin si referim ose shtysë librat “bestseller”, që janë edhe më të reklamuarit në çdo stendë. Si do ta komentonit këtë?

Jo detyrimisht një libër “bestseller” apo shumë i shitur është një libër jo cilësor: mos harrojmë se “Emri i trëndafilit” i Umberto Eco-s ka shitur mbi pesëdhjetë milion kopje. Ky është një diskutim jo i thjeshtë për t’u bërë se së pari kërkon analizën e ndryshimeve të mëdha të kohës ku jetojmë. Po shkurt mund të thosha se nuk duhet të na shqetësojë fakti se një libër shitet më shumë se një tjetër, sepse secili do të blejë sipas shijes dhe formimit të tij. Masivizimi i dijes ka bërë që portën e kulturës ta hapin të gjithë dhe nëse në shekullin e kaluar librat i lexonin vetëm ata që i shkruanin, Konicën e lexonte Noli e anasjelltas, apo veç një pakicë të shkolluarish, tanimë në sofrën e dijes dhe kulturës është ftuar të ulet edhe një njeri, që me vështirësi ka arritur të lexojë librat e shkollës. Nuk mund të pretendohet që shëtitësi që del të kullosë sytë në panair, të shpenzojë ca para për t’i ekspozuar në “Facebook” apo për të kombinuar ngjyrat e bibliotekës, të blejë dhe “Uliksin” e Xhojsit. Po natyrisht kush kërkon letërsi të mirë që shtron pyetje e diskutime, nxit mendjen të mendojë dhe imagjinatën të ëndërrojë, është mirë të ndjekim atë pak kritikë orientuese që kemi.

Në Shqipëri është bërë disi trend, që disa nga figurat publike më në zë, më së shumti gazetarë, t’i gjejmë në radhët e autorëve më të lexuar. Sipas jush, a mjafton fama për të shitur një libër?

Nuk është vetëm prirje shqiptare, madje mund të thosha se ne jemi të fundit në këtë drejtim. Jemi në kohën kur shfaqja nuk dallohet nga përmbajtja, kur komunikimi i shpejtë, lëvizja horizontale, ka zëvendësuar vlerën, thellësinë vertikale, apo në kohën kur e kuqja e vezës është përzier me të bardhën dhe gjithçka serviret si omletë: sot futbollisti nuk është thjesht një njeri që luan me pantallona të shkurtra në fushë, por është edhe imazh kopertinash, është personazh historish rozë e madje është edhe autor i librit: “Kur gjuajta topin e parë”. Kështu dhe për të gjithë profesionet e tjerë. Të gjithë mund të shkruajnë një libër dhe të bëhen autorë, gjë që vetëm një shekull më parë vështirë të mendohej. Askush nuk ua zë fushën e lojës shkrimtarëve të vërtetë, thjesht nuk luhet më me pozicione të përcaktuara, por portieri mund të shënojë edhe gol, mbrojtësi mund të jetë edhe sulmues. Revolucioni që bënë holandezët e Krojfit në 1974-n, me lojën totale, është ajo që ka ndodhur në shoqërinë e sotme. Autorë mund të jetë kushdo sot, shkrimtarë pastaj ka shumë më pak, ndërsa ndër ta shkrimtarë të mirë them se numërohen me gishtat e dorës.

Ndërkohë rëndom ende sot libra shumë të reklamuar, sidomos të botuar nxitimthi në prag ta panairit, i gjejmë me minuse të dukshme në përkthim dhe redaktim. Si duhet që të veprojë lexuesi në një rast të tillë? Mendoni se ka një mënyrë më të mirë, që të orientohen drejt librit cilësor?

Për këtë do të kisha një këshillë konkrete për libra e përkthyer, meqenëse ata përbëjnë dhe 90 për qind të tregut në Shqipëri: besojini emrit të përkthyesit, jo autorit. Një libër i përkthyer keq, sado i rëndësishëm të jetë autori, është si të dëgjosh Bitëllsat e kënduar nga të dehurit natën. Ndërsa për librin shqip besojini seriozitetit të shtëpisë botuese për sa i përket punës me redaktimin dhe korrektimin dhe natyrisht emrit të autorit dhe sugjerimeve të kritikës së mirë në shkrime të mirëfillta kritike, jo lajmërimeve në rrjetet sociale.

Një libër dhuratë për prindërit, fëmijët dhe për vete

Të sugjeruarit e librave, shkrimtarja, përkthyesja edhe studiuesja Mimoza Hysa, mendon se nuk është e thjeshtë, sepse kjo gjë varet se cilët janë lexuesit, që mund t’u sugjerosh. “Po nëse më shtrëngoni të them se cilët tituj të rinj do të blija unë po të shkoja në panair – edhe pse parapëlqej blerjen në librari, aty ku mund ta konsultosh librin më gjatë e më me qetësi – po ju them një listë për dhurata”, shprehet Hysa.

  1. Për një fëmijën e një mikeshe do të zgjidhja “Unë jam…Musine Kokalari” e serisë “Unë jam…” apo “Nikolasi i vogël”.
  2. Për mbesën adoleshente do të zgjidhja “Helmi i dashurisë” të Eric-Emmanuel Schmitt apo gjithnjë “Novela botërore” nga “Poeteka”.
  3. Për nënën time do të zgjidhja “Gruaja e togerit frëng” të John Foëles, apo “Sagën” e Elena Ferrantes.
  4. Për tim vëlla që i pëlqejnë esetë e shkruara, si rrëfim i trilluar do të zgjidhja “Historinë e një kordhe” të Claudio Magris.
  5. Për vete do të kisha shumë autorë, që nuk i kam blerë ende në shqip: një Philip Roth apo Houellbecq, “2666” e Roberto Bolanjos apo “Tregime të natyrshme dhe të mbinatyrshme” të Carlos Fuentes e nëse ndonjë shtëpi botuese është kujtuar të botojë poezi të mirë. Shtëpia botuese Aleph apo Zenit ndoshta? Dhe autorë shqiptarë padyshim: “Ati” i Ardian Kyçykut që sa ka dalë, për shembull. Nga përkthimet e mia, duke lënë mënjanë modestinë për t’i bërë nder autorit, do të dhuroja “Rastet” se është rast i papërsëritshëm për të njohur një poet të rëndësishëm, si Montale.