“Një universitet publik ka punësuar gjithë farefisin”, çfarë investigimi të frikshëm po paralajmëron Saimir Kodra

Publikuar më 14. 11. 2017 nga Dionis Xhafa

Drejtuesi i emisionit investigativ ‘Stop’ në TV Klan, Saimir Kodra, ka deklaruar sonte një fakt dramatik në lidhje me nepotizmin që është instaluar në një nga universitetet publike në vend. Kodra theksoi se gazetarët e emisionit po investigojnë në lidhje me punësimin e pazakontë që është krijuar në atë universitet, ku pas ca kohësh dhe do publikohet në emision si fenomen.

Ai tregoi se të rinjtë shqiptarë, specialistët dhe njerëzit e shkolluar të këtij vendi e kanë shumë të vështirë të bëjnë karrierë në mjedise të tilla, prandaj dhe vendosin të ikin nga ky vend. “Djali, vajza, djali i tezes, kushëriri, kushëriria, goca e tezes, goca e hallës kanë kapur të gjithë universitetin dhe gjithë tentakulat, por ka mbetur vetëm rektori pa u kapur. Ka gjithë farefisin e vet të punësuar në universitet. Me të ik mendja me gjendjen që është krijuar. Mu në qendër të Tiranës”,-deklaroi Kodra. Emisioni “Opinion” ka si temë të mbrëmjes: Shqipëria, të rrish apo të ikësh? Të ftuarit për temën në fjalë, ndajnë mendimin se pak gjasa ka që vendi ynë t’u japë rinisë shanse për të vazhduar një jetë normale dhe ku shanset për të zhvilluar një garë të barabartë për karrierë të jenë njësoj për të gjithë. Disa prej tyre theksuan se në vendin tonë ke drejtorë të një moshe fare të re dhe kjo vetëm për shkak të angazhimit politik që kanë dhe jo falë karrierës profesionale.