
Arben Velo
Tetiana Yehorova-Lutsenko është një femër tipike ukrainase. Me sytë ngjyrë ulliri, flokët e verdhë dhe të qeshurën që i qëndis fytyrën e lëmuar, ajo duket se përcjell mesazhin e ngjyrave kombëtare të këtij vendi, aq dhe fisnikërinë dhe bukurinë ukrainase.
“Sot jam e veshur me kostumin e kryetares së Khrakovit, por në vendlindjen time unë vesh rrobat ushtarake si shumë gra bashkëqytetare të mia. Atje jam një ushtare e Ukrainës dhe mbaj armë e luftoj për çlirimin e vendit tim nga pushtuesit e pabesë rusë- pohon ajo. Tetiana ka ardhur për një vizitë zyrtare në Fier. Është Kryetare e Këshillit Rajonal të Kharkovit në Ukrainë ka ardhur në Fier për të nënshkruar një kontratë bashkëpunimi mes rajonit që drejton dhe Institucionit të Prefektit të Qarkut Fier.
Në Ukrainë, rolin e Institucionit të Prefektit, sipas saj e luan këshilli rajonal. Khrarkovi është rajoni i dytë më i madh i Ukrainës dhe ka një popullsi rreth 3 milionë banorë. Këshilli rajonal është i përbërë nga 120 këshilltarë, të zgjedhur direkt me votë nga komuniteti. Ajo me vete ka marrë edhe djalin e saj, Volodomirin, rreth 13 vjeç.
“E mora këtu, pasi në rajonin tonë ushtria ruse ende godet me artileri dhe raketa. Besojmë deri në fund të muajit do të çirojmë Khrarkovin dhe qytezat rreth tij nga ushtria pushtuese”- thotë ajo.
Volodomiri, ka qëndruar së bashku me familjen e tij për 45 ditë në bodrume për ti shpëtuar rrezikut të bombardimeve.
“Jemi mësuar me zhurmën e luftës, zhurmën e raketave dhe bombardimeve. Është mësuar dhe djali me sakrificat tona Dhe gjithë fëmijët po kështu. Duam vetëm të çlirohemi sa më shpejt dhe të nisim rindërtimin e vendit- thotë ajo.
Rrezet e diellit shqiptar i bien ndër flokë duke iu dhënë atyre kuptimin e kallëzave të pjekura të grurit. Duke pulitur sytë që edhe në mbyllje krijojnë një rrezatim miqësor, ajo përmend vendbanimin e saj Kharkovin.
“Në rajonin tonë ka një numër të konsiderueshëm rusishtfolës. Por ata nuk e duan pushtimin rus. Duan Ukrainën. Khrakrovi është rajoni që Putini e do shumë, sepse ne kemi shumë të zhvilluar pjesën agrare sidomos energji industriale, fabrika për prodhimin e tankeve dhe aviacionit. Gjithësesi pjesa agrare mbetet shumë e fuqishme. Kishte shumë interesa Rusia ta merrte Ukrainën. Plani ishte ta pushtonte për dy ditë Sot ata nuk futen dot në Kharkov. Ai po dëmtohet nga raketat dhe infrastruktura po dëmtohet shumë.”-plotëson bisedën ajo.
Tetianën e shoqërojnë Drejtoresha e Drejtorisë së Përgjithshme e Politikave për Çështjet Vendore dhe Prefekturat në Ministri të Brendshme Alma Bime, Prefekti i Qarkut Fier Lefter Shehaj, Konsulli i Nderit i Republikës së Shqipërisë në Ukrainë z. Omarov Shahin, Konsulli i Nderit i Ukrainës në Republikën e Shqipërisë, z. Bledi Barjaktari.
“Ballafaqimi i Ukrainës me agresionin rus për të mbrojtur jo vetëm jetët dhe territorialitetin e saj por edhe kauzat e lirisë, paqes dhe vlerat e qytetërimit perëndimor, ka marrë admirimin dhe mbështetjen e fuqishme nga SHBA , BE , NATO dhe shumë qeveri të tjera nëpër botë .Qeveria e Shqipërisë ka manifestuar me një seri aktesh mbështetjen e fuqishme ndaj kauzës së lirisë, sakrificave sublime dhe luftës mbrojtëse të popullit Ukrainas” i thotë mes të tjerash Prefekti Shehaj.
Nënshkrimi i marrëveshjes
Në sallën kryesore të Godinës së Prefektit u zhvillua dhe ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit. Stafi i administratës kishte organizuar gjithçka në perfeksion.Mbizotëronin ngjyrat kombëtare të dy shteteve. Gjatë ceremonisë merrnin pjesë Drejtoresha e Drejtorisë së Përgjithshme e Politikave për Çështjet Vendore dhe Prefekturat në Ministri të Brendshme Alma Bime, kryetarët e Bashkive të qarkut Fier, kryetarja e Këshillit të Qarkut,Konsulli i Nderit i Republikës së Shqipërisë në Ukrainë z. Omarov Shahin, Konsulli i Nderit i Ukrainës në Republikën e Shqipërisë Z. Bledi Barjaktari. Kjo është hera e parë që nënshkruhet një marrëveshje e tillë në rang Prefekti. Në thelb të saj qëndron bashkëpunimi në fushën e bujqësisë, ekonomisë, arsimit agroturizmit etj.
Prefekti Shehaj e cilësoi këtë ditë pjesë të një ngjarjeje historike. “Ju gjetët kurajon dhe guxuat të shikoni përtej të sotmes së luftës, drejt Ukrainës së ardhme të paqes, të një vendi të rilindur nga hiri i gërmadhave.” thotë Prefekti Shehaj. Ndërsa nuk harron të falenderoj konsullin e nderit të Shqipërisë në Ukrainë, z.Shahin Omarov.
“Mirënjohje edhe për mikun e përbashkët të të dy palëve, atij që diti të zgjojë qasjen mes nesh, thelloj njohet tona dhe indentifikoj fushat me interes për bashkëpunim me përfitim reciprok”
Koha, në të cilën po nënshkruhet kjo marrëveshje, nuk është më e mira, madje për pesimistët është e pamundur, por pala mike dhe populli i Ukrainës, të bindur në drejtësinë e kauzës së lirisë dhe luftës së tyre mbrojtëse janë duke e parë vendin e tyre në të ardhmen, në paqe, të rindërtuar e shumë më të zhvilluar” shton zoti Shehaj.
“Me këtë marrëveshje i hapet rrugë perspektivës së mardhënieve mes rajonit Fier dhe Kharkov pas përfundimit të luftës. Ne po clirojmë territorin nga pushtuesit rusë- pohon znj Lutsenko. “Ne e kemi të qartë përspektivën tonë europiane” plotëson.
Ndërsa shton: “Është një dicka shumë serioze, Nuk është thjeshtë midis shteteve por edhe mes qyteteve dhe qytetarëve rëndëisa e kësaj marrëveshjeje Sepse të gjithë e dijmë si struktura shtetërore se cfarë duan bizneset dhe se si do të veprojmë në vijim, detyra jonë është të bashkojmë gjithë energjitë dhe mundësitë që të gjithë ata persona që jetojnë në rajonet e tyre të kuptojnë se cfarë projektesh ekonomike turistike dhe thjeshte ekologjike që ta bëjmë të mundur bashkëpunimin direkt mes tyre”.
Vizita në një biznes
Prej një jave në fabrikën e Vajit Fiol në Fier nuk ka më sasi vaji luledielli për përpunim. Gjithcka për shkak të luftës në Ukrainë. Pronari i saj Bajram Dine përpara nisjes së luftës ka bashkëpunuar me biznesin në rajonin e Khrakovit duke importuar sasi të mëdha vaji luledielli Dhe jo vetëm ai. Sipas tij sasia e vajit të lulediellit e importuar shkon deri në 45 mijë ton në vit. Ndërsa tani brenda fabrikës bëhët vetëm përpunimi i vajit të Ullirit dhe produkteve të tjera.
Ai e ngriti këtë shqetësim gjatë vizitës në këtë fabrikë të Prefektit të Qarkut Fier Lefter Shehaj dhe Kryetares së Këshillit Rajonal të Kharkovit Ukrainë znj. Tetiana Yehorova-Lutsenko.
“Ne kemi një bregdet të paparë dhe vaji ynë i ullirit- thotë biznesmeni ,-ka marrë cmime të para në Europë.Por shtoi ai “Ne kemi një problem të madh Duhet të marrim furnizim me vaj Luledielli me cmim të arsyeshëm, të mirë dhe të furnziojmë tregun, edhe të amballazhuar një kg apo 5 kg.
Por cila është situata aktuale sipas biznesmenit?
“ Ne e marrim nga Bullgaria, ata e marrin nga Ukraina dhe ne e marrim dorë të dytë apo të tretë duke rritur koston dhe çmimet- sqaron ai. Ne mund të marrim vaj që andej dhe të eksportojmë vaj ulliri e prodhime të tjera në Ukrainë- sugjeron biznesmeni,Bajrami.
“Ne prandaj jemi këtu thotë zonja Tetiana Yehorova –Lutsenko, për të hequr këto vështirësi. Ndaj dhe kemi lidhur sot marrëveshjen e bashkëpunimit mes Khrakovit dhe Fierit”.
Jashtë është mesditë. Dielli i Majit djeg. ”Është ndryshe këtu. Te ne luftohet. Ushtria jonë po mbrohet dhe çliron vendin. Dhe te ne pas lufte do të ketë shumë punë. Sepse jemi shkatërruar. Edhe zyra ime e shtëpia ime janë shkatërruar nga bombardimet. Edhe zyra konsullore shqiptare. Janë më shumë se 2 mijë pallate e shkolla e çerdhe të shkatërruara “tregon ajo, duke parë dikur në horizont, sikur të shihte atje perspektivën e Khrarkovit dhe Ukrainës, ndërtimet e reja të bekuara nga Zoti.
‘Shikojeni – shton,-“Unë sot jam përfaqsuese e këshillitarëve të mi. Kam marrë mbështetjen e tyre Ja dhe zberthimi konkret i kësaj marrëveshjeje Ndodhemi në një nga bizneset këtu në qytetin Fier.Para luftës Ai punonte me qytetin e Kharkovit, Kjo ishte për përpunimin e vajit duke patur parasysh që ne kemi luftë. Dërgesat nuk vazhdojnë më dhe po shikojmë që prej një jave nuk ka prodhim dhe unë si detyrë si kryetare e qyteti të Kharkovit e kam si detyrë të rregulloj këto marrëdhënie midis dy qyteteve dhe qytetit të Fierit dhe të garantoj gjithësesi që më qytetin tonë Khrakov ne të bashkëpunojmë lehtësisht “
“Kam shumë besim se ne kemi mjaft fusha ku mund të bashkëpunojmë ashtu si duhet Shumë nga studentët shqiptarë kanë një ofertë shumë të mirë për të vazhduar studimet universitare në Kharkov, po kështu edhe produktet e ullirit, vaji i ullirit, i cili është i vlerësuar për përdorimet familjare dher madje edhe në guzhinat prestigjioze. Duke qënë një vend me një natyrë ku ekzistojnë të katër stinët një vend që ofron turizëm gjithvjetor aq e vërtetë është kjo që ne jemi një ofertë e mirë turistike për qytetarët ukrainas, saqë shumë qytetarë ukrainas i kanë blerë apartamentet e tyre në bregdet dhe janë bërë kështu qytetarë sezonalë në shqipëri” thotë Prefekti Shehaj.
“Duam të falenderojmë qeverinë shqiptare për këtë. Duam të falenderojmë shqiptarët pasi jemi në dijeni që gjatë kësaj kohe ka shumë shtetas ukrainas që jetojnë në shqipëri Për ne është e rëndësishme që shqipëria na ka dalë krahëhapur në këtë beteje të tmerrshme”.
Mbrëmja është e bukur në Fierin e rilindur. Bar Pastiçeri Bleta, lokali në qëndër të qytetit, gumëzhin nga zërat e të rinjve. Tetiana dhe delegacioni që ajo drejton, nuk gjejnë fjalë të përshkruajnë pamjen “Bukur- pohojnë/ Këtu jeta vazhdon dhe kështu do të jetë edhe te ne. Dhe përpiqen të shijojnë kokteilet e përgatitura nga stafi i kësaj shtëpie mikpritjeje nën melodinë e muzikës, “Të ngremë një shëndet për shqipërinë dhe Ukrainën- thotë Prefekti Shehaj.
Rroftë Shqipëria dhe Ukraina”! uron Tetiana. Tingulli i këmbanës së kishës, dhe zëri i dalë nga minareja e Xhamisë aty afër iu qetësojnë shpirtrat e njëkohësisht zgjojnë kujtimet e paraluftës. Sepse tani në Ukrainë luftohet dhe në shpirtrat e tyre vazhdojnë të kumbojnë dhimbjet, tmerret,zhurmat e luftës,sirenat e alarmit, dhe shpërthimet e raketave
“
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply