Një shuplakë në formë Z-je, mbi fletën e votimit

Publikuar më 03. 06. 2017 nga Eno Shkëmbi
Poli Hoxha
 Te kryevepra e Gëtes, “Fausti”, personazhi me të njëjtin emër i nderuar nga populli i tij sepse kërkonte që ta çlironte nga vargonjtë e injorancës dhe varfërisë njëkohësisht, gjithsesi ishte i pakënaqur me kufizimet që kishte për të ndryshuar realitetin. Por pavarësisht vështirësive, ai ishte i vendosur në rrugën e drejtë. Prandaj e donin dhe ngjallte shpresa të mëdha. Ai ishte idhulli dhe fryma e të nëpërkëmburve, deri në ditën kur Mefistofeli, ose një prej djajve të shumtë që vërtiten në qiell dhe tokë, vuri një bast me Zotin për ta vënë në provë Faustin; se sa i vendosur ishte për të mos devijuar nga rruga e tij.
Në një prej shëtitjeve të përditshme me Vagnerin, Faustit i afrohet dhe nis ti fërkohet te këmbët, një qen “i përvuajtur” rruge. Si idealist dhe shpirtmadh që ishte, ai e merr dhe e fut në shtëpinë e tij. Qeni ishte vetë Mefistofeli, i cili më pas i kërkon Faustit, që nëse do që të jenë përherë bashkë, të nënshkruajnë një Marrëveshje. Sipas saj Mefistofeli zotohej, se do ti shërbente në këtë botë Faustit, për të ndriçuar dhe ndihmuar popullin, kurse ai të bëhej shërbëtori i tij në botën tjetër pas vdekjes. Pasi Fausti e nënshkroi këtë marrëveshje duke qenë i bindur se po sakrifikonte jetën e dytë, të ardhmen, për hir të së tashmes dhe njerëzve që e adhuronin, Mefistofeli e çoi në një pijetore ku i tregoi në realitet, se çfarë është “jeta e vërtetë”. Se idealet e mëdha janë një lugë bosh, për ëndërrimtarët budallenj.
Pastaj kësaj, Mefistofeli e mori për dore Faustin e trullosur dhe e çoi në bodrumin e pijetores, ku i dha për të pirë eliksirin e jetës, që ai të shijonte sa më gjatë, përfitimet dhe kënaqësitë materiale.
Kjo fabul gjeniale e Gëtes, më është kujtuar shpesh pas marrëveshjes Basha-Rama. Pragmatizmi i asaj marrëveshjeje, që shoqëroi mbylljen e kauzës për zgjedhje të lira dhe rrëzimin e sistemit që ka drobitur këtë vend për 27 vite, të kujton eliksirin e Mefistofelit.
Nuk dihen ende arsyet e vërteta, se përse Basha e piu atë në “bodrumet” e Kuvendit, por një gjë tashmë është e sigurt; përfitimet, të mirat e jetës reale janë të garantuara, kushedi edhe për sa kohë. Lufta tani bëhet, për sasinë dhe cilësinë e shpërndarjes së këtyre “kënaqësive të jetës”. E ardhmja “në parajsë” u shit dhe ata që besonin se “Fausti” do të ndërtonte një digë gjigante për të ndryshuar njëherë e mirë këtë tokë të helmuar nga batakçinjtë, e gjejnë veten si pula të trullosura.
Fryma që shpërndau për 3 muaj rresht “Çadra”, u katandis në betejë listash dhe “hajde debato në TV, po ta mbajti”. Kurse Republika e Vjetër u modifikua, në Republikën e Batutave.
Në pikën e fundit të marrëveshjes u vendos një karrem, për ata “Faust” që janë në dilemë, apo ende refuzojnë të pranojnë, se e gjitha ishte një lojë-pazar. “Palët premtojnë të bashkëpunojnë pas zgjedhjeve, për të hartuar: Reformë Kushtetuese; Reformë Zgjedhore, përfshi futjen e teknologjisë elektronike”, thuhet aty. Premtojnë? Cilat janë këto pale, që po premtokan? Ato që 24 orë përpara se të shtrëngonin duart, ju përbetoheshin shqiptarëve se do të zhduknin njëri-tjetrin nga skena politike, si “e keqja e madhe”?! Asnjë afat kohor, se kur do të bëhen këto reforma. Zero detaje, se mbi çfarë modeli dhe parimesh do të realizohen.
 
Kjo mjegull e lënë enkas kështu për thelbin e asaj që bëri popullin të ëndërr ojë, po bën që për herë të parë në historinë plurale të këtij vendi, dita e zgjedhjeve të afrohet nën një atmosferë hutimi dhe zhgënjimi. Beteja e ndryshimeve radikale është katandisur në një skenë, ku dy të mëdhenj kanë vendosur një butak më të vogël në mes dhe po i zhvasin dhjamin, që ja shtuan vetë për 8 vite; për ta rikthyer te palat e barqeve të tyre të stërmëdhenj. Pas marrëveshjes Rama-Basha, 45.5% e shqiptarëve (Sipas të dhënave më të fundit të Bankës Botërore) do të vazhdojnë të jetojnë, edhe për një kohë që nuk i duket fundi, me më pak se 5 dollarë në ditë. Ndërkohë edhe vende si Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia janë në nivele shumë herë më të ulëta të varfërisë, krahasuar me ne që nga ana tjetër jua kalojmë me një shtresë të vogël por tejet të dhjamur, milionerësh.
Në këtë situatë, dje u shfaq si rrufe në qiell të hapur Koço Kokëdhima, me një propozim për militantët-pula të trullosura, idealistët, skeptikët, të zhgënjyerit dhe dilematikët. Ai jep një alternativë, se si duhet të veprojë populli votues me këtë klasë politike, që vazhdon të tallet pafundësisht. “Si duhet të veprojnë këta njerëz? I ftoj të gjithë këta qytetarë që shkojnë në zgjedhje të detyruar t’i vënë një Z të madhe fletës së votimit. Një Z që e mbulon gjithë fletën. Ajo Z-ja mund të lexohet në shumë mënyra si p.sh. Zero, Zuzar, Zullumqar, Zagar etj. Dikush tjetër mund ta lexojë si Zorro. Unë ju këshilloj ta lexoni si ZGJIDHJA. Një Z të plotë në fletën e votimit dhe ta bëjnë të pavlefshme atë. Të japin një votë refuzimi dhe një votë proteste”, shpall Kokëdhima një alternativë, që duket se këto ditë po e mendon shumica e shqiptarëve. Ne do të shtonim; që edhe të fikin telefonat për koordinatorët e partive që kur të qepen nuk të ndahen me oferta si përgërja pas këpuce; të mos dalin fare nga shtëpia, të shohin një film aty me fëmijët, apo ta kthejnë të dielën e 25 Qershorit, në ekskursion relaksues.
Kokëdhima propozon një Z të madhe mbi logot e partive, në fletën e votimit si; Zuzar, Zullumqar, Zagar apo Zorro…Por ajo mund të jetë, edhe M e madhe si Mosmirënjohës, H si Hajdut, K si Kriminelë e të Korruptuar, apo një ZH shumë e madhe, tej e tej faqes si; Zhdukuni. Sipas shifrave zyrtare të marra nga KQZ, në zgjedhjet e fundit të zhvilluara në vitin 2015-s, morën pjesë vetëm 47 për qind e votuesve, ose rreth 200 mijë votues më pak se në ato të vitit 2013. Kjo lëvizja e Kokëdhimës; një shuplakë në formë Z-je mbi fletën e votimit në fakt ka kohë që ka filluar nga vetë populli, në mënyrë të paorganizuar. Ata në shumicë, zgjedhje pas zgjedhjesh, refuzojnë në mënyrën e tyre individuale këtë klasë politike.
Me Z apo ZH mbi fletën e votimit; duke qëndruar në shtëpi, apo duke shëtitur si në një ditë të zakonshme pushimi, ata gjithsesi janë shumica. Veçse pas 25 Qershorit kjo lloj shuplake duhet numëruar mirë, sepse sipas të gjitha gjasave do të jetë uragan. Kur Rama me Bashën të kujtohen për Kushtetutën e Re, kjo “votë” duhet të përfshihet aty me një nen të thjeshtë: Zgjedhjet kur më shumë se 50% e votuesve refuzojnë të shkojnë, apo prishin fletën e votimit, cilësohen të dështuara dhe të pavlefshme. Nuk përfaqësojnë shumicën e popullit dhe pikë!
Marrë nga syri.net