Një shtet në këmbë rastësisht

Nga Dr. Sulejman Abazi

Ka një kuptim krejt të kundërt ajo që ka bërë Orban i Hungarisë, për ta ruajtur shtetin dhe shoqërinë nga lobet dhe ideologjia neoliberiste-globalitariste. Në krahasueshmëri, me platformën që po ndjek kryeministri i Shqipërisë në 5 vitet e qëndrimit të tij në pushtet, është shumë larg këtij vlerësimi, të cilin do ta dëshironim edhe ne shqiptarët. Në disa dalje publike të kreut të Lëvizjes “Zgjidhja”, në mënyrë të argumentuar, të bazuar në faktet dhe analizën serioze, alarmi po jepet gati çdo ditë për opinionin shqiptar.

Me argument, po denoncohet mënyra e mbrapshtë dhe e detyruar e qeverisë, (po e theksoj; e detyruar, sepse nuk ka rrugëzgjdhje tjetër), për ta çuar vendin drejt kolapsit financiar dhe ekonomik. Kujt do t’ia faturojmë fajin për këtë situatë të rënduar; shtetit, pushtetit, individëve nën përgjegjësitë kryesore shtetërore, sistemit apo modelit që kemi zgjedhur në këto 28 vite?!

Kjo pyetje që shtrojmë ka lidhje të drejtëpërdrejtë më Sigurinë Kombëtare. Kapitullimi i shtetit konsiderihet tragjedi kombëtare. Paradoksi i të qënit shtet anëtar i NATO-s, këtu fillon rrugëtimin e tij kokëfortë dhe skandaloz, të cilin po e keqpërdorin shtetarët tanë. Të rrezikosh sigurinë kombëtare nëpërmjet falimentimit ekonomik dhe financiar, kolapsit politik dhe social, dhe përplasjeve të mundshme në destabilizimin e vendit, nuk besojmë se është ndonjë mundësi e pamundshme. Kjo situatë po na troket në derë.

Paralelisht, është e vështirë të përballesh sot me një sistem mediatik përgjithësisht të kapur dhe komanduar, i cili nuk lejon, përkundrazi mundohet të mbulojë dhe të justifikojë të gjithë rrugët e gabuara, dështimet, pasojat e rënda, për mënyrën se si Shqipëria po trasformohet, duke ecur “si breshka” dhe duke humbur çdo ditë nga fuqia e saj shtetërore e kombëtare. Sipas pretendimeve të shtetarëve dhe pushtetarëve, gjithçka po bëhet “në emer të zhvillimit ekonomik”, “të reformave”, dhe siç thotë populli me sarkazëm, “e tërci e vërci”. Mediat e rreshtuara kundër negativiteteve që shfaq koha, e dinë vet më mirë se si përballen me egërsinë dhe arrogancën e shtetit. Fakti që mediat në Shqipëri, po e humbasin çdo ditë e më shumë besimin tek opinioni, nuk ka shpjegim tjetër. Ato janë rreshtuar në kampe kundërshtare, ku rolin primar dhe fuqinë e mbajnë shtetarët. Trajtova shkurt vetëm dy elementë, të cilët vendosen në bazën e themelit të sigurisë. Asgjë nuk e justifikon drejtimin autokrat të shtetit, të mbështetur mbi arrogancën dhe mungesën e trasparencës në vendimarrjen politike.

Në laboratorin politik të lëvizjes “Zgjidhja” po trajtohen me shumë përgjegjësi çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare, duke dalë jashtë steriotipit të një strategjie formale me karakter ushtarak. Gjendja e ekonomisë dhe financave të shtetit, mënyra e gabuar për rritjen formale të GDP-së në kurriz të taksapaguesve shqiptarë, rritja e borxheve, varfërimi dhe zbrazja e vendit nga popullsia, konflikti i ashpër politik që po rrezikon qëndrueshmërinë dhe produktivitetin e institucioneve, nxitja e frymës së konfliktit mes shtresave sociale, zvarritjet e qëllimshme në verifikimin e sistemit të drejtësisë, pra, mjaft element delikat të jetës së vendit, nuk justifikojnë paradoksalisht të qenit e Shqipërisë vend antar i NATO-s. Sot rreziku më i madh i destabilizimit të Shqipërisë nuk vjen nga kërcënimet dhe rreziqet e përcaktuara në mënyrë skrupuloze në tekstin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare. Doktrinarët dhe të interesuarit mund të merren edhe me Sirinë, Rusinë, SHBA-të, Iranin Turqinë dhe mirë bëjnë, por nuk duhet të harrojmë se, objekti ynë është Ballkani Perëndimor, shtetet fqinje dhe akoma më ngushtë, situata e brendshme e shtetit shqiptar.

Në një shtet ku politika nuk mban më përgjegjësi për papërgjegjshmërinë e saj dhe krimi po lulëzon, duke e katranosur “kronikën e zezë”, ku çdo ditë kemi 4-5 jetë shqiptarësh më pak, në një shtet ku fuqia kombëtare dhe shtetërore firon çdo ditë, për gjithçka mund të flasim, por për siguri dhe stabilitet nuk mund të flitet. Në Komisionin e Sigurisë të lëvizjes “Zgjidhja”, sot guxohet dhe synohet drejt mendimeve konkrete, të strukturuara në mënyrë analitike shkencore, mbi sistemin politik dhe modelin që kemi zgjedhur dhe zbatojmë në këto 28 vjet. Po vazhdojmë të përballemi dhe t’i shërbejmë një sistemi politik dhe modeli të dështuar. Kushtetuta nuk po krijon barrier mbrojtëse ndaj rreziqeve të brendëshme. Aktualisht po ndodhemi përballë një rreziku që po cenon rëndësinë dhe vlerësimin e unitetit të shtetit dhe kombit. Në vetëdijen qytetare po troket nevoja jetike mbi bashkimin e forcave materiale e shpirtërore, për t’i shpëtuar kësaj situate kërcënuese.

Shurdhëria shtetërore është bërë tashmë pjesë e këtij rreziku. Nëse do të vlerësojmë Sigurinë Kombëtare, institucionet përgjegjëse, përfshi dhe Kryetarin e Shtetit, këtu duhet të nisin analizën dhe mundësinë e trasformimit, nëse vërtet dëshirojnë t’i sjellin diçka të mirë dhe serioze popullit dhe vendit tonë. Nëse nuk do ta bëjmë këtë ndryshim ne njerëzit e këtij vendi, nga kush tjetër do të presim që ta ringrem shtetin, që sot e mban në këmbë vetëm rastësia dhe autoriteti ndërkombëtar?! Sigurisht, kjo është një pyetje shumë e hidhur për njerëzit që e duan vendin e tyre, por më mirë kështu. Mbi këtë objekt delikat, do të vazhdojmë t’i përcjellim opinionit shqiptar rrugëzgjidhjet e mundëshme për t’i shpëtuar kolapsit dhe dorëzimit të shtetit. Shteti është yni, është i shqiptarëve, dhe askush që ka marrë përgjegjësinë e drejtimit të tij, absolutisht nuk ka të drejtë të ushtrojë autokratizimin dhe arrogancën, aq më tepër kur reagimi qytetar po shkon drejt rritjes së vetëdijes sociale dhe politike.

Kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare pranë partisë “Zgjidhja”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet