Një rend i ri i gjërave zëvendëson tjetrin

Publikuar më 30. 10. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Nasho Bakalli

Dje. Cili ishte urimi që armiqtë e Shqipërisë iu bënë dhjetoristëve, në vitin 1990, me rastin e ngjizjes të sistemit të ri politik qeverisës në Shqipëri? Bëhuni të fuqishëm dhe populli do  t’iu respektojë. Bëhuni të fortë me çdo rrugë: para;  influencë politike; dhunë brutale policore; vrasje, terrorizëm; lidhje miqësore;  femra; me çfarëdo lloj mjeti qoftë veçse bëhuni fuqiplotë. Mos gjalloni të çarmatosur, ndryshe do shuheni. Nuk mjafton të jeni të pavarur, nuk mjafton as të kurvëroni me të gjithë. Mjafton vetëm të mësoni si ti bëni të tjerët të varen prej jush. Kur të tjerët ta kuptojnë se ua dini pikat e dobëta, atëhere, ata do të ua kenë frikën dhe kështu do të bëheni të pushtetshëm; do të ndjeheni sundimtarë të vërtetë. Dhjetoristët e vunë këtë urim “vëth në vesh”, dhe, një pjesë e tyre u kthyen në sundimtarë të vërtetë .

– Këta, sot, e kanë braktisur ndjenjën e përkatësisë shqiptare, madje, edhe atë të një race superiore. Besojnë se i përkasin njerëzimit! – Janë të tjerë njerëz ata që veçantinë e tyre e shpërfaqin publikisht si shënjë refuzimi të pjeshëm apo të plotë të natyrës tyre njerëzore (përfaqësuesit e fesë). – Pjesa që mbetet, shumica, mban mbi vete shenjat e një prej racave, e cila pikaset në trupat e qytetarëve në mënyrë të atillë, pa dinjitet, saqë çdokush e ndjen në lëkurë të vet. Çështja më e rëndësishme që preokupon seriozisht tre bashkësitë e sipërshënuara, botën shqiptare, është cështja e mungesës të dallimit midis elitës humane dhe elitës barbare në politikë.

Barbar nuk është ai politikan që dallohet  totalisht nga ai human, kësisoj puna do të ishte e kollajtë, por është ai politikan tek i cili kashtiset gjithçka. Le të përziejmë, për shembull, të gjitha ngjyrat e natyrës në një telajo, dhe ngjyra që do të përftojmë nuk do të jetë as më shumë e as më pak po veçse “barbare”. Kështu janë shkartisur, 25 vitet e fundit, edhe në sistemin e drejtësisë: profesionistë, politikanë, intelektualë, plepistë, policë, marangozë, sekretarë, ftues, bodigardë, qeleshepunues, etj. Më çfarë mjetesh? Korruptive. Me ç’qëllim? Për të mbrojtur interesat oligarkike për pushtet të politikanëve, dhe, për pasurim vetiak të parerë. Prandaj edhe jurispudenca, si praktikë, në Shqipëri, është “barabare”.

Dhe “përplasja” midis pozitës dhe opozitës, për heqjen ose jo të imunitetit të deputetit  Saimir Tahirin, shkaktohet jo nga ekzistenca e diferencës kulturore pozitë- opozitë,  por, nga “fshirja e diferencës”. Që do të thotë se “përplasja” vjen jo nga pozicioni i opozitës për të qënë i ndryshëm nga pozita, por nga dëshira “mimetike”(për të imituar) ; nga humbja e diferencës te vet opozita. Konkretisht:  opozita, për arestimin e  Saimir Tahirit, u shkri me prokurorinë; në një kohë kur prokuroria është vetë objekt kryesor i Vettingut. Nonsens. Rregulli shkencor është, dhe  këshillohet, që: diferencimi strukturor i mendimeve dhe sjelljeve – si në dimensionin  vertikal ashtu edhe në atë horizontal – të shprehet nëpërmjet fërkimeve, ndarjeve, dhe ndeshjeve në marrëdhënie simbiotike ( me interes të ndërsjelltë e të dobishëm midis dy organizmave që jetojnë së bashku) midis atyre që kanë një pozitë (qeverisë), dhe asaj (opozitës) që rivalizon për ta arritur atë pozitë.

E pritmja. Një rend i ri i gjërave, zëvendëson tjetrin. Ndër  shekuj çështja kryesore të cilës i janë kushtuar pothuajse të gjithë shqiptarët ishte: ringritja e Shqipërisë. Janë bërë aq e kaq sakrifica, po ringritja e Shqipërisë nuk është arritur. Sepse në vendin tonë ka mbizotëruar barbaria politike, juridike. Gjithësesi. Unë besoj se Reforma në drejtësi do ndihmesojë ringritjen e Shqipërisë. Besoj sepse reforma u ndërmor nga qeveria, parlamenti, dhe mbështetet nga mbi 90% e qytetarëve. Dhe nga ndërkombëtarët, kryesisht SHBA. Ky masivitet po garanton edhe  sigurinë politike në vend. Si e garanton? Duke mos e kërcënuar; duke e lejuar qeverinë dhe parlamentin të kryejnë plotësisht funksionet kushtetuese përkatëse, dhe të bëjnë politikë gjithashtu. Politika po zhvillohet në pajtim me ndjenjat atdhedashëse të masave të gjëra popullore, dhe me interesat e tyre ekonomike. Ajo po kthehet në kapital për identitetin kombëtar shqiptar, në vlerat e të cilit besojmë. Ndërkohë mosbesuesit – ata që urimin,  shënuar në krye të këtyre rradhëve, e mbajnë vëth në vesh – po e  çojnë jetën në luksin e shfrenuar të korupsionit. Deri kur kështu? Derisa “Vettingu” të kopsitë dosjen personale për secilin mosbesues. Si shumë po vonon kjo punë? Eh, po ustallarët e Vettingut e dinë se: politikën s’ duhet ta shkruash me nxitim, dhe financat me padurim.

Që do të thotë se shifrat duhet të jenë fare të sakta, të përgjegjshme. Çfarë ka filluar të përmbajë secila dosje? Fjalime, betime, dekorata, heroizma, persekutime, burgosje, CV – të politikanëve, gjyqtarëve, biznesmenëve, etj.,? Jo. Aspak. Dosjet po mbushen me fatura financiare; kontrata shitblerje; çertifikata pronësie; vërtetime depozitash bankare në lekë, valutë të huaj, dhe metale të çmuara; deklarata huadhënie, huamarrje, dhurimi; etj., etj. Vetëm bazuar në fakte materiale Vettingu do të mund t’ua ndalë vrapin Al Capone-ve të diktaturës të proletariatit mbetur të tillë dhe në postdiktaturë; si dhe subjekteve kriminale – produkte të vet postdiktaturës. Kjo goditje pritet ti pastrojë elitat politike, ekonomike, ushtarake, gjyqësore shqiptare;  ti zëvendësojë përgjithësisht ato me gjak të ri; pritet që ta barazojë standardin profesional, etik, patriotik të rinjve me standardet e elitave të shteteve euroatllantike. Ky rend i ri i  do ta shembë “Agjëtarizmin”, sistemin e vjetër qeverisës në Shqipëri,  dhe do ti hapë plotësisht udhën rishoqërizimit të shqiptarëve në punë, dhe, nëpërmjet punës të begatshme për të gjithë. Kjo e fundit do ta afrojë demokracinë më pranë nesh ; do kthejë  lavdinë e kohëve të shkuara; dhe do mbrojë pa asnjë ekuivok interesat tona strategjike, dhe të aleatëve.