Një përgjigje për sulmin e kryeministrit

Publikuar më 26. 10. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Dritan Laci

Sot kryeministri i ç’fazuar nga intoksikacioni i agimeve pa gjumë, gjeti rast për të shfryrë edhe njëherë të gjithë dështimin e tij për tu bërë gazetar, ndaj punonjësve të medias që e prisnin si zakonisht jashtë dyerve te parlamentit. Me një urrejtje gati tashmë të mirëkuptueshme ndaj ëndrrës së tij të papërmbushur për tu bërë gazetar, ai që është zgjedhur për të qenë Kryeministër i vendit, na u shpërfaq sot jo si i tillë por si një batakçi Kryeministër. Ndaj edhe në këto pak radhë të mëposhtme gjej rastin ti drejtohem Kryeministër pikërisht me gjuhën e një ëndrre që se përmbushi dot kurrë.

I nderuar Kryeministër i Shqipërisë

Po të drejtohem me gjuhën që ti sigurisht nuk do të parapëlqeje të të drejtoheshin. Sigurisht që ti pret që unë të të drejtohem me të njëjtin tërbjet me të cilin ju kuturise gazetarëve sot ndërsa të prisnin si zakonisht jashtë derës së parlamentit. Jo, jo mos e prit këtë gjuhë, sepse nuk ta jap ta shijosh këtë kënaqësi, as si supë të ftohtë. Urrejtja nuk mundet kurrë të ndalojë urrejtjen, vetëm dashuria mundet. Zakonisht urrehen të ngjashmit dhe pikërisht këtu ndahemi sepse ne gazetarët nuk jemi të ngjashmit e tu. Ne të mirëkuptojmë përse i urren gazetarët, sepse thellë-thellë ti i adhuron ata. Për pak protagonizëm ti do jepje gjithçka që në këto momente të ishe në vendin e tyre. Por për dështimin tënd, ti nuk u bërë kurrë gazetar dhe pse përpiqesh në copa hartimesh tashmë të mësuara përmendësh të jesh i ngjashëm me ta. Është e kuptueshme qe ti urren gazetarët sepse ti urren Frojdin brenda teje.

Po kaq e kuptueshme është që ti urren gazetarët edhe sepse shikon te ta ëndrrën tënde të pamishëruar, për t’u bërë gazetar. Të dëgjoj çdo ditë në farsën ku je zhytur dhe bindem gjithmonë e më shumë se ti nuk urren thjesht gazetarët, por ti urren të vërtetën. Ti mendon se urren gazetarët por në fakt urren vetveten, sepse ndryshe nga ti, ata e vendosin kokën rehat në krevat. Ti e ke humbur kokën, sepse kokën tënde në tepsinë që kërkove ta kishe të gjithë për veten, tashmë ta kanë vendosur në sininë e tyre grupet e narkotrafikut. Ti i urren gazetarët edhe sepse pasi ikin nga ti ata mund të marrin frymë lirisht. Ti këtë nuk mund ta durosh. Ti i urren gazetarët sepse ata të shikojnë drejt e në sy, edhe kuptojmë shumë më shumë kur sytë e tu janë të nxirë nga netët e gjata pa gjumë. Ti i urren gazetarët sepse ata ta plasin në sy mortajën shfarosëse që ke mbjellë në Shqipëri në këto pesë vite, një vend që vazhdon të braktiset nga dita në ditë.

Ne të mirëkuptojmë kur na urren, sepse nuk të kemi trajtuar asnjëherë me dashuri. Kjo ta vlon urrejten. Të bën të tërbohesh. Të bën të tregosh brendinë tënde të vërtetë. Pikërisht atë që duam të njohim nga ti. Anën e errët, të pisët, të zezë si netët e vështira që po kalon. Sa të mban durimi. Sa i vërtetë je. Sa i kulturë je. Pikërisht për këtë, ti sot nuk e kishe me gazetarët. Por re në kurthin e tyre. Tregove se ke konvulsione. Të hante trupi si mola që ha rrobat. Fole si një dështak që nuk mund të përfaqësosh më shqiptarët. Sot ti na binde përfundimisht që je thjesht një kryeministër që je zhytur në dëshpërim të thellë. Tregove; jo me gazetarët që marrin një rrogë modeste, se ata rrojnë ndershëm; por përballë shqiptarëve se nuk ke më dinjitet. Edhe ata pak që besonin në fillimet e punës tënde si kryeministër, duhet ta kenë humbur besimin te ti.

Sepse ti sot nuk ke më aleat shqiptarët. Ti shqiptarët i fute ne burg për një tufë presh apo për një faturë energjie të papaguar, ndërkohë që majme me afera korruptive oligarkët e oborrit tënd. Ti nuk ke më aleat shqiptarët, sepse zgjodhe ti largosh. Ti nuk ke më aleat as drejtësinë, sepse sot kishte rastin më të mirë për të treguar se me të vertetë e doje drejtësinë, por zgjodhe të shitesh te narkotrafikantët.
Ndaj i dashur z. Kryeministër në dëshpërim i Shqipërisë je plotësisht i mirëkuptuar në urrejtjen tënde patologjike të pashërueshme ndaj gazetarëve. Sepse ata nuk janë si ti. Sepse ata në fund të ditës nuk çojnë drogë në shtëpitë e tyre, por çojnë ca dinjitet më shumë se ti. Dhe nesër historia nuk do ti tregojë me gisht si ti, ndaj je i mirëkuptuar në urrejtjen tënde ndaj tyre… marrë nga Opinion.al