Një ekspozitë me elemente bashkëkohore, frymëzuar nga etnografia shqiptare! (FOTO)

Foto 1 nga 4 Pas Para

Nga Valeria Dedaj

Artistja prezantoi për publikun ekspozitën “Psalm”. Janë 29 vepra të qëndisura me dorë në katër vite, të frymëzuara nga motivet etnografike dhe realizuara në fill ari dhe argjendi. Nuk mungojnë 14 lloje shqiponjash, të marra nga flamujt shqiptarë, por as elementet e kostumeve tradicionalë të Beratit dhe Elbasanit

Pas përfundimit të ciklit 5-vjeçar për Tekstil dhe Modë, Egla Memaj, ka marrë iniciativën, që punën e saj 4-vjeçare ta ekspozojë në ambientet e galerisë së Fakultetit të Arteve Pamore.

Është një punë, që i rrjedh nga shpirti, një punë, e cila është influencuar pas vizitave të saj të kahershme në Muzeun e Beratit, e cila që është rritur dita-ditës brenda saj.

Simbolet më të rëndësishme kombëtare, të cilat zënë një vend të rëndësishëm në historinë e vendit tonë, Egla i ka ndërthurur me teknikën e qëndismës, në fije ari dhe argjendti, në ekspozitën personale “Psalm”.

Teksa e quajmë artiste të re, plot modesti Egla na ndalë për të na thënë se për të merituar këtë emërtim është ende herët, sepse i duhet të bëjë dhe shumë punë. “Një ekspozitë nuk mjafton”, thotë ajo. Megjithatë, 29 punime të qëndisura në fije ari dhe argjendti, që artisja i flet të ardhmes, duke u mbështetur tek e shkuara, nëpërmjet motiveve etnografike nuk janë pak.

“Janë 14 flamuj historikë. Shqiponja është marrë nga flamujt që janë përdorur ndër vite, si flamuri i Mirditës, flamuri i Ismail Qemalit, i Faik Konicës, nga flamujt që kanë qëndisur dy vajzat pogradecare, për dëshmorë apo patriotë të kombit tonë, nga flamuri i Shkodrës dhe nga stampime të ndryshme”, shprehet artistja e re, Egla Memaj. Qëllimi kryesor i Eglës është që kjo traditë të mos mbulohet nga pluhuri i harresës! Prandaj, gjithçka është realizuar me dorë!

“Përzgjedhja është Himni i jetës. Egla ka bërë një hulumtim të kujdesshëm mbi flamujt tanë të vjetër, që i ka marrë edhe i ka riqëndisur. Nuk mungon as një sënduk martesor i papërlyer dhe të tjera vepra në gjergjef”, shpjegon kuratorja e ekspozitës, pedagogia Najada Hamza.

Egla, për herë të parë punët tuaja u ekspozuan për publikun e gjerë. Por, cila është zanafilla e krijimtarisë suaj, para se të arrinit tek 29 punime, të derdhura në fije ari dhe argjendi?

Kjo punë zë fill kur kam nisur universitetin. Praktikat që kemi bërë në muze të ndryshëm, kanë bërë që tek unë të lindte dëshira për t’u marrë me etnografinë. Kujtoj, se kur kam vizituar për herë të parë Muzeun e Beratit kam ndjerë diçka brenda vetes, që ka ndikuar aq shumë tek unë, saqë të merrem me këtë pjesë dhe pas shumë viteve. Kështu kam vazhduar gradualisht, duke trajtuar tema të ndryshme, detyra, diplomë etj., derisa gjithçka vazhdova ta zhvilloj edhe pas studimeve. Më tepër, duke zbërthyer motivet e zonave të ndryshme, në brendësi, duke hequr funksionin e simboleve nga veshjet tradicionale dhe duke i sjell në një funksion më bashkëkohor.

Në galerinë e Fakultetit të Arteve Pamore prezantova 29 punime, pjesa më e madhe e tyre të influencuara nga kostumet tradicionalë të zonës së Beratit dhe Elbasanit. Ndërsa, një pjesë e veprave flamuj të ndryshëm, që janë përdorur në periudha të caktuara historike në trojet shqiptare, të cilët i solla në funksion më bashkëkohorë.

Është e vështirë, që brezi i artistëve të rinj të ketë vëmendje të madhe ndaj etnografisë. Veçmas në një moment, kur Pavijoni i Etnografisë në Muzeun Historik Kombëtar, është lënë pas dore. Ju, me çfarë materialesh keni punuar konkretisht, përveç ndikimeve nga Muzeu i Beratit?

Brezi im nuk e di sa është njohur me etnografinë shqiptare, por për mua kjo është eksperienca ime e parë, për të cilën kam punuar më shumë me arkivat e muzeut, duke fotografuar materiale, foto të vjetra, që janë veshje të shekullit të XIX. Edhe kështu gradualisht pasi pata në duar materiale të shumta fotografike përzgjodha disa elementë që më tërhoqën më shumë, që më impresionuan që në momentin e parë. Janë simbole, që gjenden në të gjitha veshjet tradicionale, si në breza, në jelekë, xhubleta etj. Janë flamuj historikë. Shqiponja është marrë nga flamujt, që janë përdorur ndër vite, si flamuri i Mirditës, flamuri i Ismail Qemalit, i Faik Konicës, nga flamujt që kanë qëndisur dy vajzat pogradecare, për dëshmorë apo patriotë të kombit tonë, nga flamuri i Shkodrës dhe nga stampime të ndryshme. Elemente të tjera janë; kulti i gjarprit, dafina, diell etj.

Cili është procesi kohor, që ju ka marrë një vepër për ta realizuar? Po, kostoja financiare?

Kjo varet edhe nga gjendja ime shpirtërore, sepse një punë me dimensione të njëjta, njëherë më merr më shumë kohë edhe njëherë më pak. Ndërsa, për koston financiare të një vepre, ç’të të them? Për mua është e vështirë, sepse materialet janë pak të kushtueshme, mbase për tjetri mund që mos t’i bëjë përshtypje. Megjithatë, unë e kam bërë këtë punë me dashuri dhe nuk kam ndalur shumë te kjo pjesë. E kam bërë me dashuri dhe me vullnet. Ndihem mirë, që punët e mia arritën të ekspozohen për publikun.

Thatë se këto vepra i keni punuar me dashuri! Por, a keni pasur një target grup të caktuar njerëzish, që mund të kenë interes për punën tuaj, gjatë kësaj krijimtarie?

Nuk është se kam bërë plane. Gjatë procesit të punës, kam qenë atje vetëm duke punuar, pa e menduar aspak, që këto vepra do t’i bëj për t’i pëlqyer dikush apo për të shitur. Kam bërë një punë që e dua shumë.

Sot që ne flasim, cila është lidhja juaj me etnografinë?

Pasi dëgjoja që etnografia po zhduket edhe njerëzit nuk merren më me të, unë e ndieja që duhet të risillja diçka, që ishte lënë në harresë. Në muze kam bërë kërkime dhe gjendeshin shumë pak materiale fotografike apo veshje, që ne i kemi pasur. Por, duhet që të theksoj se unë nuk jam marrë shumë me pjesën e historisë së etnografisë shqiptare.

Dhe së fundmi, tashmë që kjo ekspozitë u finalizua, a keni një objektiv tjetër? Do të vazhdoni, që të merreni ende me këto tema?

Patjetër! Do të vazhdoj që të merrem, po me teknikat e tekstilit edhe të qëndisjes. Temat, që do të realizoj do t’ja lë kohës. Dëshira ime është që punët të pëlqehen, edhe nëse dikush do të ketë dëshirë për t’i blerë, do të jetë një gjë e mirë.

Të tjera

Abissnet