Një dritare e “qorruar” dhe një germë e “shuar” për diasporën

Nga Abdurahim Ashiku

“Radio-televizioni Shqiptar siguron një kanal transmetimi me program radioteleviziv për diasporën…” Është kjo fjalia kryesore në nenin 13 (pika 1) të “Projektligjit  Për Diasporën”. Mësohet se kanali i transmetimit me program televiziv për diasporën është hapur dhe ka numrin 3 në pesë kanalet e Televizionit Publik Shqiptar. Nuk e gjen në kanalet televizivë të paketës Digitalb që përcillen në rrugë satelitore. Në paketë përcillet vetëm kanali TVSH-tokësor. Kjo ndodh në një kohë kur në paketat televizive satelitore çdo ditë “mbin”  nga një kanal i ri privat me anësi sa nga njëri krah në krahun tjetër të politikës shqiptare. Vetëm kanali televiziv për diasporën nuk duket asgjëkund. Për të mos fshirë gjithçka me fshesë pohoj se me “mund” e me “mundësi” edhe e gjen.

Kështu më ndodhi kur një miku im gazetar më njoftoi se kanali 3 i Radiotelevizionit shqiptar do të jepte një film dokumentar me skenar timin, me kamerë dhe regji të tij e me mbështetje financiare të një biznesmeni vlonjat, dokumentarin “Vera-mësuesja e dy ishujve”, një tregim i gjallë për një mësuese vullnetare të gjuhës shqipe me banim në ishullin grek të Tinosit që pasi kish mbledhë 72 fëmijë dhe u jepte mësim se si ta shkruajnë, lexojnë e këndojnë gjuhën e nënës, kaloi detin në një udhëtim afro dy orësh vajtje e po kaq ardhje dhe hapi edhe në ishullin e Siros një klasë me fëmijë të emigrantëve.

U gëzova që pas afro katër vjetësh prodhimi i dokumentarit më në fund një televizion shqiptar hapi një dritare 33 minutëshe për të përcjellë këtë vlerë të madhe të mësuesve vullnetarë që pa asnjë shpërblim material e moral, pa mbështetje ligjore, i kanë hyrë tash 17 vjet punës si rilindësit e moçëm që i kënduan dhe luftuan për gjuhën shqipe. E pyeta, me që ai kishte dorëzuar filmin, madje kishte dhënë edhe një intervistë, se si mund ta shikoja. Më tha: “Pyet ndonjë që e di”. Nuk dija kë të pyesja ndaj menjëherë u futa në internet dhe klikova tek WWW.TVSH. Më dolën të gjithë kanalet nga kryesori tek të tjerët. Më doli edhe kanali 3. E gjeta rrugën ndaj prita ditën dhe orën që ta shoh. E pashë me ndërprerjet e zakonshme që të përcjellin kurdoherë valët e internetit. E njihja në detaje se e kam jetuar punën për filmimet e dokumentarit në disa ditë dhe në të dy ishujt dhe në udhëtimet nga njeri ishull në tjetrin. E kam edhe në disketë. Dikush që e iu përgjigj thirrjes në fb për ta parë, me siguri është mërzitur me ndërprerjet në internet duke mos e kap mesazhin e përcjellë në film, kësisoj vështirë që herë tjetër të klikojë në adresën e mësipërme për të parë “emisione nga diaspora”. Kanali televiziv nr. 3 për Diasporën po nuk doli të paktën si paketë satelitore e Digitalb, siç dalin shumë kanale private, është një “dritare  qorre” që nuk i vlen askujt. Ai mund të shihet vetëm në zyrat e TVSH apo e një rrethi të ngushtë gjeografik, mbase në të gjithë periferinë e Tiranës qytet. Një kanal televiziv për Diasporën me rreze veprimi në të gjithë kontinentet do “kryqe” që të jetë zë dhe figurë e mërgatës shqiptare. Nga zyrat e TVSH ai nuk mund të jetë i diasporës.  Për sjelljen e zërit dhe figurës së diasporës duhet më e pakta në kryeqytetet e vendeve ku ka mërgimtarë në numër të madh të ketë ekip televiziv të kompletuar dhe të mbështetur financiarisht nga buxheti i shtetit.

Televizionet private shqiptare kanë ekipe zëri i të cilëve nga sa shohim anon nga “kronikat e zeza” dhe thuajse asnjëherë nuk jepen vlerat e mëdha të mërgatës shqiptare. Një televizion për diasporën duhet të ketë fytyrën e saj, fytyrë që një këshill që e njeh atë ta programojë në detaje. E ndërsa “një kanal televiziv për Diasporën”, me zë e figurë tashmë po merr formë ligjore dhe është shkruar si pikë e veçantë, një nen në “germë të shkruar” është lënë mënjanë. E kam fjalën për një gazetë të printuar dhe në internet që do t’i hapte rrugë përcjelljes së jetës në mërgim nga vetë emigrantët, ngrirjes në germa të vlerave të mëdha, portreteve, reportazheve, përpjekjeve të një armate gjithnjë e në rritje të mësuesve vullnetarë për mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë (Gjë për të cilën foli dhe dha premtime në udhëtimet e tij në Greqi, Amerikë etj. ministri Majko. Gazetat private shqiptare janë të orientuara nga “kronika e zezë”, vrasjet, vjedhjet, përdhunimet… e dhjetëra emigrantëve që nuk përbëjnë as edhe një molekulë uji në krahasim me vlerën e miliona emigrantëve shqiptarë në botë.

Një redaksi në Tiranë, me gazetarë të përkushtuar, dhe zëra të shumtë të mërgatës shqiptare kudo në botë, do të sillnin aq informacion dhe vlera sa nuk mund ta marrësh me mend. Me përvojën e gazetarit tash 22 vjet në Greqi, përvojë si kryeredaktor, redaktor e bashkëpunëtor të disa gazetave që kanë dalë këto vite në Athinë (Emigranti, Gazeta e Athinës, Tribuna, E vërteta, Albania Press…) mund të deklaroj se po të hapesh fletët e këtyre gazetave gjen vlera që flasin për kohën kur u botuan por edhe për ditët e sotme. Vlera publicistike, letrare, shoqërore, historike përshkon faqet e tyre. Nga shkrimet që kam përcjellë në këto gazeta kam botuar 7 libra, katër ndër ta për shkollimin shqip të fëmijëve, dhe kam gati edhe dy libra të tjerë, një për gratë dhe vajzat shqiptare, këta “krahëkëputura e punë pa dukura”, këta heroina që ditë e natë pastrojnë shtëpi, mëkojnë fëmijë e pleq e plaka dhe të lodhura mblidhen në shtëpi për tu gatuar burrave e fëmijëve drekë e darka, dhe një libër për këngën shqiptare në mërgim në jehonën e saj që të ngre në këmbë e të ngjeth mishtë. Një gazetë shqip për mërgimtarët  do të ishte mbase më e kërkuara për të gjithë nga jugu në veri, më gjerë edhe jashtë kufirit shqiptaro-shqiptar, për të parë jetën e njerëzve të tyre në mërgim dhe për të shkëmbyer mesazhe jetike. Gazeta “Emigranti” në një kioskë në Tiranë pranë pallatit të kulturës dikur ka qenë më e shitura.

Një gazetë e shkruar dhe në internet për mërgimtarët do të ishte një linjë e gjallë komunikimi midis Ministrisë së Diasporës dhe emigrantëve shqiptarë, integrim i ndërsjellët që do të mbante gjallë jetën në mërgatë. Me siguri dikush nga “lart” do të thotë se si do të mbahet kjo gazetë në kushtet e ekonomisë së tregut kur investimi jo vetëm duhet të rikthehet por edhe të sjellë fitim. Pohohet zyrtarisht se çdo vit nga mërgata shqiptare përcillen në Shqipëri në rrugë zyrtare mbi një miliard euro. Kjo pa llogaritur paratë që hyjnë dorazi në adresë drejtpërdrejt të familjeve të emigrantëve. Veni një “taksë” “një për mijë” apo “një për dhjetëmijë”… (taksa të reja çdo ditë mbijnë e vegjetojnë), dhe daljen e gazetës e përballojnë vetë emigrantët. Diaspora, mërgata e vjetër dhe ajo e re (ende me identitet shqiptar) ka nevojë të “shkojë e të vijë”, të “marrë e japë”, të komunikojë me vend origjinën apo vendlindjen. Është koha që të zgjerohet traseja e këtij komunikimi në të gjitha rrugët, të vjetrat dhe të rejat.

Të tjera

Abissnet