Një ditë në lumin e Shalës (FOTO)

Foto 1 nga 5 Pas Para

Nga Neritan Gjergo

Një guidë ditore dhe ekonomike pranë vendeve të pashkelura në Malësitë e Veriut. Sot e quajnë Tajlanda shqiptare, dikur jetoi vitet e fundit Lekë Dukagjini

“Ai që lahet në Lumin e Shalës do të jetojë mbi 100 vjet”. Ky citat i shkruar në gravurën e njërit prej bizneseve të zonës, lexohet nga qindra turistë, vendas e të huaj që kanë shkelur aty pas një rruge të gjatë e të panjohur. Në fakt, është  një postulat në dukje epik, i cili i shkon përshtat eposit dhe legjendave të zonës. Uji i lumit, i cili gjarpëron mes maleve është i kristaltë, i ftohtë dhe tundues. Aty mund të mbërrihet vetëm me varkë, përmes liqenit Komanit, ku pikënisja është diga e tij, dhe më tej në një rrugë që zgjat afro 90 minuta të çon drejt e në zonën e paracaktuar nga agjencitë turistikë. Po bëhen 3-4 vjet që kjo zonë së bashku me grykën e Valbonës dhe Thethin përtej, po josh me qindra turistë vendas e të huaj, ndërsa ky fluks i madh njerëzish, po strukturon edhe biznese rinj e të qëndrueshëm.

Rruga

Një ditë është e mjaftueshme për të eksploruar lumin e Shalës, në rast se nisja bëhet nga Tirana. Nisja bëhet ende pa lindur dielli, në 6 të mëngjesit dhe ha rreth 2 orë deri në Vaun e Dejës dhe rreth 1 orë tjetër në rrugë të pashtruar për në pikën e nisjes së trageteve dhe varkave në liqenin e Komanit.  Pasi kalohet Vau i Dejës, edhe pse rruga është tronditëse, peizazhi përreth me liqene natyralë, kodra dhe fshatra të vegjël e balancon atë tronditjen që vjen nga gropat e rrugës së pandrequr prej vitesh. Në Koman, pas tunelit të ngritur në kohën e ndërtimit të hidrocentralit, një grup minitragetesh, të stilit aziatik, si ata që njohim prej filmave e dokumentarëve të xhiruar në Tajlandë e Kinë, janë gati për udhëtim.

Ishulli i paqes

Rrjedha e krijuar rishtas, pas ndërtimit të HEC-it në fund të viteve ’70 tashmë mund të quhet një habitat aq i natyralizuar, si prej dorës së Zotit a Big Bengut. Mes majash alpine rrugëtimi është i këndshëm, ku një grupim prej 25 vetësh, 90 % e të cilëve të rinj të moshës 20-30 vjet bisedojnë e këndojnë, pa dashur të përfillin shpjegimet e shoqëruesve të guidës. Në mes të rrjedhës, aty gjendet një ishull. Më i vogli në Shqipëri, i quajtur ishulli i Paqes, me formën e hartës së Shqipërisë, ai mban mbi vete një kryq të vendosur aty, nuk dihet se kur, në shenjë besimi dhe përuljeje ndaj Zotit, të cilët banorët e fshatrave përreth nuk e kanë mohuar as në vitet e komunizmit.

Blini i Lekës

Në kthesën që bën minitrageti, në orën 12:00, grupi e gjen veten të tokë, në vendin e quajtur Guri i Blinit të Lekës. Një vend i paqtë, ku sot në përshtatje me kohën ka disa shezllone, dy bar-restorante, një urë druri dhe disa kanoe. Gjithçka tjetër është e përjetshme, e virgjër dhe mahnitëse! Turistët ditorë deri në orën 15:00 mund të lahen, të ushqehen, të fotografojnë e të meditojnë. Më pas iu duhet përshëndetin ata që kanë ngritur aty kampingun disa ditor.

Legjenda

Lumi i Shalës është lumë, i cili buron rrëzë Alpeve Shqiptare. Ka një gjatësi prej 37 km prej burimit në majën e Radohinës e deri në Drin. Lumi Shalës dallohet me ujin e tij të veçantë ngjyrë blu e thellë. dhe shkëmbijtë e thepisur duket sikur prekin qiellin. Në lumin e Shalës do gjeni shumë bukuri të cilat është e vështirë të përshkruhen me fjalë.

Sipas gojëdhënave, Princi Lekë Dukagjini, prijësi i dytë më i rëndësishëm i shqiptarëve pas heroit Gjergj Kastriot Skënderbeu i kaloi vitet e fundit të jetës në këtë zonë, ku gjen emërtime të tij si për shembull Guri i Lekës, një pikë strategjike që sheh luginën, nga ku mendohej që Lekë Dukagjini ruante vendin nga ardhja e turqve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet