Një dibran në Lidhjen e Prizrenit

Nga Abdurahim Ashiku

Në vitin 1878, në krah të Abdyl Frashërtin, të Iljaz Pashë Dibrës dhe të shokëve të tyre që shkonin drejt Prizrenit ecte edhe Sheh Hysen Kuçi i Teqes së Dibrës. Bisedat me Abdylin në shtëpinë e tij, ngrohtësia e fjalëve që i jepnin jetë idesë së bukur për një Shqipëri të lirë nga pushtuesit osmanlinj, e ngritën peshë zemrën e Hysenit. I ati, Myslimi, i kishte folur shpesh për kryengritjet kundër turkut, për heroizmin e dibranëve në luftë me Hajredin Pashën më 1844, kundër të cilit kishte marrë pjesë edhe ai vetë, për luftërat e mëvonshme, që mbinin herë në njërën krahinë e herë në tjetrën në të gjithë Shqipërinë, duke i mbajtur zaptuesit vazhdimisht në grykë të pushkës.

Jeta në qytetin e Dibrës, që në atëkohë, ishte një ndër pikat kyçe të rrugëkalimeve për në Kosovë, Durrës, Elbasan, Gjirokastër, Janinë, Selanik etj., ambienti i teqesë të sektit bektashi, ku lindi dhe u rrit, sekt i cili “për hir të propagandës armiqësore që zhvillonte kundër Portës së Lartë, të tolerancës ndaj feve tjera dhe dallimit, që bënte midis islamizmit dhe kombësisë” (Histori e Shqipërisë V-I) do të formonin rrëkenë, që më vonë do të hapte rrugën e veprimtarisë patriotike të Hysenit. Nga ana tjetër, pritja dhe përcjellja në shtëpinë e tij të shumë udhëtarëve, të cilët në bisedat e tyre rrihnin mendimet përparimtare të kohës, mendimet plot bukë të Rilindjes Kombëtare, takimi disa herë me Abdyl Frashërin, vajtja në Prizren me të, marrja pjesë në mbledhjen patriotike, në Kuvendin e Dibrës dhe në mbledhjen e qershorit 1878 në Prizren, ku figuron edhe firma e tij midis shumë firmave të tjera; të gjitha këto do të shënonin hapa të tjerë të sigurt në veprimtarinë patriotike të Hysen Shehut, ose të Sheh Hysen Kuçit, siç njihet në qytetin e Dibrës dhe në tërë krahinën.

Në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sipas kujtimeve të bashkëkohësve, Hysenin e gjen në aktivitete të vazhdueshme në Prizren dhe në Dibër. “Mbas shkatërrimit të Lidhjes së Prizrenit – shkruan Ismail Strazimiri,- nuk u fik shkëndija kombëtare në Dibër, por filloi me u këndellë si prushi nën shpuzë, derisa kur erdhi koha shkëlqeu”. Në këtë kohë Hyseni ndiqet nga autoritetet turke, arrestohet dhe internohet. Më vonë kthehet përsëri në Dibër. Në dokumentet e kohës ai paraqitet si njeri i qetë, “në hall të vet”, që merret me teqenë e fenë e bile një fetar që ka përkrahur sektin, që i shkonte më për shtat Portës së Lartë, sektin Elveti. Por Hyseni nuk i zbatonte ritet e këtij sekti. Nuk mbante ramazan dhe kur ishte puna për të zgjedhur midis fesë dhe ndërgjegjes së tij ai ngrinte zërin: “Më mirë të bëjmë rrugën se sa të agjërojmë ramazanin” (Ishte fjala për ndërtimin e rrugës për Gostivar që kundërshtarët kërkonin, të mos bëhej në atë kohë sepse ishte ramazan). Hyseni, tashmë i formuar si Patriot, me ndjenjën e dashurisë për mëmëdheun do të kërkonte rrugë të reja për të çarë përpara. Lëvizja e gjerë për gjuhën shqipe, që siç shkruante dëshmitari bashkëkohës Ismail Strazimiri, kur flet për shkollën e Seit Najdenit dhe shkollat e tjera: “Kjo shkollë ishte krejt e mçeft, klasat e saj ishin izbat e errëta të dyqaneve dhe odat e mçefta të shtëpive…”. “Çdo fushë, livadh morën trajtën e një shkolle, ku mblidheshin grupe-grupe djemnia e re dhe mësofshin gjuhën e bekueme”.

Kjo lëvizje do të përfshinte edhe Hysenin bashkë me të vëllanë, Zylfiun. Shtëpia e tyre u bë dalëngadalë një qendër për mësimin e gjuhës shqipe. U hodhën edhe themelet për ndërtimin e një shkolle. Por autoritetet turke kuptuan qëllimin e bërjes së ndërtesës dhe dërguan zaptijet dhe e shembën. Autoritetet turke e kërcënuan Hysenin, se do ta arrestonin dhe internonin. Shkollimit të njerëzve me gjuhën amtare shqipe Hyseni do ti jepte pjesë nga jeta e tij edhe në vitet e mëvonshme e në veçanti pas vitit 1910, kur klubi i Dibrës mori iniciativën për të hapur 250 shkolla të reja shqipe.

Shpallja e Pavarësisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912, bëri që të realizohej ëndrra shekullore e popullit, që luftoi me heroizëm për liri e pavarësi kombëtare. Dibra jetonte çastet e gëzimit të pakufi për lirinë e shumë pritur. Por shpejt gëzimi u prish. Një hordhi tjetër sulmoi Dibrën. Serbia synonte të dilte në Drin, Prat e Qafë të Buallit për të krijuar një urë lidhjeje për synimet e saj të mëtejshme drejt Durrësit. Dibra e cila ndjeu në palcë barbarinë dhe tehun e shpatës së re, nisi të përgatitej për luftë. Në gazetat e kohës, me gjithë vështirësitë e komunikacionit dhe të ndërlidhjes, gjen një pasqyrim të mirë të luftës së dibranëve kundër pushtuesve serbë. Gazeta “G’iornale d’Italia” shkruan:  “Një notë zyrtare thotë se më 10 të muajit, ora 10 në mëngjes, u përpoqën shqiptarët me ushtrinë serbe afër Dibrës.

Lufta u ba e rreptë dhe mbajti gjer në mesditë…Shqiptarët, nja 6000, hynë në Dibër”. Hyseni në prag të kryengritjes ndodhet në Zerqan. Meqenëse njihte mirë qytetin dhe kishte influencë në banorët e tij, ai dërgohet nga kryengritësit për të organizuar popullin në kryengritjen që përgatitej. Kështu ai hyn ilegalisht në Dibër dhe nis aktivitetin. I biri, Haki Shehu (Kuçi) në kujtimet e tij në dorëshkrim, shkruan:  “Për sa i përket vrasjes së babës tim unë mbaj mend…Kishte kohë që baba nuk vinte. Një natë erdhi në shtëpi dhe ne fëmijët, shtatë vëllezër e motra, u gëzuam. Baba rrinte në dhomën nalt. Vinin njerëz dhe e takonin. Se çfarë bisedonin nuk e merrja vesh vetëm se mbaj mend mirë një ditë në mëngjes kur hapëm portën e oborrit dhe shikojmë se shtëpia ishte e rrethuar nga ushtria serbe. Ata hynë mbrenda dhe e arrestuan. Ne fëmijët filluam të qajmë. Mbas dy ditësh, në mëngjes ndigjuem krisma pushkësh. Babën e sollën kryengritësit, të Dibrës së Vogël dhe të Dibrës së Madhe që çliruan qytetin dhe e dëbuan ushtrinë serbe.

Më vonë kam marrë vesh nga xhaxhai dhe të tjerë se baba para se të vinte në Dibër ishte në Zerqan ku po përgatitej kryengritja e mbarë Dibrës kundër serbit. Baba erdh në Dibër për të ndihmuar në organizimin e kryengritje në qytet por spiunazhi e diktoi dhe e arrestuan së bashku me disa të tjerë. Prej këtyre u pushkatuan Ramiz Karafili, Numan Hasani, Sadulla Strazimiri etj. Pasi hynë kryengritësit në Dibër morën trupin e babës dhe e prunë në teqe. Mbaj mend se atë ditë e shoqëronin mbi njëmijë burra nga qyteti i Dibrës dhe mbarë krahina, pjesëmarrës në kryengritje..” (Fragmend nga dorëshkrimi i mbajtur më 10 shkurt 1978). Myslim Shehu, djali i Zylfiut, vëllai i Hysenit, lindur në vitin 1878, 35 vjeç në momentin e ngjarjes tregon…“Mixha asht vra më 1913. Vjeshtë e parë ka qenë. E mbaj mend kur erdh naçalniku dhe e lidhi. Më tha “Amanet fëmijët se janë të vegjël”. Mixha ishte i lidhur me kryengritësit dhe kishte ardhë në Dibër për të organizuar kryengritjen. Kur doli jashtë e futën në mes zaptijet dhe e çuan në këshlla ku e vranë bashkë me disa të tjerë. Kur erdhën kryengritësit mixhën e kishin vra. E prunë në shtëpi shumë vetë.

E varrosëm në tyrben e teqes. Tani e kanë hek vorrin prej aty se e kanë ba vendin shesh…” (Është fjala për qendrën e qytetit të Dibrës, lulishten e madhe ku sot janë vendosur buste të njerëzve që i dhanë nder e lavdi qytetit). Për qëndrimin burrëror karshi shovinistëve serbë të Hysenit dhe të shokëve të tij është shkruar në këtë kohë nga disa gazeta brenda dhe jashtë vendit si “Përlindja e Shqipërisë”, “Korriere delle Puglie”, “Kalendari kombiar 1914” etj. “Më parë se të vijnë luftëtarët në Dibër, – shkruan gazeta “Përlindja e Shqipërisë” Nr.13 Vjeshtë e Parë -1913 ushtria serbe burgoi tetëdhet veta nga parësia e vendit, me qëllim që t’i vrasin dhe të nesërmen. Kur u rradhuan për me i plumbos, i arritën Malësorët, andaj s’munden me i vra të gjithë, por veç pesë shpirt. Këta janë ata që ranë dëshmorë për lirimin e atdheut të vet, të cilëve historia meriton t’i shkruaj emënat e tyne për një kujtim të përjetshëm: Sheh Hyseni, Sadullah Strazimiri, Ramiz beu, Karafil beu, Numan Efendiu. U ndrittë shpirti”. Kryengritësit dibranë Sheh Hysenin dhe shokët e tij, që u pushkatuan nga serbët i gjetën para portave të këshllasë (kazermave).

Në varrimin e tyre morën pjesë mijëra kryengritës dibranë dhe banorë të qytetit të Dibrës. Ndonëse në lëvizjet demokratike të viteve njëzetë u bënë disa orvatje për ta përjetësuar emrin e Hysen Shehut, duke i dhënë nënprefekturës së Zerqanit emrin e tij, nderimet e merituara do ti jepeshin këtij aktivisti të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të Luftës për Liri e Pavarësi Kombëtare vonë, në 100 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit… Në muzeun e vëllezërve Frashëri fotografia dhe të dhënat gojore për Sheh Hysenin qëndrojnë krahas dokumenteve të tjerë të vëllezërve pishtarë. Fotografia e tij qëndron gjithashtu në muzeun e dëshmorëve të tjerë të Luftës për Pavarësi Kombëtare. Në kuadrin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të themeluar në Prizren Hysen Shehu (Kuçi) u dekorua me medaljen “ Për veprimtari patriotike”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet