Një demokraci parlamentare e dhunuar

Nga Sulejman Abazi

Ngjarja për zgjedhjen e PPP në Parlamentin e Shqipërisë la shije të hidhur për opinionin brenda dhe jashtë vendit. Një skenar që demonstroi papërgjegjëshmërinë e thellë politike, deri në rrugaçëri, me protagonistë të hershëm të kaosit dhe destabilizimit në jetën parlamentare. Kjo është e vërteta e gjendjes së politikës, shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Procedura e zgjedhjes së PPP, në kushtet e shkeljes së ligjeve kushtetuese, po shfaq hapur tendencën e kapjes së pushteteve dhe të diktatit ndaj tyre.

Nuk po futemi në gjykimin se, kush ka të drejtë dhe kush gaboi në këtë situatë komike, pasi bashkëpërgjegjësia ka fytyrën e lidershipit politik pa përjashtim, por në atë çfarë kuptuam, duke shkuar nëpër mendje skenat në Parlamentin e Kosovës, kur deputetët e “Vetëvendosjes”, përdorën gaz lotësjellës kundër qëndrimit të pushtetit për çështjen e demarkacionit.

Krahasimi nuk vlen vetëm për rastin ekstrem të veprimit, por gjykojmë për kauzën me të cilën dallohen dhe mund të justifikohen këto veprime ekstreme, të cilat në thelbin e tyre janë krejt të ndryshme. Gjithashtu, protesta e qytetarëve para parlamentit në mbrojtje të demokracisë, kushtetutës dhe ligjeve, nuk ka të bëjë me veprimet ekstreme të deputetëve opozitarë në sallën e Parlamentit. Opinioni shqiptar nuk do t’i kapërcejë lehtë këto ngjarje, kur kupton që po vihet në rrezik e ardhmja e shtetit dhe e shoqërisë, kur shikon se si bandat politike në grup, majtas e djathtas, po tentojnë pengmarrjen kolektive në të gjithë format, në emër të pushtetit dhe të ligjit.

Çfarë synimi kishte opozita të hënën në Parlamentin Shqiptar dhe cila ishte “kauza” e saj?! Kjo ia vlen të diskutohet. Ngjarja goditi rëndë demokraci parlamentare, të dhunuar nga pushteti dhe opozita. Kjo demokraci vetem emrin ka të tillë në Shqipëri. Ajo mbetet e dhunuar në mes të ditës, nën efektin e skiziofrenisë politike dhe mentale, të demonstruar rëndom nga disa figura të spikatura, të cilat pretendojnë të mbajnë apo nesër të marrin drejtimin e shtetit dhe të shoqërisë. Me sa duket “halli” i politikanëve shqiptarë është shumë më i madh se sa mendohet nga spektatorët e thjeshtë dhe indiferentë, që shtyjnë kohën kafeneve, apo që e përjetuan ngjarjen nga shtëpitë e tyre. Jashtë parlamentit pakica protestoi, por ama protestoi.

Opinioni duhet të mbështesë çfarëdo proteste demokratike, pavarësisht nga buron, duke synuar seriozitetin dhe të mos lejojë degjenerimin e saj për interesa të ngushta klanore dhe individësh. Kjo duhet të ndodhë në çdo rast, përndryshe në situata të tilla serioze dhe kaotike, populli do të vazhdojë të zvarritet dhe do të lëshojë vetëm lum fjalësh me sarkazmë, duke u pajtuar me gjendjen dhe duke e krahasuar thekshëm “konkurencën” e orëve të spektakleve të humorit. Në këtë mënyrë, jeta jonë e vështirë po merr trajta dhe forma, për të qarë dhe për të qeshur. Atëherë kujt t’i besojë opinioni shqiptar që pret ndryshimet?! Ku e ha hallin Lulzim Basha që po e shikon Shqipërinë me syzet e Edi Ramës? Çfarë e shtyn akoma deputetin Berisha në këtë moshë pleqërie, që vihet përballë gardistëve dhe ngjarjeve të tilla?  Çfarë tregon zelli i madh i “rrebelimit” të Monikës, sa të arrijë të dalë nga parlamenti zbathur pa çizme? Çfarë halli ka kreu i qeverisë, që çdo ditë po vazhdon ta vrasë shpresën e shqiptarëve, duke ia nënshtruar shtetin dhe pushtetin interesave klanore e personale? Çfarë pazaresh po vazhdojnë të bëhen në kurriz të interesave kombëtare dhe të nëpërkëmbjes së shtetit dhe dinjitetit të qytetarëve shqiptarë?

A thua vërtet këtyre “red bullëve” u “digjet” barku për drejtësinë, prokurorin dhe demokraçinë, apo më tej akoma, për shqiptarët e varfër dhe të lodhur nga kjo luftë politike pa principe politike dhe pa moral? Nëse shumica parlamentare e PS-së, tregoi paaftësinë e saj për të zgjidhur situatat politike me trasparencë, në interes të zbatimit të kërkesave të reformës, kjo nuk ka të bëjë me mungesën e dëshirës apo të vullnetit politik të shumicës së deputetëve, por me diktatin brenda saj, për ta kapur dhe këtë pushtet të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë. Në parlament qeverisja dhe shumica vepruan me kokëfortësi, deri në armiqësi, për të realizuar synimin e tyre për të kontrolluar pushtetin dhe pushtetet. E thënë shkurt, të tri palët e “red bullëve” në arenën parlamentare, përplasën fort brirët me njëri-tjetrin, për të marrë kontrollin e organit të akuzës, duke degjeneruar publikisht gjithçka. Por ka akoma për të thënë.  Në këtë situatë, ndoshta ka ardhur koha që të pranohet me kurajo që, në Shqipëri nuk bëhet më fjalë vetëm për krimin e organizuar, por për ekzistencën e një mafie politike, e cila duhe shfrytëzuar mundësitë financiare jashtë sistemit bankar, ushtron pushtetin e saj kriminal, që rezulton ta ketë kapur për fyti shtetin dhe shoqërinë.

Në ngjarjen e të hënës në parlament, PS-ja mban përgjegjësinë tërësore të kaosit të shkaktuar në vend, ndërsa PD dhe LSI humbën pikë në sytë e opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar. Kjo është e dhimbshme për elektoratin shqiptar, por më mirë ta kuptojmë kështu, për të mos u bërë pjesë e degjenerimit të shoqërisë, duke u distancuar nga njerëzit e inkriminuar që drejtojnë sot e 26 vite politikën shqiptare. Përballë nevojës së zbatimit të reformës në drejtësi dhe kërkesave të vettingut, protagonistët e dhunës dhe kokëfortësia kryeneçe e pushtetit, treguan hapur, frikën ndaj drejtësisë së munguar, ngushtimin e hapësirës së “lakut” dhe të kohës. Kjo është një arsye e mjaftueshme për të kuptuar, pse bandave politike u interesojnë vetëm ngjarjet, destabilizimi politik, zvarritja dhe shmangia e përgjegjësive politike, për të fituar kohë dhe për ta lënë fajin “jetim”.

*Kryetar i Departamentit të Sigurisë të partisë “Zgjidhja”

Të tjera

Abissnet