Një argument më shumë për “Voprio Epirin” apo…?

Publikuar më 24. 01. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Nasho Bakalli          

Diktatura e proletariatit, po ta përkufizojmë shkurt dhe thjeshtë, nënkupton aleancën e puntorëve dhe fshatarëve  në punë dhe luftë për ruajtjen dhe zhvillimin e fitoreve të arritura me grykën e pushkës kundër nazifashistëve dhe bashkpuntorëve të tyre… . Në këtë kuadër, një nderim i lartë i’u blatua heronjëve dhe dëshmorëve të luftërave për Shqipëri. Toka e parkut të varrezave të Dëshmorëve të Kombit, në Tiranë, mbante në gjirin e vet, deri në vitin 1991, eshtrat e gjithë  atyre individëve  sjelljet e të cilëve në raport me interesat kombëtare plotësonin kriteret e përcaktuara me ligj të veçantë të Kuvendit Popullor të RPS të Shqipërisë. Ligji i detyronte organet e partisë dhe ato ekzekutive të pushtetit vendor që të ndërtonin dhe mirëmbanin parqet e varrezave të dëshmorëve në të 67 qytetet e Shqipërisë, të asaj kohe. Organet e partisë dhe pushtetit kishin për detyrim ligjor edhe ngritjen e muzeve, busteve, lapidarëve e të tjera objekte përkujtimore që etiketonin emra individësh, grupesh partizane, dhe, që shenjonin vende apo beteja, etj., të luftrave për liri. Për të mos u zgjatur me historinë e lavdishme të heronjëve dhe dëshmorëve të kombit shqiptar, që kulmon me Gjergj Kastriotin Skënderbeun, dhe me përshkrimin e nderimeve të pakursyera kushtuar atyre deri në vitin 1989 – kur ra Muri i Berlinit – po e mbyll këtë “Hyrje” me atë  që studiuesi francez A-M Barres e ka përmbledhur në formulën e tij të famshme që është: toka dhe të vdekurit.

Toka jonë është mitëra e kombit shqiptar, dhe, në mënyrë që të sigurohet riprodhimi i racës shqiptare duhet që ajo të kryejë aktin e fekondimit me një farë shumë të çuditshme që janë: të rënët në fushat e betejave për liri, pavarësi, drejtësi, gjuhë, arsim, fe, kulturë… . Kështu, pra, kombi rilind jo vetëm nga femra, krijesa më e lartë humane që ka krijuar natyra, po ai rilind edhe nga gjaku i të rënëve në çdo pëllëmbë tokë të Shqipërisë, Kosovës… . Kombi ngjallet së vdekuri edhe nga varret e atyre shqiptarëve që në çdo segment të jetës tyre – përjashto tradhëtarët, por, përfshi indiferentët –  i janë përkushtuar me mjete civile rrojtjes dhe përparimit të Shqipërisë.  Varret e të gjithë këtyre shqiptarëve – me miliona e miliona në shekujt, shumë prej të cilëve nuk u dihen as emrat ngaqë koha dhe hapsira kanë bërë paprerë punën e tyre – janë dhe do të vazhdojnë përjetësisht të mbeten mitëra pjellore e bashkësisë etno-gjeografike shqiptare. Milonat e shqiptarëve të varrosur në tokën tonë janë – po e shpreh në mënyrë figurative – ushtarë që u sakrifikuan vullnetshëm me qëllimin për të qëndruar bashkë me tokën, si zëdhënës të tokës, përballë çdo aventure të mundëshme. Aventure!? Ja. Aventura më e fundit na erdhi pak ditë më parë, nga Beogradi, kur Ivica Daçiç, ministër i jashtëm i Serbisë shpërfaqi mes dynjasë afshin e vet shovinist me kumtin “Kosova është Jeruzalemi i Serbisë”. Duket shkoqur se pikpamjet zyrtare të drejtuesve të lartë të shtetit të Serbisë në bisedimet me shtetin e Kosovës, në Bruksel, nën kujdesin e Federika Mongerinit u përngjajnë atyre udhëtarëve që bujnë përkohësisht në një hotel. Të parët tanë kanë rënë për liri, deri në fund të Luftës Dytë Botërore, edhe jashtë trojeve shqiptare, për shembull, në Jugosllavi, Greqi, Itali,  Turqi, Egjipt e gjetkë e gjetkë deri në Amerikë. Po ky fakt nuk do të thotë se deri atje janë edhe kufijtë e Shqipërisë. Varret e të tjera shenja që mbajnë gjallë emrat e Boçarëve; Xhavellave; Kollokotronëve; Konduriotëve;  Bakallenjëve; të papëve të Vatikanit; si dhe të perandorëve romakë nga Iliria – një prej të cilëve ishte edhe Aureliani që besonte në kultin e Mitrës – janë objekte simbolike të cilat në pak raste shprehin  atë që studiuesit e huaj i quajnë hapësira shpirtërore e një  kombi,  dhe, në shumë raste atë që po prapë studiuesit i quajnë dukuri të komunikimit ndërkulturor.

Duke i’u drejtuar lexuesit, me sa këtu kam shkruar, unë po ngre vetëm një  çip të perdes, ose, të plotësimit të kërkesës shumë delikate – të autoriteteve shtetrore të Republikës të Greqisë – për shtimin dhe shtimin e numurit të varrezave të ushtarëve grekë në tokën shqiptare. Vendimi më i fundit i Këshillit të Ministrave të Republikës të Shqipërisë për ngritjen e varrezave të  reja të ushtarëve grekë rënë në tokën shqiptare gjatë luftës Italo-Greke në vitet 1940-1941, në parim, dhe më konkretisht pika 7 – ku shkruhet “Ministria e Mbrojtjes… të organizojë, në bashkëpunim me palën greke, ceremonitë zyrtare në përkujtim të të rënëve në luftë, çdo vit, në datën 28 tetor” – le të shpresojmë që të mos shërbejnë “një ditë të bukur” si atu që lidh varret e ushtarëve grekë me territorin ku ata kanë rënë për Atdhe. Po le të besojmë, bazuar te vlerat euroatllantike të lirive dhe të drejtave të njeriut,  se data 28 tetor e çdo viti do të shërbejë si melhem, pas 75 vitesh, për “qetësimin e shpirtërave”(sipas Nikos Kotzias) të pasardhësve të ushtarëve të vrarë. Amin. Në të kundërt, VKM në fjalë do të luajë as më shumë e as më pak vetëm rolin  fare pa rëndësi të një note të tetë muzikore në një melodi të stërvjetëruar.