“Nismën “3 lëndë në 6 orë” do ta zbatoj me skepticizëm”

Publikuar më 05. 02. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Lindita Bushgjokaj

Eksperti i kurrikulave në arsimin parauniversitar reagojnë për ndryshimin e orarit mësimor, duke e quajtur një program të pastudiuar, me ngarkesë psikologjikë për nxënësit si dhe një eksperiment propagande

“3 lëndë në 6 orë” është nisma më e re në arsimin parauniversitar, e cila nga 1 shkurti ka filluar të praktikohet në shkollat e vendit. Sipas parashikimeve të Ministrisë së Arsimit nisma i shërben lehtësimit të çantave, ku praktikisht marrin më pak lëndë në ditë, por nuk është parashikuar sa duhet ngarkesa psikologjike e nxënësve. Në disa shkolla që është vendosur në jetë nuk është përqafuar mirë kjo nismë, pasi është konsideruar si një strategji e pastudiuar, e pakonsultuar nga stafi pedagogjik dhe jashtë standardëve të një arsimi bashkëkohor. Fatmir Vejsiu, ekspert për arsimin parauniversitar ka ndarë shqetësimin e tij për këtë nismë në një interviste për “Shekulli”-n. Ai thotë se e shikon me skepticizëm programin e ri mësimor, pasi nuk bindet nga argumentet e institucioneve vartëse të MASR, si dhe rekomandon përmirësime të arsyeshme, si produkt i një komunikimi dhe konsultimi me stafin pedagogjik, tha ai.

 Z.Vejsiu, si ju duket nisma e re “3 lëndë në 6 orë” për arsimin parauniversitar krahasuar me programin e vjetër?

Nuk kemi te bëjmë me një Projekt, por thjesht me një nismë. Projektet, ndër të tjera kanë një studim paraprak dhe në mënyrë të padiskutueshme një pilotim. Argumentet e përdorura nga institucionet vartëse të MASR nuk janë bindëse. Po e argumentoj me disa raste: Nëse kurrikula e re, mbi bazën e kompetencave e kushtëzon një metodë të tillë, atëherë ajo do ishte zbatuar qysh para 4 vjetëve kur filloi eksperimentimi apo para 3 vjetëve kur filloi implementimi në të gjithë sistemin arsimor parauniversitar. Thuhet se nxënësi do ketë më pak detyra?! Ato do të zhvillojnë dy tema në një ditë dhe për secilën prej tyre, aparati pedagogjik ka parashikuar punën e pavarur, pra detyrat e shtëpisë. Nëse mësuesi do detyrohet të japë më pak detyra, i bie që mësuesit të mos jenë në gjendje të dinë nivelin e njohurive për nxënësit e tyre. Kjo do dukej qartazi në testimet tremujore apo në testimet e përfundimit të cikleve (klasa pestë, e nëntë dhe matura)

Si është pritur nga nxënësit kjo nismë në shkollën tuaj?

Shkolla është zbatuese e të gjitha akteve ligjore dhe nënligjore të MASR, ndaj dhe në shkollën tonë ka filluar puna me këtë lloj orari mësimor. Nxënësit?! Ato nuk e kuptojnë akoma, por mësuesit reagojnë. Jemi në pritje të eksperimentimit të kësaj nisme. Nuk mendoj se ishte e nevojshme, sidomos në mes të vitit shkollor.

Fakti që një lëndë zhvillohet dy orë ose më shumë në një ditë, arrin të përvetësohet mirë nga nxënësit apo sjell ngarkesë përtej kapaciteteve të tyre?

Pas daljes së kësaj nisme, jam interesuar të marr ndonjë informacion nga përvoja e të huajve në këtë drejtim. Nuk arrita të gjej asnjë orar mësimor të shkollave të vendeve me përvojë të cilat pretendojmë se i marrim si shembull, që të kenë këtë formë, si kjo që po aplikojmë ne nga data 1 shkurt. Nuk mendoj se kemi më shumë vizion apo rezultate se sa Finlanda.

Sa e përkrahni ju nismën “3 lëndë në 6 orë”?

Do ta zbatoj duke qene skeptik. Siç thashë me shtetin kemi marrëdhënie ligjore. Të gjithë mësuesit duhet të flasin e jo të duartrokasin.

Çfarë do të përmirësonit te ky program mësimor?

Këtë vit shkollor duhet ta mbyllnim ashtu si e nisëm. Mbase konsultimi me grupet e interesit, kryesisht mësuesit, mund të sillte përmirësimin e shpërndarjes së orëve të lëndëve, pa cenuar cilësinë e mësimit dhe jo si kusht parësor lehtësimin e çantave të nxënësve.

Albana Vokshi: Dija “peshon” më shumë se çanta!

Në Komisionin Parlamentar të Medias, nuk kanë munguar as replikat e ashpra ndaj Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla për nismën “3 lëndë në 6 orë”. Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë znj.Albana Vokshi, e cilësoi si një vendim të kryeministrit dhe ministres. Në një intervistë për “Shekulli”-n, ajo tha se komisioni Parlamentar për Arsimin është i shqetësuar për mungesën e konsultave me stafet pedagogjike si dhe thekson faktin, që ministrja e Arsimit znj.Linidta Nikolla ka refuzuar kërkesën e këtij komisioni për t’u njohur me dokumentin shkencor ku bazohet vendimi për të ndryshuar programin mësimor. Gjithashtu znj.Vokshi ka denoncuar hapur presionin që po ushtrohet ndaj stafeve pedagogjike për të zbatuar programin propagandistik, ku në vend të peshës së çantave bie “pesha e dijës”, shprehet me tej deputetja.

Znj.Vokshi,”, ju keni replikuar në Komisionin Parlamentar kundër nismës “3 lëndë në 6 orë. Cili është argumenti juaj?

“3 lëndë në 6 orë” është një eksperiment i rrezikshëm për sistemin parauniversitar. Komisioni Parlamentar për Arsimin është shprehur i shqetësuar për mungesën e konsultave me stafet pedagogjike dhe Këshillin Rajonal të Arsimit.“3 lëndë në 6 orë” është një nismë propagandistike, të cilën nuk arriti ta mbrojë në komision as vetë ministrja e Arsimit. Znj. Lindita Nikolla në abuzim “flagrancë” me detyrën ka refuzuar disa herë kërkesën e Komisionit Parlamentar të Arsimit për t’u njohur me dokumentin shkencor, ku bazohet vendimi për të ndryshuar Programin Mësimor në mes të vitit. Ministrja përdori manovra politike dhe turistike për të shmangur seancën e dëgjimore në Komision, por e detyruar nga Kushtetuta, ditën që u dëgjua në Komision me përgjigjet jo-profesionale dëshmoi se ”3 lëndë në 6 orë” është një Eksperiment “propagande !” Në komunikimet me mësues dhe drejtues shkollash në të gjithë Shqipërinë, përfaqësuesit e Partisë Demokratike në Komisionin Parlamentar të Arsimit kanë denoncuar presionet që ju bëhen stafeve pedagogjike për të zbatuar programin kaotik.

A mendoni se është një politikë lehtësuese e parashikuar nga Ministria e Arsimit?

Ministrja e Arsimit nuk ka asnjë parashikim për këtë projekt. Përkundrazi “3 lëndë në 6 orë,” referuar argumenteve të ekspertëve të Arsimit, do të dëmtojë cilësinë e mësimdhënies dhe është një dështim i paralajmëruar .

Çfarë ndryshimesh ka parashikuar në arsimin parauniversitar nisma 3 lëndë në 6 orë, do ketë rritje rrogash nga programi?

“3 lëndë në 6 orë” është një “ushtrim” që vë në pikëpyetje edhe njohuritë matematikore të çiftit propozues: Rama-Nikolla. Se edhe në komision të Arsimit, Ministres i kishte ngel pulti… tek “Pesha e çantave”, pa llogaritur të panjohurën që i bie në këtë rast të jetë “Pesha e dijes…”Ndërsa për rrogat, gazetarët e ekonomisë në “Koha Jonë” besoj kanë që në kohën e qeverisë “Berisha” që nuk shkruajnë për rritje pagash. Ndërsa sot, mësuesit i ke pa kontrata pune, nën presion dhe së fundmi mësuesve dhe edukatorëve u kërkohet të paguajnë edhe për milionat e palmave dhe pemëve që ngul dhe shkul Erion Veliaj.

A do ketë përmirësime në nivelin e njohurive të nxënësve apo e kundërta? Cilat do jenë pasojat negative të projektit?

“3 lëndë në 6 orë” është një projekt i padëgjuar dhe i papraktikuar në asnjë vend të botës e në shkelje të legjislacionit në fuqi. Ministrja Shqiptare e Arsimit nuk ka asnjë studim për zbatimin e programit të ri mësimor në klasat kolektive, në shkollat profesionale dhe në shkollat, ku mësimi zhvillohet me turne apo në mënyrë kolektive. Asnjë udhëzim edhe për programet individuale mësimore. Është një “lajthitje” me shumë gjasa për t’iu hapur rrugë projekteve korruptive në institucionet arsimore, siç kanë bërë me të gjitha shërbimet jetike.