“Nisma “3 lëndë në 6 orë” është dështim dhe do të rrëzohet”

Nga Lindita Bushgjokaj

Majlinda Keta, lektore e Filozofisë në Universitetin e Tiranës analizon ndryshimin e orarit mësimor në arsimin parauniversitar. Pse është e bindur në dështimin të plotë të nismës së qeverisë dhe kritikat ndaj qëndrimit militant të drejtorëve të arsimit pro nismës së aplikuar në mes të vitit shkollor

Nisma “3 lëndë në 6 orë”, e cila, nga dita e hënë, nisi zbatimin në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar ka krijuar një atmosferë diskutimesh dhe qëndrimesh të ndryshme nga ekspertë arsimi, mësues, prindër dhe nxënës. Ka pasur reagime pro dhe kundër nismës, por kësaj herë gazeta “Shekulli” sjell një analizë të plotë të nismës nga znj.Majlinda Keta, lektore filozofie në Universitetin e Tiranës. Në këtë intervistë, znj.Keta tregon problematikat e arsimit shqiptar, dështimin e Institutit të Zhvillimit të Arsimit dhe arsyet se pse nisma “3 lëndë në 6 orë” është një dështim i qeverisë, e cila shumë shpejt do të rrëzohet nga një nismë e dytë nga prindërit, nxënësit dhe mësuesit. Ajo tha gjithashtu, se programi i ri mësimor është e papilotuar, e cila nuk ka asnjë referencë nga raportet e të huajve për arsimin në Shqipëri.

Znj. Keta, si ju duket nisma e re “3 lëndë në 6 orë”, e cila prej ditës së djeshme është praktikuar në gjithë arsimin parauniversitar?

Nëse do të quhej projekt do të ishte më mirë, pasi palët do të respektonin kërkesën për pilotim dhe kjo do të amortizonte deri diku pasojat e ndërhyrjes së pajustifikuar në mes të vitit shkollor. Referuar “Fishës sqaruese për zbatimin e NISMËS “Tri lëndë në gjashtë orë” “, botim i Institutit të Zhvillimit të Arsimit(IZHA) më dt 15.01.2018 ajo cilësohet nismë. Një term i tillë në historinë e zhvillimit të arsimit pas viteve 90’ lidhet kryesisht me aktivitete edukative extra kurrikulare, siç kanë qenë ato për “Mbledhjen e armëve” dhe dorëzimin e tyre në oborret e shkollave në Shqipërinë e pas 97’-ës së çmendur për të mos thënë që vjen edhe si një tingëllim i vjetër alla komunist, “ nisma kundër zakoneve prapanike” apo “të shembim kisha e xhamia dhe në vend të tyre të ndërtojmë……”.

Përdorimi i këtij termi është larg dhe i paqasur me instrumentet që përdoren në reformimin e një sistemi arsimor, por i përdorur nga politika, kësaj radhe është tregues i nivelit të inteligjencës qeverisëse për të bashkëqeverisur dhe i sigurisë për reformimin e pretenduar që duhet të kemi ne qytetarët ndaj kësaj politike arsimore. Nuk reformohet me nisma, qoftë e ardhur nga prind apo kryeministër ardhur me letër publike apo me lidhje në skype. Së dyti, kamuflazhi mediatik politik me figurën e Kryeministrit përballë një grupi prindërish, nxënësish apo specialistësh të nivelit lokal dhe Urdhri i Ministres i datës 10.1. 2018 (pra 5 ditë përpara Fishës nga IZHA) që urdhëronte zbatimin në nivel kombëtar të nismës apo Udhëzuesi për zbatimin e nismës në po këtë datë nga IZHA, flasin për një nxitim për të PRODHUAR LAJM në janarin që shqiptarët e prisnin si “Janari i rrjetës së peshkaqenëve politikë të mëdhenj”,  kjo nën sigurinë e deklaratave të Ambasadorit Amerikan. Së treti, nëse analizon strategjinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar të 2015, nëse studion gjithë dokumentacionin zyrtar të prodhuar si politikë bërje e rilindësve, nuk gjen asnjë frazë që do përligjte këtë nxitim rilindës. Së katërti, NISMA dhe urdhri për zbatim me firmë të Ministrit thyen publikisht legjitimitetin e një aktiviteti të tillë mësimor, të pa përfshirë në Urdhrin e Ministrit për Vitin Shkollor 2017-2018, që në një farë mënyre është “Kushtetuta e Vitit Shkollor” e firmosur po nga Ministri.

Ky është precedent shumë i keq. Nuk më vjen çudi pasi kjo lloj qeverisje në arsim është nga ato që prodhon edhe Udhëzime si ai i 29 dhjetorit 2017 për arsimin e lartë, që bie në kundërshtim me vetë Ligjin e prodhuar nga ato vetë, por që në të vërtetë ka ardhur nën presion të rektorëve të universiteteve publike mbi ministrin, që nuk po menaxhon dot situatat konfliktuale Rektor-Administratorë të rinj dhe Borde universitetesh publike. Së pesti, politika tregoi edhe një herë se aktiviteti arsimor në institucione të ndryshme të arsimit, (shkolla, drejtori arsimore, IZHA etj) trajtohet ende si parcelë politike me zot Kryeministrin dhe Ministrin politik ndonëse ligjërimi i tij, departizimi dhe depolitizimi vijnë nga Kushtetuta dhe një Ligj që kërkon konsensus të gjithë palëve të përfaqësuar politikisht në Parlament, mundësisht shumë e debatuar publikisht dhe nën ekspertizë për të bindur publikun se vjen edhe me konsensus kombëtar.

Minimalja duhet të ishte debatuar në Komisionin Parlamentar të Arsimit. Këtë precedent realisht nuk e ka prodhuar asnjë burrë ministër në 27 vite, kjo është e vërtetë. Së gjashti, arsimi nuk mund të vijojë që ndryshimet t’i ideojë pa i paraprirë me kualifikime të mësuesve dhe drejtuesve. Edhe Kosova ka krijuar një precedent në reformën e vet, investoi rreth 2 vite në kualifikim mësuesish e më pas filloi fazën reformuese si implementim. Kaq gjë besoj e kanë mësuar ndërsa bëjnë mbledhje qeverie të përbashkëta 2 qeveritë. Së shtati, ndërhyrjet në sistemin arsimor të pa paraprira nga studime të mirëfillta, të pa debatuara në tryeza ekspertësh, të pa komunikuara publikisht si informim publik, të papilotuara dhe më pas të analizohet suksesi apo dështimi nuk mund të vijnë në arsimin e shekullit të 21. Udhëzuesi i IZHA i datës 10.01.2018 është “testamenti” më mediokër i një institucioni kërkimor zhvillues, që shtron rrugën e zhvillimit të arsimit në vend larg partizimit dhe politizimit. Në faqet e tij nuk takohet asnjë nga komponentët e mësipërm si vjen një ndryshim në arsim, proces i cili ka dhjetëra referenca teorike, por dhe shumë praktika ndryshimesh në sistem që kanë ardhur pas 1990-ës.

Ky konstatim na jep edhe argumentin e tetë, shumë alarmant për kapacitetin institucional të një institute të zhvillimit të arsimit. IZHA tregoi se është një institucion i partizuar dhe në shërbim të politikës së momentit(atë që ka vite që e bën) dhe aspak teknik dhe në ekspertizë. Ky pseudo-institucion zhvillimi edhe në justifikim të nismës, nuk jep asnjë referencë shkencore të tipit shkencoro-kërkimor, didaktik, psikologjik,infrastrukturor dhe organizativ, administrativ në bashkëpunim me pushtetin lokal për përgjegjësinë në disa komponentë të shkollës apo mbi gatishmërinë e burimeve njerëzore që shërbejnë në sistem për zbatimin e saj (mësues, drejtues,psikologë e punonjës të administratës mbështetëse) . Në atë material nuk ka asnjë referencë as nga Inspektimi i Ministrisë apo raporte të huajve mbi arsimin në Shqipëri. Ai konfirmoi që në mungesë totale të kësaj analize shkencore nuk zbatoi as parimin e artë të edukimit dhe jurisprodencës për fëmijë, interesi më i lartë është fëmija.

Ky program i ri mësimor krahasuar me të vjetrin, sjell përmirësime apo e kundërta?

Nuk e di kujt i referoheni ju si sistemi i vjetër, ndërsa nuk jam e qartë se çfarë nënkuptoni ju dhe kujt i referoheni si sistemi i ri. Kjo nismë kërkon të shtrihet në sistemin e vjetër dhe nuk prodhon të ri. Ju kujtoj që në sistemin e arsimit parauniversitar reformimi i vetëm i sistemit, më i thelli është bërë nga socialistët e para 2005-ës, që nga organizimi 8+4 ne u ideuam të kalonim në 9+3, qasur sistemeve më të zhvilluara, por edhe rrugëtimit të sistemit arsimor të Kosovës ku filloi mbarështrimi i politikës për tekste edhe të përbashkëta (Strategjia Kombëtare e Arsimit 2004-2015).Pra socialistët projektuan arsimin e detyrueshëm me 1 vit më shumë, por dhe ky ende larg viteve me të cilët ne u ndamë nga socializmi deri në vitet 90 ku ne kishim arritur 11.3 vite arsim të përmbushura nga fëmijët e të rinjtë, pra afër arsimit të mesëm të detyrueshëm. Më pas 2005 kemi 2 ndryshesa në strukturën e arsimit të detyrueshëm, në fillim 5+4 vite dhe më vonë 6+3, kjo në varësi të modeleve që ministrat zgjedhin për t’ju referuar.

Sa do të thithet nisma “3 lëndë në 6 orë”  në arsimin parauniversitar?

Termi juaj kërkon që më parë sistemi të ketë pasur një qasje që po modifikohet tashmë. Them sistemi, pasi synimi i vetë nismës është nga klasa e I-rë deri në të XI-ën dhe të XII-ën, e ka lënë në lirinë e mëparshme të orëve 45’.  Në këtë adoptim nuk ka fraksione ndryshesash në trajtim e menaxhim as mes niveleve I-VI-të, VI-IX dhe për më tepër i këtyre të dyjave ndaj IX-XI-ës.

A do të ketë lehtësira apo parashikon një ngarkesë më të madhe, duke qenë se në 90 minuta zhvillohen 2 tema të ndryshme mësimore?

Nisma, në mungesë të analizave shkencore paraprijëse për ndryshimet e pritshme ja ka lënë ekskluzivitetin filozofisë “Në rrugë e sipër shohim e bëjmë”, duke i uruar të gjithë aktorët e sistemit dhe jashtë tij, “Suksese në jetë!”.

Çfarë rekomandoni të përmirësohet nga ky program mësimor?

Mbase NISMA 1 do të rrëzohet nga një Nismë 2 e prindërve nxënësve mësuesve të tjerë, që mund të shpaloset në ERTV si : “Orë dhe klasa edhe me mësues asistent”, ose nga një NISMË 3 “ Për shkollën me edukim ndërdisiplinor dhe me orare e shërbime në favor të fëmijës”. Gjithmonë kjo do të varet nëse do ta pëlqejë Kryeministri apo Ministri i radhës. Jemi në shkurt, por do të vijë 7 marsi dhe mbase diçka e re na pret.

“Arsimi është në ditët e veta më kritike përballë autoritarizmit politik”

Lektorja Majlinda Keta kritikon ashpër qëndrimin e mësuesve dhe drejtorëve të shkollave të cilët përkrahin nismën, por qëndrimet e tyre i cilëson si një zëdhënie ndaj autoritarizmit politik, ndërsa thekson se fëmijën e mundon më shumë pesha e shtuar psikologjike dhe emocionale, sesa çanta e shpinës. Programi i ri mësimor jo vetëm që nuk u testua, por nuk është dëgjuar asnjë mendim nga ekspertët e arsimit para se të vihej ne jetë dhe as nuk do të dëgjohen kritikat pas nismës, shprehet ajo.

Sa po gjen përkrahjen e mësuesve, nxënësve dhe prindërve kjo nismë?

Po lexoj, dëgjoj e ndjek në rrjete sociale drejtorë shkollash, por dhe politikët drejtorë të përkohshëm e të përhershëm të DAR-ve në shkrirje e sipër që po deklarojnë: “Nisma mbështetet nga i gjithë komuniteti i nxënësve, mësuesve dhe i prindërve të shkollës”! Kjo lloj zëdhënieje flet shumë për cilësinë e demokracisë shkollore dhe autoritarizmin politik. Ndërkohë sindikatat dhe përfaqësuesit e saj janë angazhuar me kualifikimet. Arsimi është në ditët e veta më kritike përballë autoritarizmit politik, mediokritetit qeverisës dhe asfiksimit të demokracisë dhe mendimit kritik. Kjo situatë më kujton atë fazë të pas1990-ës, ku neni famëkeq 24/1 zbriti në arsim si instrument spastrimi dhe ushqyes i frikës institucionale.

Nga politika dhe vendimmarrjet e saj për sigurinë e punësimit në të. Ishte koha që militantët politikë trokisnin në zyrat e partisë në pushtet dhe të Presidentit të kohës, duke denoncuar “shmangien nga vija e partisë dhe infiltrimin në drejtim të armikut socialist, duke tentuar të asfiksonin edhe ndonjë frymë reformatore dhe kohezive lokale që mund të ishte në zyrat arsimore. Zgjidhjen e bënte vetëm Zeusi Politik dhe duhet të luteshe që ai të të njihte personalisht apo të ishte në besë të të besuarve të tij. Ishte çështje fati, bixhoz politik me pak fjalë. POR 1997-ta i vuri kapakun edhe këtyre historive militanteske në arsim dhe kjo duhet kujtuar që të mos i qasemi më kurrë. Ama edhe ajo kohë pati disa trima mes të rreshtuarve. Sot; janë të gjithë nën komandë garnizoni në dukje, paçka se kafenetë dhe konfidencat miqësore pohojnë qëndrime të kundërta me nismëtarët urdhërues.

Si është menduar të zhvillohet ora e mësimit sipas kësaj nisme dhe a parashikon ndonjë ndryshim në pagat e mësuesve?

Urdhri i Ministrit, Ministria e Financës, Kryeministri në Skype nuk kanë dhënë asnjë të dhënë për këtë. Thjesht i urdhëruan dhe u nënkuptua edhe urimi:“ Suksese në eksperimentin e radhës”!

Thonë se nisma konsiston në lehtësimin e peshës së çantës, por sa e përballueshme do jetë nga pikëpamja psikologjike?

Fëmijën e dëmton më shumë pesha e shtuar e ngarkesës mendore dhe emocionale se çanta e shpinës, kësaj të fundit i gjendet karari me shkollat në shërbim të fëmijës, me një vakt ushqimor nga shteti dhe më pas në asistencë të mësuesve për kryerjen e detyrave dhe argëtimin pasdite në ambiente sportive, muzikore, biblioteka brenda shkollës, deri në oraret kur realisht mbyll angazhimin administrata shtetërore. Çantat lihen në shkollë dhe fëmija shpëton nga ngarkesa e librave të tenderuara sipas programeve shkollore jo me nismën “3 lëndë në 6 orë”. Kë nga ekspertët e arsimit dëgjoi para nismës dhe nuk di nëse kanë pasur veshë për të dëgjuar ato që bëjnë kritikun pas nismës!

Të tjera

Ku po shkojmë?

Nga Koço Kokëdhima Fondi Monetar Ndërkombëtar ishte mjaft i ashpër dhe kritik në raportin e parë të programit të post…

Abissnet