Nisin idetë e rrezikshme të serbëve. Vulin thotë se Serbia duhet të ndajë Kosovën

Publikuar më 06. 02. 2018 nga Dionis Xhafa

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, tha të martën se Serbia duhet të kërkojë ndarjen e Kosovës, ndërsa hodhi idenë që Beogradi të bisedojë me Tiranën dhe jo me Prishtinën. Ai i bëri këto komente në një tryezë diskutimesh në kuadër të dialogut të brendshëm serb për çështjen e Kosovës të cilin e ka hapur presidenti serb Aleksandër Vuçiç. “Ndarja afatgjate dhe e fortë ndërmjet shqiptarëve he Serbëve duhet të ndodhë në Kosovë”, tha ai. Ministri serb, nuk sqaroi se si do të mund të dukej ndarja e Kosovës, por idetë e tilla zakonisht kanë përfshirë veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku vazhdon kundërshtimi i shtrirjes së sovranitetit të Prishtinës. Ideja e tillë ishte hedhur edhe më herët nga ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, por i cili kishte theksuar se kjo nuk është politikë e qeverisë së tij.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka theksuar disa herë se duhet të gjindet një zgjidhje për Kosovën, e cila nuk do të ishte e kënaqshme për asnjërën palë, por pa saktësuar se për çfarë zgjidhje behët fjalë. Ai hapi verën e kaluar një proces të dialogut të brendshëm për këtë çështje në Serbi e cila aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por kusht themelor është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Më ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia ishin marrë vesh për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që parasheh më shumë autonomi për veriun. Marrëveshja kishte nxitur shumë kundërshtime në Kosovë. Beogradi vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që është shpallur dhjetë vjet më parë, më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Zëri i Amerikës