Nis rivlerësimi i banesave, tatimi zbret 3 %, miratohet tarifa dhe formularët e aplikimit

Hyn në fuqi vendimi. Rivlerësimi i pasurive të paluajtëshme deri në 30 shtator. Kadastra nxjerr tarifën. Përfitimet në shitjen e banesës nga amnistia e përkohshme.

Briselda Hoxha

Çdo individ i cili ka në pronësi një pasuri të paluajtshme, mund të aplikojë deri në datën 30 shtator të vitit 2020, për të bërë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Të drejtën e rivlerësimit të pronave, e kanë edhe ata të cilët e kanë bërë edhe më parë rivlerësimin. Individi gjithashtu ka të drejtë që të zgjedhë në mënyrë vullnetare se nga kush do ta bëj rivlerësimin, nga ASHK-ja apo nga ndonjë ekspert i licensuar nga institucionet përkatëse. Me botimin në Fletoren Zyrtare të vendimit, përveç nisjes zyrtare të aplikimeve, është miratuar edhe tarifa  për shërbimin  e  rivlerësimit  për  individët, pranë Agjencisë së Kadastrës në vlerën 1200 lekë.

Por, para se të bëhet rivlerësimi, individi duhet të paguajë tatimin e rivlerësimit që është 3% e bazës së tatueshme dhe tarifën e shërbimit. Në rast se individi ka më shumë se një pasuri të paluajtshme, do të kryejë procedura individuale për secilën prej tyre. Pagesa e këtij tatimi kryhet në çdo bankë të nivelit të dytë sipas modeleve të formularëve përkatëse.

Formulari i Aplikimit

Tarifa e kryerjes së rivlerësimit për individës pranë ASHK-së, është 1200 lekë dhe pas kryerjes së rivlerësimit per individët, në rastin e kalimit të së drejtës së pronësisë  mbi pasurinë e paluajtshme të rivlerësuar, tatimi llogaritet sipas normave në fuqi, si diferencë e vlerës së momentit me vlerën e rivlerësuar. Nëse kjo diferencë është negative, atëherë individi nuk paguan tatim. Aplikimet për rivlerësim të pasurisë të cilat paraqiten brenda 30 shtatorin dhe akoma nuk janë përfunduar, do të procedohen pas kësaj date nëse tatimi i rivlerësimit është paguar sipas datës së mësipërme. “Shekulli” publikon formularët e miratuar që do të shërbejnë gjatë aplikimit.

Fatura që paguhet nga individi në momentin e aplikimit

 

Çfarë përfitohet nga rivlerësimi

Nëse një person shet një apartament sot, ai duhet të paguajë tatim-fitimi në masën 15% të fitimit të realizuar. Fitimi del nga diferenca mes çmimit të blerjes së apartamentit dhe atij të shitjes. Kjo diferencë tatohet me 15%. Kështu, në rast se një person ka blerë një apartament 60 mijë euro dhe e shet atë 70 mijë euro, do të fitojë 10 mijë euro. Nga ky fitim, do të paguajë 15% ose 1500 euro tatim. Nga amnistia e re, përfituesit më të mëdhenj janë ata që kanë deklaruar çmime blerjeje minimale dhe të gjithë ata që kanë shtëpi të ndërtuara para vitit 1992. Apartamentet e viteve të komunizmit janë blerë me çmime të ulëta gjatë privatizimeve të viteve 1990. Kështu, një apartament në qendër të Tiranës, me sipërfaqe 100 metra katrorë, është privatizuar me një çmim prej 30 mijë lekësh.

Në rast se pronari i tij do të kërkojë ta shesë atë sot, atëherë çmimi minimal fiskal është të paktën 100 mijë lekë/m². Dhe i gjithë apartamenti 10 milionë lekë. Në fakt, vlera prej 30 mijë lekësh e privatizimit është indeksuar me kalimin e viteve dhe sot ai llogaritet diku te 1.5 milionë lekë. Kështu, diferenca, fitimi në rast shitjeje, do të ishte 8.5 milionë lekë. Vlera e tatimfitimit prej 15% do të ishte 1.275.000. Kjo është shuma që do të paguajë çdo qytetar që shet një apartament të vjetër në qendër të Tiranës. Me amnistinë e miratuar dje, tatimi nga 15% bëhet 3%. Në rast se bën rivlerësimin e apartamentit, sipas amnistisë, qytetari do të paguajë vetëm 170 mijë lekë dhe vlera e apartamentit të tij në Hipotekë do të shënohej 10 milionë lekë. Kjo do të bënte që në rast shitjeje të shtëpisë në një kohë më të vonë, praktikisht të shmangë tatimin mbi fitimin dhe të fitojë minimalisht 1.105.000 lekë.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet