Nis fushata zgjedhore në Maqedoni, nxehet atmosfera politike

Publikuar më 25. 09. 2017 nga Dionis Xhafa

Prej sot filloi fushata njëzet ditore për zgjedhjet lokale që duhet të mbahen më 15 tetor të këtij vitit njofton Portalb.mk. Për rrethin e parë zgjedhor, fushata do të mbarojë më 13 tetor në ora 24, pas së cilës vijon heshtja zgjedhore deri më 15 tetor në ora 19:00, kur edhe zyrtarisht do të mbyllen kutitë e votimit.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor, ka konstatuar listën për kandidatë për kryetar të komunave dhe këshilltarë komunal, të parashtruar nga 19 parti dhe koalicione, ndërkaq 64 janë grupe votuesish. Me këto numra do të mund t’i votoni partitë në zgjedhjet lokale

LSDM – 19
VMRO-DPMNE – 7
Bashkimi Demokratik për Integrim – 3
Lëvizja BESA 14
Aleanca për Shqiptarët – 9
Aleanca për Shqiptarët (RDK dhe UNITETI) – 2,
Lëvizja e Turqve – 8
Partia Demokratike Shqiptare – 15
Partia Demokratike e Turqve – 11
Levica (E Majta) – 16
Partia për Prosperitet Demokratik – 17
PSDM – 1

BDI, BESA dhe Aleanca për Shqiptarët në Ohër dhe Manastir – 4
Listat e kandidatëve për anëtarë të këshillave dhe listat e kandidatëve për kryetarë të komunave, të cilat do të parashtrohen nga parashtrues i njëjtë do të kenë numër të njëjtë rendor në të gjitha komunat. Në komunën në të cilën nuk ka përfaqësues të vet numri adekuat i parashtruesit do të lihet dhe në vend të tij do të shkruhet numri rendor i bartësit të ardhshëm pa lënie të vendit të zbrazët.

Ndryshe, këto janë zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni të cilat do të mbahen në 3.480 vendvotime në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Fushata zgjedhore ka filluar që nga mesnata dhe do të përfundojë më 13 tetor në ora 24. Rrethi i dytë i zgjedhjeve është caktuar dy javë më vonë, më 29 tetor. Fushata zgjedhore për rrethin e dytë përfundon më 27 tetor në orën 24.