Ngjashmëria e fjalimit të Vuçiçit me atë të Millosheviçit

Gëzim Mekuli

Fjalimi i Presidentit serb në Kosovë ishte i tmerrshëm. Lëvdatat e presidentit serb, Aleksander Vuçiç, thurur në Kosovë, për Slobodan Millosheviçin, ngjallën shqetësim dhe ankth publik. Ngjallën shqetësim sepse luftërat nacionaliste serbe, gjatë viteve ‘90, që shkaktuan shkatërrim dhe gjakderdhje biblike, filluan nga fjala, nga fotografia televizive dhe lajmi serb. Aleksandër Vuçiç në fjalimin e tij e quajti ish-presidentin Millosheviç si një “lider të madh serb”, duke i cilësuar qëllimet e veprimeve të tij si të mira. A është e mundur kjo? Kasapi i Ballkanit u shpall hero e lider! Hitleri i Ballkanit u rehabilitua nga politika zyrtare serbe. U ringjall Millosheviç nga miku i Edi Ramës dhe i Hashim Thaçit. Dhe kjo ndodhi në Kosovë. Hapësira publike shqiptare edhe njëherë u sulmua, u ofendua e u poshtërua, por ne nuk dëgjuam, nuk pamë e nuk lexuam reagime nga Tirana e as nga Prishtina zyrtare. As Bashkimi Europian e as ambasadorët nuk reaguan! Përse do të duhej të reagohej ndaj dhunës publike serbe? Duhej të reagohej sepse fjalimet e Millosheviçit ishin një ndër faktorët nxitës të cilët shkaktuan dhimbje të mëdha njerëzore dhe, se fjalimet e tij, akoma, në vazhdimësi, ndikojnë në politikën serbe. Fjala e Milosheviçit në hapësirën publike serbe? Fjalët më të rëndësishme që Millosheviçi i përdorte në fjalimet e tij ishin “lideri “, “përçarja”, “beteja”, “identiteti”, “populli”, “NATO”, “Serbia”, “Kosova”, “ata”, “ne” dhe “Kushtetuta”. Duke përdorur këto shprehje, Millosheviçi kërkonte të ndërtonte një publik që do ta pranonte atë si një udhëheqës të përkryer serb për të gjithë serbët në ish-Jugosllavi. Si duket sot pikëpamja serbe për botën shqiptare? Janë tri elemente që dominojnë në të gjitha fjalimet e Millosheviçit: E para është se “Kosova” ka një vend qendror dhe paraqitet si “shpirti i Serbisë”. E dyta është se “sindromi i viktimës” luan një rol vendimtar në ndërtimin e publikut, dhe e treta është se, “përçarja”, kjo fatkeqësi serbe, e ka ndjekur këtë popull që nga viti 1389.

Ngjashmëria

Kur Vuçiç thotë se “nënat serbe po lindin pak ” dhe se “Kosovën nuk do ta pranojmë kurrë”, fjalimi i tij ndërton pikëpamjen për Kosovën me dominimin serb, rikthimin e krenarisë serbe, dhe një përqendrim të fuqisë serbe në Kosovë. Këtu kemi një pikëpamje serbe mbi botën dhe një publik që mendon se është tërësisht e drejtë për të sunduar popujt e tjerë; Sepse, sipas fjalimit, serbët janë “populli i zgjedhur i Zotit”. Fjalia e Vuçiçit: “Millosheviçi nuk është kuptuar”, është pajtim dhe rreshtim me gjenocidin serb. Pikëpamja e botës që tregohet në fjalimet e Vuçiçit është se një politikan serb duhet të jetë pa kompromis sa i përket Kosovës; Paçka është e drejtë serbe, jo vetëm të administroj Kosovën, por edhe ta përvetësoj Kosovën. Duke proklamuar se “Kosova është zemra e Serbisë”, politikanët serb thërrasin tek ndjenjat nacionaliste. Në ketë mënyrë fjalimi ndërton një publik ku serbët ishin të bindur se ata i takonin një populli “të shenjtë e të rrallë”; pra këta i takojnë një populli me një vlerë të madhe, përderisa “të tjerët” ishin popuj me vlera të vogla apo, popull me zero domethënie. Duke përdorur elemente mitologjike, fjalimi ndërton e zhvillon një botëkuptim se serbët duhet të sigurojnë atë që është specifike për “identitetin serb”. “Serbët dhe Kosova” janë disa nga fjalët më të rëndësishme, e që kanë një intensitet të madh në fjalimet e Vuçiçit në Kosovë. Bile-bile rreth fjalës “Kosova” frekuenton fjala me rendësi siç është “Serbia”. Ekzistojnë, po ashtu, ngjashmëri tjera, e të dukshme, në mes fjalimeve të Millosheviçit dhe Vuçiçit. Sajesën, që Millosheviçi e ndërton në fjalimin e tij në Gazimestan (1989), dhe sajesën që e ndërton Vuçiç në Kosovë, është një popull që duhet të bëjë çmos që të mbajë Kosovën, apo pjesë të Kosovës, brenda në Serbi. Millosheviçi dhe Vuçiçi ndërtojnë një popull, i cili nuk duhet të ketë frikë nga vdekja, e veçanërisht nëse vdekja të dhuron pavdekësinë. Duke thirrur: “Serbia do të luftojë për Kosovën” (Millosheviçi / 1989) dhe “ne kurrë nuk do të njohim pavarësinë e Kosovës” (Vuçiçi /2018), fjalimi kërkon të ndërtojë një bindje në publik se serbët historikisht janë keqkuptuar/keqtrajtuar nga “të tjerët” dhe, në ketë mënyrë, këta edhe “janë viktima”. Përfundimi që mund të nxirret nga fjalimet e Vuçiçit dhe Millosheviçit është se: “Serbët ishin viktima në 1389 dhe janë viktima edhe sot në vitin 2018. Përmes fjalës “popull”, politikanët e sotëm serbë, ringjallin ndjenjat e pasigurisë të serbëve. Po ashtu këta ndërtojnë një botëkuptim, ku serbët janë të kërcënuar dhe janë “në rrezik nga shqiptarët” dhe “të tjerët”. Shohim se nacionalizmi serb është duke u bërë akoma më dominues dhe i rrezikshëm, gjithsesi duke e përdorur religjionin dhe ikonat serbe si mjete për qëllime politike. Secili fjalim ka veti dhe një ngjashmëri të veçantë: Për shembull: Fjalimet jetojnë në mitologji dhe ëndërrojnë në histori. Fjalimet e Millosheviçit dhe Vuçiçit ringjallin humbjet, gjakun, vrasjet dhe hakmarrjen. Këta shkojnë disa qindra vite prapa. Fjalimet e tyre ndërtojnë një popull të pafajshëm, heroik dhe sajojnë një “viktimë të pakuptuar” nga bota që i rrethon. Mendoj se kjo analizë e shkurtër është me rëndësi sepse kjo reflekton një realitet se si fjalimet retorike nacionaliste mund të kenë pasoja të tmerrshme për njerëzimin. Tjetra është se gjeneratat e reja mund të mësojnë nga ky diskurs retorik, fuqinë dhe pasojat e saj. Millosheviçi dhe Vuçiçi ndërtuan një popull me nevoja për më shumë “Freies Raum”*; E, ky popull u bind dhe besoi për idenë e Serbisë së Madhe, dhe ishte i gatshëm të ecë edhe mbi kufoma për të arritur tamam këtë: Serbinë e Madhe.

*(Hapësirë e lirë dhe më të madhe), shprehje e nazistëve

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet