“Ngec” gjyqi për 2.5 tonë drogë në Itali, i pandehuri Progonati shtrohet në QSUT

Nga Bleona Metushi

Që prej dy muajsh gjyqi ndaj 8 të pandehurve për drogën e kapur në Itali ka “ngecur”, herë për mungesë të avokatëve dhe herë për mungesë të të pandehurve. Dje u njoftua se një prej të pandehurve që pritej në seancë, ishte shtruar me urgjencë në spital

Gjykata e Krimeve të Rënda zhvilloi dje seancën e radhës ndaj 8 të pandehurve të 2.5 tonë drogë të kapur në Itali në fillim të vitit 2017. Çështja ka kaluar në gjykim, ndërsa në bankën e të pandehurve përpos 4 trafikantëve, janë edhe oficerë të policisë kufitare dhe doganierë. Por që prej dy muajsh që dosja ka kaluar në gjykim, Krimet e Rënda nuk kanë arritur të zhvillojnë asnjë seancë të saktë, duke ngelur ende në fazën e zgjedhjes së formës së gjykimit. Shkak për këtë vonesë, herë janë bërë avokatët dhe herë është bërë fakti se një prej të pandehurve, Demo Progonati, sipas pretendimit të avokatit është shumë i sëmurë dhe nuk mund të marrë pjesë në seanca.

Në këtë fazë ku është procesi, prania e të pandehurve është e nevojshme, pasi zgjedhja për mënyrën e gjykimit është vetëm e subjektit dhe ndryshe mund të bëhet vetëm me prokurë të posaçme. Në lidhje me rastin konkret, gjykata më herët kishte caktuar dy ekspertë për të bërë akt-ekspertimin mjeko-ligjor për të pandehurin Progonati dhe për të përcaktuar gjendjen e tij. Sipas këtij ekspertimi, specialistët thonë se i pandehuri është sëmurë, por që mund të qëndroj në ambientet e burgut. Ndërsa dje, para se të fillonte seanca gjyqësore e radhës, Drejtoria e Burgjeve kishte dërguar në gjykatë një shkresë, ku sqaronte se nuk ishte bërë shoqërimi i të pandehurit pasi ishte sëmurë dhe ishte dërguar me urgjencë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”.

Shkresa e dërguar nga burgjet ishte e firmosur nga ana e specialistëve të fushës në QSUT. Pas kësaj, gjykata ishte e detyruar të shtyjë seancën për një datë tjetër, ndërsa sipas burimeve, mësohet se Demo Progonati është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe vuan nga sëmundja e HIV. Sipas këtyre burimeve, sëmundja është në një fazë të avancuar, ndërsa i pandehuri nuk është në gjendje as të nënshkruaj një prokurë. Në lidhje me shtyrjen e shpeshtë të seancave, shprehen të pakënaqur disa prej familjarëve të të pandehurve. Kujtojmë se herën e fundit, të gjithë avokatët mbrojtës të të pandehurve, kërkuan ndarje të çështjes dhe shpalljen e mos kompetencës nga Krimet e Rënda, duke pretenduar se akuza e “Grupit të strukturuar kriminal” është absurde dhe aspak e vërtetë.

Të pandehur

Në masën e sigurisë “arrest në burg” janë Euron Hoti, Malton Lleshi dhe Demo Progonati, ky i fundit ishte në listën e  shoferëve shoqërues të kamionit të kapur në Ankona. Gjithashtu, në masën e sigurisë “arrest në burg” janë edhe Agron Kapllani, ish punonjës policie, trup shërbimi, shoqërues qeni në Portin e Durrësit, i përjashtuar nga Policia e Shtetit më datë 18.07.2017 dhe Gëzim Dervishi, ish specialist në trajtimin e qenve të shërbimit në Stacionin e Policisë Kufitare Durrës, i përjashtuar nga Policia e Shtetit më datë 28.07.2017. Ndërsa Altin Katundi, ish-agjenti doganor dhe doganieri Mikail Hila, janë në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Ky proces ka edhe një bashkëpunëtor të drejtësisë, 32-vjeçarin nga Vlora, Aurel Lazaj, i cili ka vendosur të bashkëpunoj dhe dje në sallën e gjyqit ishte i shoqëruar nga forcat speciale të policisë.

Sipas organit të akuzës, pas mbylljes së hetimeve 8 të pandehurit duhet të gjykohen për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në bashkëpunim, “Grupi strukturuar kriminal”, ” Kryerja e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal” dhe “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim. Në lidhje me këtë rast të trafikut u arrestuan shumë persona, ndërsa çështja është ndarë në dy procedime të lidhura, për njërin në grupin ku ndodhet edhe nënkomisari i Fierit, Fastim Lelaj hetimet vazhdojnë. Në procesin e nisur ndaj këtyre 8 të pandehurve, është edhe një bashkëpunëtor i drejtësisë, trafikanti Aurel Lazaj.

Sekuestrimi dhe arrestimet

Ngarkesa prej 2.5 tonë drogë në Ankona të Italisë është sekuestruar në datën 9 janar të 2017-ës, kur edhe është arrestuar në flagrancë nga policia italiane, shoferi Dhimo Koraj, i cili shoqëronte kamionin në Portin e Ankonës. Në listën e pasagjerëve, figuronte si shofer i këtij kamioni të nisur nga Durrësi, Demo Progonati46-vjeçari, i lindur në Progonat dhe banues në Fier, i arrestuar 6 ditë pas sekuestrimit të drogës, në 15 janar. Pas arrestimit të Progonatit dhe nisjes së hetimeve të cilat zgjatën pothuajse 1 vit, erdhën edhe një varg arrestimesh duke krijuar një furtunë në  doganën e Durrësit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Enklava apo komuna?

Emilie Fort Pothuajse një vit më parë, kur shkëmbeva disa email-e, me një profesoreshë në Beograd, unë theksova përdorimin e…

Abissnet