Ngec fondi për pronarët, qeveria nuk paguan për kompensimet

Në gjysmën e parë të vitit është ndarë vetëm 1/5 e fondit për kompensimin e pronarëve. Edhe DASH në raportin e fundit citon korrupsionin,  problemet me pronat dhe pamundësinë e dëmshpërblimeve

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për treguesit fiskalë, tregojnë se qeverisë i mungojnë rreth 4.3 miliardë lekë të ardhura nga TVSH-ja në krahasim me parashikimin e bërë për këtë periudhë, apo 55 miliardë lekë në total. Në fakt, këto shifra dalin pas një periudhe të trazuar politike, por edhe nga raporti qeveri-biznes, që kur këta të fundit kundërshtuan që nga viti i kaluar përfshirjen në regjimin e TVSh-së, kundërshtim ky që u konstatua me pasoja falimenti edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e para disa ditëve.

Shpenzimet

Sa i përket shpenzimeve për kompensimin e pronarëve, edhe pse ka kaluar gjysmë viti, për këtë kategori, ku në buxhetin e 2019-s është parashikuar ndarja e fondit me vlerë 5 miliardë lekë, deri më tani janë hedhur në llogari të tyre 1.1 miliardë lekë, ose vetëm 22 për qind e fondit total. Nuk ka një arsyetim për mungesën e progresit në rendin e kompensimit të pronarëve, sidomos pas përfundimit të afatit për shqyrtimit e dosjeve deri në muajin shkurt. Por, një strategji që përdor qeveria për të mos lëvruar fondin për këtë kategori është ajo pikë e ligjit që orienton pronarët të kërkojnë të aplikojnë për të marrë jashtë radhe pagesa të përshpejtuara, mundësi kjo që i jep mundësi buxhetit të shtetit të kursejë, duke u ndarë sipas vendimeve fonde nga 20 deri në 60 për qind të totalit.

Departamenti Amerikan i Shtetit

Në raportin e vitit 2019 mbi Klimën e Investimeve në Shqipëri, DASH e cilëson si problematikë situatën e investimeve duke cituar edhe shkaqet, që sipas saj janë: “korrupsioni, presioni politik për kontraktorët, ndryshimi i shpeshtë dhe i pakonsultuar i ligjeve, kalimi i ligjeve klienteliste.” Raporti citon problemet që po has Shqipëria me projektet PPP që në shumicën e rasteve janë të pastudiuara dhe jo të konsultuara siç duhet. Një tjetër pikë e rëndësishme është edhe e drejta e pronës, në raport thuhet se pronarët nuk marrin pronat e tyre të tjetërsuara nga regjimi komunist. Ndërkohë që citon që edhe shumë shqiptaro-amerikanë nuk i marrin dot pronat apo dëmshpërblimet për pronat e sekuestruara nga regjimi komunist. Shumë prej investorëve amerikanë janë larguar nga Shqipëria si pasojë e këtyre problemeve jetike për biznesin dhe investitorët. DASH përmend se qeveria Shqiptare miraton shpesh ligje të vështira në interpretim ashtu që ajo të ketë mundësi për të larguar bizneset duke favorizuar ato që i interesojnë asaj. Njëkohësisht bizneset e huaja citojnë se qeveria ndërhyn tek ato për të detyruar që të ndërmarrin nënkontraktor të caktuar të lidhur me qeverinë.

Raporti

Shqipëria është një vend me të ardhura të mesme me një GDP për banor prej 5,288 USD (2018) dhe një popullsi prej rreth 2.9 milion njerëz, rreth 45 për qind e të cilëve jetojnë në zonat rurale. Sipas vlerësimeve të FMN-së, PBB-ja reale u rrit me 4.2 për qind në vitin 2018 dhe rritja pritet të bjerë gjatë vitit 2019 por mbetet në afërsi të 4 për qind në periudhën afatmesme. Shqipëria mori statusin e kandidatit të Bashkimit Evropian (BE) në qershor 2014 dhe që atëherë ka kërkuar të hapë negociatat e pranimit. BE ka inkurajuar Shqipërinë që të vazhdojë përparimin në reformat lidhur me pesë prioritete kryesore: reformën e administratës publike, reformën e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e personave që i përkasin pakicave dhe pronës drejtat. Investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme të vazhdueshme në Shqipëri. Në vitin 2016, qeveria shqiptare (QSH) miratoi amendamente gjithëpërfshirëse kushtetuese për të reformuar sistemin gjyqësor të vendit dhe për të përmirësuar sundimin e ligjit. Zbatimi i reformës gjyqësore është duke u zhvilluar, duke përfshirë edhe verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për pasuri të pashpjegueshme. Ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët e shumtë janë shkarkuar nga një komision verifikimi për pasuri të pashpjegueshme ose lidhje të krimit të organizuar, investitorët e huaj e perceptojnë si një problem klimën e investimeve dhe thonë se Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes.

Të drejtat e pronës

Të drejtat e pronës mbeten një sfidë tjetër në Shqipëri, pasi që titulli i qartë është i vështirë për t’u marrë. Ka pasur raste të individëve që manipulojnë sistemin gjyqësor për të marrë tituj të paligjshëm të tokës. Kompensimi për tokën e konfiskuar nga regjimi i mëparshëm komunist është i vështirë për t’u arritur dhe joadekuat. Agjencia e ngarkuar me heqjen e ndërtesave të ndërtuara në mënyrë të paligjshme shpesh vepron pa konsultime të plota dhe nuk ndjek procedurat. Për të tërhequr investimet e huaja direkte dhe për të nxitur investimet vendase, qeveria pritëse miratoi një ligj mbi investimet strategjike në vitin 2015. Ligji përcakton stimujt e investimeve dhe ofron procedura administrative të shpejta për investitorët strategjikë vendas dhe të huaj, varësisht nga madhësia e investimeve dhe numri i vendeve të punës krijuar. Qeveria gjithashtu miratoi legjislacionin që krijon fusha të zhvillimit ekonomik teknik (TEDA-s), si zona të tregtisë së lirë.

“Zgjidhja”: DASH dhe KE tregojnë zhvatjen e Shqipërisë nga klientët e Rilindjes

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi dje raportin për “Klimën e Investimeve për 2019-ën”, duke u shprehur i shqetësuar për korrupsionin, mungesën e transparencës në tendera, zbatimin e dobët të kontratave si dhe peripecitë që heqin investitorët e huaj në Shqipëri. Për DASH Shqipëria është një vend i vështirë për të bërë biznes, me korrupsion, mungesë në transparencën e prokurimeve publike dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme të vazhdueshme. Investitorët e mëdhenj të huaj raportojnë presion për të punësuar nënkontraktorë të lidhur me politika specifike dhe shprehin shqetësimin rreth përputhshmërisë me Aktin e Praktikave të Korruptimeve të Huaja gjatë operimit në Shqipëri. Raporti i DASH-it i cilëson korruptive prokurimet që bën qeveria, ndërsa PPP-të si vrasëse të konkurrencës, duke u dhënë të drejtë të gjitha raporteve që e perceptojnë Shqipërinë si vendin më të korruptuar në Ballkanin Perëndimor.  Po ashtu, edhe Komisioni Europian alarmoi për fondet që po marrin PPP-të dhe mungesën e investimeve në arsim dhe shëndetësi. Duke analizuar programin e pestë të reformave ekonomike (ERP) për periudhën 2019-2021, të hartuar nga qeveria shqiptare, këmbanat e alarmit bien për nivelin e lartë të borxhit publik, mbledhjen e ulët të taksave, nivelin e ulët të konkurueshmërisë, papunësinë e lartë te të rinjtë, cilësinë e ulët të edukimit, mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar etj dhe mbi të gjitha mungesën e vlerësimit të rrezikut për pagesat që duhen bërë për projektet e partneritetit publik privat (PPP). Të vetmit tregues me rritje janë shumat që buxheti do t’u paguajë klientëve të qeverisë për PPP-të, që sot janë sa 31% e prodhimit të brendshëm bruto (PBB) dhe që do të shtohen edhe me 15% të tjera këtë vit.  Ky lumë parash do t’u merret sektorëve prioritarë si arsimi dhe shëndetësia, që prej vitesh kanë financimet më të ulëta në rajon. Por qeveria planifikon t’i ulë edhe më tej financimet në arsim, nga 2.5% në 2.2% të PBB dhe ato në shëndetësi nga 3.0% në 2.7% të PBB si dhe për mbrojtje sociale të shtresave në nevojë nga 9.0 % në 8.6% të PBB-së. Ajo që do të trashëgojë vendi pas vitit 2021 do të jetë ‘toka e djegur’ e buxhetit të shtetit, një krim me financat publike dhe të ardhmen e vendit. ‘Zgjidhja’ ka deklaruar se Rilindja e ka ngritur korrupsionin në sistem, si asnjëherë më parë dhe të vetmit që bëjnë biznes janë klientët e qeverisë. PPP-të e nënshkruara nga PD-ja dhe Rilindja janë marrëveshje antikombëtare, janë pakte kriminale mes qeverive dhe klientëve të tyre, që ia pijnë gjakun vendit, e falimentojnë buxhetin dhe ekonominë.  ‘Zgjidhja’ u ka premtuar shqiptarëve se me ardhjen në pushtet do t’i ndalojë përfundimisht këto praktika dhe do vendosë tatime të jashtëzakonshme për të gjitha këto marrëveshje turpëruese dhe falimentuese, do t’ua rimarrë PPP-ve dhe do t’ua shpërndajë shqiptarëve sërish këto fonde të vjedhura, duke i investuar në arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale dhe për një rifillim të ngritjes ekonomike të vendit.

KE: Shqipëria nuk investon për arsimin e shëndetësinë por për PPP-të

Komisioni Europian ka publikuar vlerësimin e tij për programin e pestë të reformave ekonomike (ERP) që mbulon periudhën 2019-2021, i hartuar nga qeveria shqiptare. Në komentet e tij, Komisioni Europian e vë theksin te niveli i lartë i borxhit publik, mbledhjen e taksave nën potencial, nivelin e ulët të konkurrueshmërisë, papunësinë e lartë tek të rinjtë, cilësinë e ulët të edukimit, mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar etj, mungesën e vlerësimit të rrezikut për pagesat që duhen bërë për projektet e partneritetit publik privat (PPP) etj. Komisioni konstaton se ndonëse investimet e Shqipërisë në arsim dhe shëndetësi kanë qenë nën mesataren e rajonit, ato parashikohet të ulen më tej. Në të kundërt, rritja e projekteve me partneritet publik privat sjell rreziqe kyçe që minojnë planet për reduktimin e deficitit. Komisioni i referohet shifrave të FMN-së, sipas të cilës PPP-të kanë arritur një vlerë prej 31% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) dhe pritet të shtohen edhe me 15% të PBB-së në 2019-n. Kjo rritje e PPP-ve nuk po shoqërohet me shtim të stafit që do të ishte në gjendje të monitoronte dhe vlerësonte këto kontrata dhe projekte komplekse. Kjo nënkupton që detyrimet financiare publike të lidhura me PPP-të nuk po adresohen si duhet dhe nuk po regjistrohen nga ana statistikore. Raporti e kritikon Shqipërinë dhe për informalitetin e lartë dhe nivelin e ulët të të ardhurave publike, që qeveria nuk ka marrë angazhim ti rrisë, megjithëse janë nën potencial, teksa rekomandon që vendi nuk ka nevojë të rrisë taksat, por të shfrytëzojë hapësirën që ka nga evazioni fiskal. Borxhi publik është ende i lartë, thekson raporti i KE dhe nevojat e mëdha financiare po peshojnë në qëndrueshmërinë e borxhit; mbledhja e taksave është gjithashtu nën potencial. Reduktimi i planifikuar i borxhit varet ndjeshëm nga rritja e lartë ekonomike deri në fund të periudhës së programit. Avancimi i konsolidimit fiskal mund të lehtësojë rrezikun e mos arritjes së objektivit të reduktimit të borxhit në rast se vendi do të përballet me një rritje më të ulët në vitet në vijim. Niveli i lartë i punës së padeklaruar dhe evazionit fiskal siguron hapësirë të mjaftueshme për rritjen e të ardhurave tatimore pa rritur normat e taksave. Detyrimet e papaguara dhe detyrimet e paparashikuara dëmtojnë kredibilitetin e pozicionit të borxhit publik. Financat publike të Shqipërisë vazhdojnë të vuajnë nga nivele relativisht të ulëta të grumbullimit të taksave dhe nivele të larta të informalitetit, thekson raporti. Megjithëse është bërë përparim i dukshëm në mbledhjen dhe administrimin e taksave, të ardhurat nga taksat si përqindje e PBB-së mbeten nën mesataren rajonale dhe sistemi i sigurimeve shoqërore vuan nga një deficit i madh. Mobilizimi i ulët i të ardhurave është kryesisht për shkak të madhësisë së lartë të informalitetit por edhe në ekonominë formale (p.sh. duke përdorur çmime më të ulëta ose paga për efekt të deklaratave tatimore). Evazioni i TVSH vlerësohet të jetë 30-40% e TVSH-së potenciale, dhe rreth 30% e punësimit vlerësohet të mbetet e padeklaruar. Për më tepër, përjashtimet e fundit nga taksat për nxitjen e investimeve minojnë më tej mbledhjen e të ardhurave dhe nxisin mashtrimin tatimor, sepse ato komplikojnë sistemin e taksave dhe e bëjnë atë më pak transparent. Investimi i Shqipërisë në arsim dhe shëndetësi ka qenë nën mesataren rajonale dhe programi ekonomik i qeverisë planifikon të ulë edhe më tej pjesën e shpërndarjes së buxhetit në arsim dhe shëndetësi. Rritjet e planifikuara për investime publike duhet gjithashtu të përdoren për financimin e arsimit, shëndetësisë dhe kërkimit, dhe ky investim duhet të jetë më efikas dhe më efektiv. Qeveria ka në plan të ulë akoma fondet tashmë të ulëta në arsim (që do të bien nga 2.5% në 2.2% të PBB), shëndetësi (e cila do të bjerë nga 3.0% në 2.7% të PBB) dhe mbrojtje sociale (që do të bien nga 9.0 % në 8.6% të PBB-së) gjatë periudhës së programit. Këto plane alokimi nuk ndihmojnë për të trajtuar ikjen e trurit dhe mungesat e fuqisë punëtore të kualifikuar. As ata nuk ndihmojnë për të inkurajuar konvergjencën ndaj standardeve evropiane në këto fusha, thuhet në raport.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Lapërdhosja e shtetit

Rezart Prifti Këto ditë të bukura Tetori në Shqipëri diskutohet si përherë për surealen, për të paprekshmen, për atë që…

Abissnet